Nga Don Frok Zefi
a)Fëmijëria dhe shkollimi
Mikel Summa ka lindur në vendbanimin Baba[1], në ipeshkvinë e Sapës, në Shqipëri, më 12 mars 1695, në një familje bujare të krishterë.[2] Po atë ditë është pagëzuar në famullinë e vendlindjes në kishën e Shën Panteleonit,[3] nga famullitari Don Nikollë Kabashi.[4] Në Babë ishte selia e Ipeshkvisë të Sapës, me siguri edhe shkolla teologjike në të cilën studionin nxënësit, kryesisht kandidatët për priftërinjë. Edhe pse argjipeshkvi i Tivari Vinçenc Zmajeviqi disa herë ka lutur që Summa të jetë i pranuar në Kolegjin Ilirik të Loretos,[5] për shkak të mungesës së vendeve të lira në atë Kolegj, Kongregata e vendos në Kolegjin Ilirik të Shën Pjetrit dhe Shën Palit në Fermo, në vendin e paraparë për argjipeshkvinë e Shkupit.[6] Argjipeshkvi Vinçenc Zmajeviqi, i cili si duket e ka njohur konviktorin e tij, e ka lutur Kongregatën me 20 korrik të vitit 1711 që Summa të vendoset në Kolegjin Urbanum në Romë, nëse mësuesit në Fermo e konsiderojnë të pregaditur për këtë, ngase nga kjo do të kishte dobi edhe ai e edhe ipeshkvia e Sapës.[7] Rektori Pakalorci informon me 24 gusht të vitit 1711 sekretarin e Kongregatës se me plotë bindje mund të thotë se konviktori Mikel Summa është i mirë, i vyreshëm dhe i talentuar mbi mesataren. Meqë ai është në fillim të studimit nuk mundet për të të jap mendim të prerë.[8] Rektori i fundit i Kolegjit në Fermo, Don Tiberijo Pakalorci, gjatë kohës së drejtimit të tij, Summa qëndroi në Kolegj, ka shënuar për të: “Mikel Summa nga Baba, i cili në Kolegj qëndroi që nga prilli i vitit 1711 deri me 31 gusht të vitit 1718, ishte person nga i cili pritet shumë.[9] Në literarturën tonë për Summën kanë shkruar At Mladen Barbariq, Millan Premrou dhe At Paskal Cvekan, i cili pohon gabimisht se Mikel Summa ishte françeskan,[10] mirëpo këtë të dhënë nuk e dëshmon asnjë dokument zyrtar.
b) Misionar Apostolik
Kur Mikel Summa i ka mbaruar studimet dhe është kthyer në vendlindje, ishte i shuguruar për prift me 28 tetor 1718. Në famullinë e Shën Panteleonit në Babë e ka shuguruar ipeshkvi i Sapës, Imzot Marin Gjini.[11] Në fillim të janarit të vitit 1718 ai ishte shpirtnor në misionin e Zadanjit. Në këtë vend ishte emëruar nga Kongregata si misionar apostolik.[12]
Në argjipeshkvinë e Shkupit ka pasur mungesë të priftërinjëve, për shak të njohjes të gjuhës kroate dhe karakteristikave tjera, Kongregata për përhapjen e fesë me ndërmjetësimin e argjipeshkvit Vinçenc Zmajeviqit e vendos Summen në Jnajevë, prej nga misionari i ri është lajmëruar në Romë më 29 tetor 1723.[13] Argjipeshkvi i Shkupit Pjetër Karagiqi e ka emëruar Don Mikel Summen për vikar gjeneral të tij. Kur më 15 janar 1727, argjipeshkvi Karagiq ka vdekur, Summa me 26 janar të atij viti u emrua vikar kapitulluar për argjipeshkvinë e Shkupit.[14]
c) Argjipeshkëv i Shkupit
Argjipeshkvi Vinçenc Zmajeviqi, i cili në ndërkohë ishte transferuar prej Tivarit në Zarë, i ka shkruar Kongregatës për përhapjen e fesë në Romë, më 16 maj 1727. Ai lut që të mos zgjatet me emërimin e argjipeshkvit të ri të Shkupit, e si kandidat të mundshëm propozon Don Mikel Summën, priftin shembullor, i cili njeh gjuhët: shqip, kroatisht, italisht dhe turqisht, i cili është i çmuar edhe nga turqit e jeton në paqe me ortodoksët.[15] Në mbledhjen e Kongregatës me 21 korrik të vitit 1727, për argjipeshkëv të ri të Shkupit është zgjedhur vikari kapitular i deritashëm i argjipeshkvisë së Shkupit, Summa, e zgjedhjen e tij, mbas procedurës hulumtuese të ndjekur, e ka pranuar dhe vertetuar papa.[16] Dekreti papnor mbi emërimin e Mikel Summes është lëshuar me 15 nëntor 1728 prej Papës Benedikti XIII, i cili ruhet në kuvendin e françeskanëve në Osijek. Shugurimin ipeshkvnor Mikel Summa e mori në kishën e Shën Shpëtimtarit në Velë, më 3 korrik të vitit 1729 prej argjipeshkvit të Durrësit Pjetër Skurës, të cilit i asistuan Gjon Galata, ipeshlvi i Lezhës dhe Anton Vladani, ipeshkvi i zgjedhur i Shkodrës.[17] Për shkak të shkatërrimeve të luftës, argjipeshkvia e Shkupit ka rënë në gjashtë misione në: Shkup, Janjevë, Prizrenë, Zym, Gjakovë dhe Pejë. Secila nga këto misione kishte filiale të shumta. Pos këtyre misoneve në të cilat kanë shërbyer priftërinjtë dioçezan, në argjipeshkvi ekzistonin edhe dy misione françeskane në Peshter dhe Rugovë, ku janë strehuar kelmendasit që ishin të ndjekur nga pushteti turk, nga teritori i tyre fisnor.[18] Për gjendjen në argjipeshkvinë e Shkupit, argjipeshkvi Summa i ka informaur zyret qendrore në Romë më 8 tetor të vitit 1729, më 1 gusht të vitit 1732 dhe më 16 dhjetor të vitit 1735. Argjipeshkvi në detyrën e tij ishte i kujdesshëm dhe përkrahte besimtarët dhe priftërinjët. Në disa raste e ka rrezikuar jeten e tij duke vizituar të sëmuarit nga epidemia e murtajës dhe i ngushëllonte ata që ishin afër vdekjes.[19]
d) Kryengritja kundër turqve dhe shpërngulja
Në relatën e shkruar në Vjenë më 10 tetor 1736, organet ushtarake e informojnë mbretin Karlin VI, se si argjipeshkvi Summa në marrveshje me udhëheqësin ushtarak të Jagodinës, kolonelin Shneper, në ipeshkvinë e tij, ka ngritur besimtarët katolikë në kryengritje kundër turqve dhe për të mbrojtur fenë e krishterë. Udhëheqi i Beogradit, gjenerali i artielerisë Maruli, kishte kapur një letër nga e cila shihet se turqit e kishin njohur argjipeshkvin Summa në llogorin e ushtrisë austriake dhe se kishin dëshirë që ta e kapnin të gjallë. Për këtë shkak ishte vendosur që argjipeshkvi të tranferohej në Beograd.[20] Grofi Shmoetau në “Ditarin e tij të luftës”, shënon se Summa kishte qëndruar në Kosovë në llogorin austriak me 8 gusht 1737.[21] Vet argjipeshkvi Summa, kishte shkruar Romës nga Beogradi më 6 prill 1739, për përfundimin fatkeq të luftës austro-turke, dhe për faktin se ai vet së bashku me besimtarët e tij nga Peshteri, Novi Pazari dhe vende të tjera ishin të detyruat të kalonin nën pushtetin austriak.[22] Deri në pushtimin e ri të Beogradit nga turqit në vitin 1739, agjipeshkvi kishte qendruar në Beograd, kurse me 17 gusht kalon në Srijem dhe përkohësisht qëndron në rezidencën e Jezuitëve në Petrovaradin. Ai me 27 shtator 1739, dhuron Jezuitëve 26 forinta për mbulimin e shpenzimeve, përshendet me ta dhe shkon në Osijek.[23] Në Osijek argjipeshkvi Summa së pari ka banuar në pallatin Markiza tek nënmarshalli Askanija Guaganji, i cili ishte në krye të komandës gjenerale në Osijek.[24] Nga vendbanimi i ri argjipeshkvi dy herë është lajmëruar në Kongregatën e Romës: më 26 gusht 1742 dhe 29 janar 1743. Më në fund pas kërkesës së tij, ai mori shkarkimin nga drejtuesi i argjipeshkvisë së Shkupit, ku nuk kishte mundësi të kthej më.[25]
e) Argjipeshkvi Sunma në Osijek
Argjipeshkvi në Osijek ka jetuar si pensionist i pallatit mbretëror. Më 1 janar 1741, i është lejuar pensioni prej 1.800 fortintash në vit, derisa nuk i ndahej ndonjë ipeshkvnie ose tjetër benificion. Njëkohësisht i mundësohet që pensionin e tij mund ta e merr nga arka e Komorës në Osijek.[26]
Mikel Summa duke kyrsyer të hollat kishte mbledhur shumën prej 300 dukatësh, dhe në vitin 1765 e ka blerë shtëpinë e Ignjac Tomiqit.[27] Këtu kishte jetuar së bashku me nipin Mihail Summën, tregtar, deputet i qytetit dhe Sindik i Kuvendit. Sipas rekonstruktimit të parcelave ndërtimore ajo shtëpi sot gjendet në rrugën Franje Markoviqa nr. 5 ose 7.[28]
Në Osijek argjipeshkvi është emëruar sufragan i argjipeshkvisë Ostrogonë si dhe vikar i tyre për qytetin e Osijekut. Këtu në kuvendet kishtare dhe kishat ndau sakramentet e krezmimit, shuguroi priftërinjtë e rinj, bekoi këmbanat, kelshejtat, gurët e ltereve dhe me rastin e festave shtetëtrore dhe fetare mbante meshët solemne.[29] Me miqësi të veçantë ishte i lidhur me ipeshkvin e Gjakovës Çollniq, ndërsa jetonte në miqësi dhe paqe me ipeshkvijtë tjerë përreth. Ishte i thirrur në territoret e ipeshkvive fqinje që të kryente shërbimet të cilat mund t’i kryente vetëm ipeshkvi. Kështu gjatë disa dekadave mund të përcjellim veprimtarinë e Summës në Gjakovë, Peçuh, Petrijevci, Valpovë, Dardë, Vukovar, Ilok dhe Petrovaradin. Ka shërbyer në të gjitha kishat e Osijekut, mirëpo më së shpeshti në kishën françeskane të Kryqit të Shenjtë në Tvrgja.[30] Summa si njëri nga personat më të shquar në Osjek, ishte shumë shpesh në shoqëri të bujarëve kroatë, oficierve dhe gjeneralit Engelshofen, por ishte i nderuar edhe nga qytetarët e Osijekut dhe varfanjakët. Ishte njeri me zemër të madhe, shpirt të mirë, i mençur, besimtar dhe shumë bujarë.[31]
f) Argjipeshkvi Summa, protektor i polemikës teologjike
Në kuvendin françeskan në Osijek ishte themeluar rendi i studimeve gjenerale françeskane. Në shek. XVIII ishte zakon që institutcionet e larta shkollore nganjëherë të përgatisnin diskutime publike nga fushat të cilat ligjëroheshin. Kështu edhe françeskanët e Osijekut më 16 shtator 1742, në orën 16, kishin diskutimin publik mbi sakramentet e rrëfimit. Lënda ishte e ndarë në 28 tema. Diskutimin shkencor e mbrojti profesor At Filip Radiq me studentët e tij: At Emerikun prej Budimit, At Llukë Mazanoviq dhe At Pjetër Mandikiqin. Atyre iu kundërvunë me pyetje dhe me mendime nga një këndvështrim tjetër, meshtari i së dielës ati i Kapucinëve dhe profesorët françeskan At Ivan Lukiq dhe At Franjo Jankoviq. Protektor i këtij diskutimi ishte argjipeshkvi i Shkupit në pension Mikel Summa.[32] Me atë rast, argjipeshkvit Summës i dhurohet piktura e Familjeve të Shenjta, gravurë bakri e Johan Elias Ridingerit e rrethuar me mëndafsh të verdhë në të mbylltë, punuar sipas pikturës së Petër Domerit. Në pjesën e poshtme të gravures ndodhet teksti i mirënjohjes dhe përkushtimit argjipeshkvit Summës dhe tezat për të cilat është diskutuar, e që janë të shtypura në Osjek. Kjo gravurë tani ruhet në Muzeun e Sllavonisë në Osjek, ndërsa teksti është vënë si ekzemplari i parë i shtypur i fjalës së shkruar pas largimit të turqëve nga Sllavonia, në veprën “Bibliografia e Osjekut.”[33]
Në vitin 1703, me rastin e kryengritjes së Rokacit, në Osjek dhe viset përreth filuan të vendosen pjestarët e të ashtuquajturës koloni e Çiprovcit. Ato ishin familje shqiptare të krishtera nga Çiprovci, Klisura, Zhelezna dhe Kopilovci në Banatin Bullgar. Mosuksesi i kryengritjes kundër turqve, atyre iu dha shkas që në vitin 1688 të rrënojnë Çiprovcin, e popullsinë e këtyre vendbanimeve e robëruan ose e shpërngulën. Në Osjek arritën kryesisht familjet tregtare, ndërsa disave prej tyre këtu do t’iu pranohej tradita dhe bujaria shqiptare. Ato ishin familjet: Cragna-Junkovip, Gambara-Cambesi. Të krishterët Çernojeviq, Kostiqët, Çerkiqët, Stekiqët, Lekiqët, Frankollukinët dhe Nikollantinët.[34]
Bashkësia shqiptare në Osjek rritet me ardhjen e argjipeshkvit të Shkupit Mikel Summës dhe farefisit të tij. Me argjipeshkvin në Osjek jetonte edhe nipi i tij Mihail Summa, tregtar, deputet i qytetit dhe sindik i kuvendit me të shoqen Anën dhe shumë fëmijë. Gjithashtu me ta jetonte edhe nipi i dytë Gjergji, kolonel në regjimentin e Brodit.[35] Kur asnjëra nga ipeshkvitë, e Gjakovos dhe Sremit nuk kishin Kolegj për edukimin e priftërinjëve dioçezan, me vetëdëshirën e mbretëreshës Maria Terezës, në Osjek është hapur instituti për edukim dhe shkollim të priftërinjëve shqiptar kelmendas për fashtrat Hrtkovc dhe Nikinc. Kështu në Osjek vijnë nxënësit Anton Mala, Simon Deda, Karl Gega, Jakob Loshi, Augustin Prela, Ndre Marashi dhe Gjelosh Pali.[36] Atyre si edukator dhe mësues i gjuhës shqipe iu është bashkangjitur në vitin 1771, prifti i argjipeshkvisë së Shkupit, Don Pal Zogaj. Me rastin e shuarje së Shoqërisë së Jezuitëve, këta nxënës në vjeshtën e vitit 1774 janë transferuar në Zagreb.[37] Pos argjipeshkvit Summa, në Osjek përmenden edhe klerikë të tjerë të argjpeshkvisë së Shkupit, si psh. Don Ndre Braçani, Don Anton Lumbeshi dhe teologu Gjon Batuqi. Duke qenë të shtyrë nga fatkeqësitë e jetës, ata kërkonin te argjipeshkvi strehim dhe ndihma materiale. Qëndrimi i tyre në Osjek nuk ka zgjatur shumë.[38]
g) Vdekja dhe varrimi i argjipeshkvit Summa
Sëmundja e argjipeshkvit Summa filloi më Bartollovë më 24 gushtë 1774. Në maj të vitit 1777, argjipeshkvi e mori sakramentin e vajimin, ndërsa më 19 nëntor të atij viti është rrëfyer përsëri. Të nesërmen, papritmas iu është keqësuar gjendja dhe vdes në duar të Ana Marisë, gruas së nipit të vet Mihael Summës. Më 22 nëntor, Summa e varrosin në kishën françeskane në Osjek. Varrimin e bëri ipeshkvi i Gjakovos, Krtica.[39] Në korrik të vitit 1778, mbi varrin e argjipeshkvit është vendosur pllaka përkujtimore prej mermerit të zi, e rrethuar me kornizë alabastri, me stemen e argjipeshkvit dhe me epitafin e gdhendur në gjuhën latine, cilin e ka hartuar françeskani i Osjekut, profesor Josip Pavisheviqi. Përveç kësaj pllake përkujtimore, Summën na kujtojnë gjërat e çmueshme që ai i ka lënë pas vetes, si dhe fondet e shumta të themeluara për mirëqenien e qytetarëve të Osjekut.[40]
h) Zbulimi i varrit dhe ngritja e bustit
Me rastin e restaurimit të kuvendit kishtar në Tvrgjë, duke falënderuar mirësinë e At Zhelko Pauriqit, kam hyrë në varrin e Summës më 13 nëntor 1992. Gjatë gërmimit punëtoret kan hasur në KRIPT e argjipeshkvit Summa dhe e kanë hapur. Në mes të varrit gjendej një arkivol i gjatë druri, i shpërndarë dhe i shkatëruar. Kapaku i arkivolit ishte i zbukurar me ornamente të ndryshme, ndërsa mbi këmbet e argjipeshkvit me njyrë ishte i shënuar viti 1777. Eshtrat e argjipeshkvit Summa ishin të shkapërderdhura, ndersa pjesa më e madhe e rrobave gati krejtësisht e kalbur. Argjipeshkvi ishte i gjatë rreth 180 centimetra. I ndjeri ishte i shtrirë në kurriz me duar të lidhura në gjoks. Në kokë kishte mitrën ngjyrë vjollce, e cila e mbulonte tërë kafkën. Nga dora e djathtë e kam hequr unazen ipeshkvnore me gur të çmuar. Nga duart e kam nxrjerur PACIFIKALIN dhe nga gjoksi kryqin ipeshkvnor. Këto eksponate i kam dorëzuar atit guardian për koleksionin e kuvendit ku deri më tash gjenden disa eksponate nga trashëgimia e Summës. Mirë ishin të ruajtura pantallonat, çorapet e argjipeshkvit, si dhe sandalet PONTIFIKALE ngjyrë manushaqe. Reverenda e alba ishin gati të kalbura, kurse nga meshorja ngjyrë vjollcë ende dalloheshin pjesët e qëndisura.[41]
Me rastin e shënimit të 800-vjetorit të përmendjes së emrit të qytetit së Osjekut, 300-vjetorit të lindjes së argjipeshkvit Summa dhe 260-vjetorit të shpërnguljes së kelmendasve në Srem, Bashkësia Shqiptare në Republikën e Kroacisë, në vitin 1996 mbi varrin e argjipeshkvit e ka ngritur bustin, punim i skulptorit akademik Marijan Sushcit. Busti është zbuluar solemnisht më 12 tetor 1996, nga Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kroacisë, z. Franko Kroçit, me cilin rast janë lexuar disa ligjerata shkencore interesante nga prof.dr. Josip Vrboshiqi, “Mbi 800 vjetorin e përmendjes së parë të emrit të qytetit Osjek“; prof.dr. Musa Ahmeti, “Shqiptarët në Kroaci dhe Arbneshët afer Zares në shekullin e XVII-të“; prof.dr. Behlul Brestovci, “Lidhjet kroato-shqiptare gjatë shekujve“. Me atë rast ipeshkvi i Gjakovës dhe Sremit Imzot Qiril Kos mbajti meshen solemne dhe një predikim me përmbajtje të pasur./drita.info
——————————————
[1] Kuvendi i françeskanëve në Osijek, Dekreti papnor mbi emërimin e Mikel Summës për argjipeshkëv të Shkupit.
[2] BARABARIĆ, fra Mladen, Mihael Summa, nadbiskup Skopski i primas Serbije, Zbornik arheološkog društva “Mursa”, Osijek 1936, f. 58.
[3] ASV, Processus consistoriales, v. 114, f. 616.
[4] CONRAD, Eubel, Hierarchia Catholica medii aevi, t. V, Patavii, 1952, f. 347.
[5] ASCPF, SOCG, v. 643, ff. 87r-88v, v. I, f. 643, ff. 583v-584v.
[6] ASCPF, SOCG, v. 643, f. 84.
[7] ASCPF, Collegi Varie, v. 21, f.216.
[8] ASCPF, Collegi Varie, v. 21, f. 123.
[9] BARTOCCETTI, Vittorio, Il Colegio ilirico di San Pietro di Fermo (1663-1746), Studia Picena, v. XI, Anno, 1935, ff. 162.
[10] CVEKAN, fra Paškal, Osječki franjevci, Osjek, 1987, f. 113-115.
[11] ASV, Procesus consistoriales, v. 114, f. 616rv.
[12] ASCPF, SOCG, v. 624, f. 27rv.
[13] ASCPF, SOCG, v. 576, f. 55rv.
[14] PREMROU, Mila, Katolički nadbiskupi u Skoplju, Glasnik Skopskog Naučnog Društva, I, Shkup, 1926, f.331.
[15] ASCPF, SOCG, v. 657, ff. 53-54.
[16] ASV, Processus consistoriales, v. 114, f. 620.
[17] ASCPF, SOCG, v. 665, f. 159.
[18] ASCPF, SOCG, v. 686, nr. 21, ff. 542-545.
[19] ASCPF, SOCG, v. 686, nr. 9, ff. 26-27.
[20] HKA, Wien, Hoffinanzen Ungarn, nr. 722, ff. 5-6.
[21] RADONIĆ, Jovan, Rimska Kurija … Beograd, 1950, f. 561.
[22] ASV, S. Congr. Concilii, Relationes, Visitationes ad limina, Scopien, v. 728.
[23] Diarum Missionis Petrovaradiensis A. 2, f. 211, dhe 217.
[24] ASCPF, SC, Servia, 1669-1760, v. I. Ff. 375-376.
[25] ASCPF, SCOG, v. 715, ff. 241-242 dhe ff. 243-244.
[26] HKA, Wien Hoffinanzen Ungarn, Registerreihe, Expedit 1741, ff. 353 dhe 361.
[27] MALBAŠA, prof. Marija, Mihajlo Summa u Osijeku, Osječki zbornik, V, Osijek, 1956, f. 156.
[28] BOESENDORFER, dr. Josip, Diarium sive prothocollum venerabilis conventus, S. Crucis Inventae Essekini intra muros ab anno 1686, usque ad a. 185, JAZU, Starine XXXV, Zagreb, 1916.
[29] Liber in quo sedule annotatur Ordinationes, Confirmationes, et aliae Benedictiones Soleminter vel privatae factae, ab illustrissimo et Remo. Don Michaele Summa Archi-Episcopo Scopiensi Suffraganeo Essekini Sue Celestudinis Primatialis regni Hungariae redissimi Dni D. Nicolai de Csaki Huius loci Ordinarii, Essekini die 25 Julij Anno 1753, Osijek, kuvendi françeskan.
[30] Liber meorabilium, kuvendi françeskan në Djakovo, Vukovarë, Ilok dhe Petrovaradin.
[31] Prothocolum sive Archivium, përkujtimore e kuvendit françeskan në Petrovaradin, f. 165, Zagreb, Kuvendi françeskan, Kaptol, 9.
[32] Liber in quo sedule annotatur…, Osjek, kuvendi françeskan, Muzeu i Sllavonisë, Osjek.
[33] MALBAŠA, prof. Marija, Mihajlo Summa u Osijeku, f. 152-153.
[34]BOESENDORFER, dr. Josip, Kolonija Čiprovčana u Osjeku, JAZu, Narodne Starine, XI, Zagreb, 1932, SRŠAN, dr. Stjepan, Procesverbal i qytetit të Osjekut – Tvrgja nga viti 1745-1770, Osjek, 1987.
[35] BOESENDORFER, dr. Josip, Diarium sive prothocollum …, f. 84, 102, 114, 116.
[36] KA, Wien, Prot. Expedit, 1769, 31-125, ff. 2, 3rv.
[37] ASCPF, Sc, Servia, v. 2, ff. 191-193.
[38] ZEFIQ, Frok, Mihael Summa, nadbiskup Skopski, Osjek 1994, f. 115.
[39] BOESENDORFER, dr. Josip, Diarium sive prothocollum …f. 75-76, Prothocolum conventus Immaculatae C.B.M.V. Diacovae, f. 50, Kuvendi françeskan, Sllavonski Brod.
[40] BOESENDORFER, dr. Josip, Ibid., f. 82.
[41] ZEFI, Frok, Mihael Summa, nadbiskup skopski, f. 170.