TOMË TOMIÇIQI, argjipeshkëv i Shkupit (1753-1758)

Nga Don Frok Zefi

 

Tomë Tomiçiqi ka lindur në Dubrovnik, më 22 qershor 1710, nga babai Mihail dhe nëna Kata, e lindur Sushkoviq (Shushkoviq). Babai dhe gjyshi i Tomës thirreshin Tomë dhe kështu e tërë familja mori emrin Tomiçiq.

Të gjitha klasat e ulëta dhe të larta të teologjisë Tomë Tomiçiqit ia ka ligjëruar Át Engjëll Franki, argjipeshkëv i Dubrovnikut, ndërsa për prift e ka shuguruar me 9 gusht 1733. Me dekretin e dt. 5 dhjetorit1741, i përmenduri Franki, e ka emëruar Tomiçiqin famullitar të kishës së Shën Ndout në paralagjen e Dubrovnikut, Pile i Ploçe, pasi ai vend kishte mbetur i zbrazët me vdekjen e famullitarit Filip Testi. Në atë detyrë Tomiçiqi ka shërbyer 12 vjet, deri te emërimi i tij për argjipeshkëv të Shkupit. Argjipeshkvi i atëhershëm i Dubrovnikut, Hiacint Millkoviq, me dekret të 6 majit të vitit 1754 e emëron famullitarin e ri famullitarin Anton Tomiçiqin, në vend të Tomë Tomiçqit, ngase ky ishte emëruar për argjipeshkëv i argjipeshkvisë së Shkupit, vise këto të cilat kishin mbetur të zbrazëta dhe të boshatisura.[1]

Kongregata për përhapjen e fesë e zgjedh  Tomë Tomiçiqin për argjipeshkëv të Shkupit, me 26 mars 1753.[2] Këtë emërim e ka verifikuar edhe Papa Bendikti XIV, në konzistorin e mbajtur më 26 shtator 1753.[3] Në dekretin e emërimit të Tomiçiqit, Papa e liron nga grada akademike e doktorit me arsyetimin se ai ka njohuri dhe aftësi për drejtimin e argjipeshkvisë së Shkupit. Me dekretin e përmendur Tomiçiqi e ka marrë edhe betimin e rrëfimtarit, të cilat është dashur t’i mbrojë para personaliteteve të caktuara kishtare.[4]

Tomiçiqi është shuguruar nga argjipeshkvi i Dubrovnikut Át Hijacint Milloviq, më 5 prill 1754, ndërsa bashkëshugurues ishin Benedikt Zucerio, argjipeshkvi i Sofjes dhe Pjetër Budmani, ipeshkvi i Stonit. Shugurimi i ipeshkvit është mbajtur në kuvendin kishtar të Shën Klarës në Dubrovnik. [5]

Meqë Tomiçiqi një kohë mjaft të gjatë nuk ishte i shuguruar, e duke qenë i zgjedhur dhe i pranuar si argjipeshkëv nga Papa, ai kishte mbetur në Dubrovnik, kështu që nuk ka pasur mundësi të dërgon relatën mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë se Shkupit. Për këtë arsye Kongregata për përhapjen e fesë, më 15 janar informon Kongregatën e Koncilit që Tomë Tomiçiqi, argjipeshkvi i Shkupit i zgjedhur, i cili ende nuk është shuguruar, largimi i të cilit nga Dubrovniku varet nga urdhri i Kongregatës për përhapjen e fesë, bën kërkesë për zgjatjen e afatit të dërgimeve të relatave mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë së Shkupit. Kështu Tomoçiqi ishe i detyruar të përfundojë detyrën, të cilën paraardhësi i tij (Gjon Nikolla) nuk e kishte kryer deri te gjysma e vitit 1752. [6]Pa kurrfarë arsyetimi Kongregata për përhapjen e fesë kërkon përsëri më 4 maj1754 nga Kongregata e Koncilit, zgjatjen e re të afatit, duke treguar se Tomë Tomiçiqi, argjipeshkëv i Shkupit nuk mund të dërgon relatën mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë së Shkupit.[7] Kongregata për përhapjen e fesë lajmëroi më 14 dhjetor të vitit 1754, Papën dhe Kongregatën e Koncilit se argjipeshkvi Tomë Tomiçiqi ka arritur në argjipeshkvinë e Shkupit. Duke informuar Papën, tregon se ka arritur kah fundi i muajit shtator,[8] në relatën e saj Kongregata për përhapjen e fesë thotë se Tomiçiqi ka ardhur në argjipeshkvi në tetor të vitit 1754.[9] Në këtë relatë përsëri kërkohet nga Papa dhe nga Kongregata e Koncilit që të zgjatet afati i dërgimit të relatës mbi vizitën kanonike të argjipeshkvisë.

Sipas pleqësisë të tregtarëve të Dubrovnikut, argjipeshkvi Tomiçiqi duhej të merrte në Portë garancinë për shërbim të lirë të detyrës së tij. Atij i duhej fermani. Legatet e Dubrovnikut në portë, Ivan Prkulloviq dhe Rafaell Guçetiq, i kanë bërë të gjithat që argjipeshkvi të merr fermanin. Sulltan Mahmud I (1730 – 1754) e ka lëshuar fermanin për Tomë Tomiçiqin, por jo si argjipeshkëv, po si për tregtar të Dubrovnikut, cili mundet me dy shërbëtorët e tij lirisht të bën tregti në perandorinë turke. Mbasi e mori fermanin, argjipeshkvi Tomiçiqi në vjeshtë të vitit 1754 arriti në argjipeshkvinë e Shkupit. Ai u vendos te tregtaret dubrovnikas në Novi Pazar, nga më 8 maj1755 informoi Kongregatën për përhapjen e fesë për situatën në argjipeshkvinë e tij, mirëpo ajo letër nuk ishte relatë zyrtare mbi vizitën kanonike, pasi që vizitën e filluar nuk arriti dot që ta e përfundon.[10] Tomë Tomiçiqi, argjipeshkvi i Shkupit, në letrën e 4 tetorit të vitit 1756, i shkruan Kongregatës për përhapjen e fesë, që edhe pse nuk kishte mundur ta e përfundonte vizitën e filluar në argjipeshkvinë e Shkupit, ai do të shkruante një relatë dhe atë do t’ia dërgonte kanonikut Don Vinko Radinkoviqit, mëkëmbësit të tij në Romë.[11] Don Ludovik Vertova, benediktin, e ka firmosur dëshminë që Don Vinko Radinkoviq, në vend të argjipeshkvit Tomiçiq, ka vizituar “Ad Limina Apostolorum”, bazilikën e Shën Palit në rrugën Ostia në Romë, më 9 maj 1757.[12] Ndërsa Injacio Reali kanonik altarist i bazilikës së Vatkanit, e ka firmosur dëshminë që Don Vinko Radinoviq në vend të argjipeshkvit Tomçiq me 9 maj të vitit 1757 ka vizituar kishën e Shën Pjetrit në Romë.[13] Relata e Tomiçiqit për vizitën e argjipeshkvit të Shkupit i është dorëzuar papës me 14 maj të vitit 1757.[14] Argjipeshkvi Tomiçiq i ka shkruar Kongregatës, me 4 maj të vitit 1757, se ambasadorët e Dubrovnikut e kanë lajmëruar nga Stambolli se fermani i sulltanit për të si argjipeshkëv nuk ka qenë e mundur të merret pa shpenzime të mëdha. Ferman i ngjashëm është marrë edhe më parë, por nuk kishte ndonjë vlerë të madhe, ngase turqit çdo herë e kanë konsideruar si spiun dhe e kanë vrarë. Mu për këtë është vrarë Nikollë Marini (Gashi), besimtar i krishterë nga Janjeva.

Tomiçiqi edhe më tutje ka jetuar në Dubrovnik derisa Kongregata për përhapjen e fesë, më 10 shtator 1757, nuk e ka thirrur që ta e falënderoj për shërbimin e bërë në argjipeshkvinë e Shkupit. Ai këtë e ka bërë dhe Papa e ka pranuar pensionimin e tij me 18 dhjetor 1757.[15] Si argjipeshkëv në pension, Tomiçiqi ka jetuar në Dubrovnik deri në vdekje. Me argjipeshkëv Mazrekun kishte kontakte korrekte, kështu disa herë e ka ndihmuar argjipeshkvinë e tij të mëparshme, të cilën nuk e ka harruar as në testamentin e tij. Argjipeshkvi Tomiçiq me dëshirë që të shlyej obligimin ndaj familjes së Nikollë Gashit (Marini)[16], të cilin e kishin vrarë turqit, ngase e kishte pranuar argjipeshkvin në shtëpinë e tij të premten e madhe në vitin 1755. Kështu Tomiçiqi, me 27 qershor1768 i shkruan sekretarit të Kongregatës për përhapjen e fesë: “Meqë Imzot Mazreku, argjipeshkëv i Shkupit, më ka dërguar një nxënës, i cili quhet Ndre Gashi, për ta e vendosur në Kolegjin e nderuar Urbanian në vendin e lirë ku ishte më parë Ndre Krasniqi, kam guximin të ju lus me përkuljen më të madhe shumë të ndriturën, shkëlqesinë Tuaj, që ta e pranoni me bekimin tuaj dhe të tregoni dashamirësinë duke i bërë një rekomandim të përzemërt, atë rektorit dhe drejtuesit të Kolegjit të përmendur. Dëshiroj që ta e pranoni këtë kërkesë përulëse ndaj jush, shumë i ndrituri dhe shumë i nderuari zotëri, ngaqë ky i ri është me virtyte të veçanta, i aftë, dhe për atë që është nip i Nikollë Gashit, besimtarit të mirë dhe i të mbrojturit të argjipeshkvit të atjeshëm, i cili mua në atë argjipeshkvi më ka pranuar në shtëpinë e tij si nikoqir i mirë, dhe i cili më ka ndihmuar t’i shpëtoj barbarisë turke, kur kanë ardhur të më vrasin, ngase kanë dyshuar se jam spiun. Nikollë Gashi ka qenë në mënyrë barbare i therur në mes të Janjevës dhe trupin e tij turqit nuk kanë lejuar ta varrosin atë ditë, por tek pas tre ditësh. Pas vdekjes së këtij bamirësi, gjyshit të të riut familja e tij ka rënë në mjerim të thellë.[17]

Kur Josip Mazreku, vëllai i argjipeshkëv Mateut, përfundoi studimet në Romë në vitin 1769, argjipeshkvi Tomiçiq  me të arritur në Dubrovnik e ka pranuar në shtëpinë e tij dhe e ka prezantuar te argjipeshkvi i Dubrovnikut dhe me të është dakordua për shugurimin e Josipit. Me lejimin e argjipeshkvit të Dubrovnikut, Tomiçiqi ia ka dhënë Josipit rendin priftëror të diakonit, i ka organizuar meshën e parë në Dubrovnik dhe e ka përcjell në anijen tregtare shqiptare në rrugë për vendlindje.[18] Argjipeshkvi Tomiçiq e ka lutur mbretëreshën Marija Terezën që ajo, nëpërmes ambasadorit të saj në Stamboll të ndërhyjë tek mitropoliti i Prizrenit që të mos i jepet fermani i sulltanit, i cili do t’i lejonte të mblidhte tatimin kishtar nga besimtarët e argjipeshkvisë së Shkupit. Në letrën e 15 tetorit 1774, argjipeshkvi Tomiçiq lut sekretarin e Kongregatës për përhapjen e fesë që ai të ndërhyjë tek Kongregata për të njëjtën gjë dhe Kongregata lutjen e tij t’ia përcjell Oborrit Perandorak të Vjenës. Në të njëjtën letër ai informon sekretarin se për të njëjtën gjë i ka shkruar edhe vikarit apostolik në Stamboll, Gjon Baristelit që së bashku me ambasadorët katolikë në Portë të pengojnë mitropolitin e Prizrenit në qëllimet e tija.[19]

Argjipeshkvi Tomiçiq ndërhyri edhe për raste të veçanta të priftërinjve të ish argjipeshkvisë të cilët kërkonin ndihmën e tij. Kështu ai, me 20 dhjetor 1789, ndërhynë për ndihmë financiare për Matej Krasniqin. I shkruan Kongregatës se Don Matej le të merr një pjesë të të hollave, të cilat janë te kanoniku Vinçenc Radinkoviqi, e të cilat janë të ndara si ndihmë vjetore.[20]

Edhe pse në pleqëri të thellë, i vendosur në “Konale”, në paralagjen e Dubrovnikut, Pille, argjipeshkvi Tomo Tomiçiqi, me 12 prill të vitit 1792, e ka shkruar testamentin në gjuhën italiane, i cili është hapur me 27 nëntor 1793, i cili ishte i regjistruar në librin zyrtar, me 7 dhjetor1793. Në fillim dhe në fund të testamentit thirret “Tommasa Arciv. O. Tomicich”. Në testament ka lënë porosi që të varroset në kishën françeskane në Dubrovnik. Pasurinë e tij ia ka lënë motrës Peri dhe fëmijëve të saj, Don Pjetrit dhe Mikel Milkoviqit. Përpos asaj, priftërinjve të bashkësisë Dubrovnikase “Sancti Petri in Cathedra” 500 dukat, shumë kjo e cila duhet të shpenzohet çdo vit rregullisht për mesha të cilat do të jepen për shpirtin e tij si dhe për ndihma dhe martesa të vajzave të varfra në Konservatorin femëror të Dubrovnikut (Conservatorio). Në testamentin e Tomçiqit me rëndësi është edhe porosia: “Imzot Matej Mazrekut, si argjipeshkëv i Shkupit, po i lë 100 reale që t’iu ndan të varfërve të asaj argjipeshkvie, e gjithashtu për martesa të vajzave të varfra, siç ai mendon se është më së miri.” Ish argjipeshkvi i Shkupit Tomë Tomiçiqi vdiq me 23 nëntor 1793, në moshën 83 vjeçare. Është varrosur me 24 nëntor të atij viti në kishën françeskane në Dubrovnik. Në librim amzë të të vdekurve është i shënuar si “Archiepiescopus Scopiensis”.[21]/drita.info

 

————————————-

[1] DJIVANOVIĆ, Niko, Dubrovčanin Toma Tomičić (1710-1793), katolički nadbiskup u Skoplju Glasnik Skopskog Naučnog društva, II, Shkup 1927, f. 10.

[2] PREMROU, Milan, Katolički nadbiskupi u Skoplju, Glasnik Skopskog Društva I, Shkup 1927, f.332.

[3] ARHIVIO STORICO DELLA CONGRAGAZIONE DE PROPAGANDA FIDE, Scriture riferite nei Congresi,

  Servia,, vol. 1, ff. 469v,471v, ( më tutje ASCPF, SC, Servia).

[4] ASCPF, SC, Servia, v. I, ff. 464rv, 465rv, 466rv, 467rv, 468rv, 469rv, 470rv, 471rv, 472rv, 473rv, 474rv, 475rv.

[5] GJINI, Gaspër, Skopsko – prozerenska biskupija kroz stoljeća. Zagreb 1986, f.190-191.

[6] ARHIVIUM SECRETUM VATICANUM.  Sacra Congregazio Concilio, Scopiensis  Relationes.Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[7] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[8]ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[9] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[10] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[11] ASCPF, SOCG, v. 770, f. 25.

[12] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[13] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[14] ASV, S. Congr. Concilio – Relat. Visitationis ad limina – Scopien, v. 728.

[15] RADONIĆ, Jovan, Rimska Kurija i južnoslavenske zemlje od XVI do XIX veka, Beograd  1950, f. 642.

[16] I ndjeri Nikollë Gashi në Janjevë është quajtur Marini, ashtu siq e gjejm edhe tek letra e arqiipeshkv Tomiçiqit,

    datë 4 maj 1757.

[17] ASCPF, SC, Servia, v. 2, ff. 114rv.

[18] ASCPF, SC, Servia, v. 2, ff. 134r-135v.

[19] ASCPF, SC, Servia, v. 2, ff. 255rv.

[20] ASCPF, SC, Servia, v. 3, f. 71.

[21] RADONIĆ, Jovan, Ibid. f. 638-640.

Shpëndaje: