PJETËR KARAGIQI,  argjipeshkëv i Shkupit (1702-1727)

Nga Don Frok Zefi

 

a) Konviktor në Kolegjin Ilirik të Loretos

Pjetër Karagiqi ka lindur në vitin 1648[1] në NovoBërd[2]  në argjipeshkvinë e Shkupit. Shkollën fillore  e ka mbaruar në Janjevë. Këtë shkollë e ka drejtuar misionari, i cili ishte ndihmës famullitar. Pasi përfundoi shkollimin fillor, vazhdoi studimet në rezidencën e argjipeshkvit të Shkupit Andre Bogdanit, i cili kishte selinë në Janjevë. Ai e dërgoi Pjetrin për studime në Kolegjin Ilirik të Loretos,[3] i cili arriti me 1 gusht të vitit 1666.  Gjatë udhëtimit për Loreto, Pjetri u vonua disa muaj. Me të arritur në Kolegj, Pjetrin e informuan se ishin zënë të gjitha vendet e lira. Por me ndërhyrjen e Kardinal Barberinit, ai u pranua në Kolegj duke mbuluar vetë shpenzimet e veshjes dhe regjistrimit, kështu që u bë konviktorë. Financiarisht e ka ndihmuar Kardinal Barbieri, gjë që vërehet nga letra e datës 4 gusht 1666, në të cilën ishte fatura e pagesës mujore prej 6 shkudash. Me të arritur në Kolegj Karagiqi kishte 17 vjet e gjysmë, fliste gjuhët kroate, turke dhe shqipe, por nuk e fliste gjuhën italiane. Kishte vullnet të fortë për studim, e që u dallua për rezultate dhe vepra të mira.[4]

Me 19 shtator 1671, Pjetri mori tonzuren  të cilën ia ndau ipeshkvi i Rekanatit në Rekanat.[5] Në Kolegj, Pjetri zuri vendin që i takonte ipeshkvisë së Budvës.[6] Në Kolegj ai u sëmur. Në muajin shtator të vitit 1670, për shkak të sëmundjes ishte i larguar së bashku me Petar Deshkoviqin nga Omishi në shtëpi të  françeskanve konventual (Obuvenih otaca) në Sinolo, ku kishin shërbim të veçantë nga shërbëtori i Kolegjit.[7]

Pas sëmurjes nga malaria,[8] Pjetri me 2 tetor të vitit 1671 e lëshon Kolegjin në moshën 23 vjeçare.[9] Në Kolegj mbaroi të ashtuquajturat studimet mbi gramatikën dhe një vit kazuistikën me sukses të shkëlqyeshëm.[10]

Shpenzimet e studimeve të Pjetër Karagiqit në Kolegjin Ilirik të Loretos ishin 223 shkuda.[11] Pas kthimit nga Kolegji Ilirik i Loretos, Pjetër Karagiqi shërbeu si misionar në ipeshkvinë e tij në Trepçë. Gjatë kohës së luftës në mes Turqisë dhe Austrisë, argjipeshkvia e  Shkupit pësoi dëme të mëdha. I ndodhur para rrezikut për humbjen e jetës, Pjetër Karagiqi iku në Romë në vitin 1692, në Kongregatën për Përhapjen e Fesë dhe atje shkroi relatën mbi gjendjen e ipeshkvisë së Shkupit, e cila sipas tij ishte e mjerueshme. Ai propozon që administrimi i argjipeshkvisë së Shkupit t’i besohet ipeshkvit të Shkodrës ose Lezhës.[12]

 

b) Vikar apostolik i ipeshkvisë së Pultit

Ipeshkvia e Pultit shtrihej në viset kodrinoro-malore shqiptare dhe ishte shumë e varfër. Famullitë i kanë drejtuar kryesisht françeskanët. Emërtimin e ka marrë sipas emrit të qytetit të Pultit. Kjo ipeshkvi përmendet që nga shek.  IX. Selia e përhershme e ipeshkvit ishte në fshatin Gjovanaj.[13] Prefekti Apostolik i Shqipërisë atë Egjidije d’Armento, në letrën dërguar Kongregatës për Përhapjen e Fesë e përmend se Pjetër Karagiqi në vitin 1692, kryen detyrën e vikarit apostolik të ipeshkvisë së Pultit.[14] Për seli të veten kishe zgjedhur famullinë e Shoshit.

 

 c) Ipeshkëv i Ipeshkvisë së Pultit dhe administrator i Argjipeshkvisë së Shkupit

Kongregata për përhapjen e fesë me 30 shtator 1697, e propozon Pjetër Karagiqin për ipeshkëv të ipeshkvisë së Pultit dhe administartor të argjipeshkvisë së Shkupit.[15] Në bazë të raporteve dhe deklaratave të personave të ndryshëm në mesin e të cilëve ishte edhe argjipeshkvi i Shkupit.[16] Pjetër Karagiqi u emrua në vitin 1698 ipeshkëv i ipeshkvisë së Pultit dhe administrator i argjipeshkvisë së Shkupit. Selinë e kishte në famullinë e Shoshit. Këtë gjë na e dëshmon letra e Don Gjergj Bogdanit, që ai i kishte dërguar Kongregatës më 20 dhjetor 1698 nga Shoshi  i Pultit e në të cilën informon për arritjen e ipshkvit të Pultit dhe administratorit të Serbisë, Pjetër Karagiqit.[17] 

 

d) Argjipeshkëv i Shkupit

Para emërimit të Pjetër Karagiqit si argjipeshkëv i Shkupit, ishin propozuar kandidatët për argjipeshkëv të Shkodrës dhe Shkupit. Në shënimet e hollësishme të cilat nuk kanë datë, e që janë mbajtur në njërën nga mbledhjet e Kongregatës me titull: “Në viset e besimtarëve jo katolikë janë të paplotësuara argjipeshkvia e Shkupit në Serbi dhe Ipeshkvia e Shkodrës në Shqipëri.” Kongregata ka vlerësuar se do të ishte me vend dërgimi i Imzot Karagiqit nga ipeshkvia e Pultit në argjipeshkvinë e Shkupit, i cili është me origjinë nga Serbia dhe njeh gjuhët kroate, turke, shqipe dhe italiane, i cili në ato vise ka edhe farefisin e që është i pranuar dhe i njohur për besimtarët e krishterë dhe vetë turqit. Në lidhje me këtë në Kongregatë ka arritur edhe propozimi i ipeshkvit të Lezhës, i cili mendon se Karagiqi është i përshtatshëm për argjipeshkvinë e cekur.[18]

Për trashëgimtar të Karagiqit në ipeshkvin e Pultit  propozohet si i përshtatshëm Don Marin Gjini. Ipeshkvi i Lezhës propozon Don Marinin që ipeshkvia e Pultit të mos mbetet pa ipeshkëv, ngase ky popull në të kaluarën ishte i braktisur.[19]

Pas drejtimit katërvjeçar të ipeshkvisë së Pultit, me vendim të Papës Klementit XI, Pjetër Karagiqi kthehet në vendlindje, në argjipeshkvinë e Shkupit, ku merr drejtimin pas falënderimit të Daniel Durantit, i cili nuk kishte arritur të vinte në argjipeshkvinë e tij. Papa Karagiqin e ka emruar argjipeshkëv të Shkupit në KONIZSTORIN më 25 shtator të vitit 1702. Në vitin 1703, Karagiqi ishte pjesëmarrës i Kuvendit të Arbërit dhe kështu firmoste konkluzionet: “Ego Petrus Caragic archiepiscopus assentiens subscribo.”[20]

Argjipeshkvi i Shkupit, Pjetër Karagiqi ka shkruar dhe dërguar relata Kongregatës së Koncilit më: 1706, 1707, 1710, 1713, 1716, 1719, 1722, 1725 mbi gjendjen e ipeshkvisë.[21] Këto relata të tij do të shqyrtohen në kapitullin e dytë të këtij studimi.

  

e) Sëmurja, testamenti dhe vdekja e argjipeshkvit Karagiq

Në pranverë të vitit 1726 argjipeshkvi Karagiqi u sëmurë rëndë. Në letrën dërguar sekretarit të Kongregatës për Përhapjen e Fesë, të shkruar në Zym më 30 prill të vitit 1726 argjipeshkvi njofton: “Kur më ka arritur letra Apostolike për jubileun e përgjithshëm, i jam përgjigjur Lartmadhërisë Suaj, duke Ju njoftuar për të gjitha. Me këta rreshta njoftoj Lartmadhërinë Tuaj, se jam shumë rëndë i sëmurë dhe i dobësuar, saqë klerikët kur më kanë zgjuar, kanë menduar se jam i vdekur.[22]

Argjipeshkvi Karagiqi e ka shkruar testamentin  më 8 gusht të vitit 1726 në të cilin lexojmë:

Unë Pjetër Karagiqi, argjipeshkëv i Shkupit, edhe pse i sëmurë në trup, por i shëndoshë në mendje, shkruaj këtë testament. Pjesa e ndihmave për dy vjetët e ardhshme që kanë mbetur pranë Kongregatës dhe të cilat nuk kanë arritur deri me vdekjen time, duhet t’i jepen kapelanit tim Don Pal Vakanjit, misionar në Zym, ngase ai do të shlyej borxhet që më kanë mbetur, do të jep për shpirtin tim  si dhe do të plotësoj obligimet e mia ndaj fondeve të besimtarëve, për këtë me besim të plotë e firmos me dorën time dhe e vërtetoj me vulën time të zakonshme. Unë Pjetër Karagiqi, argjipeshkëv i Shkupit.

Ivan Tuarkoviq, drejtor i argjipeshkvisë së Barit, e ka përshkruar, firmosur dhe vulosur. Gjergj Matej Shtukanoviqi me mëshirën e Zotit dhe Selisë së Shenjtë, më parë argjipeshkëv i Tivarit dhe Dukles, administrator i ipeshkvisë së Budves dhe PRIMAS i mbretërisë së Serbisë.

Të gjithë atyre tek të cilët arrin ky testament, i siguroj se i lartpërmenduri famullitari Don Gjergj Tuarkoviq, me të vërtet është ai i cili e ka firmosur dhe i cili e ka dëshmuar në Perast në vendqëndrimin tonë të zakonshëm.”[23] Cekim se ky është përshkrim i nostrifikuar i testamentit të Karagiqit me titull: “Përshkrim i nostrifikuar i testamentit i cili ndodhet në duart e famullitarit Don Pal Vakanji, misionar Apostolik në Zym.”

Arqiipeshkvi Karagiq ka vdekur më 15 janar të vitit 1727. Për vdekjen e argjipeshkvit Karagiq, Kongregatën për Përhapjen e Fesë e ka njoftuar Don Pal Vakanji nga Zymi me 24 shkurt të vitit 1727.[24] /drita.info

 

—————————–

[1] Në shenimet e arkivit mbi ardhjen e  Pjetër Karagiqit në kolegjin Ilirik të Loretos shkruan se ai kishte 17 vjet e gjysmë. Në Loreto ka ardhur në vitin 1666. Nga kjo  mund të konkludojmë se ka lindur në vitin 1648.

[2] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Iz arhivske građe o Ilirskom Kolegiju u Loretu, Vrela i Prinosi, 14, Zagreb 1983, f. 177.

[3] RADONIĆ, Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograg, 1950, f. 501.

[4] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Ibid. f. 177.

[5] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Ibid. f. 176.

[6] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Ibid. f. 184.

[7] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Ibid. f. 167.

[8] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 501.

[9] PREMROU, Milan, Katolički nadbiskupi u Skoplju, Glasnik Skopskog Naučnog Društva, I, Shkup, f. 331.

[10] PREMROU, Milan, Ibid. f. 331.

[11] JURIĆ, Josip – KORADE, Mio, Ibid. f.177-178.

[12] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 422.

[13] MIHAČEVIĆ, fra Lovro, Po Albaniji – Dojmovi s puta, Zagreb, 1910, f. 71.

[14] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 422.

[15] PREMORU, Milan, Ibid. f. 331.

[16] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 425.

[17] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 425.

[18] ASCPF, SC. SERVIA, v. 1, ff. 612rv-613rv.

[19] ASCPF, SC. SERVIA, v. 1, ff. 613rv.

[20]  GJINI, dr. Gaspër, Skopska prizrenska biskupija kroz stoljeća, Zagreb, 1986, f.189.

[21] ARCHIVUM SECRETUM VATICANUM,  (ASV), S. Congr. Consilio – Relat. Visitationes ad limina – Scopiensis, v. 728.

[22] ASCPF, SOCG, v. 657, f. 52.

[23] ASCPF, SOCG, v. 667, f. 65.

[24] ASCPF, SOCG, v. 667, f. 62.

Shpëndaje: