KONTRIBUTI I ERNEST KOLIQIT  PËR ZHVILLIMIN E ARSIMIT NË KOSOVË

Nga Isak Shema

 

Ernest Koliqi është shkrimtar i shquar i letërsisë shqiptare dhe njëkohësisht  figurë e ndritur e arsimit shqiptar. Veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore e tij është shumë e pasur dhe shtrihet në të gjitha nivelet e arsimit.

 Në 120 vjetorin e lindjes së Ernest Koliqit, në shenjë nderimi dhe përjetësimi të jetës dhe veprës së tij, ndriçojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm në zhvillimin e arsimit shqiptar në Kosovë.

  Arsimi për këtë krijues është faktor i rëndësishëm për emancipimin arsimor, kulturor dhe për përparimin e gjithanshëm të kombit.

Nga jetëshkrimi i Ernest Koliqit, nga vepra e tij letrare, nga dokumentacioni arkivor shumë i pasur dhe nga dëshmitë e personaliteteve të shumta, gjejmë të dhëna të ndryshme për angazhimin e jashtëzakonshëm dhe për kontributin e tij në fushën e arsimit shqiptar.

Pikëpamjet e Ernest Koliqit për arsimin janë interesante, të qëndrueshme dhe gjithnjë aktuale. Ai ka shkruar në prozën “Gjaku”: “A ka send ma të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnim nji kombi zhytë n`errsin e padijes?… Ai që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për një jetë ma të mirë, ai qi e ndriçon me nji dritë ma të bukur tokën qi na ushqen, ai qi ban me ngadhnjye agimet në muzgun e përcaktuem të shpirtnave; shkurt kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë, a i denjë me qenë i nderuem si gjysmë perendije”.

Në këtë kumtesë nuk është objekt studimi tërë veprimtaria arsimore e Ernest Koliqi, por vetëm angazhimi dhe kontributi i tij për zhvillimin e arsimit në “viset e lirueme” gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe posaçërisht në Kosovë, në kohën kur ai ishte ministër në Ministrinë e Arsimit të Mbretërisë Shqiptare.

Dokumentet arkivore të Arkivit Qendror të Shtetit të Shqipërisë, të Arkivit Kombëtar të Kosovës etj., organet e shtypit dhe të periodikut shqiptar të kohës  si edhe botimet e veçanta, përmbajnë të dhëna interesante për angazhimin e drejtpërdrejtë të Ernest Koliqit për hapjen e shkollave shqipe në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare. Ai e njihte mirë gjendjen e rëndë të popullsisë shqiptare në Kosovë para Luftës së Dytë Botërore.( Që nga viti 1924 pesë vjet i kalon në mërgim në Jugosllavi). Popullsia shqiptare “… nuk ka pasur as të drejtat e përdorimit të gjuhës së vet në punët publike, e shkollimit në gjuhën e vet amtare, e zhvillimit të kulturës nacionale, botimit në gjuhën e vet amtare, individualitetit nacional etj.” Në mënyrë të veçantë ka qenë e pamëshirshme shtypja dhe urrejtja nacionale ndaj shqiptarëve.

Duke shfrytëzuar rrethanat e reja, të krijuara pas ndarjes së Kosovës në tri zona okupuese, në pjesët e Kosovës dhe të Maqedonisë, që iu bashkuan Shqipërisë, në bazë të dekretligjit mbretëror dhe dekretit të mëkëmbësit të mbretit nr. 264 të 12 gushtit 1941, Ministria e Arsimit planifikoi fillimin e arsimit shqip. Ernest Koliqi  më 25.X. 1941  lëshoi  “Qarkore” drejtuar të gjitha subjekteve të arsimit shqiptar: të gjitha shkollave të mesme të Mbretnisë, konvikteve të Shtetit dhe inspektorive t` arsimit. Objekti: “Hapja e Shkollave në viset e lirueme”. Teksti i këtij dokumenti  përmban pesë paragrafë:

 “Vjeti shkollor qi po hapet, tue u shtri tashti edhe jashtë kufinjve të vjetër    t` Atdheut, mund të quhet me plotkuptimin e fjalës nji vjet historik, sepse Shkolla Shqiptare po nis me veprue edhe në viset e lirueme.

Mallëngjimi i jonë i pakufi për Vllaznit qi për aq vjet kanë dishrue, jo ma bashkimin e   andrruem e sot të realizuem, por fjalën shqipe, duhet të pasqyrohet në veprën intensive e të shndritun qi sejcili nesh do t`ushtrojë për të ba n`ato krahina të zhduket sa ma parë, me nji kulturë të shëndoshë e thjeshtë shqiptare, edhe sheji ma i vogël i robnisë së viteve të kalueme.

Arsimi Kombtar, qi e ka pasë mbajtë idealin e irridentizmes në gji të vet pregatitet me të gjitha fuqinat e veta me plotsue nevojët e krahinave qi u bashkuene tekembramja me Atdhe.

Për të qenë në nalttësin e kësaj detyre historike qi po i ngarkohet Shkollës Shqiptare, duhet qi shpirti i sakrificit të shkëlqejë ç`prej ma të madhit e deri në ma të voglin pjestar të familjes arsimore. Çdo dyshim, çdo plogti, çdo akt mos-interesimi, ka me u quejtë mungesë besimi kundrejt Atdheut.

Jam i sigurtë qi Shkolla Shqiptare do t`a shfaqin fuqin të veten e zotsin teknike në kët këthesë plot me randësi të historis, tue u tregue e denjë për Shqipnin e Madhe, e cila në të do të gjejë arsyen kryesore të qenjës e të përparimit të vet ndër udhët e reja qi po i hapen. (Ministri  Ernest Koliqi).

Pas paraqitjes së shumë arsimtarëve nga të gjitha viset shqiptare, me dekret të veçantë ata emërohen në shkollat dhe në institucionet e tjera. Përgatiten planet dhe programet mësimore, sigurohen shumë tekste shkollore dhe botohen libra të reja që janë në funksion të mirëvajtjes së shkollave.

Ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, në shkresën rezervate nr. 306 shkurtimisht ka përmbledhur edhe disa “Porosi për personelin mësimor të viseve të lirueme”, drejtuar “Drejtoris së Shkollavet të mesme dhe Inspektorivet t`Arsimit Filluer në viset e lirueme”.

“Në fillimin e vitit shkolluer e t`administratës shkollore, ka shkruar Koliqi, për herë të parë në viset e Kosovës e të Dibrës së lirueme e shof me vend të jap këto porosi, të cilat, jam i bindun se i çmoni e se do t`i merrni edhe ma për zemër:

  1. Mos me u- përzi çashtje politike, fetare e minoritare.
  2. Mos me u- përzi në çashtje lokale apo administratash të tjera.
  3. Me u-pru mirë me popull e me ja fitue zemrën këtij me punën t`uaj të naltë të zbatueme me mend e me themel si mbrenda ashtu edhe jashtë shkollës.
  4. Me i trjajtue nxansit e nxanset me dashtuni atnore dhe në mënyrë ma të përsosun të nji edukatori, tue i ndihmue me durim që të kapërcejnë vështirsitë e fillesës e veçanërisht në mësimet e para.
  5. Me jëtën t`uej private të rregullt e të ndershme të jeni shembulla ma e përsosun e vetive burrnore të shqiptarit të kulturuem.

Me bindje të plotë se me vullnet të pa-thyeshëm do t`ja dilni në krye punës qi ju kam besue.”

“Fletorja Zyrtare” e Tiranës përmbledh materiale interesante dhe informata për çështje të ndryshme të arsimit dhe të funksionimit të shkollave shqiptare. Ministria bëri ndryshime në “tabelën Organike të personelit administrative dhe mësimor, organizoi inspektoritë, drejtoritë didaktike, shërbimet e arsimit fillor. Në shkollat fillore dhe në foshnjore bëhej inspektimi, kontrollohej mbajtja e mësimit, e kurseve për të rriturit dhe aktiviteti më i gjerë në fushën e arsimit. Për të eliminuar analfabetizmin organizoheshin kurse të ditës dhe të mbrëmjes. Numri i nxënësve të përfshirë në arsimin e rregullt dhe në atë plotësues dhe i arsimtarëve në të gjitha shkollat e reja u shtua dukshëm.

Në Arkivin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të Fondeve arkivore 1941-1945, në fondin Prefektura e Prizrenit- Inspekcioni i Arsimit. Nr. i fondit: 35,  dy kuti,  përfshihen dokumente nga të cilat shihet se çfarë fushëveprimi kishte Misioni i jashtëzakonshëm me seli në Prizren, i cili filloi punën në fillim të majit të vitit 1941.

Tre muaj më vonë themelohet Prefektura e Prizrenit dhe në kuadër të saj Inspekcioni  Arsimit, i cili ushtron mbikëqyrjen e arsimit dhe të kulturës. Drejtoritë didaktike “kishin për detyrë të bënin inspekcionin në shkolla, të kujdeseshin për kuadrot arsimore, të propozonin hapjen e shkollave të reja etj. Këshillat për arsim merreshin me politikën arsimore dhe kulturore. Komisionet e përhershme shkollore angazhoheshin për punën e shkollës si institucion arsimor.

Masat që kishte ndërmarrë Ministria e Arsimit e Tiranës ishin gjithëpërfshirëse. Kjo shihet mjaft mirë nga dokumentacioni i pasur i këtij fondi arkivor. Në këtë lëndë përfshihet: “Pasqyra e numrit të nxënësve; hapja e shkollave; regjistrimi i nxënësve; caktimi i mësuesve; regjistra të nxënësve; programe të shkollave; raporte për shkolla; raporte për inventarin dhe pasurinë e patundshme; procesverbale të ndryshme; udhëzime, metoda të punës; konferencat e arsimtarëve; pagat e arsimtarëve dhe të personelit ndihmës; shkresat; vërtetime të ndryshme nxënësve dhe mësuesve; buxheti; pagesa të ndryshme; furnizimi i shkollave me materiale të ndryshme; kontestet e ndryshme; regjistri i shkollave; regjistri i institucioneve shtetërore; kurset e analfabetizmit; ndërtesat shkollore; dokumentacioni për internat; kurset për gjuhë italiane; fletanketat; kremtimi i 500- vjetorit të Skënderbeut; konkurset; bursat; mbyllja e disa shkollave etj.

Kontributi i Ernest Koliqit për zhvillimin e arsimit në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare vlerësohet lart. Atij, si edhe shumë personaliteteve të shquara të arsimit kombëtar, në mbarë botën shqiptare, i shprehet mirënjohje e veçantë. Jeta dhe vepra e Ernest Koliqit edhe me këtë veprimtari arsimore dhe edukative prore ka frymëzuar brez pas brezi arsimtarët dhe nxënësit shqiptarë për të kryer me nder e dashuri misionin e shenjtë të arsimimit të popullit shqiptar në gjuhën shqipe./drita.info

 

——————-

Literatura:

Koliqi, Ernest: Vepra I,II, “Rilindja”, Prishtinë, 1996

“Jeta e re”, Prishtinë, 19  , nr.  (numër tematik kushtuar Ernest Koliqit)

Gjevori, Mehmet: “Kujtime e shënime”, “Libri shkollor”, Prishtinë, 1998

Shema, Isak: “Çështje të arsimit kombëtar shqiptar”, “Libri shkollor”, Prishtinë, 2000

Vokrri, Abdullah: “Shkolla Normale Sami Frashëri Prishtinë 1941-1945”,

 “Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i Kosovës, Prishtinë, 1997

Berish Z. Tahir: “Emra që nuk harrohen” I, Prishtinë, 1994

“Udhërrëfyesi i fondeve dhe koleksioneve arkivore”, Vëllimi i parë, Arkivi       Kombëtar i Kosovës, Prishtinë, 2002

AQSH, Fondi 295, 1941, 1942, 1943, 1944

Shpëndaje: