Letërsia e vjetër shqipe në vështrim të një konteksti tipik kulturor e socioletrar

Nga Evalda Paci

 

Në një sprovë për të trajtuar aspekte të një konteksti që ndikoi pa dyshim dhe në zhvillimet e kulturës librore në gjuhën tonë e në funksion të një tematike të paracaktuar e të orientuar ndaj një përdorimi specialistik, vetë të dhënat nga veprat e letërsisë së vjetër shqipe na rrëfejnë mbi parapërgatitjen e autorëve, përpiluesve dhe marrëdhëniet e tyre me një hierarki vlerash e institucionesh, ndër të cilat jo pa rëndësi paraqiten ato të finalizimit për shtyp të përpilimeve përkatëse.

Për të tilla hallka që dëshmojnë dhe impaktin e një klime zhvillimi të rëndësishme për receptimin libror në shekujt XVI-XVII, por dhe më tej në kohë, do të flitet gjerësisht dhe në manualet e studimet tematike mbi shtypshkrimin në Evropë e në vise qendrore të përurimit të tij. Vetë tranzicioni nga një kulturë e manuskriptit në atë të shumëfishimit dhe realizimit të ekzemplarëve me anë të teknikave tipografike shënoi për një sërë rrethesh kulturore përfshirjen në hapa të rinj në leximin dhe përdorimin e librit kishtar dhe atij kulturor e me përkatësi ndaj letërsisë humaniste dhe klasike.

Për secilën prej veprave të letërsisë së vjetër shqipe mund të gjurmohen tipare të një periudhe që u karakterizua nga lakore e ndryshime të diktuara nga orientime që jo përherë qenë dalluar për koherencë në ecuri dhe përmbajtje, fakt që ka gjetur dhe më tepër konfirmim vitet e fundit falë hulumtimit në një dokumentacion të pasur e të sistemuar në vazhdë dhe më tej mbas përmbylljes së punimeve të Koncilit të Trentit (1545-1563).

Në pikëpamje modeli a modelesh, vetë libri i Gjon Buzukut shfaqet natyrshëm si përmbledhës i disa përpilimeve tipike, që dhe në vetë ndërtimin a destinacionin përkatës kanë qenë objekt trajtesash e vëzhgimesh në të njëjtat ndarje kohore që marrim në shqyrtim dhe në këtë trajtesë tonën. Për vetë ndërthurjen në një libër të vetëm të disa modeleve, studiuesit e teksteve kishtare e të filologjisë tekstore u janë referuar kësombllave që rezultojnë në struktura të ngjashme, por në përgjithësi të shkruara në gjuhën latine, gjurmët e së cilës gjinden në një mënyrë ose tjetër dhe në veprat e letërsisë sonë të shekujve XVI-XVII. Impakti latin apo lidhjet e drejtpërdrejta me ritin latin gjejnë hapësirë për t’u ripohuar përmes vetë analizimit të brendisë së këtyre veprave, që kurorëzohen dhe në një periudhë kohore që ngërthen në vetvete momente tipike, por dhe ndryshime pasuese të shoqëruara me risi apo hapa të matur në pikëpamje të reformimit të librit të liturgjisë dhe atij të kulturës kishtare.

Reformimi i librave kishtarë sigurisht do të përfshinte mesharët e librat e orëve, breviarët e do të përballej dhe me domosdoshmërinë e disponimit të një modeli katekistik të arrirë e të mirëmenduar. Përpjekjet përkatëse qenë të shumta e të dallueshme në varësi të pontifikateve dhe impaktit të rolit të selisë papnore, këmbënguljes së enteve kishtare të mbikëqyrjes së botimeve, emërtuar shpesh dhe nën siglën e censurës kishtare, mjaft e diskutuar për format që merrte e nën të cilat shfaqej hera-herës. Njohja dhe hulumtimi përkatës në një dokumentacion mjaft të ngjeshur, që përbëhet dhe nga burime të kohës, si dhe nga një kritikë komplekse mbi këto të fundit, orienton ndaj një realiteti që përbën domosdoshmëri faktike dhe në rasën e analizimit të rrethanave të konkretizimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe.

Në studimet tona për një kontekst të tillë është folur mjaft, duke u lënë të kuptohet dhe që nevoja e konsultimit të arkivave, fondeve librare në dioqeza, biblioteka private dhe të enteve të edukimit kolegjial do të mbetej një domosdoshmëri në  kushte të përpilimit të studimeve më të thelluara mbi një kuadër të tillë që pa dyshim do të ngërthejë analiza të faktorit historik dhe atij kulturor.

Në vetë elementet tekstore të veprave të letërsisë sonë kishtare, asaj të shekujve që përkojnë dhe me zhvillimet e sipërcituara, do të mund të ndiqet një vetëdije e qartë nga ana e autorëve për gjithë kontekstin për të cilin flitet gjatë dhe në trajtesat mbi historinë e shtypshkrimit dhe vatrat e lulëzimit të tij në viset evropiane, pa dyshim dhe në ato të arealit italik, i përfshirë gjerësisht në zhvillime mjaft specifike, veçanërisht nëse bëhet fjalë për vepra të një rëndësie të posaçme për studimet humanistike dhe për formimin individual, mjaft i synuar dhe në qendrat universitare të asaj kohe. Hulumtimi në detaje në lidhje me nëntekstin e shënimeve, të saktësimeve që lidhen me editorët, stampatorët, botuesit e kohës, por dhe me autorë që siglohen në përbërje botimesh të caktuara, orienton ndaj marrëdhënieve e dinamikave në hierarkitë përkatëse, të cilat përmendeshin dhe në tekstet përmbyllëse apo dedikimet hyrëse të këtyre të fundit. Në këtë vështrim, vlen përherë të nënvizohet fakti që këto elemente tekstore që u përmendën pak më sipër, përveç një funksioni të qartë në lidhje me brendinë dhe përmbajtjen e veprës a të doracakëve të caktuar, ishin të paracaktuara të kishin dhe një rol konkretizimi të përshtatshmërisë së përpilimeve me kërkesat e kohës, gjë që dëshmohet dhe me vetë ndërtimin tekstor përkatës. Të tilla elemente,  aq më tepër me daljen në dritë të indeksve të librave të ndaluar, për t’u rishikuar apo ndrequr në faza të mëtejme, citohen pikërisht nën këtë perspektivë, duke u cilësuar dhe për detajet a hollësitë informative që duhej të përmbanin.

Figurat që për periudha të caktuara përfaqësonin një hierarki të përcaktuar për nga rëndësia dhe kompetenca e mbikëqyrjes së botimeve kishtare, librave e libërthave që lidheshin me liturgjinë e me praktikimin e saj përmenden si të tilla dhe në veprat e letërsisë sonë të vjetër shqipe, në veçanti në përpilimet e Gjashtëqindës, në të cilat dhe vetë prania e këtyre hallkave dëshmohet qartësisht në tekste introduktive, në komponime që nuk janë gjë tjetër veç një shfaqje e njohjes nga ana e autorëve e një sërë skemash e modelesh për t’u ndjekur në rasë të finalizimit për shtyp të tyre.

Jo pak fakte e procedura kanë ndryshuar që nga viti 1555, më saktë me sprovat më të para për të pasur një indeks librash që do të përmbante dhe një sërë rregullash për  t’u pasur parasysh nga autorët, mbikëqyrësit e botimeve apo  editorët.

Autoritetet që janë të përfshira në këto procese nuk janë përherë të njëjta dhe më tej, me përmbylljen e Koncilit të Trentit, vetë tekstet e cituara më sipër do të mund të lejohen në momente të caktuara dhe në gjuhët e quajtura “vernakolare”. Në vazhdën e këtij të fundit do të bëhet fjalë për tekste konkrete dhe për vëllimet në të cilat do të gjinden të përfshira, ndërkohë që më tej do të vihet re se një reformim i domosdoshëm, por më i ndryshëm nga ç’konceptohej në proceset e vijimësisë së Koncilit do të pasohej nga rimarrje të reja përpilimesh, më të thjeshta në pamje të parë, por më të afërta me objektivat që do të synoheshin në kuadër të ungjillëzimit që ishte objektiv për t’u mbërritur dhe në vende të tjera, në veçanti në Ballkan  dhe në viset lindore.

Teksti kanonik dhe përdorimi i tij në praktikën liturgjike në gjuhën latine do të trajtohet përherë me të njëjtin vështrim zyrtar dhe në dekadat që pasojnë  përmbylljen e Koncilit Tridentin, po në rastin e letërsisë së vjetër shqipe mbetet përherë për t’u konsideruar një kontekst kompleks që përfaqësohet dhe nga një traditë preekzistuese e njohjes së tekstit liturgjik e atij himnodik dhe në gjuhët  popullore, fakt që është dëshmuar gjerësisht në dokumente, por dhe në trajtesa studimore mbi të njëjtin argument. Kontekst mjaft i afërt dhe më i pasur në të dhëna mbetet ai dalmat, për të cilin flitet gjerësisht në studime të posaçme kushtuar të njëjtës tematikë e që lidhet drejtpërdrejt me traditën e përdorimit të tekstit liturgjik në praktika të devocionit, ashtu dhe në sprovat për të rindërtuar një historik të përveçëm të institucioneve fetare në të cilat edukimit të prelatëve të ardhshëm që do të shërbenin në trevat e Ballkanit u është kushtuar një vëmendje e veçantë.

Jemi të mendimit që zhvillimet që pasuan vitin 1555 janë reflektuar në doracakë më modestë në pamje të parë, por dëshmues të një periudhe që me gjithë luhatjet në vendime, dekrete e botime tematike, do të paraqitej shënuese dhe në proceset postridentine, të pasqyruara dhe në vendet e Ballkanit. Vetë vitet 1558-1559 janë të lidhura me zhvillime të rëndësishme në botën e librit kishtar, zhvillime që do të bëjnë që dhe në drejtim të doracakëve të doktrinës e të librave të lutjeve të ndërmerren hapa sa konkretë, aq dhe shënues të ndryshimeve që do të diferencojnë ndjeshëm realizimet në dekadat e para të Gjashtëqindës nga përpilime të Pesëqindës.

Dallimet mes veprave të letërsisë së vjetër shqipe duhen gjurmuar pikërisht në  referim ndaj këtyre zhvillimeve, që nuk linin jashtë vëmendjes librat themelorë përmes të cilëve synohej edukimi ndaj liturgjisë. Nëse për destinacionin apo paracaktimin e librit të Gjon Buzukut është shtruar e parashtruar jo rrallë, në veçanti kohët e fundit që duhet të ishte i orientuar të përdorej për bashkësi besimtarësh që jetonin jashtë viseve arbërore, për veprat e tjera që e pasojnë në pikëpamje kronologjike është e mundur dhe nga tekstet introduktive, dedikatore apo përmbyllëse të krijohet një ide më e qartë në lidhje me premisat e përdorimit dhe destinatarët përkatës.

Spektri informativ gjithashtu nuk paraqitet i ndriçuar në të njëjtën shkallë për veprat  e kësaj letërsie, emërtimi i së cilës vijon të jetë i aplikuar i njëjtë prej vitesh në manualet e veprat studimore të karakterit institucional në traditën e studimeve tona.

Mbart një hije misteri gjithsesi çështja e një tipografie akoma të pasaktësuar dhe e sqarimit të disponimit të të ashtuquajturave “privilegje të shtypit”, që në kohën kur mendohet të ketë dalë nga shtypi ekzemplari i Gjon Buzukut përbënin një konditë të domosdoshme në pikëpamje të finalizimit të objektivave të porositësve e njëkohësisht dhe të botuesve që gëzonin njëfarë stime e vlerësimi në rrethet përkatëse kulturore, administrative të asaj kohe. Referimi i vazhdueshëm i  studiuesve të vetë përmbajtjes së tij, por dhe i kontekstit kulturor që ka të bëjë me të dhe me klimën favorizuese të botimeve kishtare me destinacion përdorimin në një praktikë thellësisht të përcaktuar ndaj modelesh të ngjashme, por jo krejtësisht të njëjta risjell në vëmendje çështjen e veçanësisë në ndërtim, përbërje dhe elemente të përmbajtjes, pa lënë mënjanë tipare të një kulture gjuhësore e letrare të përpiluesit, që vihet në një pozitë të lartë autoriale nëse kemi parasysh faktin që solli në këtë libër një sërë tekstesh me gjasë të përdorura dhe më herët në kulturën e besimtarëve që flisnin a praktikonin gjuhën tonë. Në lidhje me këtë realitet që mund të gjejë reflektim dhe në studimet mbi tekste të përveçme në traditën himnodike të liturgjisë së krishterë në gjuhën tonë, mund të vijnë në ndihmë referenca konkrete nga sprova të thelluara që i referohen kontekstit ballkanik dhe minikonteksteve që falë burimeve autoriale vijnë më afër vështrimeve kritike, të domosdoshme në të tilla rasa.

Për vepra dhe autorë që paraqiten me të dhëna konkrete që në detaje përfaqësuese të përpilimeve të së njëjtës tematikë, edhe studimet e kryera arrijnë të thellohen në një shkallë që mundëson dhe një ecuri të mëtejme interpretimesh, të domosdoshme në rastin e kontekstualizimit në traditën e studimeve albanologjike, por dhe të përfshirjes në historinë e letërsisë së shkruar shqipe. Kjo e fundit do ta ketë në vijimësi (dhe pse në formate jo të njëjta të trajtimit) të pranishme periudhën në fjalë bashkë me autorët përfaqësues, dhe pse në kushtet e nënvizimit të mungesës së të dhënave themelore biografike për disa prej tyre.

Në pikëpamje metodologjike, ka pasur periudha në të cilat vëmendja e parashtruar është shoqëruar me trajtesa të arrira që përbëjnë dhe sot e kësaj dite vlera referenciale për studiues e lexues të specializuar. Qoftë dhe në pikëpamje metodologjike, parashtrimi i teksteve përfaqësuese të këtyre veprave ka nxitur vëmendje dhe interes në pikëpamje formimi dhe informimi, duke qenë letërsia e vjetër shqipe nji lamije studimore mjaft e përveçme dhe e thellë për nga argumentet studimore që kanë marrë shkas nga hulumtimi i elementeve të saj ndërtimore.

Vetë veprat që paraqiten më të plota për nga gjendja fizike dhe në pikëpamje të ruajtjes së elementeve dedikatore që për kohën kanë qenë dhe shprehje vlerësimi për  to, janë pikërisht për një arsye të tillë dhe objekt vështrimesh që shërbejnë për të interpretuar dhe nga këndvështrime të lexuesit të kohës përpilimet e autorëve të kësaj letërsie. Konteksti i kohës, që presupozonte dhe përdorime të ngulitura incipitesh, apo dhe shprehje tipike në gjuhën latine reflektohet dhe në parashtresat që shoqërojnë veprat e shekullit XVII, ndër të cilat do të veçonim atë të Frang Bardhit  dhe më tej, atë të Pjetër Bogdanit.

Duhet mbajtur parasysh fakti që të tilla dedikime që prezantonin veprën, përkatësinë e saj tematike, por dhe arealin në të cilin kjo e fundit do të gjente audiencën e vet përbënin një medium mes autorit dhe kontekstit kulturor e kishtar që do ta kishte në dorë, përveç destinatarëve të drejtpërdrejtë, të cilëve vepra në fjalë u kushtohej që në pikënisje.

Tekstet në gjuhën latine janë në të vërtetë një dëshmi e pritshmërisë së receptimit të veprës në rrethe lexuesish me një përgatitje të spikatur kulturore dhe ndër të tjera përmbajnë shprehje tipike të vetë kulturës klasike dhe humanistike të përpiluesve të tyre. Autorët e veprave të letërsisë së vjetër shqipe janë ndër të tjera dhe ndërmjetësues të një klime të mbarsur nga prirje për ndryshime apo drejt përcaktimesh që lidheshin drejtpërdrejt me librin kishtar dhe me dicionarët që duhet të përmbanin në masë të konsiderueshme elemente të një leksikoni që do t’u shërbente gjerësisht klerikëve dhe praktikuesve të liturgjisë së krishterë. Si referentë kryesorë ndaj të cilëve orientohemi dhe nëpërmjet teksteve autoriale të tyre, meritojnë një vëmendje të spikatur dhe në vështrime ndaj pjesëve me të cilat përfaqësojnë veprat dhe objektivat e tyre.

Dicionarët në veçanti lidhen me vetë kontekstin në viset e tjera, ndër të cilat dhe ato ballkanike e lindore, të cilat evokojnë areale ndaj të cilave nuk mungoi vëmendja as në dekadat në të cilat panë dritën e shtypit veprat e letërsisë së vjetër shqipe.[1] Gjurmimet në përbërje modelesh që mund të paraqiten të ngjashme dhe me vepra të të njëjtit destinacion në gjuhën shqipe, shpien në qasje dhe gjetje përkimesh në pjesë të caktuara, por mbi të gjitha dhe në lidhje me vetë inicimin e këtyre të fundit, si përpilime që kishin një funksion të caktuar formimi dhe edukimi.

Në një vështrim më përgjithësues, që në vetë kontekstin që u citua dhe më sipër si objekt trajtimi më të zgjeruar nga ana jonë, do të mund të gjejë një sërë të dhënash dhe indicesh orientuese, do të mund të rinënvizohet që pikërisht nga vetë elementet përfaqësuese të veprave të letërsisë së vjetër shqipe arrihet në komponente tipike të kësaj panorame, kulturore, por dhe historike e me prirje për ta parë librin si një objekt të një qëllimshmërie komplekse./drita.info

—————————

[1] Szabò P., La revisione dei libri liturgici orientali e l’indicazione formale della loro “autenticazione”,

Folia canonica, n.7, 2004, f.261-278.

Shpëndaje: