Lidhjet e letërsisë shqipe me Biblën

Nga Ndue Ukaj

 

Kultura letrare shqipe, me gjuhën si tipar karakterizues e identifikues, zanafillën e ka te një frazë biblike, që njihet si Formula e Pagëzimit, e vitit 1462. Autori i saj, Pal Engjëlli, ishte argjipeshkvi i Durrësit dhe bashkëpunëtor i heroit Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Teksti i kësaj fraze praktikohet në liturgjinë kishtare, për pagëzim të fëmijëve, dhe njihet në  këtë  formë: “Unte paghesont premenit Atit et birit et spirtit seint.” Fraza në fjalë, qëndron mes një shkrimi të gjatë, në latinisht, prej 37 faqesh, dhe deri me tani, njihet si dokumenti i parë i shqipes së shkruar.

Vlera e kësaj fraze, nëpër kohë, ka tejkaluar karakterin dhe funksionin primar, dhe është  shndërruar referencë dhe paradigmë kulturore. Kjo formulë, u pasua me një korpus të gjerë tekstesh letrare, të cilat, përgjatë shekujve të mëvonshëm, do të krijohen në lidhje të fuqishme ndër-komunikuese dhe ndër-kulturore, me Biblën si referencë kulturore e letrare.

Në pesë shekujt e ekzistimit të letërsisë shqipe, me gjuhën shqipe si tipar shënjues shkrimi, Bibla ka influencuar në masë të madhe qenien e letërsisë shqiptare- në imanencën e saj; sikundër në planin e ideve, diskursit dhe temave dominuese.

Poezia shqipe, lindi duke u derivuar nga Bibla, ndërkaq teksti i parë në prozë, po ashtu është mbindërtim biblik. Edhe drama, si zhanër letrar, u zhvillua fuqishëm, duke tematizuar ngjarje, personazhe e rrëfime nga Bibla. Është me rëndësi të theksohet se në këtë zhanër, diskursi biblik, luajti një rol parësor e dominant.

Të dhënat kulturore, dëshmojnë se Bibla dhe tekstet biblike, kanë ushtruar ndikim edhe në  gjuhë, përmes përkthimeve të ndryshme, sidomos nga K. Kristoforidhi e këndej. Këto evidenca letrare, gjuhësore dhe kulturore, janë shenja të identifikueshme, të lëvizshme, por të përhershme, që dëshmojnë qartësisht një fakt: Bibla, në letërsinë shqiptare, pati influencë letrare të vazhdueshme dhe atë nëpër gjitha kohët. Në të vërtetë, që nga datimet e para të letërsisë shqipe, me autorët e parë: Gjon Buzukun, Pjetër Pudin, Pjetër Bogdanin dhe Jul Varibobën, (shek. XVI-XVII) e deri në ditët sotme, me autorët e mëdhenj, si Ismail Kadare, Martin Camaj e Anton Pashku, Frederik Rreshpja, – dhe shumë të tjerë- letërsia shqipe, ruan një raport të afërt,  ndër-komunikues dhe shumëdimensional, me Biblën dhe kulturën biblike.

 

Bibla – paradigmë letrare e kulturore në letërsinë dhe kulturën shqiptare

Në një linjë me letërsitë e shumta europiane, edhe shkrimtarët shqiptar, në çdo periudhë letrare, kanë pasur një preferencë të theksuar për t’a shfrytëzuar Biblën si model frymëzimi dhe model kulture. Në letërsinë shqipe, ekziston një korpus i gjerë tekstesh, me autorë të shumtë, që shkruan një letërsi, e cila, qëndron në raporte të fuqishme- herë implicite e herë eksplicite- me Biblën dhe diskursin biblik. Në  këtë  mënyrë, lidhjet e letërsisë shqipe me Biblën, siç kemi provuar, shfaqen të fuqishme dhe të  përhershme.

Studimet letrare bashkëkohore, sidomos dijet mbi diskurset- filozofia e intertekstualitetit letrar, duke e interpretuar artin dhe letërsinë, theksojnë faktin se çdo tekst krijohet në dialog me tekste tjera. Thënë ndryshe, sipas kësaj metode të studimeve letrare, çdo tekst, kuptimin e vet e merr si rrjedhojë e diskurseve të mëparshme; diskurse këto të njohura e të evidencuara në kulturën universale. Ndërkaq, këto teori letrare, shkojnë edhe më tej, aq sa, teoricien të ndryshëm pohojnë se nuk ekziston origjinaliteti i pastër në letërsi, ngase e gjithë letërsia është intertekstuale, prandaj edhe Roland Barthes, në këtë kontekst do të shkruan se: çdo tekst është intertekst. Kjo qasje filozofike e interpretimit dhe e leximit të letërsisë, ndryshe në studimet kritike, konsiston në atë që definohet apo njihet si influencë. Ky term, njëherësh, mund të tregojë për çdo gjë: që nga religjioni, mitet dhe ndodhitë historike, elementet të cilat bëhen esencë për letërsinë. Influenca letrare, tekstet letrare i lexon brenda një sistemi komunikues, ku çdo tekst lexohet dhe interpretohet në relacion me tekste tjera.

Çdo letërsi krijohet brenda një sistemi të caktuara dhe janë kodet e mëparshme, ato të cilat shndërrohen në elemente kruciale në mendimin për letërsinë dhe ontologjinë e saj. Kjo qasje e leximit dhe interpretimit të letërsisë, s’e dëmton autonominë semantik dhe estetike të botës së letërsisë, përkundrazi, është një formë, e cila eksploron modelet e formësimit te teksteve të caktuara letrare a korpuseve më të gjëra; eksploron në traditën dhe në influencën që ka njohur një letërsi e caktuar.  Në vazhdën e këtyre interpretimeve për letërsinë, teoricienët e letërsisë, marrëdhëniet ndërtekstore, i konceptojnë fundamentale në kuptimin dhe shpjegimin e letërsisë.

Në të vërtetë, letërsia është dialog dhe tekstet letrare dialogojnë me tekstet pararendëse, me kultura e forma të ndryshme të komunikimit njerëzor, duke përftuar nga tradita dhe duke i rikontekstualizuar atë në variante e forma tjera kreative. Tekstet, pa marrë parasysh nëse janë letrare  apo jo letrare, nga teoricienët modern thuhet se iu mungon kuptimi i pavarur, prandaj është akti i leximit, i cili i nxit reminishencat dhe i vë në marrëdhënieve intertektestuale, sepse teksti ka një rrjet tekstesh brenda vetës; ka një kujtesë të dytë; ka një instancë ku merr frymë.

Sikurse çdo letërsi, edhe kultura letrare shqiptare, themelet e saja, i vuri mbi një traditë, e cila, fillimisht është e proveniencës religjioze dhe biblike. Është i mirënjohur fakti se tradita përbën një dimension me rëndësi në një letërsi, në arritjet dhe në rrugët e zhvillimit të saj. Në kulturën letrare shqiptare, tradita letrare biblike, u konsolidua përmes dokumenteve të para të shqipes së shkruar, dhe teksteve të para letrare. Në këtë mënyrë, brenda qenies së kësaj letërsie, janë krijuar hapësira, dhe ky model kulturor u konsolidua si topos specifik letrare. Tradita letrare shqiptare, përveç Biblës dhe teksteve religjioze, njeh influencën letrare edhe nga letërsia orale, me rrjetin e gjerë të folklorit, legjendave, miteve; tekste këto që kanë ushtruar një ndikim të përhershme mbi letërsinë shqipe. Shohim shpesh sesi këto dy kode të mëdha kulturore e paraletrare, në tekste të ndryshme letrare të autorëve shqiptarë- në poezia prozë- të bashkëjetojnë dhe krijojnë një simbiozë letrare specifike. Në fillimet e letërsisë shqipe, këtë “bashkëjetesë” e hasim te Pjetër Budi dhe Jul Variboba, ku kemi hibridizim të diskursit biblik me atë oral.

Kultura biblike, nëpërmjet Biblës, ka ndikuar edhe në përkatësinë kulturore të letërsisë shqipe; kulturë kjo e cila fillon të gjallon, duke derivuar drejtpërdrejtë nga Bibla, dhe për pesë shekuj, e ruajti këto lidhje ndërkomunikuese. Thënë ndryshe, në themelet e letërsisë shqipe, Bibla qëndron si shkrim i ngulitur dhe si kod religjioz e kulturor.

Letërsia shqipe e fillesave letrare, korpus ky letrar që njihet si letërsia e vjetër shqipe, është shëmbëllim i Biblës dhe teksteve të saja. Në këto fillime, prania e influencës biblike, manifestohet nëpërmjet autorëve, të cilët ishin priftërinj dhe shkrimtarë të zotë. Më vonë, kjo traditë letrare, zhvillohet, pasurohet, thellohet, dhe bëhet pjesë e diskursit letrar dhe kulturor, me autorë të tjerë shqiptarë.

Nëpër gjitha fazat e zhvillimit të letërsisë shqipe, autorë të shumtë, Biblën e patën referencë, ndërkaq diskursi biblik, luajti një rol esencial në konsolidimin e identitetit artistik të letërsisë shqiptare.

Pra, duke i analizuar rrjedhat letrare shqiptare, gjenezën e letërsisë shqiptare dhe procesin e evolimit të saj; me evidenca të teksteve fundamentale letrare, mund të konstatojmë: Bibla vuri themelet e letërsisë shqiptare. Për më tepër, letërsia shqiptare, me poetikën e tiparet e saja, s’mund të kuptohet, analizohet dhe hiq më pak të interpretohet, pa u vështruar, lexuar dhe rrjedhimisht studiuar në raport me Biblën. Kjo, për faktin se ekziston një korpus i gjerë tekstesh letrare, në poezi, prozë dhe drama, që janë krijuar në raporte të ngushta ndër-komunikuese me Biblën. Madje, shumë vepra kapitale të letërsisë dhe kulturës shqiptare,  kanë derivuar drejtpërdrejtë nga Bibla. Në të vërtetë, ndikimi i Librit të librave në konsolidimin qenies së letërsisë shqipe, përbën një evidencë letrare dhe kulture të dallueshme dhe të shenjueshme, dhe dëshmon se Bibla ka influencuar letërsinë shqipe në gjitha periudhat dhe në gjitha format. Kjo prani dhe kjo influencë, nuk është rastësore, por thelbësore, imanente, dhe e vlefshme për kuptuar korpusin themelor të letërsisë shqiptare.

Shkrimet e para letrare shqipe, janë tekste, të cilat derivojnë drejtpërdrejtë prej diskursit biblik, prej temave biblike, prej stilistikës dhe doktrinës biblike. Autorët e parë shqiptarë të letërsisë shqipe, ishin njëherësh edhe priftërinj, shek. XVI-XVII, (Gjon Buzuku, Pal Hasi, Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba), mirëpo ata kultivuan letërsi, brenda sistemit të doktrinës, dhe në përkim me frymën e kohës.

Janë këto karakteristika të jashtme e të brendshme, të cilat, do të mund të thuhej se shqiptarizuan shumë topose dhe shenja biblike, duke ju dhanë karakter nacional, në nëntekstin e së cilëve, shprehen shpeshherë aludimet, mes popullit të zgjedhur izraelit dhe atij shqiptar.  Në këtë mënyrë, shumë topose tematike, siç janë Toka e PremtuarGolgotaMojsiu, Kryqëzimi, Kalvari, Golgota, Ringjallja, etj, janë tjetërsuar nga varianti i parë dhe mishërohen me gjendjen e robërisë së popullit shqiptar dhe kështu transfigurohen në letërsi. Prandaj, analogjia me diskursin biblik, shfaqet e nivelit semantike, dhe e nivelit stilistik e estetik.

Bibla përbën një realitet kulturor dhe letrar në gjithë sistemin letrar perëndimor. Kjo për faktin, se, siç vë në dukje shkrimtari T. S. Eliot: “Bibla ka patur një influencë letrare mbi letërsinë angleze, jo sepse është trajtuar si letërsi, por sepse ka qenë trajtuar si referim i Fjalës së Zotit. Fakti që njerëzit e letrave tani e diskutojnë si “letërsi” ka mundësi të na shërbejë ne si tregues i fundit të influencës së saj “letrare.

Ndikimi i Biblës, kanë pohuar shkrimtarë e studiues të ndryshëm, është jetik, dhe në epiqendër të kulturës europiane, si libër, i cili nëpër kohë u formësua dhe kodifikua si një lloj kanuni letrar, i organizuar dhe influencues përgjatë shekujve të tërë, duke u bë gurrë e pashterueshme inspirimi për autorë të shumë, të cilët e shfrytëzuan këtë rezervat kulturor e letrar, në shumë aspekte letrare dhe kulturore.

Kështu, teoricieni i njohur i letërsisë, Northrop Fray shkruan se letërsia perëndimore ka qenë e ndikuar nga Bibla më shumë se nga çdo libër tjetër.

Ç’është e vërteta, Bibla përveç funksionit religjioz, në kulturën perëndimore,  ka pasur edhe funksione kulturore dhe estetike. Së këndejmi, ashtu siç ka ndodhur me shumicën e letërsive europiane, edhe letërsia shqiptare, themelet e saj i ka vu mbi shtratin biblik. Letërsia e mëhershme shqiptare, gjeneza e letërsisë shqiptare, e shkruar përgjatë shek. XVI-XVII, është letërsi, e cila rrjedh drejtpërdrejtë nga Bibla, ndërsa autorët e parë shqiptar e kanë transformuar këtë materie letrare në shkrim imagjinativ, nëpërmjet formave të ndryshme, herë të diskursit eksplicit e herë implicit.

Poetika e letërsisë shqipe, ka manifestuar dhe funksionalizuar, brenda diskursit letrar trajtat biblike; stilistikën biblike, dhe sidomos temat biblik, si referenca dhe pikëmbështetje kulturore, etike e letrare, në funksion të një letërsi edukuese, një letërsi e cila u vu në shërbim të kauzës së kombit shqiptar. Tekstet e derivuara letrare, në variantin e rikrijuara autorial, shprehin ambivalenca  letrare, doktrinare e kulturore, të cilat, ruajnë dhe theksojnë dykuptimësinë, për faktin se janë tekste të njohura dhe shprehin moralin e doktrinar, dhe e dyta,  rikonstruktohen brenda konteksteve të reja dhe vihen në funksione specifike të kohës.

Studiuesit e shumtë të letërsisë shqipe, mbështesin faktin se Bibla në një farë mënyre, u bë shkollë letrare e dallueshme dhe influencuese brenda letërsisë shqipe dhe si e tillë, u zhvillua deri në kohën moderne, kur tanimë është pjesë e metaforave letrare, e diskursit alegorik dhe shkrimit krahasimtar.

Letërsia shqipe, gjatë gjallimit pesëshekullor, nga formula e parë e shqipes së shkruar, deri te letërsia bashkëkohore, me autorët më karakterizues, ruan karakteristikat e saja dhe ndërlidhjen semantike e ligjërimore me Biblën, duke e parë atë si rezervat kulturor të pashtershëm dhe inspirues.

Letërsia e hershme shqiptare, paramodel e paratekst, e ka hipotekstin Biblik, së këndejmi edhe diskursin biblik, në të gjitha rrafshet e shkrimit letrar-estetik, për t’u derivuar ky shkrim, me shqiptime të fuqishme, në rrafshin e kodeve tematike e semantike, stilistike-estetike, në rrafshin e shprehjes letrare, përgjatë pesë shekujve të shkrimit të letërsisë shqipe, duke u transformuar nëpër gjitha periudhat letrare dhe te autorët më të mëdhenj shqiptar. Do të thosha, kjo frymë kulturore dhe letrare u bë shkollë letrare në letërsinë shqipe, referencë e paramodel, në nivel të strukturës së brendshme e të jashtme letrare. Fillimet e shkrimit të shqipes janë indikator interesant, prandaj, ka të drejtë studiuesi Stefan Çapaliku kur përmend “rastësinë” e fillimit të gjuhës së shkruar shqipe me një formulë pagëzimi, për të shtuar se ”një formulë që veç fëmijëve të lindur asokohe, pagëzon dhe mbarë letërsinë shqipe që do niste prej atij çasti. Por, e shikuar prej gati pesë shekujsh, natyrisht që mund të mendojmë se nuk ka qenë rastësi. Letërsia shqipe, si shume letërsi të kombeve europiane, do të nisë me shkrimet e shenjta” dhe do të zhvillohet duke ruajtur  këto marrëdhënie ndër-tekstore deri me sot. Në fakt, prirja e letërsisë shqipe, për ta patur Biblën si referencë kulturore, mbetet e jashtëzakonshme edhe në kohët moderne, sikur ta zëmë, të romani Ismail Kadaresë, Darka e gabuar, (2008), roman ky që shfrytëzon materien biblike që në titull dhe evokon në mënyrë eksplicite darkën e fundit biblike.

Evidencat letrare dëftojnë se pa këtë referencë kulturore dhe ky argument, vetëm sa e përforcon pikëpamjen tonë  se Bibla, është shkollë letrare e dallueshme, qenësore brenda literaturës shqipe, e cila, po e përsërisim, ka ndikuar në konsolidimin e saj, por edhe identitetit dhe kulturës shqiptare në përgjithësi, brenda përkatësisë perëndimore; traditë kjo që u përcoll fuqishëm në fundin e shek. XIX dhe dekadat e para të shek. XX, me autorët me reprezentativë./drita.info

(Fusnotat i hoqi redaksia)

Shpëndaje: