LETËRSI/ Kush është Jon Fosse, Nobelisti që u bâ katolik?

Shkrimtari dhe dramaturgu norvegjez Jon Fosse ka shkruar romane, prozë të shkurtër, poezi, libra për fëmijë, ese dhe drama, të përkthyera në 40 gjuhë të botës.

 

Nga Eugenio Giannetta

 

“Tani fjalët do të zhduken”, thotë Pjetri, miku më i mirë i Gjonit, në fund të Mëngjes dhe Mbrëmje (Anija e Tezeut), një histori e gjatë e shkrimtarit, poetit dhe dramaturgut norvegjez Jon Fosse, 64 vjeç, fitues i Çmimin Nobel për Letërsi 2023 (pas Annie Ernaux 2022), me motivacion “për dramat e tij dhe prozën novatore që i japin zë të pathënës”. Përndryshe, fjalët e Fosse janë tani më të pranishme se kurrë, siç është vepra e tij “e cila përfshin një sërë zhanresh dhe përbëhet nga një mori dramash, romanesh, përmbledhje poezish, ese, libra për fëmijë dhe përkthime”, shkruan faqja e çmimit Nobel.

Pavarësisht nga shumëllojshmëria e zhanreve, shkrimi i Fosse karakterizohet në thelb nga dy elementë: i pari është teknik, përkatësisht përsëritjet që në realitet janë përsëritje trillime, sepse Fosse ndonjëherë ndryshon qoftë edhe vetëm një element apo detaj minimal edhe pse në dukje, në pamje të parë, disa fjali duken të njëjta, por të njëjta nuk janë.

Elementi i dytë ka të bëjë jo vetëm me qasjen ndaj të shkruarit, por zbatimin e tij në çdo gjë: sikur Fosse sjell në shkrimin e tij, në fjalët e tij, diçka të patregueshme, me aftësinë për të thënë atë që është e papërshkrueshme, që është i njëjti parim që rri  në themel të poezisë ose fesë. Ky element nuk është i rastësishëm. Së pari sepse “letërsia – shkruante për të një autor tjetër norvegjez, Karl Ove Knausgård – mund të na vërë në kontakt me një shpirt tjetër njerëzor me të gjitha dobësitë dhe madhështinë e tij”, së dyti për shkak të historisë personale të Fosse. Në fakt, në vitin 2012 shkrimtari u konvertua në katolicizëm dhe kjo në mënyrë të pashmangshme u ndje në veprën e tij: “Ndjej se në shkrimin tim – tha ai në një intervistë me “New Yorker” – ka një lloj pajtimi. Ose, për të përdorur një fjalë katolike ose të krishterë, ka një lloj paqeje”.

Fosse lindi më 29 shtator 1959 në Haugesund, një qytet i vogël në bregun perëndimor të Norvegjisë, duke u rritur në Strandebarm, në fiordin spektakolar Hardanger, një pjesë e Norvegjisë ku prezenca e fesë është kryesisht protestante. Tema e Zotit dhe besimit shpesh shfaqet në librat e tij. Në Mëngjes dhe Mbrëmje ai shkruan për fjalët që nuk do të zhduken: “Fjala dhe shpirti i Zotit ekzistojnë në çdo gjë. Zoti ekziston, por ai është shumë larg dhe krejtësisht afër, sepse është i pranishëm në çdo qenie njerëzore”.

Tema e Zotit shfaqet gjithashtu në Septology, një roman që ilustron atë që ai e përshkroi si kalimin e tij në “prozë të ngadaltë”, botuar në dy vëllimet e para, Emri tjetër I-II, dhe nga 10 tetori në libraritë me vëllimet III-V, Unë është një tjetër, sërish me Anijen e Tezeut. Narratori i Septology është një piktor i quajtur Asle, i konvertuar në katolicizëm, duke mbajtur zi për vdekjen e gruas së tij Ales. Një natë para vigjiljes së Krishtlindjes, Asle gjen mikun e tij, gjithashtu një piktor i quajtur Asle, pa ndjenja në një rrugicë në Bergen, i vdekur prej helmimit nga alkooli. Kujtimet e tyre dyfishohen, përsëriten dhe shkrihen gradualisht në një zë të vetëm, një vetëdije e gjerë e aftë të ekzistojë në shumë kohë dhe vende njëkohësisht.

Tema e “dyfishit” që shkrihet në një zë të vetëm është disi e pranishme edhe në Mëngjes dhe Mbrëmje, ku një fëmijë lind dhe quhet Gjon dhe një burrë tashmë i moshuar vdes dhe quhet po ashtu Gjon. Njëri do të jetë peshkatar, tjetri ka qenë, dy ekstreme të jetës që shikojnë njëri-tjetrin, pasqyrojnë njëri-tjetrin, ndërrohen dhe mund të jenë ose jo e njëjta gjë: “Tani ne të dy do të hipim në barkë dhe do të shkojmë. Ku do të shkojmë? Tani po bën pyetje sikur të ishe ende gjallë. Askund? Ku po shkojmë nuk është asnjë vend dhe për këtë arsye nuk ka as emër”.

Në atë jo vend nuk ka trupa, nuk ka vuajtje, nuk ka fjalë, ka vetëm një hapësirë ​​dhe një kohë që në realitet është një rrjedhë e vazhdueshme, si vetë mospikëzimi i Fosse. Prandaj ka vetëm vija që preken, kryqëzohen, fletëzohen, përkëdhelen në gjëra të vogla, minimale, ato për të cilat është i nevojshëm besimi. “Nëse je besimtar i vërtetë – vazhdon ai në intervistën për “New Yorker” – nuk beson në dogma apo institucione. Nëse Zoti është një realitet për ty, beson në një nivel tjetër. Por kjo nuk do të thotë se dogmat dhe institucionet fetare nuk janë të nevojshme. Nëse misteri i besimit ka mbijetuar për dymijë vjet, kjo sepse Kisha është bërë një institucion. Është i nevojshme një (mirë)kuptim i përbashkët. Në botën në të cikën jetojmë, ndjej se fuqitë janë ato ekonomike, të cilat janë aq të forta. Ato kontrollojnë gjithçka. Dhe ka forca që janë në anën tjetër, dhe Kisha është një prej tyre. Dhe që Kisha të ekzistojë – e Kisha Katolike është më e forta – katolicizmi duhet disi të detyrohet. Kisha është institucioni më i rëndësishëm, për mendimin tim, i teologjisë antikapitaliste. Letërsia dhe arti janë një institucion tjetër, por nuk janë aq të fortë sa kishat”. Përveç librave të përmendur, krijimtaria e Jon Fosse është jashtëzakonisht pjellore dhe intelektualisht poliedrike, duke qenë një nga zërat më domethënës në dramaturgjinë bashkëkohore, aq sa ka fituar pseudonimin “Beckett i shek. XXI” dhe duke u krahasuar me Henrik Ibsen. Romani i tij debutues, Raudt, svart (“E kuqe, e zezë”), u botua në vitin 1983. Drama e tij e parë, Og aldri skal vi skiljast (“Dhe ne s’do të ndahemi kurrë”), u prezantua dhe u botua në vitin 1994.

Për më tepër, Fosse shkroi prozë të shkurtër, poezi, libra për fëmijë, ese mbi shkrimtarinë, teatrin, artin dhe vepra të shumta teatrale. Ai ishte ndër këshilltarët letrarë të Bibla 2011, një përkthim norvegjez i Biblës i botuar në vitin 2011. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se dyzet gjuhë, një arsye kjo pse ai konsiderohet botërisht një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe i njohur jashtë Norvegjisë. Fosse është gjithashtu autor i një diptiku mbi piktorin norvegjez të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Lars Hertervig, Melancholia (1995-1996) dhe shumë tekste të tjera.

Në historinë e Nobelit, autori i fundit skandinav që e fitoi atë ishte poeti suedez Tomas Tranströmer në vitin 2011; ndër fituesit norvegjezë të çmimit Nobel, megjithatë, e fundit ishte shkrimtarja Sigrid Undset (në 1928).

Dhe tani? Një pyetje që presupozon se sa mund të ndryshojë jetën e një autori çmimi Nobel: për Szymborskën ishte “tragjedia e Stokholmit”, për Fosse-in e marrshëm do ta shohim. Ajo që ndoshta do të mbetet te ai do të jetë lidhësja e përbashkët që e udhëheq idenë e tij letrare për rrjedhën, e përfaqësuar mirë nga këto fjalë te Mëngjes dhe Mbrëmje: “Gjoni qëndron atje si i ngrirë duke vëzhguar dhe mendon se gjithçka është ashtu siç duhet të jetë, por në të njëjtën kohë është sikur gjithçka të ishte ndryshe, të gjitha sendet janë normale, por është sikur të kishin fituar dinjitetin e tyre, sikur të peshonin shumë më tepër se pesha e tyre reale dhe në të njëjtën kohë sikur të ishin pa peshë”./drita.info

 

Marrë nga: https://www.avvenire.it/agora/pagine/premio-nobel-letteratura-2023-a-jon-fosse

Përktheu nga italishtja: Rev. “Drita”

Shpëndaje: