(Lush CULAJ, Parlamenti i Shqipërisë dhe çështja kombëtare 1920-1939, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 2022 fq. 578.)
Nga Prof. dr. Shyqyri HYSI
Universiteti “Eqrem Çabej”, Gjirokastër
Studiuesi Prof. dr. Lush Culaj është autor i shumë artikujve me karakter studimor në shumë revista shkencore, pjesëmarrës në veprimtari të shumta shkencore si tryeza, simpoziume dhe konferenca shkencore kombëtare dhe ndërkombëtare. Pas botimit të shumë monografive solli në dritë botimin më të ri: “Parlamenti i Shqipërisë dhe çështja Kombëtare 1920-1939”. Profesor Culaj është studiuesi kryesor i trajtimit të qëndrimit të shtetit shqiptar ndaj problemit kombëtar në mbarë arealin shqiptar.
Sipas tij krijimi i shtetit shqiptar, në fakt, është zanafilla e lindjes së asaj që sot njihet si çështje kombëtare. Shqipërisë i ra barrë e rëndë që të dëshmohej si faktori më me ndikim për pozitën e shqiptarëve në Evropën Juglindore. Ishte kjo arsyeja pse tema “Parlamenti i Shqipërisë dhe çështja kombëtare 1920-1939” e ka tërhequr profesor Culajn, në radhë të parë si shqiptar jashtë Shqipërisë politike dhe në radhë të dytë si historian. Monografia është një arritje shkencore e rëndësishme, rezultat i një pune këmbëngulëse hulumtuese shkencore disavjeçare të profesor Culajt.
Për periudhën ndërmjet dy luftërave botërore kanë shkruar mjaft historianë afirmativë në të dyja anët e kufirit, por nuk është trajtuar në mënyrë të veçantë qëndrimi i Parlamentit të Shqipërisë ndaj problemit kombëtar në periudhën në mes dy luftërave botërore.
Politika e dhunës e qeveritarëve serbë në Kosovë preku ndjenjat e shqiptarëve në Shqipëri. Në mbështetje të bashkëkombasve të tyre protestuan edhe deputetët e Kuvendit Shqiptar, që fillimisht quhej Këshill Kombëtar. Që ditën e hapjes së të parit Kuvend shqiptar në Tiranë, më 27 mars 1920, deputetët (apo senatorët si quheshin atëherë) shprehën hidhërim për atë se dy pjesë të Shqipërisë, Kosova dhe Çamëria, nuk i kishin përfaqësuesit e tyre në Këshillin Kombëtar. Sigurisht që vënia në dukje e kësaj mangësie ua kujtonte edhe një herë atyre dhe të gjithë shqiptarëve detyrën e vijimit të përpjekjeve për çlirimin e trojeve të okupuara.
Në Parlamentin Shqiptar vend të rëndësishëm do të zinte trajtimi i të drejtave minoritare jashtë kufijve të Shqipërisë. Studiuesi Culaj konstaton se Këshilli Kombëtar i vitit 1920 e kundroi problemin kombëtar në gjithanshmërinë e çështjeve, duke e vlerësuar shqiptarizmin e treguar nga shqiptarët e Kosovës në Lëvizjen Kombëtare. Mirëpo, në qoftë se në vitin 1920, për shkak të rrethanave dhe zhvillimeve politike që përmenden më lart, Parlamentit iu desh që ta përqendronte vëmendjen më shumë në probleme të ndërtimit shtetëror, të çlirimit të krahinave të pushtuara dhe të dëbimit të okupatorëve të huaj, në vitin 1921 këto probleme ishin zbutur. Kjo ia krijoi një parakusht Parlamentit të vitit 1921 të përqendroheshin më shumë te problemi i pakicave kombëtare.
Culaj konstaton më të drejtë se në diskutimet e majit 1921 (14 maj 1921) deputetët kryesisht u përqendruar vetëm te nevoja e trajtimit të shqiptarëve jashtë kufijve me statusin e minoriteteve ishin të kujdesshëm se mos krijoheshin “komplikacione në politikën e jashtme”. Deputetët që diskutuan dënuan dhunën ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Në pamundësi të fuqisë reale deputetët ndodhte te binin dakord që t’iu dërgoheshin telegrame Fuqive të Mëdha evropiane dhe SHBA-së. Kishte raste kur iu dërgua telegram proteste edhe Kuvendit të Mbretërisë SKS.
Ata nuk u pajtuan me protestën e kryetarit të Parlamentit të Mbretërisë SKS për telegramin që i ishte dërguar nga Parlamenti shqiptar. Parlamenti përpiqej që Fuqitë e Mëdha ta ndienin përgjegjësinë për t’ia tërhequr vërejtjen Qeverisë së Beogradit për ta ndaluar dhunën ndaj shqiptarëve dhe shpërnguljen e tyre. Si zakonisht, Beogradi nuk përfillte kërkesa të tilla.
Duke mos pasur mbështetje ndërkombëtare profesor Culaj konstaton se sekretari i Lidhjes së Kombeve, Erik Drummond, kishte patur vetëm një prononcim për të drejtat e shqiptarëve në Jugosllavi në vitin 1921, pikërisht kur Parlamenti Jugosllav paralelisht kishte reaguar për këtë çështje duke e quajtur hapin zyrtar të parlamentit shqiptar ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë.
Shkaqet pse Qeveria dhe Parlamenti nuk mund të ishte aq këmbëngulëse në mbrojtjen e bashkëkombësve jashtë kufijve, deputeti Mustafa Kruja i shihte në faktin se Shqipëria nuk ishte ende e njohur ndërkombëtarisht. Në mbledhjet parlamentare deputetët kërkonin nga Parlamenti që t’i sugjeronte Qeverisë të përkujdesej për bashkëkombasit që ndodheshin jashtë Shqipërisë. Kjo të paktën do ta mbante lart moralin e këtyre dy krahinave.
Natyrisht më të zëshmit në Parlament ishin deputetët nga Kosova, si Bedri Pejani, Hasan Prishtina, Bahri Begolli, Rexhep Mitrovica. Sali Vuçiterna, Niman Ferizi, Halim Gostivari, Dervish Mitrovica etj., duke mos përjashtuar edhe shumicën e deputetëve të Shqipërisë politike si Gjergj Fishta, Ferid Vokopola, Ali Kelcyra, Luigj Gurakuqi, Rauf Fico, Tefik Mborja, etj. Gjatë studimeve Culaj ka ardhur në përfundim se pavarësisht nga përkatësia partiake, ose nga bindjet politike, kur diskutohej problemi i pakicave kombëtare, deputetët bashkoheshin, kishin mirëkuptim dhe konsensus. Në këtë rast ata i bashkonte ndjenja kombëtare që ishte e fuqishme dhe vepruese në ndërgjegjen politike të tyre.
Profesor Culaj konstaton më të drejtë se përpjekjet për mbrojtjen e minoritarëve në Jugosllavi e në Greqi, si dhe qëndrimet e Parlamentit shqiptar ndaj këtij problemi kanë pasur veçori dhe probleme specifike në periudha të ndryshme të zhvillimit historik. Ato janë diktuar edhe nga koniunktura politike që kanë qenë të pranishme. Luigj Gurakuqi do të theksonte: “Rëndësia e Shqipërisë në politikën e Jashtme është aq tepër e vogël sa që nuk mund të besohet kurrë që do të kemi përkrahjen e shteteve të mëdha pavarësisht nga shërbimi që përpiqemi t’u bëjmë”.
Culaj shpreh mendimin se çështja e pazgjidhur kombëtare ishte çdoherë një dimension i pashmangshëm i politikës të Parlamentit shqiptar. Edhe kur është dukur që ajo ka qenë e zbehtë, por edhe kur ka qenë më aktive, rëndësia e saj ka qenë e pandryshueshme. Diskutimet natyrisht ishin të pashmangshme, sidomos për qëndrimin që duhej të mbante Shqipëria, përkitazi me fushatën e spastrimit etnik që zbatohej nga Mbretëria SKS, e më vonë Jugosllavia në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore.
Studiuesi gjithashtu konstaton më të drejtë se çështja e pa zgjidhur kombëtare nuk ka lindur si një çështje e funksionimit apo mosfunksionimit të shtetit shqiptar, por si një çështje e forcës së pamjaftueshme që ka pasur shoqëria shqiptare në rrethanat kur është krijuar shteti shqiptar.
Profesor Culaj në monografinë e tij thekson se në Parlamentin e Tiranës shumë herë u diskutua çështja e trajtimit të emigrantëve. Se si ishte e rregulluar çështja e emigrantëve në Shqipëri më së miri e dëshmon dekretligji mbi vendosjen e emigrantëve i propozuar nga Kryeministria dhe i aprovuar nga mbreti Zog më 2 shtator 1931. Autori vjen në konkludim se Parlamenti shqiptar kreu punë të mirë në përpilimin e ligjeve për trajtimin e emigrantëve kosovarë dhe çam. Në suaza të mundësive matriale parlamenti bëri atë që ishte e mundur të bëhej për rrethanat. Përveç trajtimit vëllazëror, që iu bë emigrantëve për ta informuar kombin shqiptar dhe shtetet evropiane për pasojat e shpërnguljes me dhunë nga Kosova dhe viset e tjera, Qeveria shqiptare, shoqata atdhetare dhe personalitete, si: Hasan Prishtina, Kadri Prishtina, Fan Noli, Bedri Pejani, etërit katolikë Gjon Bisaku, Shtjefën Kurti, Luigj Gashi etj., ngritën zërin në qarqe më të larta shtetërore e ndërkombëtare të kohës, por nuk e gjetën përkrahjen dhe mbështetjen që shpresonin.
Punimi i Prof. Culajt përmban disa pikëvështrime të krizës, që e shoqëron problemin e pazgjidhur kombëtar, në historinë e shtetit shqiptar, në politikën dhe përpjekjet qeveritare në shoqërinë shqiptare, në situatat aktuale të trevave të pushtuara, në përpjekjet për destabilizimin e shtetit shqiptar, si dhe në diplomacinë perëndimore. Qëllimi i punimit është jo vetëm parashtrimi i të dhënave lidhur me shoqërinë shqiptare, me rrethanat shoqëroro-politike, vuajtja ekonomike, por, para së gjithash, gjendja ku ndodheshin shqiptarët.
Megjithatë ai konstaton se pas vitit 1924 asnjë qeveri shqiptare nuk e ngriti zyrtarisht çështjen e shqiptareve të Kosovës në Lidhjen e Kombeve, ndërkohë që çështja çame u ngrit edhe në vitet 1928 dhe 1934-1935. Qeveritë e Zogut e trajtuan atë aq sa mundën në marrëdhëniet dypalëshe. Pra gjatë periudhës 1925-1939 në parlamentin shqiptar nuk u shtrua dhe trajtua në nivelin e merituar çështja e pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi, siç ndodhi bie fjala në vitin 1921. Ishte e natyrshme se asnjëherë nuk u shtrua çështja në kontestin territorial por vetëm si mbrojtje e të drejtave minoritare.
Me qëllim që lënda të dalë sa më e sistematizuar, autori Culaj studimin e ka ndarë në tre kapituj. Fillimisht është paraqitur hyrja, ku shtjellohen fillet e krijimit të problemit kombëtar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër të vitit 1913, ku pjesë të konsiderueshme të trojeve shqiptare u shkëputën nga trungu kombëtar. Në vijim ka pasqyruar: Rethanat e përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe gjendjen në të cilën ndodheshin shqiptarët në përgjithësi. Në pjesën e parë, të titulluar “Fillet e demokracisë parlamentare”, pasqyrohen fillet e demokracisë, si dhe trajtimi i çështjes të Kosovës në Këshillin Kombëtar (Parlamentin) e viteve 1920-1924. Në këtë kapitull profesor Culaj ka pasqyruar edhe Bisedimet Parlamentare për Bajram Currin, si dhe diskutimi në Parlament me rastin e vdekjes të presidentit amerikan Wilson.
Në pjesën e dytë, të titulluar “Parlamenti në periudhën e Republikës dhe Monarkisë”, autori ka trajtuar diskutimin në Parlament për çështjen e minoriteteve në periudhën e Republikës në vitet 1925-1928. Në vijim është trajtuar: Çështja e Shën Naumit dhe Vermoshit në Parlamentin shqiptar, si dhe diskutimi i vrasjes të Shtjefën Gjeçovit në Parlament. Pjesën e dytë e përmbyllin diskutimet parlamentare në Parlament në periudhën e Monarkisë. Në pjesën e tretë, të titulluar “Parlamenti për çështjen çame”, kolegu Culaj trajton çështjen çame në vitet 1921-1924 në Parlament, pastaj përpjekjet parlamentare dhe qeveritare në periudhën e Republikës. Për fund të kësaj pjese trajtohen përpjekjet morale për mbrojtjen e çamëve në vitet 1929-1939, apo në periudhën e Monarkisë. Në fund pasqyrohen listat e deputetëve të Parlamentit në vitet 1920-1939. Monografinë e përmbyllin përfundimet për monografinë, rezymeja në gjuhën angleze, burimet dhe literatura, si dhe treguesi i emrave.
Për trajtimin e këtij studimi autori ka shfrytëzuar mbi 25.000 faqe materiale nga Bisedimet Parlamentare të viteve në shqyrtim. Këto materiale si tërësi janë botuar nga Kuvendi i Shqipërisë me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Monografia është mbështetur edhe në burime arkivore, dokumente vendase e të huaja, të botuara e të pabotuara. Përparësi u është dhënë dokumenteve shqiptare, sepse edhe tema në shqyrtim trajton çështjen shqiptare në raport me viset shqiptare në Jugosllavi dhe në Greqi.
Këto dokumente ishin materiali bazë për t’i ndriçuar aspektet kryesore të qëndrimit të Parlamentit ndaj problemit të shqiptarëve në Jugosllavi dhe Greqi. Gjithsesi prof. Culaj ka shfrytëzuar edhe revista historike, si dhe literaturë në gjuhë të ndryshme. Edhe shtypi e periodiku i kohës, si shtypi shqiptar ashtu edhe ai i huaj, i ka shërbyer si burim i rëndësishëm informacioni. Studiuesi ka meritën që, burimet e vjela i ka integruar natyrshëm brenda shkrimit historik, i ka menaxhuar me kujdes, i ka përdorur në vendin e duhur dhe mbi të gjitha, u është dhënë përparësi burimeve parësore ndaj dytësoreve. Në rrjedhën e studimit duket çartë se autori ka jo vetëm një përgatitje të mirë teorike, por edhe një mjeshtëri të spikatur shkencore. Libri është mjaftë voluminoz, ka 578 faqe dhe është shkruar me një stil të qartë dhe të rrjedhshëm. Përfundimisht më kënaqësi të veçantë konstatoj se historiografia është më e pasur për një analizë të thukët, ndërsa historianët, diplomatët dhe të gjithë lexuesit te libri i Lush Culajt gjejnë analiza të thelluara të ngjarjeve historike që e shoqërojnë ketë problem. Unë vërtetë kisha kënaqësi dhe nder ta bej reçensën e këtij libri dhe t’i propozoi Institutit Albanologjik botimin e tij./drita.info