Të shtunën, më 1 qershor 2024, për të tetën herë, u mbajtën Takimet e Qershorit, tashmë të riemëruara Takimet e De Radës. Takimet u mbajtën në Bibliotekën e Kishës së Shën Abrahamit në Llapushnik, me pjesëmarrjen e më shumë se 145 poetëve, referuesve dhe dashamirësve të artit e të kulturës.
Në fillim të Takimeve, pjesëmarrësve iu drejtua nikoqiri, Don Fran Kolaj, vikar ipeshkvnor, i cili bëri edhe hapjen zyrtare të takimeve të sivjetme. Më pas fjalën e mori edhe nënkryetari i komunës, z. Arben Shala, i cili vlerësoi lart punën e organizatorëve.
Në vazhdim, ligjëruesit mbajtën kumtesat për Sami Frashërin dhe rolin e tij në Rilindjen Kombëtare Shqiptare.
Pas ligjëratave u bë promovimi i librit i Halil Bogajt “Frazeologjizmat popullor në Drenicë” i përgatitur nga Zeqir Bekolli, redaktor i librit.
Pjesa tjetër e takimet u rezervua për “Orën Letrare”, në të cilin kishin konkurruar 74 poetë. Më pas juria profesionale përzgjodhi 3 poezitë më të mira, të cilat u shpërblyen edhe me shuma të përcaktuara monetare. Çmimi i Zyrës për Përkthime “Hieronymus” në Klinë, i themeluar që nga fillimi i takimeve, është i veçantë dhe ndahet për krijues të ndryshëm, sidomos për ata që janë në fillet e tyre ose edhe për ata që kanë vite të tëra që merren me poezi etj. Shpërblime kishte edhe nga organizatori, për tre vajzat me aftësi ndryshe shumë aktive në poezi, moderim, vepra letrare etj. Meqenëse ato kanë dëshmuar vlerat e tyre artistike, organizatori ka themeluar “Çmimin Motivues” për të gjitha ato gra dhe burra që përkundër vështirësive, vazhdojnë t’i sfidojnë ato vështirësi duke na dhuruar vargje drite për ne të gjithë.
Në këto takime gjithnjë ka edhe ekspozita. Sivjet ishte e hapur ekspozitë me punimet e piktores së re Vikena Kodraliu nga Theranda.
Takimet e De Radës është një organizim kulturor në Llapushnik që organizohet nga Kisha Katolike në Llapushnik me qëllim të promovimit të kulturës shqiptare, e në veçanti të rajonit të Drenicës dhe rrethinës. Gjatë këtyre tre vjetëve ka mbledhur krijues të ndryshëm nga fusha të ndryshe të kulturës shqiptare, si: studiues, artist, poet, piktor…/drita.info