Aborti: plagë për ndërgjegjen

Nga Don Fatmir Koliqi

 

Para se të paraqes përmbledhtas tri çështje, për të cilat kam qenë i pyetur rreth qëndrimit të Kishës Katolike për abortin: a) qëndrimi dhe përkufizimi, b) e (jo)drejta e gruas dhe c) rrethanat e mundshme për arsyetimin e abortit, duhet të qartësoj paraprakisht se, vlerësimi do të bëhet rreth/për abortin e vullnetshëm apo të drejtpërdrejtë, që nënkupton ndërhyrjen e vetëdijshme dhe të vullnetshme për të ndërprerë procesin gjenerativ të një jete njerëzore. Pra, këtu përjashtohet vlerësimi për abortet spontane apo indirekte, të cilat ndodhin për shkaqe natyrore të paaftësisë së organizmit për të mbartur të qëndrueshëm procesin e fekondimit dhe kështu shkaktohet një ndërprerje e jetës njerëzore, pa vullnet.

Është më se e qartë se këtu nuk tentoj të bëj një paraqitje të shteruar rreth fenomenit të abortit, që sot është një murtaje e përhapur në të gjithë botën, por dëshira është të paraqiten vetëm disa pika esenciale dhe orientuese, që mund të hyjnë në punë për analiza ndërdisiplinore.

 

Kisha për çështjen e abortit

Kisha Katolike ka patur një qëndrim të qartë në lidhje me abortin, nga shekulli i parë i saj, i cili nuk ka ndryshuar deri në ditët e sotme. Ky qëndrim i pandryshueshëm, mbështetet në përqasjen e saj fondamentale dhe karakterizohet në vazhdimësi në favor të mbrojtjes së jetës, nga ngjizja deri në vdekjen natyrore.

Aborti konsiderohet akt kundër jetës së njeriut në stadin e saj fillestar dhe si i tillë vlerësohet si akt moralisht i rëndë, një e keqe morale, duke e mbartur atributin e vrasjes së qenies së pafajshme dhe të pambrojtur. Ky konstatim, që rreshtohet në mbrojtje të jetës, e kundër vrasjes së njeriut në të gjitha periudhat e saja, ka qenë i pranishëm edhe në fillet e kurativës mjekësore me proveniencë greko-latine-të krishterë. Të kujtojmë vetëm ato kryesoret: Betimi i Hipokratit, Shkencat humane, Deklarata e Gjenevës…

Në këtë drejtim, Kisha Katolike është shprehur gjithnjë qartë se jeta e njeriut është vlera themelore, qendrore, më e lartë dhe e shenjtë e krijimit të dhuruar prej Zotit.

 

E drejta e gruas?!

Njëra ndër pikat dhe argumenti kryesor i përkrahësve të abortit del të jetë e drejta e gruas për të vendosur për vetveten, një ekskluzivitet, i cili, e ka shtrembëruar konceptimin e të drejtës së jetës së çdo individi, si qenie njerëzore.

Çështja e të drejtës ekskluzive të gruas për të çuar deri në fund apo jo ngjizjen, vjen si një trysni ideologjike e shekullit të kaluar, e inspiruar nga eugjenetika selektive e kamufluar nën petkun e të drejtës së gruas për të mbarështuar trupin e vet. Ky substrat ideologjik, ka prodhuar edhe një mashtrim linguistik, që na servohet tash disa dhjetëvjetësha në opinion publik- e jo vetëm- se në dy javët e para të ngjizjes nuk kemi të bëjmë me qenie njerëzore, por kemi të bëjmë me një grumbull qelizash të paformë, të quajtura prej disave edhe si entitet i paorganizuar. E kam fjalën për teorinë e paraembrionit, të promovuar fuqishëm nga Anne McLaren, një embriologe e specializuar për mijë, që të njëjtat hulumtime i ka aplikuar për të përcaktuar të ashtuquajturën kufirin e para dhe pas (a.q. “shtrisa primitive”), apo çastin kur fillon të kemi personin njerëzor.

Jeta e njeriut fillon në ngjize/fekondim, e cila ka një proces karakteristik dinamik me stade/periudha zhvillimi të identifikuara nga shkencat përkatëse. Sipas parimit ontologjik, antropologjik dhe gjenetik, nëse nuk kemi jetë që në ngjizje/fekondim, atëherë nuk mund të ketë jetë as pas saj. Me fjalë tjera: zhvillimi embrional, nga zigota, kur krijohet harta gjenetike apo gjenoma e re e individit, e deri në lindje, është e njëjta jetë individuale e zhvilluar në fazat e saja të koordinimit, të vazhdimësisë dhe të gradualitetit. “Jeta, kur tashmë është ngjizur, duhet të mbrohet me kujdesin më të madh.” (GS, 51) – thekson Koncili II i Vatikanit.

Nga kjo që u tha, vjen i natyrshëm përfundimi: askush nuk e ka të drejtën për të ndërprerë një jetë. Do të ishte një kundërthënie fondamentale e të drejtave të njeriut, nëse do të pohonim që një njeri ka të drejtë të ndërpres jetën e tjetrit për të mbrojtur të drejtën dhe lirinë e vet të vendosjes. 

  

Ka rrethana që mund ta arsyetojnë abortin?

Është përfolur shumë rreth arsyetimit eventual të një ndërprerje të jetës embrionale, si p.sh.: në raste të sëmundjeve të nënës apo të fëmijës (ndërhyrje terapeutike…), në raste kur ngjizja vjen e padëshirueshme, si pasojë e dhunës, apo kur shkaktarët për të abortuar, mund të vijnë nga varfëria  etj. etj.

Pa përjashtuar delikatesën e rasteve dhe vështirësitë e ngjarjeve e këtilla, shpeshherë tepër të ndërlikuara, duhet të kihet parasysh parimi ontologjik dhe etik në mbrojtje të jetës dhe kundër vrasjes së njeriut.

Kisha Katolike, e vetëdijshme për këtë fenomen, është vërë në shërbim të njeriut, me qëllim për t’i qëndruar afër në gjendjet e vështira të jetës. Në rastet kur kemi të bëjmë me çështjen e sëmundjes së nënës shtatzënë, atëherë porositet të përdoret kujdesi kurativ mjekësor, i cili, nuk shkakton drejtpërdrejt dëm te qenia e ngjizur në kraharor. Pra, një përkujdesje që drejtohet për të shpëtuar dy jetët. Ka raste kur terapia e domosdoshme dhe e vetme për të shpëtuar nënën do të ndikonte në dëmtimin apo shkaktimin e abortit indirekt. Në këso raste, nuk kemi të bëjmë me kurë apo terapi që bëhet drejtpërdrejt për të shkaktuar abort, por aborti mund të vijë si shkak anësor/dytësor. Në këso rastesh zgjidhet e keqja më e vogël. E teologjia morale e krishterë këtë akt e quan actum cum duplici effectum – akt me pasoja të dyfishta.

Në raste kur shtatëzania vjen si pasojë e dhunës – mendoj si një krim – siç është dhuna fizike dhe seksuale, nuk mund të “ndreqet dhuna” duke ja marr jetën një të pafajshmi, pra, me një krim tjetër. Në këtë logjikë rrethohet edhe mendimi më aktual i Papa Françeskut kur thotë: “Nuk është ‘progresive’ të tentosh të zgjidhësh problem duke eliminuar jetën njerëzore.” Ngjashëm mund të aplikohet edhe për raste tjera që kanë karakteristika të përbashkëta me këto.

Kisha, në veprimtarinë e vet rreth përkujdesjes për gratë në raste të këtilla, por edhe në raste të varfërisë, është munduar t’iu del në ndihmë që ato ta çojnë deri në fund shtatëzaninë, pra, me lindjen e fëmijës. Nëse një vajzë, grua, nënë nuk është në gjendje të mbajë e të rrisë fëmijën, Kisha është përkujdesur që ai fëmijë të ketë një jetë të dinjitetshme, duke ia gjetur një familje të bashkësisë katolike që e rritë – apo shtëpi të veçantë për këtë kategori: qoftë ajo kishtare apo shtetërore. Për këtë praktikë humane të Kishës, mund të rendis raste të shumta, por do të përmend vetëm dy. Njëri nga historia antike e tjetri nga koha moderne: a) Koncili i Arlesit (v. 314), në të cilin shprehimisht ipeshkvijtë e asaj kohe kishin deklaruar: “nëse një grua është duke pritur një fëmijë të padëshiruar, mos të mendojë ta vras krijesën e vet, por le ta bjerë te dera e Kishës […] do të përkujdesemi që ta gjejmë një besimtar të besueshëm për ta pranuar e për ta rritur; kështu do të evitohet një krim i vrasjes” dhe b) E Lumja Nënë Tereza, dëshmitarja më e madhe e kohës moderne për jetën, thoshte: “Nëse dëgjoni se ndonjë grua nuk dëshiron ta mbajë fëmijën e vet dhe dëshiron ta abortojë, kërkoni ju lutem ta bindni që të ma sjellin atë fëmijë. Unë do ta dua, duke i parë në te shenjat e dashurisë së Zotit.”/drita.info

Shpëndaje: