PROZA MODERNE E ERNEST KOLIQIT

Nga Agnesa BEQIRI

 

Koliqit i është dhënë atributi i nismëtarit të prozës moderne shqipe.

Moderniteti paraqet risi në qasjen ndaj letërsisë; veprat letrare shquhen me krijimin e simboleve, me lojën me gjuhën, me përdorimin e figurës, arti shihet si refleksion, ndërsa formës i kushtohet një kujdes i veçantë.

Letërsia moderne fillon me poetët simbolistë, të cilët botën e brendshme të individit e paraqitnin me anë të simboleve. Studimi i simboleve dhe simbolizmit bëhet i plotë me psikanalizën dhe kur përmendim psikanalizën nuk mund ta anashkalojmë Jungun, e as Frojdin, të cilët e interpretojnë rolin e simbolit në pavetëdijen e psikes njerëzore.

Diskutimin tonë për prozën e Ernest Koliqit po e fillojmë duke e shqyrtuar simbolin, pikërisht sepse për vetë autorin vepra e tij i takon shkollës symboliste. Kujtojmë këtu shënimin shoqërues në ribotimin e veprës “Pasqyrat e Narçizit”, të cilin Koliqi e mbyll duke thënë: “Ndryshimet nuk prekin stilin, qi mbetet ai i kohës kur këto copa u hartuen, por qortojnë e ndrrojnë disa pika të përmbajtjes për t’u a lehtësue lexuesavet veshtrimin aty ku ky vishtirsohej tue u rrethue tepër në mjegullat e arta të shkollës symboliste”.

Depërtimin në pavetëdijen e psikes njerëzore e hasim që në titullin e veprës së parë të Koliqit në prozë, “Hija e maleve”. Jungu e përdorte termin hije për ta emërtuar atë pjesë të pavetëdijshme të personalitetit, që të shtynë drejt veprimeve të pamenduara,

“Hija nuk është tërësia e personalitetit të pavetëdijshëm. Ajo i përfaqëson atributet dhe cilësitë e panjohura ose pak të njohura të egos – aspekte këto që i përkasin kryesisht sferës personale dhe që mund të jenë po aq të vetëdijshme. Në disa aspekte, hija mund të konsistojë edhe në faktorë kolektivë që burojnë nga ndonjë burim jashtë jetës personale të individit”.

Kështu, mund të themi që është hija ajo që e shtyn Dodën, te novela “Gjaku”, me qitë pushkë. Mësuesin e formuar në perëndim, e trazon hija: “Në thellësí të pandërgjegjes, aty ku flêjnë prirjet e rrezikshme dhe mêndimet e përzânuna arsyes, nji instikt nisi m’u zgjue e m’u ngjitë kah drita e kuptimit në gjasë të nji gjarpni të mëndershëm qi kacavaret dalkadalë nëpër gurë të nji pusi mbushë me terr e qet, i papritun kryet fishkullues përmbi grykën e ndritëshme”.

Sado që Doda thotë: “Un s’e kam mêndue kurr se e qes kët pushkë: nji forcë qi s’dij m’e spjegue m’i mori mênt e m’a rrëmbeu vullnetin”, ( fq. 54) andrra e tij na dëshmon të kundërtën. Sipas Jungut përmbajtja e ëndrrave është simbolike. Kështu, edhe ëndrra e Dodës është simbolike, por njëkohësisht edhe paralajmëruese e së ardhmes. Doda ndoshta nuk ka menduar se do të qesë pushkë, mirëpo këtë ai e ka ëndërruar dhe ëndrrat ishin mâ të turbullueshme se mendimet e ditës (fq. 50). Kjo është forca e pashpjegueshme, është hija brenda Dodës, hije e krijuar nga faktorët kolektivë që burojnë jashtë individit, pra është kjo hija e maleve që mposht qëndrimin e mësuesit.

Studiuesi Kujtim M. Shala vëren: “Hija është figura e kodit të vendit (Maleve) dhe ndjek personazhet e vendit edhe kur ikin nga vendi, si te novela Diloca. E shndërruar në terma diskursivë, Hija është figura e Kanunit që lidh e shtrin normën e jetës në Male, të lidhur me traditën morale, që shoqëron kohët e njerëzit si kod i tipit Lex tradita, i lidhur në formula, të cilat normojnë e zgjidhin situata të jetës, nga lindja deri në vdekje”.

Me anë të ëndrrës si gjendje e pavetëdijshme, Koliqi sheh gjendjen e vetëdijshme edhe te novela “Ândërr e nji mbasditeje vere”. Nëse te Gjaku ëndrra është paralajmëruese e së ardhmes, te Ândrrë e nji mbasditeje vere, ëndrra shpreh një dëshirë për të ardhmen. Pra, në andrrën e Netës, autori shpreh ëndrrën e tij “qi jeta juej të zhvillohet mbi themelin e asaj s’onës. Mos bieni prej së jashtmi zakoni qi s’bajnë për né, por përtrîni, tue qortue e mirsue, ata qi ja kena lânë na. Mos e lëshoni rrugën qi ju kena kallzue, por vijonje.

Këto janë fjalët që axha Filip ia thotë Netës, njëkohëshit këto japin edhe idenë kryesore të kësaj novele, që është pak a shumë e njëjta me idenë e novelës Gjaku, që del nga fjalët që Doda ia thotë Nushës: “Mos mêndo se un jam kundra kulturës okcidentale: asnjifije; jam vetëm kundra disa parimeve të saj qi na pranojmë pa kontroll e qi, më duket, ligështojnë cilsít origjinale të rracës shqiptare. Un jam i mêndimit qi, ndër shkolla fillore neomse, duhet të marrim para sŷsh prirjet emira e të këqija qi ç’do kalamâ shqiptar ka trashigue, bashkë me gjak, prej të parve. Mbi to duhet të punojmë, tue u përpjekë me shrranjosë të këqijat e me drejtue përdorimin e të mirave kah nji qëllim njerzuer”. ( fq. 22)

Në fakt te Gjaku, kjo ide shtrohet si pyetje retorike që në fjalinë nistore të novelës. Fjalët e Dodës te Gjaku dhe fjalët e Filipit te Andërr e nji mbasditeje vere, u japin këtyre novelave një diskurs iluminist që e bën prozën didaktike, tipike për veprat e romantizmit shqiptar dhe atipike për modernizmin evropian.

Studiuesi N. Krasniqi thotë se me idetë, proza e Koliqit është intencionale, por është pikërisht mënyra e shtjellimit të këtyre ideve, që e shpëton prozën nga didaktizmi, janë andrrat, hijet, tregtarët, pasqyrat, që si simbole e bëjnë veprën moderne.

Kur jemi te proza moderne, duhet thënë se për modernitetin është libri që ka rëndësi, libri e jo zhanret. Pra, vepra moderne është libri që thyen zhanrin. Kështu, në esenë Origjina e zhanreve, Cvetan Todorov, duke u bazuar në qëndrimet e Moris Blanshosë (Maurice Blanchot), ndër të tjera, thotë: “Sot nuk ka një entitet të ndërmjetëm midis një vepre unike individuale dhe letërsisë si tërësi, një zhanër të prerë, bile s’ekziston asnjë, sa i përket evolucionit të letërsisë moderne, e cila konsiston në mënyrë precize në përzierjen e veprës, një vënie në pikëpyetje të vetë esencës së letërsisë. Këtë thyerje zhanrore Koliqi e bën me “Pasqyrat e Narçizit”.

Narçizit të mitologjisë shkak i vdekjes i bëhet ajo që dashuronte. Ai dashuronte pasqyrimin e tij, dhe kjo i solli vdekjen. Ndërsa, Narçizi i Koliqit thotë: Dashunova prrallën e Narçizit me të tânë hovin e gjakut t’im prendveruer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyra ku m’u pasqyrue” ( fq. 317). Po ashtu, ky Narçiz – “qyshë në fëmijni dashunova ujnat si të rrjedhshëm ashtu t’amullt, valët pasqyruese, sipërfaqet kristalore shum tërhjekse për Narçizin andërrtar” (fq. 317).

Pra, që në fëmijëri Narçizi i Koliqit ka dëshiruar pasqyrimet nëpër ujëra dhe për këtë, ky Narçizi, vendos të vetëquhet Narçiz.

Një prej përfaqësuesve kryesor të psikanalizës, Zhak Lakan (Jacques Lacan) thotë se ndër përcaktuesit më të rëndësishëm të identitetit të njeriut është momenti i parë kur shikohet në pasqyrë. Për Lakanin ky takim i fëmijës me vetveten në pasqyrë mund të shkaktojë konfuzitet në të ardhmen, sepse shpesh ajo që sheh në pasqyrë nuk reflekton atë që është brenda. Kështu, edhe protagonisti i “Pasqyrat e Narçizit” , ndër ditët e rinís së parë, vetëquhet Narçiz, “tue mos parandie asokohe sa trishtim mâ vonë do të më shkaktonte ky emën luluer” ( fq. 317). Kjo është pikërisht ajo që parashihte Lakani, një konfuzitet dhe si rrjedhojë e këtij konfuziteti, një trishtim.

Legjenda thotë se pranë ujit në të cilin kishte vdekur Narcisi, lindi një lule që u quajt Narcis. Ndërsa, Ujët e pusit tregon se Narçizi lind “ke rrâja e drandofilit qi lulzon afër pusi” ( fq. 318). Këtij Narçizi i duket se në thellësinë e shpirtit të tij njeh një dhe n’at zâ njeh shushurimën e ujnave qi përshkojnë kryq e tërthuer tokën shqiptare ( fq. 318). Duke kërkuar vetveten dhe fytyrën e tij, Narçizi në shpirtin e tij dëgjon ujërat e tokës shqiptare, pra në identitetin e tij është uji/gjaku “nuk shterret kurr por, si ecin valët e Drinit prej grykës në grykë e prej lugjes në lugje, erdh’ai rrjedh prej katragjyshavet ndër nipa, mot në mot” ( fq. 318).

“Pasqyrat e Narçizit” është vepra ku autori shpërfaq identitetin e tij, ndërsa në të gjithë krijimtarinë e tij ai shfaq vetveten. Pra, autori është vepra e tij, vepra e tij është pasqyrimi i autorit. Por, ky pasqyrim te Koliqi asnjëherë nuk është pasqyrim i tipit të realizmit ose natyralizmit, është pasqyrim modern që në të vërtetë nuk pasqyron, por reflekton.

Për psikanalizën tradicionale vepra letrarë është analoge e fantazisë, prandaj edhe pasqyrë e shkrimtarit, ndërsa Sigmund Freud, në esenë e tij Krijuesi dhe fantazia, thotë se çdo fantazi s’është gjë tjetër veçse një përmbushje dëshire, është një korrekturë e realitetit të pakënaqshëm. Pikërisht kjo është edhe vepra letrare e Koliqit, analoge e fantazisë dhe pasqyrë e shkrimtarit.

Mirëpo, Koliqi nuk pasqyrohet vetëm në veprën e tij, pasqyrimi i tij do të reflektohet edhe në veprën e autorëve të tjerë modernë shqiptarë, e një ndër ta është Anton Pashku. Si nismëtar i prozës moderne shqipe, Koliqi me prozën e tij pati një ndikim të madh veçanërisht në prozën e autorëve të Kosovës të viteve ’70 të shekullit të kaluar. Pra, atëherë kur letërsia shqipe filloi të largohet nga realizmi socialist dhe të rihapet ndaj modernizmit, atëherë edhe gjejmë autorët që e njohin dhe e pranojnë veprën e Koliqit. Ndër autorët, në veprën e të cilëve mund të gjejmë ndikimin e Koliqit, pa dyshim, është edhe Anton Pashku.

Atë vetëdije letrare moderne që shfaq Koliqi me lojën me zhanrin te “Pasqyrat e Narçizit”, e gjejmë edhe te “Oh”-u i Anton Pashkut. Koliqi e thyen zhanrin duke shkruar poezinë në prozë, ngjashëm vepron edhe Pashku. Koliqin e rigjejmë te Pashku veçanërisht në pjesët ku vërehet ndikimi i traditës dhe kulturës gojore.

Gjuha e poezisë në prozën e Koliqit dhe të Pashkut shquhet me përsëritjet që krijojnë ritmin. Kështu, Koliqi i fillon “Pasqyrat e Narçizit”: “Dashunova prrallën e Narçizit me të tânë hovin e gjakut t’im prendverurer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyra ku m’u pasqyrue”. ( fq.9) Pra, përdoren dy ndajfolje, përkatësisht dy kompozita që pjesën e parë të fjalës e kanë të njëjtë: gjithë, dhe emri (pasqyra) bëhet folje (m’u pasqyrue).

Përsëritja e fjalëve, frazave, fjalive dhe veprimeve e përshkon fund e krye edhe romanin e Pashkut. Përsëritja, në këto dy vepra, ndodh edhe në aspektin tematik. “Pasqyrat e Narçizit” të Koliqit janë parë si variante të një teme, përkatësisht të kërkimit të identitetit, ndërsa në romanin “Oh” kemi montazh situatash që konotojnë të njëjtën temë, pra atë të tradhtisë. Përsëritja e temave i ka lidhur ngjarjet në këto dy vepra në mënyrë unazore, përkatësisht ato mbarojnë aty ku kanë filluar. Për këto modele unazore, esenciale është koha e rrëfimit. Edhe Koliqi, edhe Pashku nisin rrëfimin në vetën e parë dhe në kohën e kryer të thjeshtë: Dashunova prrallën e Narçizit, thotë Koliqi, ndërsa te Pashku kemi: KUR U KTHEVA. Pra, nga e tashmja hipotetike tregohet për një të kaluar, prandaj edhe rrëfimi (aq sa mund të quhet rrëfim), realizohet në formë kujtimesh, mendimesh e reflektimesh.

Ashtu si Koliqi me “Pasqyrat e Narçizit”, edhe Pashku është autor simbolist, madje jo rrallë i gjejmë të njëjtat simbole te të dy autorët. Pasqyra është simboli kryesor në prozat poetike të Koliqit.

Në pasqyrim Koliqi kërkon identitetin e tij, ndërsa pasqyrimin e tij më të mirë, identitetin e tij e jep Poezia. Kurse te Pashku, në pasqyrë pasqyrohet ai, të cilit qyrat e jargët i kishin ardhë deri te thembrat e kambëve dhe ai i pret me gërshanët vizllojshin.

Nëse në pasqyrën e Koliqit kërkohet e gjendet identiteti, në pasqyrën e Pashkut gjendet absurditeti.

Përveç në veprën e Anton Pashkut, Koliqin e gjejmë edhe në romanin “100 vjet vetmi” të Sabri Hamitit. Formalisht, romani i Sabri Hamitit na asocon me prozën/ tregimet e Ernest Koliqit. Kështu, pjesa e parë e romanit të Hamitit, Gjyshja na e përkujton “Hijen e maleve”; protagonistët janë në kasolle/pranë malit. Në pjesën e dytë të romanit Nipi, djaloshi del në qytet dhe përballet me jetën e qytetit, ngjashëm me Koliqin te “Tregtar flamujsh”. Kurse, në pjesën e tretë Unë, në të cilën djaloshi gjen veten dhe thotë “Unë jam unë!”, na shëmbëllen me “Pasqyrat e Narçizit”; Narçizi gjen veten në Poezi, djaloshi gjen veten në ditarin e albumin e nënës.

Pra, nëse Koliqi e nisi prozën moderne në letërsinë shqipe, Pashku e Hamiti, duke e njohur Koliqin, e rihapin dhe e rinisin rrjedhën moderne të prozës sonë./drita.info

(Lectio Magistralis me rastin e ditës së bibliotekës “Ernest Koliqi”, në ditëlindjen e shkrimtarit Ernest Koliqi, Prishtinë, 20 maj 2024)

Shpëndaje: