Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj
Termi “bullizëm” dëgjohet shpesh në ditët e sotme. Kjo lë për të kuptuar se për shoqërinë tonë nuk është më një fjalë e huaj, edhe pse mund të ndodhë që të mos jetë e qartë dhe e kuptueshme nga të gjithë. Zakonisht, kur flitet për këtë term, në mënyrë krejt automatike mund të themi se secilit i shkon mendja te fëmijët, tek institucionet e edukimit, siç janë kopshtet dhe shkollat. Kjo ndodh për shkak se jemi mësuar të dëgjojmë se në këto institucione shfaqet apo është i pranishëm ky fenomen, pra, bullizmi.
Mirëpo, po të hedhim një vështrim rreth e rrotull, arrijmë të kuptojmë se bullizmi po bëhet gjithnjë e më shqetësues, jo vetëm në institucionet e edukimit te fëmijët, por edhe për të rriturit, me një fjalë për gjithë shoqërinë. Duhet kuptuar dhe pranuar se është i pranishëm edhe në institucione të tjera, vende pune dhe grupe shoqërore të ndryshme, gjithashtu edhe në familje. Me keqardhje, por në këto vende që u cekën ka marrë një hov të madh, ndoshta jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me forma të ndryshme të shfaqjes së tij.
Në të shumtën e rasteve fshihet pas “shakasë”, “humorit” e kështu personi arrin ta modelojë komunikimin me bullizëm. Kjo formë e komunikimit për shumëkënd është bërë normale dhe relaksuese, saqë në emër të shakasë, humorit, tentohet të lëndohet, fyhet, përulet e poshtërohet tjetri. Mund të ndodhë që edhe t’i vënë diagnoza si: skizofren, debil, budalla, i marrë, depresiv etj.
Prandaj, kërkohet të kemi shumë kujdes e të ndalemi për të parë veten se si komunikojmë dhe si i drejtohemi tjetrit. A e thërrasim me emër apo i vëmë etiketa të ndryshme duke u arsyetuar se po bëjmë shaka? Sido që të jetë, çdo fjalë fyese apo çdo lëndim i qëllimshëm nuk është i mirë, as i dobishëm edhe sikur të mos ketë të bëjë fare me bullizmin. Në Shkrimin e Shenjtë shkruhet: “Kush e ruan gojën e vet, ruan jetën e vet.” (Fu 13, 3), “Gjuha e ëmbël është dru e jetës, kurse e ashpra plagos shpirtin.” (Fu 15,4). Megjithatë është nevojshme të kuptojmë se për çfarë bëhet fjalë, çfarë përmban dhe shpreh termi “bullizëm”.
Bullizmi, është një term që përdoret në literaturën psikologjike, por së fundmi po praktikohet edhe në të përditshmen, si në të shkruar ashtu edhe në të folur. Në mënyrë që të kuptohet dhe të jetë i qartë për të gjithë se për çfarë bëhet fjalë, është e nevojshme të përdoren disa terme të gjuhës shqipe që i përshtaten më së miri dhe që ndihmojnë për të përçuar mesazhin të qartë dhe të plotë.
Nganjëherë ndodh që edhe në media të përdoren terma shabllonë, pa ditur kuptimin dhe peshën që mbajnë këto terma dhe mund të jenë shumë të rënda, fyese dhe jo të përshtatshme, dhe që secili nga ne i përdorim pa u ndjerë keq ose pa u skuqur fare dhe pa menduar se mund të fyejmë apo lëndojmë tjetrin. Me një fjalë bullizmi është kërcënim, dhunë psikologjike dhe fizike që ndodh kur një person në mënyrë të qëllimshme dhe të vazhdueshme lëndon dhe tall tjetrin ose grupin.
Që ta kemi edhe më të qartë e ta kuptojmë se çfarë përfshin bullizmi, na ndihmon libri i studiuesit australian Ken Rigby. Aty thuhet: “Bullizmi është një dëshirë për të dëmtuar tjetrin, një veprim që lëndon, një përdorim i padrejtë i forcës, një kënaqësi e dukshme e agresorit si dhe një ndjenjë e përgjithshme e të qenit mbizotërues ndaj viktimës”. Zakonisht kjo lloj sjelljeje fillon që në fëmijëri, por shfaqet dhe nuk mungon edhe më vonë. Pra kur dëgjohet termi bullizëm, dijeni se ka të bëjë me talljen, përqeshjen, fyerjen… dhe gjithmonë ka si qëllim të dëmtojë, lëndojë dhe poshtërojë tjetrin e sidomos më të dobëtin.
Përballë kësaj gjendjeje kërkohet që të mos jemi indiferentë e të mos e neglizhojmë këtë fenomen, me të cilin shoqëria jonë po përballet në mënyra dhe forma të ndryshme. Duhet kuptuar se bullizmi nuk është një konflikt i thjeshtë apo një ngatërresë e lehtë, por nguliteni mirë në mendje dhe mos e harroni se është abuzim me tjetrin dhe ka të njëjtën peshë si abuzimet tjera e nuk është më pak i dëmshëm. Pra, nga ne, unë dhe ti kërkohet vetëdije, ndërgjegjësim, qëndrueshmëri për të mos heshtur përballë këtij fenomeni, por të ngrihet zëri lart e më lart, për të thënë se është një sjellje e papranueshme e nuk është sëmundje, është fyerje e dinjitetit të personit. Për këtë nuk duhet pranuar arsyetime dhe nuk duhet toleruar, sepse ka pasoja negative dhe shumë të rënda tek të gjitha viktimat që përballen me të.
Bullizmi është një agresion i përsëritur që arrin të bëhet shumë kërcënues për shëndetin fizik, psikologjik dhe shpirtëror të personit. Shfaqet në forma të ndryshme e disa nga këto janë: Bullizmi fizik – që është abuzim i përsëritur përmes dhunës fizike që përfshin pickimin, kafshimin, shtyrjen, goditjen, përleshjen, shkelmimin etj.
Bullizmi verbal – (me anë të fjalëve) të bërtiturat, ngacmimet, fyerjet, kërcënimet, vendosja e nofkave (emrave të ndryshëm si: i vogli, qafëshkurtri, lopa, kokëderri, kali, veshllapushi, injoranti, budallai…) thashethemet dashakeqe, gënjeshtrat, shpifjet… saqë nganjëherë arrijmë të vëmë edhe diagnoza duke i quajtur të tjerët skizofrenë…
Bullizmi social – ka të bëjë me mënjanim nga grupi shoqëror në shkollë, në punë, në ndonjë ndenje, organizime, etj.
Bullizëm racial dhe fetar – që shfaqet përmes diskriminimit, fyerjes ndoshta edhe dhunës.
Bullizmi jo i drejtpërdrejtë – që përfshin shpërfilljen, përjashtimin…
Bullizmi virtual – që shfaqet përmes rrjeteve sociale, keqpërdorim i tyre për të dëmtuar personin. Në këtë formë zakonisht përdoren mesazhe, fotografi të ndryshme, ngacmime seksuale madje edhe kërcënime. Kjo formë e bullizmit përdoret shumë nga të rinjtë, pa përjashtuar edhe pjesën tjetër të shoqërisë. P.sh. kur dështojnë në një lidhje dashurie, fillojnë e hakmerren me këtë formë duke e shantazhuar personin. Kjo është një mënyrë e re për të torturuar, tallur, përqeshur, fyer, përulur tjetrin.
Gjithashtu kjo formë e bullizmit është shumë e vështirë të luftohet, sepse autorët mund të fshihen, por dëmi mund të jetë afatgjatë. Teknologjia digjitale, e cila është krijuar për t’i ardhur në ndihmë personit, mjerisht ndodh të keqpërdoret për ta turpëruar e fyer tjetrin. Megjithatë, kërkohet kujdes i madh nga secili për të mos rënë pre e saj.
Cilado qoftë forma përmes së cilës shfaqet, bullizmi ka pasoja shkatërruese në jetën dhe mirëqenien e personit, qoftë në aspektin fizik, emocional, shpirtëror si dhe në atë të ndërtimit të marrëdhënieve.
Viktimë e bullizmit, (përqeshjes, poshtërimit, talljes, kërcënimit, lëndimit, fyerjes …) shumë lehtë mund të bëhen ata persona që kanë ndjeshmëri më të lartë dhe që shihen si më pak “të fortë”, ata që kanë vështirësi në socializim, personat me aftësi ndryshe dhe ata me vetëbesim të ulët. Pa përjashtim mund të jenë vajza dhe djem të çdo lloj moshe. Mund të jemi edhe ne, unë the ti që përballemi me këtë fenomen, pra, të qeshen me ne, për fizikun tonë nëse jemi mbipeshë ose shtatshkurtër, për veshjen, për stilin, për aftësitë tona, për mënyrën se si flasim, si rrimë etj. E rrezik të gabosh në ndonjë fjalë do të përsëritet vazhdimisht etj. Personat që ndeshen me këto raste zakonisht mundohen të tejkalojnë këtë situatë sikur nuk i pengon, sikur nuk ka ndodhur asgjë, por në realitet dhe në brendësinë e tyre fillojnë të mos ndihen mirë, të mbyllen në vetvete e të refuzojnë të shkojnë në ato ambiente ku kanë përjetuar këto lëndime, t’i shmangin e të mos i takojnë personat e tillë.
Personat që kanë qenë apo janë viktima të bullizmit rrezikojnë të shfaqin stres kronik, ankth të lartë, mendime pesimiste dhe irracionale, të qëndrojnë vetëm, të ndihen të shqetësuar në mënyrë të vazhdueshme dhe të shfaqin vetëbesim të ulët. Gjithashtu përballen edhe me simptoma psiko-somatike si: dhimbje koke, stomaku, mungesë oreksi, urinim i pavullnetshëm. Ndihen vazhdimisht të frikësuar, të pasigurt dhe mendojnë se diçka nuk shkon me ta, e nuk janë si të tjerët. Ka raste që arrijnë deri aty sa të fajësojnë veten për atë që ndodh. Personat që bullizohen nga turpi dhe frika që kanë nuk flasin për këtë gjendje, por tentojnë të tërhiqen sepse e shohin veten të dobët dhe mendojnë se nuk i kupton askush.
Personat që priren të bëjnë bullizëm e mbajnë veten për më të fortë, por në realitet është e kundërta. Personat e tillë janë të pakënaqur me veten, e për t’u treguar të tjerëve se ata dominojnë e mendojnë këtë mënyrë si të vetmen rrugë. Ia mbushin mendjen vetes se dhuna, tallja, lëndimi, fyerja, përqeshja… janë të vetmet sjellje që i ndihmojnë për të arritur atë që duan. Nëse kemi të bëjmë me fëmijët, përgjegjësia bie mbi prindërit, sepse është detyrë e tyre t’i këshillojnë e t’i korrigjojnë nga kjo sjellje. Për fat të keq, ka raste që prindërit heshtin ose e arsyetojnë si vetëmbrojtje e fëmijëve ose arritje dhe sukses saqë nuk i shqetëson fare kjo sjellje duke mos marrë parasysh pasojat që mbart dhe shfaq më vonë.
Kur kemi të bëjmë me të rritur, kjo ndodh nga mungesa e tërheqjes së vëmendjes dhe nga mbështetja që merr nga të tjerët. Mjerisht, shpesh krijohen grupe apo mini-grupe dhe bëjnë me gisht drejt viktimës apo grupit në tërësi. Ia mbushin mendjen vetes se ai ose ata janë më të fortë, më të aftë e më të zotët e të tjerët i shohin poshtë tyre.
Me një fjalë, bullizmi shfaqet e merr hov nga mungesa e empatisë dhe ndjeshmërisë që personi ka si ndaj vetes ashtu edhe ndaj tjetrit. “Ji i kujdesshëm, biro, në të gjitha veprat e tua dhe i mençur në të gjitha fjalët e tua dhe mos i bëj askujt atë çka s`dëshiron të të bëhet ty” ( Tob 4, 14-15, “Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!” (Lk 6, 31) Po t’i kujtonim më shpesh këto porosi, secili nga ne dhe vetë shoqëria jonë do të ishte krejt ndryshe. Nuk do të kishte vend për dhunë, poshtërim, fyerje e termi bullizëm do të mbetej vetëm në letër. Por nga mungesa e gjithë kësaj, ai sot zë një hapësirë të madhe në shoqërinë tonë, e nuk kalon ditë që fëmijë e të rritur të mos ndeshen me këtë fenomen,
Mos harroni dhe kujtojeni çdo herë: ne ndoshta nuk jemi ata\ato që ushtrojmë bullizëm në mënyrë të drejtpërdrejtë, por me forma të ndryshme mund të jemi mbështetës të këtij fenomeni. E duhet pyetur veten: Sa ndikoj unë për të ndaluar këtë sjellje? A mos jam mbështetës me heshtje dhe me mosngritje të zërit përballë këtij fenomeni? Mos ndoshta luaj rolin e spektatorit në këto raste??? Këto forma shpesh mund të bëhen elemente të forta që ndikojnë tek sjellja e personit që merret me bullizëm. Por, sikur secili të mësojë se si ta ndalojë atë sa herë që shfaqet, atëherë bullizmi nuk do të ndodhë. Bullistët duhet të dinë dhe të kuptojnë që askush nuk e toleron dhunën, fyerjen, përqeshjen… dhe askush nuk duhet ta mbështesë këtë fenomen.
Mos lejoni, mos u bëni të shurdhër, të verbër dhe të pagojë përballë këtij fenomeni. Por jini zëri që i thotë “stop” çdo gjëje që lëndon qenien njerëzore, personin.
“Askush nuk mund t’u bëjë të ndiheni inferior, nëse ju nuk e lejoni. Gjithmonë kujtoni se jo vetëm që keni të drejtë të jeni një individ, por e keni për detyrë të jeni i tillë.” (Eleanor Roosevelt)/drita.info
REFERENCA
Ken Rigby, New Perspectives on Bulling, Jessica Kingsley Publishrs , Unitet Kingdom 2002.
Anita Woolfolk, Psikologji Edukimi, Qendra për Arsim Demokratik, Tiranë 2011.
Klodiana Thartori, Rezarta Gjalpi, MANUAL Mbrojtja e fëmijëve nga abuzimi për Fëmijë Qendra “Fëmijët Sot” ,Tiranë 2016.