Të shtunën, më 28 maj 2022, Kisha Katolike në Kosovë e kryesuar nga bariu i saj, Imzot Dodë Gjergji, ka shtegtuar në Shenjtëroren e Dioqezës në Letnicë për të përmbyllur muajin maj kushtuar devocionit të Marisë Virgjër. Ky është shtegtim tradicional i Dioqezës, në të cilin marrin pjesë të gjitha famullitë me një përshpirtëri mariane popullore.
Në altarin e madh, që gjendet në hapësirën e jashtme të Shenjtërores, meshën e shenjtë, në orën 11:00, e kryesoi Imzot Dodë Gjergji, ipeshkvi ynë, në bashkëmeshim me meshtarët e dioqezës e në prani të mijërave besimtarëve të të gjitha moshave.
“Sot kemi ardhur te Zoja e Letnicës për të përmbyllur muajin e kushtimit tonë Zojës së Bekume, që e kemi nderue me devotshmëritë tona nëpër famullit e Dioqezës – tha ipeshkvi në fillim të homelisë së tij, i cili vazhdoi se “sivjet e kemi pasur një vit hiri në ecjen sinodale dioqezane, që e kemi përmbyllur në festën e Zojës Ndihmëtare në Prizren. Prandaj, dua të falënderoj Zotin për këto dhurata që ia jep Kishës sonë në Kosovë.” – ishin fjalët e bariut tonë që me shumë gëzim e përkushtim ju drejtua besimtarëve të përshpirtshëm në këtë vend të shenjtë dhe shumë të dashur nga të gjithë ne, pasi këtu Martirët e Karadakut dhe shenjtëresha e kohës sonë Shën Nënë Tereza kanë shtegtuar dhe janë përbetuar në jetë dëshmie e shenjtërie të krishterë.
Në shembullin e Zojës se Bekuar i kemi tri gjëra të cilat dua sot t’i përtypim bashkërisht me mendje, me zemër dhe me shpirt: Zoja dinte të heshtte, të dëgjonte, të sodiste Zotin dhe praninë e tij në jetën e saje. Duke i lexuar Shkrimet dhe kujtimet e popullit të Zotit mbi ndërhyrjet dhe mbi veprimin e Zotit gjate historisë, ajo i këndonte Zotit këngë, psalme, lavde, siç i këndonin profetët dhe populli i zgjedhur, e kështu e lartësonte shpirtin e vete drejt qiellit, e në njëfarë mënyre e bënte të pranishëm atë në zemrën e vet. Zoja e dëgjonte Zotin, e Zoti i fliste nëpërmjet engjëllit. Dhe jo vetëm që e dëgjonte se çfarë po i thoshte engjëlli, por edhe i bindej fjalës që pranonte. Pastaj, Zoja e sodiste me mendje dhe me zemër Fjalën.” – ishte nxitja për të reflektuar më tej në homelinë e tij e duke i bërë që këto të bëhen pjesë e çdonjërit prej besimtarëve.
Çfarë në të vërtetë është porosia që Zoti me jep mua sot, çfarë Zoti vërtetë pret nga unë, çfarë me thotë në heshtje, në uratë, në meditim, çfarë më thotë të bëjë. Zoja e Bekuar dinte ta zbërthente vullnetin e Zotit me urtinë e zemrës së vete, me aftësinë e shpirtit të saje, dhe vetë fakti që Zoja e Bekuar niset për te shkuar te kushërira e vetë Elizabeta, nuk është një nxitje e vullnetit të sajë vetëm për shkak të afërsisë se gjakut, por është një nxitje nga engjëlli dhe një bindje ndaje tij. Maria e mori atë sikur një thirrje, sikur një nxitje e engjëllit, sikur një vullnet të Zotit që të shkonte me e bashkënda gëzimin e sajë me kushërirën e vetë Elizabetën, e cila po e ndiente të njëjtin gëzim, sepse Zoti vepron në të gjitha gjeneratat, edhe në gjeneratat e njoma sikurse ishte Maria, edhe ne gjeneratat e shtyra, siç ishte Elizabeta.
Zoti dine ta ringjalle dhe ta bëjë të frytshme të thatën, e të vyshkurën e të mjerën, shkretëtirën ta bëjë të lulëzojë. Zoti din e Zoti mundet ta aftësojë të riun e të renë, të njomen në përgjegjësitë për botën, për shenjtërim, për jetën, për popullin e vetë, për ekzistencën, për dashurinë e tij në botë. Prandaj, të rinjtë nuk duhet sot të ikin nga përgjegjësitë që kanë. Edhe i ftojmë që mos ta shohin Kishën, as ipeshkvin, as meshtarin, as motrën, as nënën, as babën… sikur atë që duhet t’i bindemi njëri-tjetrit, por ta sodisim ekzistencën tonë shpirtërore në fe më Krishtin e me Zojën e Bekume, në mënyrë që të zbulojmë në zemrën tonë se çfarë duhet te bëjmë e këtë moment, në këtë kohë, sot, dhe atëherë do të zbulojmë që nuk kemi nevojë me drejtua gishtin nga njëri-tjetri për me thëne sa i mirë, ose sa i keq, që ta drejtojmë gishtin nga njeri-tjetri që të tregojmë se sa është i dobishëm, a sa është i dëmshëm, nuk kemi nevoje të dalim të përsërisim në mesin e njëri-tjetrit për t’i thënë ruaju apo besoi dikujt, por ta lartësojmë shpirtin drejt qiellit, ta drejtojmë gishtin drejtë vetvetes dhe dëgjojmë Shpirtin e Zotit që na pëshpëritë në brendinë e zemrës dhe na ndihmon ta zbulojmë përgjegjësinë që e kemi për njëri-tjetrin.
Vëllezër dhe motra fort të dashura, le te mësojmë ta dëgjojmë ungjillin e Zotit tonë Jezu Krishtit, çfarë na thotë dhe te përpiqemi të zbërthejmë me frymëzimin e Shpirtit të Zotit, që është brenda nesh dhe brenda Kishës, se cili është vullneti i Zotit sot, me mua, me kishën tonë, me famullinë tënde, me bashkësinë tënde rregulltarë.
Pjesa tjetër që kam dashur të meditojmë së bashku sot – vazhdoi imzoti – është veprimi, aksioni i Zojës së Bekuar, e cila përveçse ka ditur të dëgjojë, të zbërthejë duke medituar, soditur, ajo ka marr edhe vendim, një vendim besnik, te pathyeshëm, me plote vuajtje dhe sakrifica, por me qëllim të qartë; t’i bindet Zotit dhe të lejojë të mishërohet Fjala në kraharorin e saj, pavarësisht që do të tallen të gjithë me te, duke e menduar shtatzënë hala pa u martuar, pavarësisht se do te rrezikonte për me e lëshua nga i fejuari Jozefi, pavarësisht që do të duhej të ecte nëpër errësirën e paqartësive, por me shpresë dhe me besim të plotë në Hyjin e saj.
Ne po e bëjmë një mëkat të madh sot, e të rinjtë sidomos, sepse duan me e pas gjithçka të qartë, duan me ece të sigurt, nuk duan të shpresojnë, nuk duan të besojnë, por duan të shohin, duan të prekin. Por feja, aksioni ne vullnetin e Zotit është të ecësh nëpër të paditurën, të ecësh nëpëer errësirë e dyshimet e jetës, të kohës, të botës, të ecësh nëpër të ardhmen pa e ditur se çfarë na pret. Të dashur, Zoja e Bekuar s’ka mundur të dijë se i Biri i saj, kur të rritet do të shkojë për të kryer vullnetin e Zotit, do ta marrin, do ta poshtërojnë, do ta dorëzojnë, do ta tradhtojnë, do ta vrasin, do të vdes e do të ngjallet. Porse ajo ka besuar se Zoti ka plane me të dhe nuk do të lejojë të dështojë. Prandaj, edhe ne na vyen ne këto kohëra shpresa e zemrës, feja për t’i lejuar Zotit të na e ndërton të ardhmen edhe pse nuk e kemi të gjithën të qartë, por të ecim me gëzim se e kemi njëri-tjetrin, se e kemi fenë, se e kemi Kishën, se e kemi lirinë, se e kemi popullin tonë që na do, se e kemi të gjithë mbështetjen e kohës se re dhe vazhdojmë të veprojmë për të riungjillëzuar, jo vetëm ata që e kanë lanë fenë dikur, por edhe ata që shkojnë në kishë e nuk besojnë, e që janë priftërinj që në vend që me e shpall Krishtin e lëvdojnë vetveten, ose ipeshkëv si të doni merreni.
Ju ftoj, – vazhdoi ipeshkvi – ta ndërrojmë vetveten, duhet ta ndërrojmë qasjen, ta ndërrojmë mendimin, duhet ta ndërrojmë qëndrimin, që të mund të bashkohemi në aksionin e ungjillëzimit të ri e të besojmë në efektin e tij, sepse është thirrje dhe shenjë e kohës që Zoti ja ka dhanë kishë sonë. Këtë do të mund ta bëjmë duke e përqafuar me gjithë zemër njëri-tjetrin, e jo duke gjykuar e fol keq.
Prandaj, vëllezër dhe motra fort te dashur, le te galdon zemra jonë e bashkuar me Zojën e Bekuar “shpirti ime e madhëron Zotin, shpirti im me hare i brohorit Hyjit, Shëlbuesit tim”, e le të brohoras zemër e krishterë sot në Kosovë sikur asnjëherë, e lumtur, e gëzueshme dhe e gatshme për ta përqafuar sakrificën, kryqin e kohës se re, sepse pa sakrificë, pa vuajte, pa kryq dashuria mbetet boshe, shndërrohet në lakmi, shndërrohet në interes.
E lus se bashku me ju Zojën Cërnagore, në këtë vend ku është strehuar historikisht shpirti ynë, që ti lutet Birit të saje që të na jep verën e dasmës se re. Në Kanën e Galilesë ajo ndërhyri tek i Biri i vetë për të mos e lanë të poshtërohej zoti i shtëpisë. Ne sot duhet ta lusim që të ndërhyjë tek Biri i sajë që të jep dashuri shpirtit të secilit prej nesh, që të mos turpërohet kisha e tij në këtë vend, sepse nuk është turpëruar kur nuk kemi pasur asgjë, nuk ka lejuar të turpërohet edhe kur e kemi pasur shpatën e xhelatit mbi qafe, nuk është poshtëruar kur kemi qenë të detyruar të përulemi para okupatorit, e sot të dorëzohet kur i ka të gjitha të mirat, e kjo ndodh sepse mungon dashuria. Prandaj, sot le t’i themi e ta lusim Krishtin të na jep dashuri për me e dashtë njëri-tjetrin, ashtu sikurse thoshte Shën Pali, siç thotë Krishti, Ungjilli e Bibla në tërësi, e ashtu siç kanë dëshmuar shenjtërit dhe martiret, e ashtu siç e kërkon koha e sotme./drita.info