Me rastin e 619 vjetorit të lindjes
Nga Don Frok Zefi
I. Në udhëkryq të botëve
Shqipëria gjendet në kufirin midis botës greke dhe asaj romake; ajo gjendet nën ndikimin e Bizantit dhe të Romës, si në aspektin kulturor, ashtu edhe në aspektin politik dhe fetar. Para se të pushtohej nga perandoria osmane, ajo ishte tokë e krishterë; pushtimi pruri në trojet e saj kulturën dhe fenë islame.
Ne fillim të shekullit XV Shqipëria ishte ende e organizuar sipas rendit klasor; ajo ende nuk e kishte marrë formën tradicionale të një shteti kombëtar. Në periudhën historike për të cilën po flasim, edhe shtetet e tjera evropiane, pothuajse të gjitha kishin të njëjtën mënyrë organizimi. Meshtarët, (priftërinjtë) dhe fisnikët renditeshin ëe shtresën e privilegjuar të shoqërisë; ata ishin të shkolluar, dinin mirë gjuhën latine dhe nuk u mungonte asnjëherë literatura studimore; ndersa fshatarët, barinjtë dhe njerëzit e thjeshtë, pa përjashtim, flisnin gjuhën popullore, dhe ishin pikërisht ata që i ruajtën rrëfimet, traditat popullore, dhe lirikat e eposit heroik.
Në trojet e Shqipërisë në atë kohë, ekzistonin dy grupime fetare të krishtera; njëri grupim i përkiste krishterimit greko – sllav, që ushtronte ritet lindore, dhe grupimi tjetër i përkiste krishterimit latin, që ushtronte ritet perëndimore. Dallimi mes tyre ka qenë më tepër i dukshëm tek ritet fetare që ato ushtronin, sesa tek dogma fetare që ato mësonin. Territori i Shqipërisë ka qenë pjesë e patriarkatit romak dhe, nuk është çudi që pushtetin (autoritetin) e papës në kishë, e pranonte kleri së bashku me besimtarët e të dyja grupimeve fetare. Fisnikët shqiptar martoheshin dhe i martonin bijat e tyre duke mos u mbështetur në përkatësinë fetare apo në atë kombëtare; për ata më shumë rëndësi kishte rendi fisnikëror, sesa dallimet e tjera.
Shqipëria në kohën e Skënderbeut nuk ka pasur strukturë të konsoliduar shtetërore të natyrës monarkike kombëtare; administrativisht ajo ka qenë e copëzuar në zotërime pronësore me karakter feudal, midis fisnikëve shqiptar. Në rast lufte, sipas madhësisë së pronës, çdo fisnik, ipeshkëv apo murg ishte i detyruar që të jepte një numër të caktuar bujkrobërish për t’i dërguar si ushtarë, mirëpo kjo ushtri që formohej nuk ishte as e bashkuar dhe as e stërvitur mirë. Të gjithë fisnikët konsideroheshin si përfaqësues të të gjithë krishterimit, edhe pse ushtronin rite të ndryshme fetare. Për këtë flet qartë edhe kulti i shenjtit Gjon Pagëzues Vlladimiroviq (shën Vladimiri), reliktet e të cilit ruhen në Elbasan qysh prej vitit 1215, dhe nderimi i të cilit vazhdon edhe sot prej kishës ortodokse në Shqipëri. Gjithashtu, kisha ortodokse e Serbisë e ruan ende kultin e princeshës katolike me origjinë shqiptare, Angjelina Arjaniti, e martuar me despotin Grgur Brankoviqin e verbër, duke e quajtur atë “nënën e zotërisë dhe despote.”[1]
II. Njeri i çdo epoke
Të mëdhenjtë, artistët, shpikësit, shenjtërit dhe në tërësi njerëzit që janë marrë me të mirën e përgjithshme, i takojnë njerëzimit. Nëna jonë Shën Tereza, është një nga shembujt më të freskët të kësaj aksiome. Jeta, veprat dhe qëndrimet e tyre jetësore, e bëjnë të pamundur izolimin e njerëzve të mëdhenj brenda komuniteteve, vendeve apo popujve të tyre.
Kështu pra, edhe heroi ynë kombëtar, shqiptari Gjergj Kastrioti (Skënderbeu) fitoi respektin e thellë të malazezëve dhe të serbëve, e u thirr prej tyre me emrin Gjorgje Kastrioti Skënderbeg, ndërsa prej kroatëve u ndje si katolik praktikant, u thirr prej tyre me emrin Juraj Kastriotiq, e u quajt hero guximtar që luftoi “për kryq të nderit dhe për lirinë e artë,” duke frymëzuar çdo kroat në luftën për fe dhe për atdhe.
Sot, besimi islam përfshin një pjesë domethënëse të popullit tonë; ky besim erdhi në trojet tona së bashku me përhapjen e perandorisë osmane në trojet shqiptare. Skënderbeu, për shkak të dashurisë së zjarrtë që ushqente për atdheun, të cilin nuk e harroi kurrë, i shkoi kundër superfuqisë së asaj kohe dhe gjithçka që ajo solli me vete në trojet arbërore; ai u përpoq me të gjitha aftësitë e mendjes dhe të zemrës; luftoi me një guxim të papërshkruar për plot 25 vjet, duke gdhendur përgjithmonë në historinë e kësaj bote, luftrat e suksesshme për liri të një populli që aspironte të mbronte atdheun e tij. Është me vend të përmendim këtu dr. Zef Mirditën, i cili është i mendimit se, pikërisht rilindasit shqiptar që i përkisnin besimit islam, në figurën madhështore të Gjergj Kastriotit (Skënderbeut), zbuluan hallkën që i lidhte shqiptarët myslimanë, ortodoksë dhe katolikë në punën e përbashkët e të shenjtë, të ndriçimit dhe të bashkimit kombëtar shqiptar.[2]
III. Ishin dy Skënderbej, (sqarim i një ngatërrese historike)
Historia ka brenda vetes edhe rastësitë, pasi ajo mbart në vete jetë popujsh, ngjarje kombesh, epope luftërash, shembuj heronjsh e përplasje civilizimesh, që shpesh ngjasojnë aq shumë, saqë bëhen edhe burim ngatërrese. Në këtë kontekst, mendoj se është mirë që të japim një shpjegim të qartë, në mënyrë që të shuhen të gjitha ngatërresat së bashku me spekulimet. Jemi duke folur për Gjergj Kastriotin (Skënderbeun), [06 maj, 1405 – 17 janar, 1468], i cili ishte biri i Gjon Kastriotit, sundimtarit të Krujës. Gjergj Kastrioti është heroi ynë kombëtar, prijës i luftës për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë; ishte një kundërshtar i betuar i perandorisë osmane të kohës.[3]
Historia njeh edhe një tjetër Skënderbe, por që ishte malazezi sanxhak – bej (1513-1529) Stanisha, i islamizuar, biri më i vogël i Ivan Crnojeviqit, sundimtarit të Malit Zi. Atë e islamizoi dhe e quajti Skënderbeg, sulltan Muhamedi. Ky Skënderbeg e pati rezidencën në Zhabljak; ai kujtohet pasi e shpalli Malin e Zi vend blegtor, si dhe realizoi regjistrimin e popullsisë dhe, fillimin e defterit qysh prej vitit 1523, kryesisht për shkak të ankesës së popullit që nuk i miratonte veprimet e tij. Mitropoliti i Malit Zi, Vasillije Petroviqi, në historinë e tij mbi Malin e Zi, dëshmon se familjet Kastrioti dhe Crnojeviq ishin miq.[4]
IV. Skënderbeu dhe papët
Është me një domethënie të madhe historike, lajmi që sjell Mihaqeviq, për një letër të Gjergj Kastriotit, që mban datën 12 gusht, të vitit 1445, dërguar sulltan Muratit, në të cilën vetë Gjergj Kastrioti nënshkruhet si “ushtar i Jezusit dhe si prijës i Shqipërisë dhe i Epirit.”[5]
Më 2 mars, të vitit 1444, në Lezhë, Skënderbeu realizoi bashkimin e të gjithë prijësave dhe fiseve shqiptare; pikërisht aty ai formoi ‘Lidhjen Shqiptare të vitit 1444’ apo siç njihet ndryshe në histori, ‘Kuvendin[Besëlidhjen] e Lezhës’, ku u zgjodh njëzëri si komandant suprem i ushtrisë shqiptare. Duhet theksuar se ‘Lidhja Shqiptare e vitit 1444,’ ishte bashkimi i parë politiko – ushtarak mbarëshqiptar që njihet nga historia e Shqipërisë, prandaj për nga rëndësia, ka një epërsi historike të pakrahasueshme. Gjergj Kastrioti (Skënderbeu), duke qenë se u rrit në oborrin perandorak osman, mori edhe një edukim të shkëlqyer ushtarak, çka i mundësoi ta njihte mjaft mirë si strukturën ashtu edhe taktikën e luftës së ushtrisë osmane; kjo ishte një përparësi unike e tij, që e ndihmoi në organizimin e mbrojtjes së suksesshme të Shqipërisë, në betejat luftarake 25 vjeçare që ai vetë i drejtoi, në luftën kundër ushtrisë pushtuese osmane. Një vit para formimit të ‘Besëlidhjes’, (në vitin 1443), ai e braktisi sulltanin si dhe ushtrinë e tij, për t’u rikthyer në vendlindje, ku midis të tjerash, e deklaroi haptas se ishte i krishterë. [6]
Pra, në këtë kontekst, nuk është aspak çudi që papët e asaj kohe, Kalisti III dhe Piu II e nderuan Skënderbeun duke i dhënë titujt e lartë, “Athleta Christi [Kampion i Krishtit]”, “Defensor fidei [Mbrojtësi i fesë]” apo “Christi popugnator acerrimus [Luftëtar tepër i zellshëm i Krishtit].”
Mirëpo papët, nuk mbeten të kufizuar, vetëm në dhënie titujsh nderi. Kalisti III në vitin 1457, i dërgoi “trimit madhështor, Skënderbeut, sundimtarit të Shqipërisë” edhe ndihmë financiare.[7]
Papa Piu i IItë organizoi ushtrinë e krishterë kundër osmanëve, dhe pati dëshirë që vetë ai, ta kurorëzonte Skënderbeun si mbret të Shqipërisë. Mirëpo, kjo dëshirë e tij nuk u realizua dot, sepse gjatë rrugës për në Shqipëri, në natën mes 15 dhe 16 gushtit të të njëjtit vit, papa vdiq në Ankonë.[8]
V. Skënderbeu dhe kroatët
Për marrëdhëniet mes Skënderbeut dhe Dubrovnikut, mund të shkruhet një studim i posaçëm, mirëpo me këtë punë, nuk do të merrem me këtë rast.
Më 4 gusht, të vitit 1444, me shkresë nga Kruja (Akhisara), Skënderbeu i premtoi ndihmë ushtarake Vlladisllavit, mbretit hungarezo–kroat; kjo ndihmë përbëhej nga 30.000 mijë ushtarë shqiptar. Mirëpo despoti serb Gjuragj Brankoviqi, vendosi t’u qëndronte besnik osmanëve dhe marrëveshjes së paqes së Szegedit që kishte lidhur me ta, dhe nuk lejoi kalimin e ushtrisë shqiptare në tokat e tij; kjo solli humbjen e ushtrisë së krishterë dhe më pas vrasjen e mbretit të Varnas.
Më 13 gusht, të vitit 1450, Janko Hunjadit, dhe mbretit të Bosnjës dhe Hercegovinës, Stejpanit, u erdhi lajmi nga Dubrovniku, se osmanët kishin rrethuar qytetin e Skënderbeut. Për t’u rezistuar osmanëve, Skënderbeut, i duhej të ruhej si nga armiqësitë e brendshme ashtu edhe nga grindjet.[9] Në këtë betejë kundër Skënderbeut, sulltani osman përdori topat, prej të cilëve vetëm njëri gjuante gogla të rënda rreth 400 libra ( 190 kg.) [10]
Që ka ekzistuar marrëveshje midis dinastive, kjo kuptohet nga dispozitat e përmendura të papës Kalisti III, ku thuhet se të hollat e marra nga e dhjeta në Dalmaci duhet të ndahen në pjesë të barabarta midis mbretit të Hungarisë, mbretit të Bosnjes dhe Skënderbeut, sunduesit të Shqipërisë.[11]
Në vitin 1461, mbreti boshnjak Stjepan Tomasheviq, i dërgoi papës Piu II, delegacionin e tij, duke iu lutur për ndihmë në rast se sulltani sulmonte Bosnjën, duhet thënë se sulmi i sulltan Muhamedit pritej të ndodhte nga momenti në moment. Ndërkohë që po i kërkonte ndihmë, Tomasheviqi e vuri në dijeni papën se tashmë kishte kërkuar ndihmë ushtarake nga hungarezët, venedikasit dhe nga Gjergji shqiptar.[12]
Skënderbeu ka qenë mik edhe me hercegovinasin Stjepan Kosacin. Kjo miqësi ka qenë e qartë, edhe në momentin kur i biri i hercegovinasit, Vlladisllavi, lidhi aleancë me turqit kundër babait të vet. Në fillin të vitit 1463, hercegovinasi Stjepan Kosaci, dërgoi një delegacion te venedikasit, te dubrovnikasit dhe te Skënderbeu. Ndërkohë që dubrovnikasit në mënyrë diplomatike, po ngurronin të jepnin një përgjigje përfundimtare, Skënderbeu i premtoi hercegovinasit mbështetje. Me këtë lajm të gëzuar delegacioni u kthye nga Shqipëria për në Split, në fillim të marsit. Rreth së njëjtës kohë Vlladisllavi vërsuli kundër babait të tij rreth 15. 000 turq, ndërsa akinxhinjtë (akinxhinjtë ishin kalorës apo këmbësor të trupave sulmuese e ndëshkimore në Perandorinë Osmane, që mbaheshin në kufi me vende të tjera dhe që sulmonin të parët për të vrarë, për të djegur e për të plaçkitur) turq u shpërndanë nëpër Bosnje. Venedikasit nga ana tjetër, ngurruan t’i jepnin leje ushtrisë së Skënderbeut për të kaluar nëpër territorin e tyre, dhe për pasojë Bosnja ra.[13]
Sesa të forta ishin lidhjet mes Skënderbeut dhe kroatëve, shihet edhe nga lista e familjeve fisnike boshnjake, ku midis të tjerash është shënuar edhe familja “Castriotch de Castrioti in provincia Az in Epiro.”[14]
Kjo është edhe arsyeja se përse, në të gjitha stemat e njohura kroate, mund të gjendet edhe stema e Skënderbeut, edhe stema e Shqipërisë. [15]
Është interesante të përmendet se, populli kroat e ruajti kujtimin e Skënderbeut. Kur në vitin 1664, humbi jetën tragjikisht bani kroat dhe pro – mbreti Nikolla Zrinski, në epitaf shkruajtën se ai ishte “Akili, Leonida dhe Skënderbeu i ringjallur (Skenderbegh redivivus). ”[16]
Në shënimet e françeskanëve boshnjak frat Nikolla Lashvaninit (1702 – 1750) dhe frat Bones Benliqes (1708 – 1785), është përshkruar gati me të njëjtat fjalë ngjarja e vitit 1443, [Juraj Kashtriotiq (të cilin turqit e quajtën Skënderbe), prijësi arbëror, u quajt mbret.”[17]
Frat Nikolla Lashvinin, në vitin 1444, bën një përshkrim të dhimbshëm të tragjedisë së Varnës, dhe për fatkeqësinë e kobshme të ushtrisë së krishterë, akuzon despotin serb Gjurgjo Brankoviqin, i cili “ia preu rrugën Jurjes, mbretit të shqiptarëve, me qëllim që të mos arrinte të ndihmonte Lladisllavin. Për këtë arsye Juraj, mbreti dhe prijësit e tjerë boshnjak, duke dëgjuar zërin e pafat të Lladisllavit, e sulmuan dhe e trajtuan si armik despotin duke e robëruar dhe djegur. [18]
I njëjti frat, pra Nikolla na jep një përshkrim domethënës, të një ngjarjeje të vitit 1461, që lidhet me vajtjen e delegacionit boshnjak në Romë te papa Piu i IItë, takim në të cilin mbreti boshnjak Stjepan Tomasheviq e lajmëroi papën se sulltan Mehmedi, me siguri do të nisej për në Bosnjë duke shtuar ndër të tjera se, “për ta përballuar këtë fatkeqësi kërkova ndihmë nga hungarezët, venedikasit dhe Jurja shqiptar.” [19]
Edhe shkrimtari dhe veprimtari i njohur boshnjak frat Filipi nga Oqevja (1700 – 1783), dëshironte të shkruante për Skënderbeun dhe ta madhëronte veprën heroike të tij, por në Bosnjën osmane, ai as nuk mundi dhe as nuk e pati guximin që t’i përshkruante humbjet e ushtrisë osmane në betejat e zhvilluara kundër ushtrisë shqiptare nën drejtimin e Skënderbeut.
Megjithatë, ai shkroi këtë ilustrim kuptimplotë, “mësohet se në jetën e kalorësit të njohur Kashtriotiqit, të cilin shumica e quajnë Skënderbeg, ka ndodhur që me shpatën e tij dhe me vetëm një goditje, t’ja priste kokën kaut, e koka e kaut përfundonte duke u rrokullisur, sado i madh që të kishte qenë ai. Me ta dëgjuar këtë, sulltan Mehmedi i dytë kërkoi që t’ia dërgonin shpatën, dhe ja dërguan. Mirëpo askush nuk e arriti famën e Skënderbeut, që me një goditje të vetme t’ja këpuste kokën kaut. Atëherë lindën dyshimet nëse shpata e dërguar ishte apo jo e vërtetë. Kur e degjoi Kashtrioti Skënderbeu, se çfarë po thuhej për shpatën e tij, u tha ‘unë ju dërgova shpatën, por asesi të djathtën time.’ ”[20]
Poetët dhe shkrimtarët nga Dubrovniku, ndonjëherë Shqipërinë e quanin Skënderija, që do të thotë ‘toka e Skënderbeut’; të shumtë kanë qenë ata të cilët kanë shkruar për Skënderbeun, por ne do të përmendim vetëm dy prej tyre.
Kështu, poeti i mirënjohur Ivan Gundulliq (1589 – 1638), duke lëvduar madhështinë e heroizmit të ushtarëve të krishterë, nuk e harron Gjergj Kastriotin tonë, për të cilin thur këto vargje:
“Me ta është edhe Gjergji Skënderbe
debues i hordhive osmane;
nëpër botë valëvitet gjithçka
E kalorësia e tij nëpër beteja lufton përmbi ta.”[21]
Shkrimtari i dytë dubrovnikas që do ta përmendim këtu, është Brno Gjamanjić Zamanja (1735 – 1820). Ai shërbeu si jezuit për një kohë, e me pezullimin e shoqërisë jezuite, u bë prift dioqezan në Dubrovnik. Ka përkthyer në latinisht Odisenë e Homerit; dhe pati dëshirë që t’a përshtaste në gjuhën kroate Iliadën dhe Odisenë, mirëpo nuk ia doli, pasi nuk e njihte mirë gjuhën amtare. Ai gjithashtu, jep dëshmi mbi përhapjen e poezive popullore kroate mbi Skënderbeun, Sibinjan Jankin dhe princin Mark, e duke i përkitur rrymës klasike, shpreh rezerva se kroatët nuk i lëvdojnë përmes vargjesh heronjtë grek e trojan. Ja disa, prej vargjeve të tij:
“… me poezitë ilirike e me këto do të qahem,
veprat e të parëve grek e trojan më mirë të përfliten;
të dihet sesa gjatë luftoi heroi Skënderbe,
apo Sibinjani dhe e djathta e Markut të zemëruar.” [22]
Famën e Skënderbeut mes popullit të thjeshtë kroat, e pruri françeskani dhe poeti dalmat, frati Andrija Kaciq Mioshiq (1704 – 1760), me pesëmbëdhjetë poezi për Gjergj Kastriotin dhe bëmat e tij, të botuara në vëllimin e tij poetik me titull, “Bisedat e këndshme të popullit sllav.” Ky vëllim poetik deri më sot është botuar 60 herë, duke qenë libri i dytë më i lexuar mes kroatëve, pas Biblës. Kështu, barinjtë e thjeshtë kroat si dhe bujqit, e njohën Gjergj Kastriotin përmes poezive të Kaciqit, duke e pranuar kështu si heroin e tyre. [23]
Përpos veprës së titulluar, “Bisedat e këndshme të popullit sllav,” Kaciqi shkroi edhe, “Korabljicen,” që është një vepër artistike në formën e kronikës, e cila përshkruan kohën dhe jetën qysh prej zanafillës e deri në kohën kur jetoi autori. Në këtë kronikë, të shkruar për njerëz të shkolluar, Kaciqi jep një përshkrim të jetës së Skënderbeut, “në tregimin e shkurtër mbi luftën e kalorësve të Gjergj Kastriotit, princit dhe prijësit nga Arbanija.” Lexuesit të cilët kanë dëshirë të dinë më tepër për Juri Kastriotiqin, le të lexojnë veprat e autorëve të huaj si dhe “disa pjesë të Sagredes, Barlecijes, Giamarijes, Breshaninit, dhe shumë të tjerëve.”[24]
Në listën e “prijësve dhe fisnikëve të popullit sllav” Kaciqi përfshin edhe familjen e “Kastriotiq, prijësit apo princit nga Shqipëria. Jure Kastriotiq, i mbiquajturi Skënderbe, i cili luftoi gjithë jetën kundër osmanëve, dhe ngadhënjeu në çdo betejë, ishte nga ky fis.”[25]
Ngjashëm, duke shkruar për luftëtarët, heronjtë dhe mbretërit, bashkëkohesi i Kaciqit, frat Filish Grabovac (1697 – 1749), në veprën e tij të titulluar, “Lulëzimi i të folurit dhe i gjuhës ilirike apo kroate,” të shkruar si në prozë ashtu edhe në vargje poetike, ka shkruar edhe për “shtëpinë e Kashtriotit [familja Kastrioti].” [26]
Për t’i njohur me përmbajtjen e poezive të Kaciqit, edhe ata që nuk e dinin gjuhën kroate, frati Emerik Paviq (1764 – 1768), botoi në gjuhën latine interpretimet e lira poetike. Paviq arriti të sillte në gjuhën latine vetëm përmbajtjen e poezive të Kaciqit, pasi vjershëtimin e pati të pamundur. Deri tek ne ka arritur poezia e tij në gjuhën latine e titulluar, “Rymtus de Georgio Kastriotiq dicto Scanderbego.” Paviq e ka shkruar këtë poezi në vargje me metrik të njëjtë si ai i himnit “Stabat mater Dolorosa [Rrinte Zoja tuj lotue]”, dhe kështu që mund të këndohet me të njëjtën melodi.[27]
Megjithatë, mendoj se gjithë se shkruajtën poetët dhe shkrimtarët kroat për Gjergj Kastriotin [Skënderbeun], nuk përfundon me këtë prezantim; por për kohën dhe çastin, mbetemi deri këtu.
VI. Skënderbeu në diasporën shqiptare
Shqiptarët për shkak të përndjekjeve të përgjakshme fetare dhe jo vetëm, shpeshherë përgjatë historisë, kanë qenë të detyruar që të mërgojnë larg trojeve të tyre. Kështu, ka koloni shqiptare në Siçili dhe në Kalabri. Koloni shqiptare ka patur edhe në Qiprovac, Budim, Arbanasi afër Zarës, e sipas të gjitha gjasave edhe në Arbanija afër Trogirit, në Zhumberak, në Osjek, si edhe në fshatrat e Sremit: Hrtkovci dhe Nikinci.
Në vitin 1839 në “Danica ilire”, prifti klementinas nga Sremi, Stjepan Marjanovic për ta thoshte kështu, “këndojnë këngë të ngjashme me meloditë kroate. Në këngë më së shumti përkujtojnë heronjtë e tyre të vjetër, e më së tepërmi Skëndebeun.”[28]
Është me interes ta përmendim se në Hrtkovac, deri në luftën e parë botërore, gjendej një kafene e quajtur ‘Skënderbeu’, që ishte e zbukuruar me portretin e Skënderbeut, të punuar me baltë të pjekur. [29]
Do të ishte mirë të studioheshin edhe këngët e mbledhura sipas Franjo Kuhac(it), për të vërtetuar nëse ka apo jo nëpër to, këngë që i kushtohen Skënderbeut. Kuhaci i vizitoi klementinët në Hrkovci dhe në Nikinci, në vitin 1894, pasi po interesohej për begatinë e popullsive të tyre.[30] Bibliotekat e famullive Hrtkovci dhe Nikinci kishin libra në gjuhën shqipe, madje kishin edhe fjalor e gramatikë të shqipes, si edhe Dokrinën e krishterë. Në listën e librave në Nikinci, pas vdekjes së famullitarit Petar Male, gjendet edhe një libër me lidhje të fortë titulluar, “De imperio et de vita Georgi Kastrioti a Marino Barletio.”
Meshtarët me siguri i tregonin popullit mbi betejat e përgjakshme të Skënderbeut, duke i entuziazmuar kështu, sidomos shqiptarët kelmendas me veprat heroike të tij. [31] Pas zhdukjes së gjuhës shqipe te shqiptarët e Sremit, gjatë kremtimeve familjare ata i këndonin si të tyre këngët nga libri i Kaçiqit “Razgovor ugodni…”, këngën mbi dyluftimin e Gjergj Kastriotit, letrën sesi Gjergj Kastrioti iku prej sulltan Muratit për të sunduar Shqipërinë, këngën mbi luftën e Gjergj Kastriotit dhe sulltan Muratit, (1443), ngjarjen sesi sulltan Mehmedi planifikonte vrasjen e Skënderbeut në vitin 1454, si dhe mbi atë sesi Sinovac Jurin, i njohur ndryshe me emrin Amegja, iku në Carigrad për të marrë mbretërinë e Shqipërisë, në vitin 1456, dhe së fundi edhe këngën prej Ferdinandit dhe Gjergj Kastriotit.[32]
Besoj se njëlloj kanë vepruar edhe shqiptarët që kishin ikur në vende dhe në toka të tjera të huaja, duke e ruajtur kujtimin mbi atdheun e humbur, si dhe duke i përkujtuar heronjtë e tyre kombëtar./drita.info
————————————
[1] Fra Lovro Mihačević, Crtice albanske povijesti, Sarajevo 1912.str., Josip Antolović, S duhovnim velikanima kroz svibanj, zagreb 1978, str.233-235);
[2] Zef Mirdita, Skenderbeg i Kristjanitet, Hrvatsko slovo, Zagreb, 16. siječnja 1998., str.7;
[3] Enciklopedijski leksikon – mozaik znanja, Istorija, Beograd, (1970),str. 322;
[4] Enciklopediski leksikon – mozaik znanja, tom 5., Istorija, Beograd, (1970), str.622;
[5]Kuptohet qartë se, Skënderbeu përmes firmës se tij e ka treguar se të dy prindërit i ka shqiptar, kur thotë: [ushtar i Jezusit – d.m.th., është i krishterë] / [prijës i Shqipërisë – d.m.th., pasardhës dhe trashëgimtar i të atit që ishte nga Shqipëria] / [prijës i Epirit – d.m.th., pasardhës dhe trashëgimtar nga nëna epirote];
[6] Fra Lovro Mihačević, Crtice albanske povijesti, Sarajevo 1912.str.;
[7] Eusebius Fermendžin, Acta Bosnae…, Zabrabiae 1892., str. 232 i 233;
[8] Vjkoslav Klaić, povijest Hrvata, ton 3., Zagreb, (1972), str. 353;
[9] Eusebius Fremedžin, op.citatum, str.210;
[10] Šunjić Marko, Bosna i Venecija, Sarajevo, (1996), str. 379;
[11] Eusebius Fremedžin, op.citatum, str.232;
[12] Grupa autora, Povijest hrvatskih zemalja Bosne i Hercegovine, Sarajevo, (1942) ,str.556;
[13] E. Fremedžin, op.citatum, str.252 i 255 I Šunjić Marko, Bosna i Venecija, Sarajevo, (1996), str. 359;
[14] Eusebius Fremedžin, op.citatum, str.560;
[15] Tako Skenderbegov grb donosi Grbovnik Korjanić-Neorić iz 1595, Fojnički grbovnik, Wappenbuch Der Adel des Koenigreichs Dalmatien od Carl Georga Friedricha Neyer von Rosenfeld, Nuremberg 1873, i Der Adel von Kroatien und Slavonien od dr. Ivana Bojničića, Nuremberg 1899, a grb Aalbanije Sematographia Pavla Rittera Vitezovića, Zagreb, 1701 i 1702);
[16] Benger fra.Nikolaus, Aannalium eremi – coenebiticorum ordinis s. Pauli primi eremitas, voluminis secundi, Posonii (Bratislava) 1742;
[17] Benlić fra. Bono, Ljetopis sutješkog samostana, sarajevo 1979, str33, Lašvanin fra Nikola, Ljetopis, Sarajevo, (1981), str.108;
[18] Lašvanin fra Nikola, op. citatum, str. 108;
[19] Lašvanin fra Nikola, op. citatum str. 201;
[20] Zirdum fra Andrija, Filip Lastrić Oćevac, Zagreb, (1982), str. 150;
[21]Gundulić Ivan, Osman, pjevanje treće, redak 97 100., Pet stoljeća hrvatske književnosti, Zagreb,
(1964), svezak II, str. 33;
[22] Đamonjić – Zamanja, Brno, poslanica Đankuli Franovu Volntiću Dubrovčaninu, redak 17 – 20,
Hrvatski latinski, svezak II, Pet stoljeća hrvatske književnosti, Zagreb, (1970), str. 557;
[23] Đamonjić – Zamanja, Brno, poslanica Đankuli Franovu Volntiću Dubrovčaninu, redak 17 – 20,
Hrvatski latinski, svezak II, Pet stoljeća hrvatske književnosti, Zagreb, (1970), str. 557;
[24] Đamonjić – Zamanja, Brno, poslanica Đankuli Franovu Volntiću Dubrovčaninu, redak 17 – 20,
Hrvatski latinski, svezak II, Pet stoljeća hrvatske književnosti, Zagreb, (1970), str. 557;
[25] Stari pisci –hrvatski, knjiga 28, Djela Andrije kalića Miošića, Korabljica – Zagreb, (1964),str. 291;
[26] Stari pisci –hrvatski, knjiga 28, Djela Andrije kalića Miošića, Korabljica – Zagreb, (1964),str. 291;
[27] Forko Josip, Crtice iz slavonske književnosti 18. stoljeća, Vinkovci, (1994), str. 34;
[28] Marjanovic Stjepan, Klementinci u Sremu, Zagreb, (1839), Danica Ilirska, br. 8 i 9;
[29] Zefi Frok, Albanci Klementinci u Hrtkovcima i Nikincima, Zagreb, (1997), str. 151;
[30] Zefi Frok, Albanci Klementinci u Hrtkovcima i Nikincima, Zagreb, (1997), str. 151;
[31] Visitatio Canonica, 26. VII. 1836, Dijecezanski Arhiv Djakovo;
[32] Zefi Frok, Albanci Klementinci u Hrtkovcima i Nikincima, Zagreb, (1997), str. 154.