KOLIQI – PAJTORI I TRADITËS DHE MODERNES

Nga Xhavit Beqiri

 

 I. Koliqi – themelues i shkollës shqipe në Kosovë

Vjet, në katedralen e Prishtinës, kur po përurohej biblioteka me emrin e tij, për Ernest Koliqin pata thënë se ai është guri i këndit në themelin e shkollës shqipe në Kosovë. Një pohim i tillë është i lehtë për t’u argumentuar: në një mjedis të shkretë arsimor e kulturor, Koliqi e hodhi i pari farën e sinapit, nga e cila mbiu dhe hodhi shtat trungu i të gjithë sistemit edukativ, arsimor e kulturor në këtë pjesë të etnisë.

Në prill të vitit 1991, duke e trajtuar rolin e Koliqit në arsimin shqip, shkrimtari e studiuesi Martin Camaj shkruante: “Në kohë të vështira si ishte lufta e dytë botnore la gjurmë të pashlyeshme në arsimin kombëtar në organizimin e shkollave dhe pajisjen e tyne me tekste, për të parën herë trajtue me kritere moderne, ndërsa qysh tash historia ia njeh se Koliqi mori guximin nën përgjegjësi personale të themelojë shkollat shqipe në Kosovë: si ministër arsimi mes 1941-42 dërgoi në Kosovë nga Shqipnia përmbi 200 mësues shqiptarë, ndër ta dhe plot kosovarë që mbas mbarimit të luftës i vunë themele të fortra arsimit në gjuhën shqipe në këtë trevë”[1] .

Në shpirt arsimtar i lindun – vijon Camaj – Koliqi ushtroi profesionin e mësuesit dhe si prof. universiteti mbi 30 vjet, maparë në Padovë e mandej në Romë. Unë si vetje Koliqit i jam mirënjohës për dhanjen e ideve nxitëse si krijohej albanologjia si landë universitare ndër universitete të hueja. Edhe për krijimin e katedrave për gjuhë e letërsi në trollin italian që sot drejtohen nga arbëreshët, pjesërisht duhet të falënderojmë nisjativën e përvojën e Koliqit.[2]

Vlerësime të tilla të mirakëndshme për rolin e Koliqit në arsimin shqip mund të gjenden ngado. Unë po e ripërsëris: për mua, Koliqi është profeti, ndërsa ata normalistë/mësues të zgjedhur prej tij, janë apostujt e shkollës shqipe në këto treva. Mirëpo, përveçse rabin i shkollës shqipe në Kosovë, Ernest Koliqi ishte dhe mbetet shkollë e shkrimit të prozës moderne shqipe.

Studiuesit e letërsisë atë e cilësojnë si krijuesin e parë të prozës moderne shqipe dhe ky epitet nuk mund t’i mohohet.

 

 II. Koliqi – krijues e dijetar universal

Koliqi e cilësoi poetin tonë kombëtar, At Gjergj Fishtën, interpret i shpirtit shqiptar. Shëmbëllyeshëm me Fishtën, ky epitet do t’i rrinte shumë mirë edhe vetë Ernestit, qoftë si krijues, qoftë si veprimtar! Koliqi, njohës i mprehtë i shpirtit dhe trashëgimisë nacionale, ia ndiente dhimbtën dhe ia njihte dëshirat njeriut të vendit të tij.

Përderisa Fishta e krijoi në vargje Lahutën e Malcís, si ep të shpirtit dhe të kujtesës nacionale, Koliqi këtë shpirt e këtë kujtesë e shndërroi në art të përbotshëm letrar nëpërmjet teksteve në prozë: Hija e Maleve (1929), Tregtar flamujsh (1935) dhe Pasqyrat e Narçizit (1936).

“… modeli shkrimor e kulturor i këtij autori është i veçantë në letërsinë shqipe. Në njërën anë hetohet këmbëngulja që vlerat e moçme duhet të jenë bazë për çfarëdo rindërtimi krijues, madje shpesh duke qenë vazhdues i Gjergj Fishtës. Në anën tjetër, duke qenë i shkolluar në Itali dhe duke qenë në kontakt me krijuesit modernë të Evropës ai kërkon në veprën e vet një stil të ri të shkrimit letrar. Në veprat e tij më të mira letrare Koliqi ka arritur të bëjë pajtimin e dy kërkesave të veta, në dukje të papajtueshme.

Koliqi, veçanërisht në prozën tregimtare, ka arritur të sjellë një botë shpirtërore shqiptare, me një harmoni dhe me një stil të veçantë e të ri, me një lakim të panjohur më parë të shqipes”.[3]

Koliqi e njohu dhe e nderoi traditën.

Koliqi e njohu dhe e studioi krijimtarinë e bashkëkohanikëve; i njohu si askush tjetër në kohën e tij dy shkollat e famshme letrare të Shkodrës, Shkollën e Françeskajve, me Fishtën si emblemë e saj, dhe atë të Jezuitëve, që identifikohej sidomos me klasikun e fundit të lirikës shqipe, Ndre Mjedjen.

Koliqi i krijoi dhe i drejtoi revistat letrare e kulturore me ndikim, në faqet të cilave botuan emrat më të njohur të letrave shqipe, si: Ora e Maleve, Shkëndija dhe Shêjzat, mbase më prestigjiozja deri më sot. Ndërkohë, ai vazhdonte ta lexonte dhe ta interpretonte letërsinë e shkrimtarëve të Kosovës, duke i trajtuar veçoritë letrare-estetike të poetëve të asaj kohe, si: Esad Mekuli, Adem Demaçi, Latif Berisha, Enver Gjergjeku etj.

Ernest Koliqi kishte formim intelektual të shkëlqyeshëm; ai qe krijues, studiues e dijetar universal. Maksimë e tij krijuese ishte shkrimi modern sipas rrymave evropiane të kohës, por duke e pasur për bazë traditën dhe frymën e letërsisë nacionale, frymën autentike shqiptare. Në këtë këndvështrim, ai na del i afërt konceptualisht me T. S. Eliotin, i cili, në esenë “Tradita dhe talenti individual”, pohonte: “Asnjë poet, asnjë artist i  cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur. S’mund ta vlerësosh atë vetëm; duhet ta vendosësh, për kontrastim dhe krahasim, midis të vdekurve. Mendoj se ky është parim i kritikës estetike e jo vetëm thjesht i asaj historike. Nevoja që të përshtatet ai, që të jetë koherent, nuk është e njëanshme: ajo që ndodh me krjijimin e një vepre të re të artit është diçka që ndodh në mënyrë simultane me të gjitha veprat e artit që i paraprijnë”.[4]

 

III. Malli si lajtmotiv

Koliqi pati ndjeshmëri unike për lirikën dhe talent të rrallë për tregimin.
Ai krijoi si modernist me vetëdije e kujtesë të jashtëzakonshme për trashëgiminë letrare, kulturore e shpirtërore të shqiptarëve të vet, për edukimin dhe emancipimin e të cilëve dha kontribut shumëdimensional.

Një autor modern si ai, me elegancë e mjeshtri i shkrin në një temat, stilet dhe ligjërimet letrare tradicionale e moderne. Ai i njeh klasikët e vjetër të shqipes dhe bashkëpunon ngushtë me autorët kryesorë të kohës, për të cilët, më se një herë, u bë mësuesi dhe frymëzuesi i parë.

Vepra e tij letrare, e shkruar në variantin shkodran të gegërishtes verëpendimore, me gjatësinë e vokaleve, me nazalitetin dhe me simbolizmin tingullor të tingujve, përbën një monument gjuhësor e artistik, pa dyshim një ndër më të pasurit e të gjithë letërsisë shqipe.

Stabilieti zhanror, qartësia e shprehjes, koherenca mahnitëse logjike dhe gramatikore janë veçori të krejt krijimtarisë letrare të këtij autori. Madje, vepra e tij mund të konsiderohet si më e pasura sa i përket koloritit leksikor dhe transpozicionit semantik të fjalës në tërë trashëgiminë tonë letrare.

Po ashtu, Koliqin e bën të veçantë aktualiteti i përhershëm i krijimeve të tij. Tregimet e tij, me mesazhet artistike që përçojnë, me idetë dhe me tematikën e tyre, duken si të ishin shkruar sot. Në fakt, ato janë krijime që shenjojnë jo vetëm kohën e shkrimit, por edhe kohën universale të botës sonë të papërkryer njerëzore, në të cilën gufojnë pa pushim: ndjenjat e çiltëra të dashurisë e të emancipimit, të cilave u kundërvihen si antonime thirrjet për gjakmarrje e vdekje (Gjaku); hipokrizia e ladutizmi përballë sinqeritetit e atdhedashurisë (Tregtar flamujsh); kënaqësia e jetës së lumtur e në bollëk, e cila rrjedh pothuajse si një idilë e ambël dashunore, derisa të trandet rëndë nga kortezhi i vdekjes (A ta laçë); si dhe, malli i përhershëm i mërgimtarit, i cili, i tretun në dhê të huej, edhe në zjarrminë e çasteve të fundit të jetës, e ândrron ngrohtësinë e munguar të duerve të nânës (Duert e Nânës).

Ligjërimi i tij i përket stilit të lartë artsitik; gjuha e figurshme, aluzioni dhe diskursi biblik heton lehtësisht edhe në prozë.

Leci, tue thithë thellë cigaren, bisedoi:

            – Jeta… nji lojë! Ngasim nëpër e, kur hovi i ynë asht mâ i gzueshëm, ndiejmë nji dorë të ngitë e të shpuplueme qi na përket shpinën. “A t’a laçë…” Siellemi e shofim plakën, qi âsht nana e vërtetë e gjithë neve…  (Tregimi A ta laçë).

Jeta, nëpërmjet gojës së një perzonazhi, cilësohet si nji lojë, plaka, nâna e të gjithëve, nëpërmjet bartjes semantike, merr fuksionin stilistik të metaforës për vdekjen.

Shenjues tjetër tipik i veprës letrare të Koliqit, si në prozë, ashtu edhe në shumë poezi është malli, malli si lajtmotiv konstant, që, si ndjesi e çiltër, shpërfaq dashni dhe humanizëm sipëror. Prandaj, mund të thuhet se një pjesë shumë e rëndësishme e veprës së tij, është krijuar nga perspektiva e autorit mërgimtar, i cili jeton dhe krijon me mallin e shtëpisë e të vendlindjes, me dhimbjen për njerëzit e dashur dhe për atdheun e mohuar.

Muzgu i frorit krejt qytetin e mërgimit

            kish mbulue me hije t’ngrita:

qyqe vetëm, me shpirt t’plasun prej mallnjimit,

            mbi bor’ t’udhave shetita. (Poezia Rrugash)

Koliqi poet është krijues i disiplinuar, njohës i mirë i ligjësive të vargut dhe këmbëngulës për formën. Sikurse në prozë, edhe në poezi ai i përmbahet maksimës së krijimit të një letërsie “të tipit evropian me brumin e koloritin e botës shqiptare”.

Së këndejmi, ai, si askush tjetër, meriton edhe titullin e pajtorit të traditës dhe modernes në letrat shqipe.

Titullin e kryemësuesit të shkollës shqipe në Kosovë tashmë ia njohim të gjithë!/drita.info

 

(Kumtesë e mbajtur në “Takimet e Dom Mikelit 2023” në Stubëll, më 23 shtator 2023).

 

—————————–

[1] Martin Camaj, Koliqi e vepra e tij letrare, parathënie e Tregtar flamujsh, Buzuku,1991, fq. 5. 

[2] Camaj, po aty, fq 6.

[3] Sabri Hamiti, Letërsia moderne, Vepra letrare 8, Faik Konica, Prishtinë, 2002, fq. 575.

[4] T. S. Eliot, Ese të zgjedhura, Rilindja, Prishtinë, 1982, fq. 15.

Shpëndaje: