Modeli fishtjan i angazhimit politik dhe atdhetar (pjesa I)

Nga Ernest Marku

 

 

Hyrje

Ky model, në fakt, asht forma ma e koncentruar e mendimit të fretërve të Gjuhadolit, që do të kulmonte me Fishtën, por që do të përshfaqej edhe në aktivitetin politik e publik të plot figurave të tjera si Gjeçovi, Harapi, Palaj, Prendushi e deri tek Ernest Koliqi. Ky punim nis me Gjergj Fishtën si anëtar të Akademisë Mbretërore Italiane, duke vazhduar më tej me traditën e këtij mendimi te Anton Harapin si anëtar i Këshillit të Regjencës gjatë pushtimit gjerman dhe Koliqin dy herë Ministër të Arsimit; për t’u kthyer pastaj te rrënjët kulturore, shpirtërore dhe të traditës, që e krijuan, frymëzuan dhe konsoliduan këtë qëndrim, i cili mbështetet në rregull të thjeshtë por mjaft fisnik: “Të kontribuojmë për atdheun, në çdo kohë apo rrethanë, pa u shqetësuar për dëmin që mund t’i sjellim emnit dhe dinjitetit tonë personal”.

Duket një e vertetë e thjeshtë për t’u kuptuar, por mjaft e vështirë për t’u besuar, nëse nuk do të kemi parasysh rrethanat në cilat ndodhej Shqipëria, Shteti Shqiptar dhe shoqëria shqiptare, në gjysmën e parë të shekullit XX; por edhe karakterin, organizimin dhe veprimtarinë e françeskanëve shkodranë dhe të shkollave që ata hapën dhe administruan. Daniel Gjeçaj, Benedikt Dema, Pashko Bardhi, Pal Dodaj, Donat Kurti, Viktor Volaj e plot të tjerë, hedhin grimca drite në drejtim të evidentimit të kësaj teze, të cilat, po të analizohen me kujdes, mund të përmbyllin pazëllin dhe të konsolidojnë mendimin për këtë model të angazhimit politik. Nga ana tjetër, duke studiuar më me hollësi natyrën e edukimit të Fishtës, rrafshin social dhe historik në të cilin u formua dhe krijoi personalitetin e tij, sidomos duke u mbështetur në të dhënat që sjell prof. dr. Blerina Suta, për periudhën e jetës rinore të tij, kur ishte me studime në Bosnje; mund të kuptojmë ndikimin e Fishtës pastaj, në mes mes të fretënve më të shquar që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Vështirë të ndahet se kush ndikoi më tepër te kush, Fishta te fretërit e tjerë, apo ata te Fishta; por një gja asht e sigurt, si do të shprehej edhe Daniel Gjeçaj se: “Fishta dhe fretnit, ishin nji e të pa ndamë”.

Gjithashtu edhe analizimi i kujdeshëm i veprës së Fishtës, i mesazheve që fshihen apo përshfaqen aty, na ndihmon akoma më tepër që të mbrojmë tezën e ngritur që në krye të këtij punimi. Jo vetëm te “Lahuta e Malcis”, por edhe te “Mrizi i Zanave”, te veprat satirike dhe sidomos te publicistika e tij, gjejmë mjaft shkëndia të këtij mendimi filozofik, sa vetmohues e fisnik, aq edhe të pazëvendësueshëm për historinë Shqipërisë; i cili mund të buronte vetëm nga një mendje e një zemër, plotësisht e përkushtuar ndaj trinomit: “Për fe, atdhe e shpirt poetik”.

 

Fishta akademik

Viti 1939, ashtu si për të gjithë patriotët shqiptar, ishte një vit i vështirë. Më 7 prill, siç dihet, trupat italiane zbarkojnë në Shqipëri; pas pak ditësh, aq sa bën tanksi të shkojë nga kufiri në kufi, vendi ynë ishte okupuar plotësisht nga trupat fashiste të Musolinit. Më 12 prill, përfaqësuesit e dhjetë prefekturave të vendit tonë, u thirrën në Tiranë, për të legalizuar pushtimin defakto. Në këtë moment kritik për Shqipërinë, vetëm delegacioni i Shkodrës, ku bënin pjesë dhe kishin ndikim françeskanët, ngritën zërin kundër pushtimit fashist dhe kërkoi atë që vetë Musolini kishte premtuar: ndihmë ushtarake, por jo okupim me trupa. Rrëzimi i Zogut nga pushteti dhe okupimi i Shqipërisë, ishin dy çeshtje krejt të pavarura dhe nuk kishte pse njëra të kushtëzonte tjetrën. At Anton Harapi, jo nga mendja e vet, por i konsultuar me ipeshkvigjit e Shqipërisë, me Fishtën dhe fretërit e tjerë; – shprehet Gjeçaj[1], kërkoi fare qartë: “Indipendencen absolute të Shqipnisë, me flamur të vet të paprekun, me gjuhë, shkolla e zhvillim arsimuer; me administratë shtetnore të veten, ushtarake e civile; me perfaqsi para shteteve të hueja e me gjithshkaf asht në natyrë të nji shteti e të nji kombi Sovran, me racë, gjuhë, histori, tradicion e tagre të veta”. Dhe pikërisht ky frat trim, do të dënohej me vdekje nga diktatura më 1946, për tradhëti ndaj atdheut. Vlen të theksohet edhe një fakt tjetër; kur këshilli drejtues i françeskanëve, në mbledhjen e tij të jashtëzakonshme, mbledhje në të cilat Fishta zinte gjithnjë kryet e vendit; mori vendim të dërgonte Harapin në Tiranë, duke e autorizuar për kërkesat e cituara më sipër, mori edhe një vendim tjetër të guximshëm: Nëse për shkak të fashizmit, ka për t’u shkrirë krejt Provinca Françeskane e Shqipërisë dhe fretërit shqiptarë do të largoheshin nga toka e të Parëve; le të ndodhë, por në fushën e luftës dhe të mos na mbesë asnjë njollë tradhëtie në historinë e lavdishme të shtatë shekujve punë e sakrifica, në dobi e për të mirë e kombit shqiptar. Mirëpo, koha tregoi se nuk ishin të huajtë, por bolshevikët shqiptarë, ata që do ta shkatërronin Provincën Françeskane Shqiptare. Edhe në këtë rast fretërit nuk e turpëruan emrin e tyre, duruan çdo torturë por nuk i tradhëtuan as shokët as idealin e tyre; vdiqën ashtu siç kishin vdekur të Parët e tyre, me besimin në Zot dhe me Shqipërinë në gojë.

Më 3 qershor 1939, Fishta emërohet anëtar i Akademisë Italiane. “Që në këtë emnim, – shprehet Gjeçaj[2], – të jenë mëshehë qëllime politike, asht ma se e gjashme.” Por do të ishte gabim të mendohej se politika ishte i vetmi motiv; Fishta u emërua anëtar i forumit më të lartë të intelektualëve të Romës e mbarë Italisë, për vlerat e jashtëzakonshme të veprës së tij, pasqyrë e gjallë dhe përqasje autentike e racës dhe gjenisë shqiptare. Fishta nderohej e respektohej në Itali, edhe para vitit 1939, ndërsa, për të treguar se sa e vlerësuan akademikët italianë, për talentin e tij të rrallë, për kulturën e gjërë dhe zgjuarsinë e kultivuar; dëshmon fjala e Presidentit të Akademisë Italiane, Luigi Federzoni; i cili, ndër të tjera thotë: “Në një kohë, mjerisht të shkurtër, gjatë së cilës At Gjergj Fishta, ishte pjesë e Akademisë Mbretërore të Italisë; ai fitoi vlerësimin e të gjithë anëtarëve”.

Vetë Ati i Shenjtë, Papa Piu XII, të cilin, nuk besoj se do ta konsideronte kush fashist; në një audiencë të gjatë që i kushtoi Fishtës, duke e përgëzuar për emërimin e tij si akademik i Italisë, pasi u interesua gjerësisht për gjendjen kombëtare dhe fetare të vendit tonë; ndër të tjera i thotë: “ Emërimi yt si akademik i Italisë, është nderim për Katoliçizmin, Urdhnin e Shën Françeskut dhe për Kombin Shqiptar; prandaj, unë si Mëkëmbës i Krishtit në Tokë, kam pse të ndihem krenar prej teje, prej Urdhrit të Françeskanëve dhe prej Kombit tënd”. Me të njëjtin entuziazëm dhe gëzim, e priti këtë emërim të Fishtës; edhe Gjenerali i Urdhnit Françeskan, At Leonard M. Bello; At Agostin Gemelli, themelues dhe rektor i Universitetit të Zemrës së Krishtit në Milano; për të mos përmendur këtu mjaft përsonalitete të tjera të Italisë dhe Vatikanit, që nuk kishin asnjë lidhje me fashizmin.

At Daniel Gjeçaj[3], ka kujtime përsonale për të treguar, sidomos gjatë kohës kur Fishta udhëtonte për në Itali, me shenjën dalluese të akademikut, një konkardë e vogël dhe e rrumbullakët, me germën “A” në mes. Ai atëherë ishte i ri dhe për më tepër ishte ish-nxënës i tij, që ruante një nderim e dashuri të pakufishme për Babain e Letrave Shqipe, si dhe për Atin e Provincës Françeskane, së cilës i përkisnin të dy. Ndonëse Gjeçaj druhej t’ia bënte atë pyetje, Fishta e kishte kuptuar dhe i ishte drejtuar me fjalët: “Këqyr, bir’o, ndoshta ndokush  tash apo ma vonë, kur unë s’kam për të  mujtë ma me u mbrojtë, ka për të më fajisë për këtë “konkardë” që baj; gjoja –  sç thonë Toskët – se unë  u jam shitë italianëve, çka do të ishte edhe më zi, se unë jam bërë fashist: Dije se akademitë, edhe pse cilësohen me emën të atij kombi e të asaj qeverie, prej së cilës mbahen; janë gjithnjë e kurdoherë, katedra të përbotshme për dije dhe art. Svedia – shtonte –  u ep çmimin “Nobel”, të gjithë dijetarëve e letrarëve, në shenj të botës dhe kurrkush s’thotë se i shpalluni “Nobel” asht ba svedez. Unë, me këtë shenj, që s’asht fashist dhe që për mue ban gërmen fillestare të Albania; sot për sot mund të viej për Shqipëri e Provinçë ma fort se me çdo mjet tjetër. Në luftë s’të pëvetë kush se ç’ fabrike janë armët, por se si i ke përdorë ato. Për burrë ç’do pushkë asht e mirë, mjaft t’i ndezë baruti; – thotë goja e  popullit”.

E njëjta gjë konfirmohet, pothuajse, edhe nga At Zef Pllumbi[4]; i cili në kujtimet e tij për Fishtën, tregon se si kërkesës së At Mëhill Mirajt, Patër Gjergji i përgjigjet pak ashumë kështu: “ Ndigjoni o vllazën e bij të mi. Unë nuk kam ndrërrue, por jam ai Patër Gjergj që kam kenë gjithmonë. Ju e dini mirë se sa e kam dashtë un Italinë këtu. Kaq gja e kanë kuptue edhe fashistat vetë. Mos mendoni se këtë tillull ma kanë dhënë për me më nderue, por ma kanë dhënë për me më internue. Latinët kanë nji aksiomë të vjetër të politikës së tyne: “Promoveatur ut removeatur” (t’i jepet nji nderim ma i naltë veç për  me e largue). Njashtu si po internojnë shumë shqiptarë tjerë, po  duen me ba edhe me mue, përse në bazë të Statutit çdo akademik i ri e ka për detyrë me u sjellë për gjashtë muej tue mbajtë konferenca nëpër institutet e nalta të kulturës.  Në këtë mënyrë ata duan punën e vet me e ba e njikohësisht me i hjedhë pluhën syve botës, popullit shqiptar ashtu edhe mue. Unë sot jam i plaku,; sëmundja e zemrës më asht rande shumë në këta muejt e fundit. Ato mësimet e mia që ju kam dhanë dikur kishem me dashtë që ju sot t’i shtini n’veprim, ndërsa un nuk jam i zoti me përballue ma as burgun, internimin apo arratinë. Po unë u premtoj ju se kurrë nuk do ta përuli para të huejve rodin e shqiptarit. Me të vërtetë na kanë okupue, si dikur Roma Ilirinë. Por un ndër konferencat e mia do t’ua përsëris italianëve pa ja da se me të vërtetë që Roma dikur e ka pasë namin e madh, por legjionet ilire dhe perandorët e mëdhaj ilirjanë ishin ata që kishin në dorë fatet e Romës. U baj edhe një premtim tjetër se përnji që ato konferenca të kryejnë për gjashtë muej, siç e don rregullorja, unë menjiherë do të kërkoj me ardhë në Shqipni”.

Ndonjë vit më vonë, kur Koliqi kishte marrë propozimin për t’u bërë Ministër i Arsimit, në qeverinë e kryesuar nga Mustafa Merlika (Kruja); siç tregon ai në kujtimet e veta, kishte shkuar të konsultohej me Fishtën për këtë propozin. Patër Gjergji, pa e mbaruar tjetri fjalinë, i kishte thënë: “Me shkue”. Mirëpo, Koliqi, i shqetësuar për faktin se si do ta merrnin bashkëatdhetarët e tij këtë akt, kërkon një vendim më të pjekur e më të studiuar. Fishta e kishte ndërprerë përsëri, duke i thënë: “Me shkue, se kushdo tjeter qi t’shkoje, ka per t’ba ma keq se ti … per shqiptarët!” Ky është arsyetim e një logjikë, që vjen prej një personaliteti, i cili nuk e ndan dot veten nga kombi; ai nuk mund të fshihet e të shpëtojë emrin e vet, sa kohë që kombi ka nevojë për të, qoftë edhe duke sakrifikuar emrin e vet.

Kujtesa popullore ruan edhe një variant të tretë të argumentimit të Fishtës, mbi motivet e pranimit e titullit të akademikut. Thuhet të ketë thanë, pak a shumë: “N’kyt moshë qi jam, s’mund t’i baj kombit tjeter sherbim, veç se t’i fali nji akademik … Edhe pse e dij se kan me m’sulmue, posaçe ndoj toskë me mendje prej Rusije”. Ka shumë mundësi që të tre variantet të jenë të vërteta, pasi ky argument ishte temë e bisedave të shumta dhe Fishta kthente përgjigje sipas rastit apo nivelit të atyre që e pyesnin. Nga e njëjta “shkollë” mendimi vinte edhe Patër Anton Harapi, i cili, disa vite më vonë, kur do të pranonte të bëhej anëtar i Këshillit të Regjencës, do të deklaronte: “Ma mirë t’thonë: gabove, o Atë!, sesa: Ku ishe, o Atë…?”

Fishta si Akademik i Italisë, – kujton Injac Zamputi[5], – në konferencën që mbajti në kinema Rozafat, për s’e di se çfarë rasti përkujtimor, në vitin e fundit të jetës së tij, e solli fjalën te paralelizmi i pushtimit fashist me pushtimin romak të lashtësisë.” “Dhe pati guximin, – vazhdon ai, – të fliste për rezistencën që romakët e lashtë gjetën ndër fiset dhe mbretëritë ilire, deri te kryengritja e organizuar prej Batos.” “Të gjitha këto ndodhën, – do të përfundonte Fishta, sipas Zamputit, – sepse ilirët e panë menjëherë, se trupat romake po sillnin robërinë në vend të lirisë, të cilën mburreshin se po ia sillnin botës, bashkë me drejtësinë romake.” Aluzioni është i qartë. Nuk plasi skandali, por në fytyrat e të gjithëve lexohej habia e madhe për atë guxim. “Ç’rrjedhim do të kishte pasur, nuk e di, – shprehet ai, – sepse, po në fund të atij viti, Fishta vdiq.

Sesa proitalian ishte Fishta, kuptohet në një relacion[6] të qershorit 1919, të Provincialit Françeskan në Shkodër, Luiggi Paolozzi drejtuar Gjeneralit të Urdhërit në Romë, ku ai ankohet se At Vinçenc Prendushi dhe At Gjergj Fishta, kanë firmosur një protestë të dërguar në Konferencën e Paqes në Paris, kundër një protektorati të mundshëm të Italisë mbi Shqipërinë. Në gazetën e majtë “Taraboshi”, që kishte nisur të botohej në Shkodrën e atyre viteve, botohet një reportazh sarkastik, ku flitet për një komision, që ishte ngritur për të mikpritur Jacomonin në qytetin e mirënjohur të Veriut. Pjesë e këtij komisioni ishte edhe Fishta, i cili arrin me vonesë, duke iu kërkuar “ndjesë”, pasi kishte takur një fshatar nga Reçi që i ishte djegur shtëpia. Ftesës së njërit prej pjesëmarrësve për të aplikur në bashki për ndihmë, ai i përgjigjet duke shtuar se atij të varfrit, i ishte djegur edhe dhija e vetme; pas shprehjes “robt shndosh!”, Fishta u tregon sesi reçasi kishte varrosur edhe të ëmën e djegur. Duke iu uruar “suksese” në punët e tyre, poeti u kërkon “leje” të largohet, pasi shpresonte të bënte diçka për atë qyqarin, ndryshe nga komisioni që kishte detyra “ma t’randësishme”.

Familjarët kujtojnë, se në ato vite, italianët ndërtuan rrugën Lezhë-Kallmet-Vau i Dejës. Kjo rrugë ishte kërkuar prej Fishtës, sepse, përveçse lidhte Lezhën me Shkodrën nëpërmjet vendlindjes së tij, njëkohësisht bënte lidhjen e kishave katolike ma të randësishme të zonës: Nga Kisha e Fretërve në Lezhë, te Kisha e Kuvendit të Arbrit në Mërqi, Kisha dhe Rezidenca e Ipeshkëvit të Lezhës në Kallmet, Kuvendi i Françeskanëve në Troshan, Kisha dhe Qendra e Ipeshkvisë së Sapës në Nënshat dhe deri në Kishën Vaut të Dejës. Në një rast, në këto kohë, familjarët kujtojnë se një fshatar nga Laç-Qyrsaçi i Vaut të Dejës, njeri me autoritet në krahinë, kishte ardhur të ankohej te Patër Gjergji, pasi italianët po i thyenin tjegullat e shtëpisë, gjatë plasjes së minave për hapjen e rrugës. Fishta, i cili po merrej me një vepër letrare, ndoshta me “Mbretneshen e Lulevet”, si e pa se ç’hall kishte fshatari, i kthehet me të ashpër: “Hik pa merak se italjant tash t’i paguejnë tjegllat e shpisë nji m’nji, po ti kqyr e merru me mdoj punë tjeter, se ata nuk janë administrata e Zogut.”

Gjithë këto kujtime, dokumente apo dëshmi, i solla për të treguar sa më qartë se kush ishte Fishta, çfarë raporti kishte ai me italianët, Romën, Vatikanin, papët, françeskanët apo edhe me Duçen, Jacomonin, Çianon apo Melonin.

 

Rënjët e këtij modeli fishtjan

“Ndeja në Bosnje edhe edukimi fetaro-kulturor nga françeskanët boshnjakë, që në dukë e në vepra personifikojshin idealin e Shën Françeskut, ndjenjat e aspiratat e popullit të tyre, – shprehet At Daniel Gjeçaj[7], – qenë një fat i madh për Fishtën.” Gjendja e popullit kreshnik të Bosnjes e Hercegovinës, nën sundimin e osmanëve; luftërat e pandara, kryengritjet e vazhdueshme dhe heroizmi tyre, deri në kurorëzimin e lirisë më 1878, ishin të ngjashme me ato të viseve tona, që prej shekujsh ishin në robëri. Historia e madhënueshme e françeskanëve në Ballkan e veçanërisht aty ku Fishta po studionte në atë kohë, në Sutiska e Livno të Bosnjes, popullariteti i fituar dhe dashuria e merituar, ndaj bijve të denjë të shenjtit nga Azisi, mbrujtën në mendjen dhe zemrën e djaloshit të ri prototipin e fratit shqiptar, që me aq madhështi hyri në historinë e popullit e të kulturës shqiptare. Gjatë periudhës së studimeve në Bosnje, në shpirtin e Fishtës u ndez ajo shkëndijë, e cila do të shpërthente më vonë, në një zjarr të madh dashurie e veprimi, për liri e përparim të atdheut, për lumturim të fesë e lartësim të kombit.

 Studiuesja Blerina Suta[8] na sjell një informacion edhe më interesant në lidhje me këtë temë. Fishta dhe shokët e tij, kishin varur portretin e Skënderbeut, në murin përballë hyrjes së muzeut, gjest ky, jo fort i mirëpritur nga një pjesë e nxënësve boshnjakë, që përfundon me fshehje të portretit, siç vihet re në letrën e Čengiç-it, i cili thotë: “Besomëni At, që në 10 vjet mësimdhënie dhe edukim, nuk kam pasur kurrë degjenerime të gjithanshme, si këto të këtyre arnautëve dhe të disa rishtarëve. Sapo mbërritën, filluan të sulmojnë Krajinoviç-in, për shkak të karakterit të tij të butë dhe, nëse ai nxehej dhe përpiqej t’ju përgjigjej njëfarësoj, ata e sulmonin edhe më shumë. Gjithashtu arnautët, kishin vënë në kornizë një portret të Kastriotit dhe, duke dashur ta varin në murin përballë muzeut, në vend të fra …; dhe nëse spostohej prej nxënësve tanë në një vend tjetër, ata e kthenin prap aty ku donin. Gjithsesi, meqë Fishta tallej dhe çfarë nuk thoshte për çdo gjë, si me tekstet liturgjike, ashtu edhe me rregullat etj.; një nga nxënësit tanë, e fshehu atë portret. Atëherë ata shpërthyen dhe ktijuan një rrëmujë të paparë në mes të nxënësve. Meqë unë nuk dija asgjë për këtë ngjarje, kur ma treguan, i kërcënova të gjithë, që të tregonin kush e kishte fshehur portretin dhe atëherë, njëri prej tyre më tregoj se ku gjendej, por, meqë nuk mund ta tradhëtoja nxënësin, portreti ngeli edhe sot, aty në të njëjtin vend, kurse Fishta bashkë me një grup shokësh, vazhdonte të provokonte, siç bën edhe sot e kësaj dite. … Nga ana tjetër, Fishta është një nxitës i keq shpirtërash, i padëgjuashëm e kokëshkëmb, që ndiqet nga shumë arnautë dhe biles, edhe nga ndonjë prej tanëve. Sillet në formën më të keqe të mundshme, saqë nuk arrij t’i rri dot mrapa, sidomos në Seminar, pasi, nëse provoj t’i them diçka, ai do të përgjigjet 50 herë më keq dhe do të mundohet të nxisë konflikt, gjithmonë nën frymën e kundërshtimit; nuk ka as besim as fe, me një fjalë, nuk vlen aspak.”

Konflikti vazhdon edhe përgjatë vitit shkollor 1891-1892, siç dëshmojnë letrat e të dyja palëve, dërguar Urdhërit në shkallë lokale e më lart. Këtu, studiuesja Blerina Suta[9], përmend letrën e 20 shtatorit 1891, me të dhëna interesante  që konfirmohen edhe nga studiuesi tjetër, Tonin Çobani[10], ku thotë se Fishta dhe shokët e tij deklarojnë se do të pranonin më mirë të kalonin në laicitet, sesa të njihnin si mësues lektorin A. Čengiç; i cili sipas tyre, thellon hendekun midis grupit shqiptar dhe atij boshnjak: “I nderuar At. Më 19 të këtij muaji, filluam mësimin dhe pamë se Čengiç, ishte sërish Magistro morum (mësues i sjelljes). Mirëpo, ai dhe Guardiani, na trajtojnë si të mos ishim anëtarë të kësaj familjeje religjoze. Prej tri javësh, Čengiç nuk flet me ne asnjë fjalë. Në mensë, ulen para nesh, që jemi të vitit të tretë të teologjisë, edhe ata që sapo kanë filluar teologjinë. Sapo nisi shkolla, thirri të gjithë boshnjakët për të parë muzeun, kurse për ne të tjerët tha: Ç’më duhen ata?! Tani, na ka përgojuar në të gjithë Bosnjën, aqsa një boshnjak kishte thënë se provinca nuk ishte e kënaqur pse mori shqiptarët. Për këto gënjeshtra e shpifje, ne Ju themi sinqerisht se, nëse Čengiç do të vazhdojë të jetë Magister morum, ne të gjithë jemi të gatshëm të kalojmë më mirë në laicitet, sesa të njohim atë për mësuesin tonë. Gjithashtu, jemi gati ta bëjmë këtë gjë, nëse provinciali do të lejojë ndarjen që Čengiç ka bërë, në mes nesh e boshnjakëve. Por, para se të arrijmë në këtë pikë, ne do të bëjmë gjithçka është e mundur, pranë Gjeneralit e Qeverisë, për ta rregulluar çështjen. Këtë do ta bëjmë edhe atëherë, nëse Ju do të hiqni dorë nga çdo përkujdesje atërore ndaj nesh (Zoti na ruajtë!). Në gjunjë, Ju lutemi të mos na braktisni në nevojën tonë. Nuk e shihni që na kanë braktisur të gjithë?! Provinciali ka përzënë nga ky kuvend, të gjithë boshnjakët që nuk kanë shkuar mirë me Čengiç-in. Nëse Ju na braktisni, nuk do të kemi tjetër mik në botë, përveç Zotit. Na lajmëroni menjëherë për mendimin Tuaj. Duke Ju përshëndetur sërish dhe duke Ju puthur dorën, Ju lutemi të tregoni durim me ne dhe të mos humbisni dashurinë Tuaj ndaj nesh, teksa po Ju themi të vërtetën. Livno-Gorica, 20 shtator 1891. Bijtë Tuaj në Krisht: Fr. Gjergj Fishta, Anton Lushaj, Pjeter Gjadri, Lorenc Mitroviç, Engjël Paliç, Bona(ventura) Gjeçaj.” Vlen të theksohet se shprehja: “të kalojmë në laicitet”, nënkupton të kaluarit në një degë tjetër në atë kuvend, ku nuk përgatiteshin fretërit e ardhshëm, por thjesht diplomoheshin në fusha të ndryshme të shkencës e kulturës. Nëse do të kalonin atje, nuk do ta kishin më lëndën mësimore “moribus”/(sjellje), pasi atë e bënim vetëm klerikët e ardhshëm.

Episodi i fundit i përplasjes ashpërsohet si në tone, ashtu edhe në përmbajtje, siç e tregon letra[11] e 4 majit 1892, ku të rinjtë shqiptarë me forcë drejtësie, mbi shpifjen që u është bërë, duke i quajtur “epikurianë” dhe “platonikë”; si dhe përgjigjia e Patër Čengiç, e datës 10 maj 1892, i cili vazhdon ta konsiderojë Fishtën si nxitësin kryesor të opinionit negativ mbi punën e tij. Pas shkëmbimit të letrave në nivele të ndryshme, deri edhe te qendra në Romë, Urdhri e zgjidhi çështjen me zëvendësimin e Čengiç, me një mësues të ri, Kataviç, i cili, me një letër të 23 majit 1892, të cituar nga historiani Vrgoc; e interpreton shkakun e vërtetë të konfliktit, në mes të shqiptarëve dhe Čengiç-it, si: “një intolerancë reciproke, që u transformua në urrejtje e ushqyer nga pasioni”.

Ky incident është shumë domethënës, për të treguar ndjeshmërinë e Fishtës, ndaj një modeli kulturor, që do të përshfaqet më vonë në veprën e tij. Skënderbeu do të ngelet një figurë kyçe dhe qëndrueshme, e idealit të lirisë për Fishtën. Nuk është e rastësishme që emri i pagëzimit “Josephus” (Zef), i 24 tetorit 1871, do t’ia lërë vendin emrit “Joannes” (Gjon), siç dëshmon një akt i 08 dhjetorit 1890; si dhe më pas, do të marrë solemnisht dhe përfundimisht emrin e shugurimit: “Georgius, Silvius, Aeneas”; Gjergj, për nder të Gjergj Kastriotit dhe Enea-Silvio, në nderim të Enea-Silvio Piccolominit, Papa Pio II, i cili ndihmoi Skëndërbeun në fushatat e tij anti-osmane.

 

Modeli fishtjan në veprat e Fishtës

Shqipëria është në rrezik dhe Ali Pashë Gusija bëhet gati për luftë. Duke dalë nga shtëpia, ka këto amanete për nënën e për nusen:

“Pa ndigio, mori ti loke,

Banmu nderë miqve e shokve,

Banmu nderë, kush t’jetë per nderë,

Mos len t’vobeg me t’kja n’derë…

… Por ne kje se Mali i Zi,

Erdh’ e ra kurr në Gusi,

Der sa t’jetë djali kerthi,

Pasha njatë Zot, qi ta ka falë,

Ma ndigio ti grue nji fjalë:

Bane zemren gur e krep,

Premja djalit kryet n’djep…”.

Te shkrimi publicistik me titull: “Kur do t’perbashkohen shqyptartë?”, Fishta tregohet i drejtpërdrejtë, i qartë dhe befasues:

“Sod nuk asht besimi qi ndan zemrat e nierzvet n’shekull, por asht kultura e ndryeshme qi nuk i len me u bashkue. Prandej, t’gjith ata qi e kanë per detyrë, si edhe ata qi i a kanë vndue vedit per detyrë me organizue jeten shoqnore e t’qytetnueme n’Shqypni, per n’daçin pernjimend perbashkimin e kombit shqyptar, pa t’cillin bashkim nuk mund t’perbahet kurr nji shtet i qytetnuem, ma sparit t’caktojnë se mbas cilles kulturë duen me e organizue kombin shqyptar, e masendej, me ligj, me punë e me kohë, t’mundohen me i ba shqyptartë qi t’mendojnë e t’veprojnë mbas parimesh t’asaj kulturet, tue mbajtë parasysh etnologjinë, psikologjinë e ndiesitë besimtare t’tyne”.

Ndërsa te “Fjala e At Gjergj Fishtes n’dekë t’Avni Rustemit”, para se të qajë fatkeqësinë e Avniut, folësi qan gjendjen në të cilën ka rënë Shqipëria, për t’i lidhur pastaj të dyja fatkeqësitë në një:

“Edhe kshtu sod, qi lulet janë tue shperthye mbi dhe, ky, n’ma t’miren lule t’djelmnis s’vet lule po hyn me u kalbë nen dhe. Pse ? Pse pati dashtë Shqypnin ? Kercuna, mori nana e vet, qi ktij petritit t’Libohovs, dhanë i paska nji zemer bujare, fisnike; pse po zemer satrapi, tyrani ajo t’i kishte dhanë, sod s’do ta kishte martue me token e zezë, por me ndonji zojë vashet shqyptare… I ziu more, pedagogu i tij, qi mbrenda ledhevet t’shkolles, dikue i paska t’gjith at njomsi ndiesijet ndaj vyrtytit t’burrnis, beses, njerzis; pse po ta kish’ msue ay se me kalem e leter, mund t’shkelen popujt e mund t’pihet gjaku i tyne, sod vorfnue s’do ta kish Libohoven nji qytetas i ndershem… Po, të mos e kishte dashtë ky djalë Shqypnin, sod nuk do t’ishin shkrehë burrat e dheut prej shkambit t’Pejes e deri n’kulm t’Kepit t’Stillos, per me derdhun lot mbi varrë t’tijna t’pasherueshme…”.

Blerina Suta, në veprën esa me titull: “Hulumtime mbi veprën  e At Gjergj Fishtës”, botuar nga Onufri, më 2018; shprehet:

“… Por, ndërsa autorët sllave, e njëjtësojnë veten me kryqin, në funksion anti-islamik dhe kombëtar, Fishta refuzon njëjtësimin e fesë me etnosin, duke ia nënshtruar këtij refuzimi, edhe vetë zhgunin – të paktën, në fazën e redaktimit fillestar të veprës – kur ishte i detyruar t’i konsideronte, pjesë të një kampi të vetëm, shqiptarët e krishterë dhe myslimanë, përballë kampit kundërshtar të ortodoksve malazezë … Kur flet për “fe”, Fishta i referohet fesë së gjithë luftëtarëve, si të krishterë ashtu edhe myslimanë. Zoti i përbashkët në qiell dhe Kanuni, janë përbërësit kryesorë të “lirive jetike”, në emër të të cilave luftojnë luftëtarët e Lahutës.”

A mund të shprehet më bukur se kaq, dashuria për atdheun?!:

“N’ty mendoj kur agon drita,

Kur bylbyli mallshem kndon,

N’ty mendoj kur soset drita,

Terri boten kur e mblon…”.

Në fund të poezisë ai bën premtimin madhështor, si të ishte para altarit, duke u lidhur përgjithnjë me Shqipërinë, në kurorë:

“Deri sa t’mundem me ligjrue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue,

Edhe n’vorr me t’permendë kam…”.

 

 

-Vazhdon-

 

————————————–

[1] Gjeçaj, Daniel; “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007; faqe 156

[2] Po aty, faqe 157

[3] Po aty, faqe 158-159

[4] Pllumi, Zef; “Françeskanët e mdhaj”, Botimet Françeskane, Shodër, 2017; Kur u njoha me Fishtën,  faqe 13-14

[5] Zamputi, Injac; “Fishta: Koha, Njeriu, Vepra”, Pasqyra, 1993; faqe 33

[6] AGOFM-Storico (Archivio Generale dell’Ordini dei Frati Minori), “Albania 10”, sc. 37, fol. 333 r.

[7] Po aty, faqe 26

[8] Suta, Blerina: “Hulumtime mbi veprën  e At Gjergj Fishtës”, Onufri, 2018; faqe 19-20

[9] Po aty, faqe 22-24

[10] Çobani, Tonin: “Gjergj Fishta, fillimet letrare”, Botimet Fishta, 217; faqe 80-81

[11] Suta, Blerina: “Hulumtime mbi veprën e At Gjergj Fishtës”, Onufri, 2018; faqe 25-26

Shpëndaje: