Nga Ernest Marku
Kultivimi i këtij modeli ndër vite
Viti 1907 shënon në jetën e Poetit Kombëtar një periudhë me optimizëm të ulët dhe shumë demoralizuese. Shprehjeve pesimiste të mikut të tij Pal Dodaj[1], i cili i shkruante duke e informuar për situatën e vështirë të kohës; Fishta u përgjigjej, me një trishtim në zemër e me “mollën e Adamit” në fyt: “ … Kurrë si kto ditë, nuk m’kanë pushue n’shiprt mjerimet e atdheut; po provoj n’vedi, tanë idhnimin e atij qi gjindet para nji humnere, bash njashtu si jena na sod” dhe vijon: “ … Persa m’perket mue, un po tham t’verteten, se sod per sod, jam tue u perpjekë me i asgjesue kto t’mendueme … por kishte me kenë baras, si t’andrrojshem nji gja t’pamujtshme; pse e pamujtshme asht, qi t’kena nji atdhe simbas idealit tone.” Se çfarë ishte ky ideal, për të cilin punoi edhe 33 vjet të tjera, e tregoi me shkrimet dhe veprat që botoi në të ardhmen; ai donte një Shqipëri të lirë e të pavarur, të gjithëbashkuar, të drejtë e të përparuar, ku Fe e Atdhe, të përbënin dy kokat e së njëjtës shqipe; të cilën Skënderbeu si fillim dhe Ismail Qemali më pas, e përdorën si simbol të kombit.
At Pashk Bardhi[2] tregon se, pas fjalimit të Fishtës në Kongres, Valiu i Manastirit, i pranishëm në kuvend, u ngrit dy herë t’i shtrëngonte dorën, kurse një hoxhë filozof u ngrit ta përqafonte me lotët nëpër faqe nga mallëngjimi. I njëjti, në një letër që i drejtonte At Shtjefën Gjeçovit, më 5 dhjetor 1908[3], ndër të tjera, thotë: “Dom Ndre Mjeda, … kishte ba nji fjalim … kundra shoqnis s’Bashkimit. Por, ne nesret, i ishte pergjegjë Pater Gjergji me nji fjalim fort t’permallshem, me t’cillin kishte ba me kja shum kongresista; e mbas fjalimit, nji hoxhë toskë, e ka marrë ngrykë e me lot per faqe”.
19 dhjetor 1911. Për françeskanët e Shqipërisë, kjo nuk është një datë për t’u kaluar në heshtje, pasi shënonte plot një gjysëm shekulli veprimtari në fushën e arsimit, në tokën arbërore; pesëdhjetë vjet edukim shpirtëror dhe edukim kombëtar, nuk ishin pak. “Drejtori i shkollës fretnore edhe autori i Lahutës malore, do të ishte shpirti i kremtimit që po përgatitej” – kujton Gjeçaj[4]. Nuk ishte gjë e lehtë dhe pa rrezik, që në ato kohë të ashpra të xhonturqve në pushtet, të shfaqësh, si në një apoteozë publike, Shqipërinë e lirë, shqiptarin e qytetëruar, të zotin të jetojë më vete, të vetëqeveriset, të përparojë në liri e demokraci, gjëra këto, që deri atëherë, vetëm sa i kishin ëndërruar shqiptarët. Kërkohej guximi i Fishtës, solidariteti i sivëllezërve të tij, që të mund t’i hyhej një pune të tillë, të vështirë e tejet të rrezikshme.
Ditën e kremtimit, në salonin e teatrit ishin të pranishëm: Valiu i qytetit, kryekomandanti i ushtrisë turke dhe krejt ajka e banorëve të Shkodrës, së bashku me të gjitha autoritetet fetare e civile. Nga këta të fundit, binin në sy: Arqipeshkvi i Shkodrës, Imzot Jak Serreqi, me të pesë Ipeshkvijt e tjerë sufraganë, përfaqësuesit e konsullatave të huaja, zotërinj fort të nderuar myslimanë, ortodoksë e katolikë; pastaj fretër e priftërinj dhe gati i gjithë populli, të mëdhenj e të vegjël. Melodrama, siç dihet, niste me shprehjen e guximshme emfatike: “Shqyptar un jam …”, tri fjalë që paraqisnin një program, një ideal, një dyluftim në mes të Golisë vigan, të më të madhes perandori dhe Davidit të vogël, por me të drejtën njerëzore me vete, me trimëri e guxim në zemër. Në skenën e teatrit françeskan, përfaqësuesi i jeniçerëve të frikshëm osmanë, takohet në fushën e betejës me përfaqësuesin e Gjergj Elezave të Maleve Shqiptare, që për armë e parzmore kishte vetëm fjalët: “Shqyptar un jam …”
Shfaqja ishte një triumf për Fishtën, brohoritjet ishin të pareshtura dhe në mes tyre, rridhnin lot malli e gëzimi. Gjaku i shqiptarit, që vlonte gjithnjë më i kuq se gjaku, së bashku me vajtimin si një shfrim zije, u bashkuan edhe një herë, duke riformuar simbolin e flamurit kombëtar, në të cilin shqiponja kombëtare valonte e zezë mbi mëndafshin kuq si gjaku, pa yll as hanë, pa sëpatë liktori apo kryq të thyer mbi kokë. Apoetoza e Fishtës u kthye në apoteozë të Shqipërisë. Poeti, siç dëshmon At Justin Rrota, gramatikan i njohur i gjuhës shqipe, i cili, në raste shfaqjesh teatrale, përgatiste pjesët muzikore dhe drejtonte korin e shkollës; e ndjeu veten aq të lodhur emocionalisht dhe kaq të mallëngjyer, saqë, menjëherë pas shfaqjes zuri shtratin. Atyre që i rrinin te koka e krevatit dhe mundoheshin t’ia lehtësonin dhimbjet e zemrës, u thoshte: “Edhe n’deksha, po des konkend per punt e Shqypnisë, tash qi ia mrrijta me ia rritë jeten, nder sy t’pashës turk”.
Ishte pikërisht Hasan Riza Pasha, i cili, duke mos qenë shqiptar, i kërkoi Fratit të Madh, që të shkruante një himn-marsh për ushtarët shqiptarë që bënin pjesë në rradhët e ushtrisë së tij. Poeti ia plotësoi dëshirën, kurse Pashai ia shpërbleu me të holla, që shkuan për fëmijët e varfër të shkollës së qytetit. At Justin Rrota[5] kujton se, kur e ngacmonin për shpërblimin e majmë që i dha pashai i Shkodrës, Fishta ua kthente: “E keni keq! Kqyrni, Hasan Rizaja, aj ua ka dijtun vleren vjershavet të mija: M’i ka pague strofë e lirë turkut, ari të kulluet”. At Justini vazhdon më tej në kujtimet e tij, duke treguar se Fishtës i bëhej zemra mal, kur dëgjonte ushtarët shqiptarë, pjesë të Perandorisë Osmane, të këndonin shqip përgjatë Fushës së Çelës, në Shkodër.
Me ndihmën e Fishtës e të fretërve françeskanë, Riza Pasha, i rrethuar nga të katër anët e në pamundësi për të marrë ndihma nga jashtë, arriti të lidhej me At Pal Dodajn, që në atë kohë rrinte në Rubik. Kuvendi françeskan këtu, falë veprimtarisë së Dodajt, ishte kthyer në një shtatmadhori të lëvizjes së shqiptarëve për liri, ku mblilleshin prijës të Lezhës, Kurbinit, Bregut të Matës e të krejt Mirditës. Pretendimet territoriale të serbo-malazezëve i kërcënonin rëndë teritoret e shtetit shqiptar të sapoformuar, ndaj prijësit e zonave të larpërmendura e ndjenin rrezikun pranë. Në këto situata të turbullta që po kalonin, ato e dinin mirë se shpëtimi i Shkodrës nga rreziku malazez, do të thoshte të shpëtonin edhe viset e tyre nga aneksimi sllav, po ashtu, siç përkonte edhe qëllimi i Hasan Riza Pashës me atë të françeskanëve, të lironin Shkodrën, duke u rënë pas shpine trupave të Krajl Nikollës, me çetat e Malësisë së Madhe. Në shenjë të bashkërendimit të veprimeve, komandanti turk i trupave të rrethuara në Shkodër do të ngrinte flamurin shqiptar në kështjellën e Rozafatit, duke zëvendësuar atë të Perandorisë Osmane, që për pothuajse 450 vjet, ishte valëvitur mbi bedenat e kalasë së mbretit Gent. Me këtë gjest simbolik, ushtritë osmane do t’i linin vendin ushtrisë shqiptare, të paktën formalisht.
Ky plan, i studiuar e i përgatitur me kujdes nga të dyja palët, do të dështonte pikërisht atëherë kur Hasan Riza Pasha do të lajmëronte Fishtën: “Nesër do të ngrihet flamuri i Shqipërisë në kala.” Ishte nata e 29 janarit të vitit 1913 dhe ky ishte testamenti i mikut të Fishtës dhe të gjithë Shqipërisë; pasi, në terrin natës së 30 janarit, Riza Pashai do të vritej nga tre të panjohur.
Sapo hyri në Shkodër autoriteti i pesë fuqive të mëdha ndërkombëtare, iu duk se tashmë do të merrte frymë lirisht; por as me ndërkombëtarët nuk do t’i zgjaste shumë paqja. Më 12 qershor, pra afërsisht një muaj më vonë, pikërisht natën e Shën Antonit, Fishta bashkë me fretërit e tjerë të Gjuhadolit, ngritën, kundër vullnetit të Sër Cecil Borney-t, në atë kohë administrator i qytetit, flamurin e Shqipërisë në këmbanoren e kishës, pikërisht në atë këmbanore që sistemi totalitarist do ta shembte përdhe, disa vite më vonë. Flamuri i qëndisur me dashuri nga duart e arta të motrave Stigmatine, ishte pothuajse gjashtë metra i gjatë. “Më 13 qershor, – shprehet Zamputi[6], – ende qëndronte në ballë të zyrës postare stema e Malit të Zi, sepse ndokujt nuk bënte dora ta hiqte, në pritje se si do të vendoseshin punët përfundimisht”. Pikërisht atë natë, ndërsa këmbanat po binin si asnjë herë tjetër, plot me gëzim e hare, kurse simboli kombëtar po valëvitej krenar, i rrahur prej erërave flladitëse të Cukalit e Maranajt; vjen urdhëri zyrtar, për ta ulur flamurin e për ta thyer shtizën. Françeskanët nuk binden. At Gjergji nuk fjeti gjithë natën, shkroi një letër të gjatë e deri diku mjaft të fortë. Në të zbardhur ia dorëzoi zyrës kompetente, për admiralin. Letra bëri efektin e vet. Admirali anglez nuk mori mundimin të përgjigjej, por vetëm, nuk e çoi ushtrinë për të ulur flamurin me forcë. Në një letër drejtuar Pal Dodajt, Fishta do të shprehej për admiralin: “Ky budallë pra asht zemrue fort, pse na fretnit, diten e Shna Ndout, kena ngritun flamurin shqyptar mbi kumbanoren e kishes s’onë”.
Me këtë rast, Poeti kombëtar, i frymëzuar nga valëvitja e palëve të flamurit dhe për më tepër nga gufimi i zemrës, shkroi himnin klasik, të kënduar deri vonë si himn kombëtar:
“ Porsi fleta e ejllit t’Zotit,
Po rreh flamuri i Shqypnisë …”
“… dhe të muzikuem nga Lec Kurti, simbas një arie rumune, mbas gjase, hymen që mbushi me gëzim të mëdhaj e të vogjël në qytet e kudo, – shprehet Gjeçaj[7], – mrrijti me shpejtësi vetime në të gjithë Shqipninë.”
Fishta, si çdo meshtar tjetër katolik dhe, për më tepër, si ndjekës i shenjtit të paqes, Shën Françeskut; ishte dhe mbeti njeri para së gjithash, pastaj shqiptar, së pari frat e pastaj luftëtar. “Edhe para anmikut në vuajtje, – shprehet Gjeçaj[8], – ai preket në zemër e mëshiron.” Ja si shprehet Fishta, në një letër drejtuar At Pal Dodajt: “… jetojmë, gadi si n’kohen e Atilas ase t’Vandalvet. A s’asht fjala qi bie, terhjekja e sebjanvet qi t’ban me mendue perjudhen e Gotve e t’Ostrogotvet? Aq m’dhimben kah i shof, kta ushtarë t’shkretë e t’vuajtun n’atë mndyrë, sa jam he he, kah jau fali t’mallkuemit e nacionalizmen, atdhenë, kulturen e s’dij se shka tjeter. Thohet se gorilla-majmun, asht shtaza ma e eger qi njifet, e besoj, asht shtaza q’i ngjet ma fort njirit …”
Nuk ishte mbushuar akoma viti nga themelimi i revistës, kur në korrik të 1914-ës, në numrin e 10-të të saj, drejtori i “Hyllit të Dritës”, botoi artikullin fatal “Nji komedi e panderëshme e XX qindvjetë”; e për pasojë, ky organ fishtjan do të mbyllej nga autoritetet ndërkombëtare. Dhe me gjithëmend, nuk ishin të ëmbla për veshët e tyre, fjalët e artikullshkruesit: “… Gjaku i shqyptarit derdher rrëkajë, gjaja e shqyptarit hupë nder thoj t’ma t’fortit; e Mkambsit e Evropës, kur t’mos kenë ngatrrue ndoi pshtjellim “polizzash” e “faturash” së veta; pa fare kujdesit rrijnë, a tue rrshitë me rrakela neper lame çementeje, a tue luejtë dojkë e topash me femna, kush e din se çfarë nderet …”; dhe pastaj, në fund të artikullit: “Marre e turp per Evropë! Por Evropa nuk din shka asht marrja, ndera e burrnija … Ah! Po,këjo dishmon qi Evropa nuk ka nderë e burrni; dishmon qi shoqnija njerzore n’Evropë, asht teper e rame e e poshtnueme e se diplomacija evropjane, asht vetë faqja e zezë e marrja e turpi i krejt njerzimit”.
Në një letër të 18 qershorit 1914, drejtuar Pal Dodajt, ai do të pohonte[9]: “Vshtirsitë qi po na bahen nga organet zyrtare, po na ngushtojnë me e pezullue botimin e Hyllit të Dritës, pse nuk po na lejojnë me pasë makinen e shtypshkrimit, qi e patem porositë”. Ashpërsisë së artikullit, me pasoja të rënda për drejtorin e revistës, i shtoheshin edhe padi të shumta, të bëra nga kundërshtarë të brendshëm e të jashtëm, që i ishin dërguar autoriteteve fetare në Romë. Ndërsa këta të fundit po gjykonin rastin, koloneli anglez G. Philips, në atë kohë Guvernator i Përgjithshëm dhe Komandant i Përgjithshëm i trupave ndërkombëtare në Shkodër, e “dënoi” Fishtën me 20 muaj mërgim në Maltë; vendim ky i marrë me shpejtësi, pa gjyq dhe pa prezencën e të paditurit. Patër Gjergji, sapo dëgjoi për këtë dënim, si e kishte shpërndarë me shpejtësi numrin e “Hyllit të Dritës”, së bashku me sivëllaun e tij, At Justin Rrota, u largua fshehtas nga qyteti dhe u strehua fillimisht te Gjeçovi në Gomsiqe, pastaj te Bardhi në Vig dhe së fundmi në kuvendin e Troshanit, pranë At Pal Dodajt dhe fretërve të tjerë të vendosur aty.
Në 1915, sipas At Donat Kurtit[10]; mandati i Domenik Facit përfundon dhe në vend të tij zgjidhet Padre Luiggi Paoluci, që kishte si sekretar At Zef Gicin. Për shkak të luftës botërore, meqë u shkëputën lidhjet “Kurien e Shenjtë” e Gjeneralin e Françeskanëve, me largimin e Padre Luiggit, ai delegoi si zëvendës sekretarin e vet dhe de fakto, në këtë periudhë françeskanët drejtoheshin nga shqiptarët. Më 1916, më në fund, – shprehet Zamputi, – fretërit e Shkodrës, prej nga vareshin të gjithë pjesëtarët e këtij urdhri, të shpërndarë ndër famullitë e ndër kuvendet e tjera, qenë çliruar nga drejtimi tradicional i elementëve të huaj dhe u hap mundësia për themelimin e Provincës Françeskane Shqiptare. Po sipas Zamputit[11], Fishta do të shkruante në ditarin e tij: “8 korrik 1916 – Puntë e mira n’Shqypni, vijnë disi kadalë e rrshanë. Ata Misionarë, nuk janë nisë me 6 t’korrikut, por me 8 – Allah smardhaduk ( Në dorë t’Zotit – shënim i IZ)”.
Edhe “Posta e Shqypnisë”, sikurse “Hylli i Dritës”, pas numrit të 89 të saj, në vitin e dytë të botimit, me 23 nëntor 1918; në të cilin At Gjergji do të shkruante dy artikuj të ashpër, “A qafa a nafaka”, së bashku me tjetrin edhe më të ashpër, “Shqypnija e shqyptarvet”, ku ky i fundit përfshinte edhe një “Memorandum” të fiseve të Hotit e të Grudës, që kishin mbetur jashtë kufinjve të Shqipërisë; mbyllet përdhunshëm nga Guvernatori francez i Shkodrës në atë kohë, Bardy de Fourton. Mesa duket, Memorandumi u dogji francezëve, si përkrahës të përhershëm që ishin të interesave shoviniste të serbve e malazezëve. Kështu, përfaqësuesi i Francës, duke i rënë ndesh parimi të kombit të vet: “Liri-Barazi-Vëllazëri”, dha urdhër që të mbyllej “Posta e Shqupnis”, që në atë kohë ishte zëri më mprehtë në mbrojtje të të drejtave të njeriut, në përgjithësi dhe të të drejtave të shqiptarëve në veçanti. “Posta e Shqypnis, armë lufte e log beteje, nuk duel ma. – shprehet Gjeçaj, – Ra edhe ajo në ballë të luftës, tue djegë ma të mbramin fishek, që luftëtari i pathyeshëm, At Gjergj Fishta, ia kishte shti në konak.”
Edhe në vitin 1917, Fishta së bashku me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Jak Serreqin dhe Ipeshkvin e Lezhës, Imzot Bumçin, do të shkonte sërish në Podgoricë, si ndërmjetësues për paqen. Me 28 nëntor 1918, pikërisht në ditën e festës së flamurit, në Shkodër, bëhet një demonstratë e madhe popullore, në mbrojtje të viseve shqiptare të mbetura jashtë kufirit politik dhe në shenjë proteste për mbylljen e gazetës së Fishtës. Çështja e parë ishte temë e Konferencës së Paqes në Paris, kurse për të dytën nuk lëshuan pe autoritetet franceze të Shkodrës. Duhet pasur parasysh që protesta e malësorëve të Hotit e Grudës, për të mos mbetur jashtë kufinjëve të shtetit shqiptar, ishte organizuar dhe udhëhequr nga françeskanët.
Po ashtu, në vitin 1921, krerët e Hotit, Grudës e të Kastratit[12], si përfaqësues të trojeve shqiptare të mbetura në Malin e Zi, kërkojnë ndihmën e Shtetit Shqiptar, për mbrojtjen e të drejtave të tyre, duke iu drejtuar kryeministrit të kohës me një promemorie, ku, ndër të tjera, i kërkojnë që pjesë e një delegacioni që mund të dërgohej për këtë qëllim, të ishte edhe At Gjergj Fishta; i cili ishte marrë gjithnjë me këto çeshtje, por edhe njohja prej tij e gjuhës dhe e kulturës së sllavëve të jugut, si dhe emri që ai ka në rrethet kulturore italiane, e bëjnë atë njeriun më të përshtatshëm dhe më me ndikim, për t’u shërbyer mbrojtjes së interesave të tyre.
Si pjesë e delegacionit për në Konferencën e Paqes në Paris, në një mision kaq të lartë dhe kaq të rëndësishëm, kur fati i Shqipërisë vendosej sërish në diskutim, nuk kishte si të mungonte Frati i Madh. Dhe vërtetë, Patër Gjergji, në fillim si ekspert e më pas si sekretar i Bumçit, pasardhës i Turhan Pashës në kryesimin e delegacionit; mori pjesë e bashkëpunoi, me të gjitha fuqitë e veta, në një çast kaq delikat për fatet e vendit tonë. Gojëdhëna popullore thotë se Imzot Bumçi, përdori një taktikë interesante që ta përfshinte Fishtën në delegacion, ai ngriti pretendimin se, duke qenë Ipeshkëv, nuk mund të udhëtonte vetëm. “Para nisjes së tyne për në Francë, – shprehet Kurti[13], – qeveria italiane, me pasaportat e së cilës do të udhëtonte përfaqësia, nxori probleme për emnat e Bumçit e të Fishtës, që njiheshin prej tyne si pro-austriakë.” Vetëm për shkak të At Gjergjit, u vonua nisja me dy javë, por prania dhe kontributri i tij në Konferencën e Paqes, e justifikon këmbënguljen për ta patur pjesë të delegacionit.
Gjatë udhëtimit për në Francë, Fishta dhe Bumçi u ndalën në Romë. Në qytetin e përjetshëm, ata u takuan me kryetarin e Urdhrit të Françeskanëve, At Serafino Cimino; ku siguruan një audiencë, me Papa Benediktin XV. Nuk duhet neglizhuar ndikimi i këtij Pape dhe i këtij takimi, për shpëtimin e Korçës dhe Gjirokastrës, që, sipas takimit të fshehtë Tittoni-Venizellos, duhet t’i kalonin Greqisë. Imzot Bumçi, në takimin me Papa Benediktin e XV, natën e ndërrimit të viteve 1919 dhe 1920, mori prej tij premtimin se: “… do të bëj ç’është e mundur për të ndihmuar në këtë drejtim”. Kujtesa popullore thotë se, ndërsa Bumçi po priste në Vatikan, kohën e përshtatshme për mundësimin e këtij takimi me Papën, vjen Fishta dhe e bën rrëmujë gjithë Selinë Papnore, duke iu drejtuar mikut të tij me fjalët: “… nuk pret puna per ceremoni; sa t’vije ty audienca, e morën grekët Gjinokastren”.
Qëndrimi në Amerikë i vlejti Fishtës, jo vetëm për të krijuar njohje vetjake me autoritete të larta të shtetit më të fuqishëm të botës, ku mund të veçojmë takimin me senatorët katolikë, por edhe pët të ndihmuar çështjen shqiptare apo njohjen e Shtetit Shqiptar nga USA. Me rekomandimin e At Gogfried Shilling, françeskan shumë i njohur dhe i vlerëruar në Washington, Fishta i pati dyertë e hapura në Departamentin e Shtetit. Me aftësitë e veta oratorike, erudicionin dhe magjinë e kominikimit, ai arriti të bënte pro çështjes shqiptare, njerëz që, as nuk e kishin dëgjuar fjalën Shqipëri dhe as që e dinin se ku binte; shumica kujtonin se shqiptarët ishin një popull autokton i Afrikës, i Azisë së Largët apo i ndonjë ishulli të panjohur në Oqeanin Indian. Sidoqoftë, më 8 maj 1922, Fishta i shkruante Pal Dodajt: “Ktu n’Uashington, jam pjekë (kam takuar – shënim i EM) me nji senator katolik dhe e kam lutë t’interesohet te qeverija e tij, qi kjo ta njofe Shqypnin, porsi shtet t’mosvarun. Ky, n’tjetren anë, ka folë me senatorin Lodge dhe sot na lajmnoi, qi kjo gja mund t’rregullohet. Prandej, asht mirë qi Qeverija e Tiranës, t’i dergoje nji shkresë Nensekretarit t’Ministris s’Jashtme t’Shteteve t’Bashkueme, tue i kerkue zyrtarisht ket njohje”. Gjithashtu Fishta do të takohej edhe Kardinalin Mercier, për të cilin, në një nga letrat e veta, sipas kujtimeve të At Marin Sirdanit[14], shprehet: “Atij t’i thuesh prelat! Nji burrë sa Pater Bonë Nikaj i naltë, i thatë por i bashem n’shtat, me do sy të kjarët, me nji hije burri sa me t’u knaqë zemra tue mendue, se asht Prelat i Kishës Katolike. Kardinali e muer per zemer çashtjen t’onë e tha se, ka me i shkrue mbi ket punë Balfurit, Kardinalit të Londonit, Mareshallit Fosh, Dechanelit, Milerandit…”
“E vërtetëse Fishta, – shprehet Gjeçaj[15], – s’qe çue në Amerikë, drejt per drejt porsi mis i qeverisë shqiptare, as s’qe ngarkue veçanërisht prej saj me një mision të posaçëm, ad hoc; por prejse e mira e e mbara e Shqipnisë, s’ishte vetëm detyrë e shtetit, por e të tanëve e e çdo qytetarit e, nga ana tjetër, mbasi: kush asht msue s’rrin pushue, At Gjergji s’mundi kurrsesi most ë kujdesohej për vendin e vet, sido e kudo t’i paraqitej rasti.” Ndoshta, autoriteti dhe prestigji i Henry Cabot Lodge (1850-1924), i njohur jo vetën brenda Partisë Republikane, të cilën ai përfaqësonte, por edhe në të gjitha qarqet diplomatike botërore; si një autoritet politik dhe mbrojtës i të drejtave të popujve për vetëvendosje, sipas parimeve Willson-ane, po ashtu edhe ndihma e senatorëve katolikë, bënë që Fishta të mund t’i shkruante gjithë gëzim, mikut të tij Dodaj: “… nderkaq vizita jeme n’Washington, ka pasë si perfundim, njoftjen e Shqypnis prej Shteteve t’Bashkueme të Ameriks. Te tana perpjekjet e maparshme, si ato të “Vatres”, s’kan pasë sukses … Kienë senatorët katolikë, t’cillve jau paçë parashtrue çashtjen, sidomos n’pikpamjen fetare; ata qi, me nderhymjet e veta, xueren njoftjen e Shqypnis prej qeveris amerikane”.
Sipas At Daniel Gjeçajt[16], At Anton Harapi, duke qarë hall një ditë me Fishtën, për shpërdorimet pa kriter të disa nëpunësve të shtetit, gati krejt i demoralizuar, i thotë: “ Pater Gjergj, shporru Shqypnijet, perse në t’vertetë, Shqypni s’ka !” Poeti e ndjeu veten të prekur dhe të zemëruar, por pa e prishur terezinë i shpjegon bashkëfolësit se punonjësit e administratës së shtetit, nuk janë Shqipëria për të cilën punonte ai dhe të gjithë shqiptarët e vërtetë. Atëherë Harapi, duke i treguar Poetit Kombëtar se i pranonte argumentet e tij, kthehet e i thotë: “Eh ! More zotni … na vetem prej teje e kena nxanë se shka asht Shqypnija … Por per ditë na asht ngatarrue nper kambë nji Shqypnije tjeter, qi nuk i giet kurrkund asaj Shqypnis t’ande, qi ti na ke msue me dashtë …” Në fakt At Anton Harapi[17], në kujtimet e veta tregon se kjo bisedë u zhvillua në praninë e tij, në mes të Patër Gjergjit dhe një plaku që po ankohej për abuzimet që bënte administrata e shtetit.
Asnjë vit të plotë nuk zgjati ëndrra e asaj qeverie, te e cila shpresuan e për të cilën punuan Fishta e bashkëpunëtorët e tij, Ahmet Zogu, i ndihmuar nga Beogradi, në krye të mecenarëve të tij, më 24 dhjetor 1924, rrëzoi qeverinë e Nolit dhe u rikthye në pushtet. Dom Ndoc Nikaj ishte ndoshta nga të vetmit klerikë shqiptar dhe mik i Fishtës, që e kritikonte angazhimin e tij dhe të tjerëve si ai në politikë. Frati i Madh u ishte përgjigjur kundërshtarëve të tij, duke ju argumentuar se çfarë ishte ky angazhim, pse nuk mund t’i shmangeshin dhe deri ku do të shtrihej ai; mirëpo kësaj rradhe, veprimtaria e tij po gjallonte në zonën gri të kufinjve të së drejtës. Ai do ta kuptonte shpejt këtë gjë dhe do të tërhiqej në jetën e tij shpirtërore, letrare e mësimdhënëse, por fjalimi mbi varrin e Avni Rustemit, ka mbetur si një dëshmi e gjallë e ëndrrës së lirisë apo e orës së të vërtetës, që i kap njerëzit e mëdhenj kur fillojnë të besojnë se erdhi dita e shumëpritur.
“Konop e gjak përdoroi Zogu, – shprehet Gjeçaj[18], – edhe pse në masë e numër ma të vogël; plumb e gjak përdoroi Enveri, tue tha landë e tue djegë gjithkund, deri barin e Shqipnis.” Nëse në të parën, litari dhe gjaku ishin masa të tepruara ndëshkuese, në të dytën, plumbi e gjaku ishin elementë esencial të diktaturës staliniste. Gjatë sundimit të Zogut, kush nuk ishte përkrahës i tij, mundi të mbijetonte në varfëri dhe harresë, por, prapë se prapë, kishte mundësi ta shijonte ajrin e kulluar dhe dritën e diellit në tokën e vet, kurse, pas 1944-ës, kush nuk ishte komunist apo përkrahës i tyre, ishte i gjykuar, i dënuar me vdekje apo i lidhur me pranga në duar gjithë jetën, aqsa ta merrte malli për dritën e diellit. Noli e Gurakuqi e lanë Shqipërinë për të mos e parë më. Edhe Fishta u largua nga vendi, për të pritur kohë më të mira; ideali i tij u shkel, por nuk u përkul.
Natyrisht që periudha e mërgimit, ndonëse Fishta ishte figurë e mirënjohur dhe e nderuar pranë qarqeve civile dhe kishtare italiane, nuk ishte një periudhë pushimi e as lumturie. Me trup ai ishte në Itali, por me zemër e shpirt ishte në Shqipëri, në atë Shkodrën e tij, në mes të njerëzve e bashkëpunëtorëve të tij; për ta dhe krah tyre, dëshironte të punonte e të luftonte, siç kishte bërë deri në atë kohë. “Fishta do të ketë menduar të heqë dorë përfundimisht nga politika aktive, – mendon studiuesi Tonin Çobani[19], – sidomos pas vrasjes së mikut të tij, ndër më të mirët, Luigj Gurakuqit, në varrimin e të cilit nuk ishte lejuar as të bënte kryq e jo më të mbante një fjalim të merituar, siç dinte t’i bënte vetëm ai.” Në këtë gjendje shpirtërore të shqetësuar, në kushtet e një Shqipërie që nuk e kishte gjetur ende qendrën e vet të gravitetit, në rrethanat e vështira që po kalonte Provinca Françeskane Shqiptare, të cilën ai e donte si sytë e ballit; po të mos llogarisim poezinë “I Dbuemi”, mund të themi se Muza e tij do të heshtte, ashtu siç kundërshtarët e tij do ta bënin të heshtë edhe armën e tij paqësore, “Hyllin e Dritës”.
Fishta u kthye në Shqipëri, duke iu përgjigjur ftesës së Zogut, por shumë shpejt regjimi i tij, do t’i mbyllte edhe gjimnazin “Iliricum”, së cilit po i kushtonte vitet e tij. Në zbatim të urdhërit të ministrit, Fishta mblodhi nxënësit në oborrin e shkollës dhe në praninë e trupës pedagogjike, i prekur thellë në shpirt e pothuajse me lot në sy, në fjalimin e lamtumirës, ndër të tjera thotë[20]: “Bij të dashtun, ç’me sod shkoni nder shpia tueja e nder shkolla të shtetit, mbasi Shqypnia nuk po e don ma vepren tone. Por ani: Shqypnia rrnoftë ene pa ne!”. Fjalë të denja për një njeri të madh, për një idealist, për një atdhetar e për një profet; i cili qysh atëherë e parashikonte katastrofën që vinte, duke shqiptuar ato fjalë, që do t’i deklaronin shumë françeskanë para pushkatimit: “Rrnoftë Shqypnia edhe pa freten!”. Askush nuk e mendonte në ato kohë, se këto fjalë do të përsëriteshin, prej nëndrejtorit, At Anton Harapit, atëherë kur me gjakun e vet dhe të sivëllezërve të vet, do të shkruante mbi tokën e të Parëve, mbi plisat e varrit të Fishtës, apo në Tiranën e djegur dhe në Shkodrën e shkretuar, të njëjtat fjalë: “Shqypnia rrnoftë edhe pa ne !”, – tha Fishta i përlotur para nxënësve; “Shqypnia rrnoftë ene pa françeskanë !”, – tha Harapi para plumbit të pushkatimit.
Shkolla e At Gjergjit, u mbyll me 25 prill 1933; ishte ora 1700. “At Gjergji, – shprehet Zamputi[21], – nuk ishte kundër mbylljes së shkollave të huaja, por ai nuk mund ta mendonte se si kishin guxuar të mbyllnin gjimnazin e tij, për të cilin kishte të drejtë të mburrej, se ishte i pari gjimnaz në Shqipëri, që kishte qenë themeluar me gjuhën shqipe për të gjitha lëndët e mësimit, përpara se të themeloheshin shkollat e mesme shtetërore.” Fratit shkrimtar e patriot, i mbeti në dorë vetëm pena dhe katedra e “Hyllit të Dritës”.
Gjatë vitit 1937, pati një nismë të re për të bashkuar rezultatet e dy gjimnazeve, atij françeskan dhe atij të jezuitëve. Përparimi i madh intelektual në Veriun e Shqipërisë, me një kuotë të ulët analfabetizmi, në raport me pjesën tjetër të vendit, si dhe me një ndikim të lartë kulturor, rrit frikën dhe xhelozinë e pakuptimtë të qeverisë shqiptare, e cila, megjithatë, nuk kërkonte të prishej me Italinë. Nuk dihet se si u afrua një ekspert italian, një farë Montanelli, gjoja asnjanës, por që do të armiqësohej shumë shpejt me Fishtën. Nën ekspertizën e Montanelit, u pregadit një projektligj, që synonte të ndalonte gjimnazin si formë shkolle; “Kultura e naltë per shqyptarë, asht gja e teprueme. Shqyptari ka kenë e do t’jese, puntuer e zejtar.” Sipas këtij projektligji, për një million shqiptarë, mjaftonte një gjimnaz klasik shtetëror në Tiranë dhe një gjimnaz real në Shkodër, shtetëror edhe ky. Shkollat e tjera do të ishin profesionale, si: pedagogjike, teknike, bujqësore etj. Qëllimi ishte sërish i njëjti: mbyllja e dy gjimnazeve “katolike”. “Për këtë qëllim, Ministri i Arsimit, dërgoi të negocionin me Gjergj Fishtën, – shprehet Peters[22], – italianët e mëposhtëm: Ambasadorin Francesko Jacomoni, Konsullin e Përgjithshëm në Shkodër, Salvatore Meloni, sekretarin e tij, Babuscio, dhe ekspertin e “pavarur”, Montanelli”. Përveç Fishtës, si Provincial i Provincës së Françeskanëve në Shqipëri, në takim ishte dhe Monsinjor Vinçenc Prendushi, Ipeshkëv Françeskan i Sapës; si dhe At Frano Kiri, Drejtor i Liceut “Illiricum”. Në fillim të takimit, Mantonelli qëndroi jashtë derës së kuvendit, për të mos provokuar dhe nxehur Fishtën; por prapë se prapë, Atr Gjergji do të shpërthente, sapo mori vesh qëllimin e takimit: “Ket nderë e kena prej jush. Na po e shofim se ju doni qi katolikt e Shqypnis, megjithse nji grusht njerzish, t’jesin vorbaxhi e teneqexhi. E pra, na kena mendue, se do t’kishim prej jush nji grimë perkrahje, si katolikë qi jena.” Fishta, duke parë rrezikun e mbylljes së shkollës sërish; propozon që françeskanëve, t’u mbetejtë paktën një shkollë normale (pedagogjike – shënimi i EM). Në këtë moment thirret në takim Montaneli, që po priste jashtë; mirëpo ai, as këtë propozim nuk do ta pranonte. Takimi përfundoi pa rezultat, por edhe projektligji nuk kaloi në Parlament; ndoshta Meloni u pendua e ndryshoi qëndrim. Por edhe kjo është e vështirë të besohet, pasi më 1938-n, qeveria do të ndërpriste subvencionet për shkollat e françeskanëve dhe ndërhyrjes së fretërve për këtë problem, ai do t’u përgjigjej me fjalët: “Hiqni provincialin dhe të gjitha ndreqen !”
Përfundim
Poet sa veç shpirti i Tij e dinte, patriot si Ai e kërkush tjetër, por edhe prift i devotshëm; duke lëvizur gjithnjë në zonat gri në mes të këtyre të trijave, duke rrezikuar të qenit frat, patriot apo shpirt i lirë, por kurrë pa e humbur orientimin dhe sensin e masës; rebel 360 gradësh, dashnor i së bukurës dhe i së mirës, gjithnjë në luftë me padrejtësitë. Ai nuk qe kurr satelit i askujt, por vetëm një planet i pafundmë, që rrotullohet rreth një dielli: “Për Fe Atdhe e Shpirt Poetik”.
Kur shqiptarët kërkuan një poemë kombëtare ku të frymëzoheshin me ndjenjën e atdhedashurisë, ai u dha “Lahutën e Malcis”; ndërsa, kur pa rrezikun e rritjes së krenarisë boshe ndër shqiptarë, ai i fshikulloi pa mëshirë me kamxhikun e sarkazmës së tij, si te “Anzat e Parnasit”, si te “Gomari i Babatasit”, ashtu edhe te plot vepra të tjera.
Kur pa rrezikun e humbjes së identitetit të shqiptarëve, duke e kuptuar mjaft mirë, se ndryshe nga fqinjët e tyre, shqiptarët e kanë ruajtuar dhe do ta ndërtojnë kombin e tyre, vetëm duke u mbështetur tek gjuha shqipe; ai luftoi si luan për futjen e kësaj gjuhe në shkollat françeskane të administruara nga fretërit e huaj, si dhe për t’i bindur prindërit e fëmijëve për domosdoshmërinë e mësimit të kësaj gjuhe.
Kur ndjeu urinë e të rinjve shqiptarë për teatër, u ul të shkruante apo të përshtaste mbi njëzet drama; ndërtoi vetë skenën, bëri piktorin, skenografin, kostumografin e deri edhe regjisorin skenik. Bëri arkitektin e pjesës më të madhe të kishave katolike shqiptare, të kuvendeve françeskane apo atë motrave stigmatine, deri te bibliotekat, teatrot e sallat e konferencave.
Kur kuptoi se shqiptarët ngandonjëherë i duan gjërat troç, përveshi mëngët dhe iu fut publiçistikës, duke na lënë sot një arkiv të pasur me mbi njëqind artikuj kritikë, njëri më interesant se tjetri, në të cilët trajton problematika të ndërtimit dhe përparimit të shtetit shqiptar, të emancipimit të shoqërisë shqiptare, të zhvillimit të arsimit e kulturës e deri tek problemet sociale dhe kronikën e zhvillimeve politike të ditës, të cilat, në shumicën dërrmuese të tyre, fatkeqësisht, nuk e humbin aktualitetin, as si mesazh apo mendim kritik, as si problematikë social-politike të cilën shoqëria shqiptare, edhe pse kanë kaluar gati njëqind vjet, nuk po arrin ta kapërcejë dot.
Kur ndjeu se po i vinte fundi dhe nuk kishte më kohë t’i përfundonte të gjitha projektet e tij, i dhuroi shoqërisë shqiptare një Akademik, anëtar të Akademisë Mbretërore Italiane, edhe pse e dinte se do të sulmohej si profashist, duke e shfrytëzuar katedrën akademike për të promovuar lashtësinë shqiptarëve, ndjenjën dhe parimet e së drejtës mbi të cilat ata kanë konceptuar jetesën e tyre, si dhe frymën pro-europiane të shqiptarëve.
Deri në muajt e fundit të jetës punoi me “Jerinën, Mbretneshen e Lulevet”, që t’u linte shqiptarëve një poemë dramatike të nivelit të lartë estetik, të rangut botëror./drita.info
Pjesën e parë mund ta lexoni në vegzën: http://www.drita.info/kulture/modeli-fishtjan-i-angazhimit-politik-dhe-atdhetar-pjesa-i/
————————————————-
[1] Gjeçaj, Daniel; “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007; faqe 47
[2] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta o.f.m., 1871-1940” Botimet Françeskane, Shkodër, 2010, faqe 25
[3] Gjeçaj, Daniel; “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007; faqe 57
[4] Po aty, faqe 78
[5] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta O.F.M.; 1871-1940”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2010; faqe 144
[6] Zamputi, Injac; “Fishta: Koha, Njeriu, vepra”, Pasqyra, 1993; faqe 39
[7] Gjeçaj, Daniel : “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007; faqe 89
[8] Po aty, faqe 99
[9] Po aty, faqe 95
[10] Kurti, Donat; “Provinca Françeskane Shqiptare”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2019; faqe 52
[11] Zamputi, Injac; “Fishta: Koha, Njeriu, vepra”, Pasqyra, 1993; faqe 37-38
[12] Arkiva e Shtetit Shqiptar, Fonde Personale, Gjergj Fishta, doje 88
[13] Kurti, Donat; “Provinca Françeskane Shqiptare”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2019; faqe 55
[14]Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta O.F.M.; 1871-1940”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2010; faqe 42
[15] Gjeçaj, Daniel : “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2007; faqe 122
[16] Po aty, faqe 127-128
[17] Dema, Benedikt; “At Gjergj Fishta OFM, 1871-1940”, Botimet Françeskane, Shkodër, 2010; faqe 51
[18] Gjeçaj, Daniel; “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër ,2007; faqe 130
[19] Çobani, Tonin; “Gjergj Fishta, fillimet letrare”, Botimet Fishta, 2017; faqe 88-89
[20] Gjeçaj, Daniel; “Gjergj Fishta, jeta dhe vepra”, Botimet Françeskane, Shkodër ,2007; faqe 147
[21] Zamputi, Injac; “Fishta: Koha, NJeriu, Vepra”, Pasqyra, 1993; faqe 29
[22] Peters, Markus W.E.; “Përballjet e Historisë së Kishës Katolike në Shqipëri, 1919-1996”, Shoqata Jezuite, Tiranë 2010; faqe 103