Reflektime rreth botimit kritik e filologjik të veprës “Il Soldato albanese per l’Impero ottomano del 1420”, Aracne editrice, Romë, 2021, përgatitur nga M. Bruci, O. Parise
Nga Evalda PACI
Në proces të konsultimit të brendisë së një vepre si ajo e Santorit, të shkruar në gjuhën italiane (“Il Soldato albanese per l’Impero ottomano del 1420”) e që e konsultojmë tashmë në një botim kritik e filologjik të dalë nga shtypi në vitin 2021 nga shtëpia botuese Aracne, Romë, më kanë lindur disa pyetje rreth subjektit dhe shtysave që përcillen përmes tij:
Si përafrohen rrethana që orientojnë herë ndaj madhështisë së ngjarjeve të Katërqindës që vendin tonë e paraardhësit tanë i përfshinë ndjeshëm në çdo përmasë përjetimi? Sa afër perceptimeve tona mbeten personazhe që të përfshira dhe në plan të përjetimeve personale në të tilla ngjarje, shoqërojnë lexuesin nga kreu në krye, me praninë e protagonistit, por dhe aktorit të një skene që nuk mbetet asnjëherë thjesht individuale?
Francisk Santori (1819-1894) vjen për të satën herë pranë vëmendjes sonë, e cila është zgjuar shpesh prej ardhjes së veprave të tij të fundit në formate botimesh kritike e filologjike, nga trajtesa e artikuj mbi gjini të përveçme që falë tij pasurojnë dhe kuadrin historiografik e letrar të periudhës në të cilën jetoi, nga mëtime e synime në vazhdim për ta përfshirë këtë të fundit në një kontekst studimor që mbi të gjitha i përket letërsisë arbëreshe të trevave të Italisë së Jugut e më tej po aq natyrshëm dhe panoramës gjithëpërfshirëse të historisë së letërsisë së shkruar shqipe.
Me një vepërz që vjen në gjuhën italiane e që në vështrimin tonë shërben për të zbuluar një aspekt të ri të personalitetit të tij prej autori e shkrimtari, Santori troket sërish për të rizgjuar vetëdijet tona ndaj ngjarjesh që në mënyrë të pazgjidhshme kanë shënuar dhe fatet e të parëve tanë, të shtrënguar në rrethana tashmë të largëta historike, por mjaft të afërta për ndjeshmërinë që zgjojnë dhe sot e kësaj dite në kujtesën kombëtare të migronin drejt brigjesh e visesh në të cilat do të rindërtonin një profil kulturor e etnogjuhësor të ndikuar dhe nga elemente të një substrati më të hershëm.
Një fakt i tillë, aq më tepër kur vepra në fjalë studiohet në disa vështrime e aspekte, vjen në vëmendje të lexuesit pikërisht kur ndërmenden elemente të përveçme që janë vënë në dukje dhe në trajtesat më të para të studiuesve me emër të albanologjisë, që përfshinë krijimet e autorëve të letërsisë arbëreshe në prospektet më të para analitike mbi tekstet më të hershme shqipe, por dhe në sprova të një karakteri antropologjik e kulturor që vijojnë të jenë prijës në parashtresat studimore mbi hershmërinë e zakoneve e praninë e toposeve që evokojnë lashtësi, por dhe shkëmbime të hershme kulturore mes popujsh e trevash.
Dhe pse e shkruar në gjuhën italiane, në vepër nuk do të mungojnë hollësi e elemente që plotësojnë imazhin mbi personazhe që sigurisht lidhjen me faktorët e sipërcituar e kishin më se të natyrshme. Ndihmon dhe në pikëpamje të zbërthimit të shprehjeve e frazave të sjella në gjuhën e vendasve roli e kujdesi i pamunguar i përgatitësve të botimit në fjalë, që sollën për ne ndër të tjera dhe modelin e një bashkëpunimi e ndërveprimi pa të cilën nuk mendohet si tërësi as vepra që ofrohet për ta lexuar e kuptuar më thellë.
Për të ndjekur subjektin e veprës, pikërisht botimi që vjen së fundmi i dalë nga shtypi me siglën e shtëpisë botuese Aracne përbën dhe mediumin e përshtatshëm duke pasur parasysh introduktimet e peshuara të bashkëpunëtorëve si Fortino e Parise, por dhe shtjellimet e analizat e hollësishme filologjike të koleges Merita Bruci, e cila sërish do të ndalet në këto aspekte dhe së afërmi, në projektet e punës së saj shumëvjeçare mbi autorë e vepra të përveçme të letërsisë së shkruar arbëreshe dhe studimin e rrethanave që kanë ndikuar në përvijimin e shumë prej tyre.
Vepra në fjalë përbën një minierë të dhënash studimore që orientojnë ndaj profilit të personazheve të veçanta, ndërfutjes së elementeve historike që në të vërtetë janë një komponent i domosdoshëm për ta kontekstualizuar krejt imazhin e autorit mbi çka rendit, shtjellon e zbërthen në nene pasuese të krijimtarisë së tij, por dhe një sërë burimesh dokumentare që ndër të tjera dëshmojnë për prani trajtëformash që zgjojnë interes në pikëpamje të gjurmimit të origjinës, shtegtimit të mundshëm si variante, por dhe ruajtjes nga ana e aktorëve të këtyre proceseve komplekse që presupozojnë dëshmime të përjetimeve individuale, si dhe reflektime ndaj ngjarjesh më të mëdha se individi vetë.
Sa i përket gjinisë shkrimore në të cilën ushtrohet autori ynë, artikulimi në krerë e parashtrime që konceptohen në vijim të njëri-tjetrit përbën dhe një ftesë për ta brendësuar në mënyrë graduale krejt procesin ndaj të cilit Santori pati provat e veta si shkrimtar.
Në këtë përpilim të shkruar në gjuhën italiane, me veçori interesante të disa nënsistemeve të caktuara, lexuesi i zgjedhur a më mirë të themi, Letërari gjen e zbulon aspekte të një shkrimtarie që pikërisht me këtë medium gjeti një hapësirë shprehjeje me vend të bollshëm për artifice e mjete që falë identitetit të së sipërpërmendurës dhe lidhjeve të natyrshme me terma e përveçime që dhe pse me origjinë të ndryshme, në gjirin e kësaj të fundit u ruajtën duke u bërë pjesë e një leksikoni me të dhëna të domosdoshme dhe ndaj botës së besimit, besimeve, trashëgimisë kulturore të popullsive të tjera. Pikërisht dhe për këtë arsye, pak më sipër iu referuam sprovave që evokonin praninë e elementeve të tilla, me gjasë ekzistuese në kohë më të hershme, por të dokumentuara dhe në shkrimtarinë e autorëve arbëreshë që në këtë mënyrë i shërbejnë rishtrimit të argumenteve për ekzistencën e tyre dhe ndërveprimin e vazhdueshëm në psiken e personazheve që i përmendin ato. Letërsia e shkruar mbetet dhe një burim i çmuar dokumentar, por ndër të tjera, teksa elemente të tilla ndërfuten në rrëfime e përjetime në një kontekstualizim kohor tipik për brendinë e veprës së shqyrtuar, kjo e fundit rishfaqet me gjithë peshën dhe rëndësinë e një ndërmjetësueseje të pazëvendësueshme.
Është e mundur në këtë vepër të ndiqen përjetime që në të vërtetë janë pjesë e rëndësishme e biografisë së personazheve të rëndësishme për vetë ndërthurjen e saj; jo me më pak peshë për reflektimet tona janë evokimet e një religjioziteti të ngulitur në jetesën e protagonistëve e që përbëjnë qenësi thelbësore për traditën ekzistuese të riteve fetare në krahinat që përmenden në këtë të fundit.
Dhe sa i përket njohjes dhe hulumtimit të historisë së teksteve të Santorit, më saktë, të dorëshkrimeve të tij që në vijimësi janë bërë objekt dhe në trajtesa studimore të viteve të fundit, duhet thënë sërish që procese të tilla, të dosmodoshme dhe për studimet më të thelluara në fushë të historisë së letërsisë arbëreshe kanë pasur një jetëgjatësi të konsiderueshme, që kanë bërë të çmohet më shumë vlera e disponimit të përpilimeve të këtij autori.
Për ta përafruar me lexuesin, dhe me atë që ruan një vështrim kritik dhe kurioz ndaj njohjes së shkrimtarisë së Santorit dhe gjinive me të cilat ky i fundit përuroi në vite artin e tij të të shkruarit, hapat me të cilat ky botim introduktohet në pikëpamje të përmbajtjes, qasjes ndaj elementesh qenësore që bëhen objekt i analizave të imëta filologjike, vërejtjeve që janë të domosdoshme për një vepër të përpiluar kohë më parë, paraqiten si një premisë e nevojshme dhe si një praelectio që lehtëson takimin e Letërarit me autorin, si dhe me lëndën e përpunuar prej tij.
Meritojnë vlerësimet tona përpjekjet e lavdërueshme të bashkautorëve, që në një ecuri graduale që mundësoi konkretizimin e një botimi të tillë, bashkërenduan kompetencat dhe njohjen e një konteksti kompleks që falë dimensioneve të qarta historike e kulturore, vijon të grishë interesat studimore të kujtdo që njeh në një panoramë të tillë gjurmë të shfaqjes së përpjekjeve për ruajtjen e një identiteti etnik e kombëtar si yni.
Parashtresa me të cilën në këtë botim përfaqësohet dhe kolegu Oreste Parise përbën një sprovë serioze përmes së cilës nënvizohen reflektime ndaj një sërë çështjesh, disa prej të cilave mjaft natyrshëm janë shtruar dhe në konferencën shkencore me të cilën pak vite më parë përkujtuam Santorin në një përvjetor të rëndësishëm të lindjes së tij. Po këto çështje, të rimarra dhe në dritë të një trajtese që ruan në vetvete kujdesin për ta projektuar shkrimtarinë e këtij të fundit në një panoramë studimore që i përket historisë së letërsisë së shkruar shqipe, vijnë sërish me të njëjtin aktualitet dhe duke zgjuar të njëjtën vëmendje, aq më tepër që elemente të një mjedisi në të cilin ky autor i ardhshëm u edukua dhe u formua, rimerren dhe kontekstualizohen në një klimë përshtatjeje dhe qartësimi dokumentar. Në të vërtetë, jo pak fakte historike lidhen me periudhën në të cilën jetoi dhe Santori, duke pasur parasysh dhe themelimin e vatrave të edukimit kompleks për të cilat janë përvijuar studime të shumta kryesisht historike, por dhe kërkime në vijim në fonde arkivore të posaçme. Pjesë e një kuadri historiografik që për dekada të tëra vijoi të mbetej një vatër burimore e denjë për hulumtime të thelluara, dhe kolegjet në të cilat u formësuan profile të përveçme prelatësh e personalitetesh të botës arbëreshe janë pjesë e këtij mozaiku që nuk përmban vetëm dimensionin kulturor, por dhe atë kombëtar e identitar.
Njohës i mirë i rrugëtimit individual të Santorit, i rrethanave në të cilat ky i fundit shkroi në gjuhën italiane dhe romanin në fjalë, Parise vlerëson në mënyrë objektive dhe shkallën e receptimit të krijimtarisë së këtij autori në punime e trajtesa mbi historinë e letërsisë sonë, në të cilat do të duhej të kishte zënë një hapësirë më se të merituar.
Në kreun paraprijës të këtij botimi e që është përpiluar pikërisht nga Parise do të jetë e mundur të gjurmohet një bazë e gjerë dokumentare, që orienton ndaj zbërthimit të elementeve tekstore të veprës së Santorit, të bashkëlidhura me grimca kujtese kombëtare, por dhe me një nëntekst që duhet kuptuar pikërisht në kuadrin e vetë historive që ngërthehen në këtë përpilim gjithëpërfshirës të tij. I vetëdijshëm për rëndësinë që paraqet dhe vetë përfshirja e elementeve të një tabani kulturor genuin, i shprehur dhe me trajta e ndërtime tipike për lokalitetin që përshkruhet në të, dhe vetë bashkëhartuesi i këtij botimi i ngërthen këto të fundit në përshkrimet dhe analizat e tij, duke pasuruar kësisoj dhe kuadrin informativ në syrin e lexuesit. Duhen ndërmendur në këtë kuadër dhe kontribute paraardhëse të studiuesit Parise, i cili në vijimësi të këtyre të fundit, përpilon mjeshtërisht dhe parashtresën me të cilën dhe ky vëllim i Santorit vjen i plotësuar dhe i përafruar metodikisht. Në një linjë natyrshmërie me konsideratat e sipërcituara, dhe shënimet e trajtesa e zgjeruar e koleges Bruci kanë një rol të pazëvendësueshëm në krejt panoramën që na shtjellohet hap pas hapi, në konsultim të elementeve tekstore paraprijëse, në leximin e pasazheve që në mënyrë graduale ofrojnë përshkrime, analiza, përshtypje, reflektime. Ndarja e veprës në nene e krerë të thukët përbën një excursus që ndiqet me kureshtje e me ndjenjën e nevojës për ta përmbushur këtë të fundit në faqe që përmbajnë përshkrime tiparesh fizike, veçorish karakteriale që nuk i përkasin vetëm portretit të personazhit, por dhe psikes së një kolektivi të lidhur ngushtë me kontekstin e tipicitetin e tij.
Janë faqe që lexohen me kërshërinë e kërkuesit të të dhënave të domosdoshme për një kontekst gjeokulturor që na ka grishur përherë, dhe në kuadër të trajtesave në të cilat flitet gjerësisht për kohë të shkuara, në të cilat dhe migrimi i popullsive për arsye qenësore ishte kthyer në një dukuri historike. Në një rend të arsyetuar do të mund të gjinden të ndërmendura fakte dhe elemente të një kuadri panoramik që mbart qartësisht përparësinë e faktorit historik dhe ndikimin e tij në një ecuri procesesh në të cilën është përfshirë dhe ai letrar.
Luan një rol të dukshëm fakti që bashkëpërgatitësit e vëllimit të sipërcituar janë njohës të afërt, por dhe të përfshirë për arsye studimesh afatgjata në panoramën e sipërpërmendur, e cila dhe me anë veprash të kësaj natyre risjell në vëmendje rëndësinë e evidentimit të kontributeve që përbëjnë aspekte qenësore të profilit të një autori, në rastin tonë të Santorit./drita.info