Nga M. Franciska (Suzana) Lekaj
Në psikologji motivimi trajtohet si një çështje mjaft e rëndësishme, qё kryen njё rol tё rёndёsishёm nё formimin e individit, pasi ai e ndihmon atё jo vetëm gjatë periudhёs edukative dhe arsimore, por në të gjitha etapat e jetës sё tij. Motivimi është një forcë e brendshme e qenies njerëzore dhe e domosdoshme pёr evoluimin dhe integrimin e saj nё shoqёri, si edhe nё tejkalimin e sfidave dhe vёshtirёsive me tё cilat do t’i duhet tё pёrballet gjatё gjithё jetёs.
Gjatë rrugëtimit të jetës sonё, fatmirësisht, takojmë njerëz interesant dhe të motivuar, siç ndodh gjithashtu të takojmë njerëz të pamotivuar, të mërzitur, pak entuziastё, dhe pa qëllime të qarta për jetën e tyre. Në këtë grup njerëzish mjerisht qёllon qё tё bëjnë pjesë edhe figura qendrore familjare apo të shoqёrisё sonë, të cilat duhet të jenë model motivimi, siç janë prindërit, edukatorët, mësuesit, pedagogët, shefat, udhëheqësit shpirtëror, etj, pёr arsyen e thjeshtё se ata nuk e kanё ushqyer brenda vetes sё tyre forcën e motivimit, por kanë rёnё pre e rutinës sё pёrditshme, e aktivitetet e tyre kryesore reduktohen në të dalurit për një kafe me shoqёrinё, të humburit kohё me telefonata ose nё internet, nё të bërit gjëra sipërfaqësore duke u marrё me thashetheme edhe atëherё kur punojnё, e bёjnё thjeshtё sa për tё punuar, dhe jo pse ndjejnë kënaqësi. Ata mjaftohen tё ndjehen pjesё e turmës duke u justifikuar se të gjithë veprojnë kështu, dhe se nuk ia vlen të bësh asgjë ndryshe, me një fjalë kanë frikë të jenë apo të bëjnë e të veprojnë ndryshe nga e zakonshmja e tyre.
Njeriu mund të japë vetëm atë që ka apo zotëron, ndaj lind pyetja se nëse këta persona nuk ushqehen me motivim dhe me vetmotivim, sa do të jenë të motivuar ata individё që jetojnë, punojnë, dhe bashkëveprojnë me ta? Nga mund ta marrin këtë forcë? Sigurisht, që duhet tё kemi njё vetëdije tё lartё mbi motivimin, por nëse unë, ti, ne, nuk dimë ta motivojmë veten tonё, nuk do kemi qëllime të qarta dhe nuk do dimë se çfarё duam. Askush dhe asgjë tjetёr nuk mund të na motivojё. Mirёpo ndodh qё nё vend se ta kёrkojmё dhe ta ushqejmë brenda vetes sonë, gabimisht e kёrkojmё motivimin nё sende që në mënyrë indirekte janë demotivuese.
Të rinjtë e sotshëm, nesër do jenë të rritur e do presin shpërblime për çdo gjë, madje shpërblime të kushtueshme, e nëse nuk i marrin ato do ndihen të shpёrfillur, tё pavlerësuar dhe tё pamotivuar. Si rrjedhojё, tё nxitur nga ndjenja nёnvlerёsimi dhe zhgёnjimi kёta tё rinj do të heqin dorë nga pёrpjekjet e tyre pёr tё arritur objektiva tё caktuara, dhe do t’i thonë vetes sё tyre se nuk munden, nuk dinё, dhe nuk vlejnё.
Nganjëherë, edhepse secili prej nesh brenda vetes e ka këtë forcë, është më se e nevojshme nxitja e saj edhe nga të tjerët. Sigurisht, duke bёrё kujdes qё të mos pёsojmё efektin e kundёrt dhe tё demotivohemi nga ata persona qё ndaj nesh kanë një rol drejtues, të cilёt pretendojnë dhe kërkojnë shumë, por vetë ata bëjnë pak ose aspak:
Vaj për ju mësues të Ligjit i përgjigji Jezusi- sepse u ngarkoni njerëzve barrë që mezi mund të mbarten, ndërsa ju vet as me gisht të dorës nuk i prekni! (Lk 11, 46) Ky rresht i shkëputur nga pjesa e ungjillit të Lukës, mendoj se na ndihmon shumë për të medituar e reflektuar mbi atë se çfarë ne bëjmë dhe çka kërkojmё nga të tjerët.
Pa motivim njeriut gjithçka do i duket e vështirë, e paarritshme, madje edhe gjërat më të lehta do i duken të pamundura. Pra, secili prej nesh duhet që të dijë ta motivojë veten e tij dhe po ashtu edhe tjetrin, në çdo kohё dhe situatё. Sigurisht, duhet të kuptojmë se nuk ka kohë dhe moshë të kufizuar për t’u motivuar, dhe se pa një forcë tё tillё njeriu nuk mund të bëjë dot asgjë tё frytshme.
Pjesëmarrja nëpër seminare, aktivitete të ndryshme argëtimi, shpërblimet, ambienti, rrethanat, tjetri, miqtë, mendohet se ndikojnë në motivim. Ndoshta edhe mund të ketë diçka të vërtetё, por ёshtё mё shumё e mundur të ndodhё e kundёrta dhe këto aktivitete mund të jenë nё fakt faktorё de-motivues. Ajo që duhet dhe është më e rëndësishme të dimë, është se në motivim ndikon shumë më shumë mënyra e të menduarit, sesa aktivitetet e ndryshme qё mund tё kryejmё. Kjo pёr arsyen e thjeshtё, se njeriu mund të shkojё kudo e pёr çfarёdo, por nëse nuk e ndryshon mënyrën e të menduarit ai është dhe mbetet i njëjtë.
Ndaj, të menduarit me optimizёm, me pozitivitet, dhe ndryshimi i nivelit tё nxitshmërisё, janë pika shumë të forta që ndikojnë fort në motivim. Gjithashtu, në motivim na ndihmon përqendrimi tek ajo se kush jemi, cilat janë aftësitë tona, dhe se çfarë mund të bëjmë me dhuratat që na ka dhuruar Zoti, sesa pritshmёria e lartё ndaj shpërblimeve tё jashtme dhe të prekshme.
Duhet t’i jepet rëndësi të sotmes, sepse jeta i takon të sotmes dhe është tani, kёtu. Sa më shumë që mendon për të kaluarën, të ardhmen, njeriu demoaralizohet dhe demotivohehet. Ja pse duhet të ruhet niveli optimal i nxitshmerisё, dhe të menduarit pozitiv, si edhe të jetohet në të tashmen, pasi vetëm kështu mund të arrihet tek vetmotivimi. Gjё qё është shumë e rëndësishme, sepse vetmotivimi rrjedh nga rëndësia që i japim së sotmes.
Një pikё tjetër kyçe që ndihmon në motivim është vetëvlerësimi, i cili është aftësia për t’i bërë njerëzit të ndihen mirë me veten e tyre. Sa më i fortë të jetë vetëvlerësimi dhe vetëbesimi, aq më i lehtë do të jetë motivimi, pasi individi që di ta vlerёsojё veten e tij nuk pret nga askush, qё ta vlerësojё për atë që është dhe pёr atë që bën. I thotë vetes se unë vlej, edhe kur tё tjerёt nuk e përkrahin, nuk e nxisin, nuk e motivojnë. Ai i thotё vetes sё tij se jam ky që jam, me pasurinё dhe dobësinë time. Ja pse shpërblimet e sidomos ato të prekshmet, tё jashtmet, mund ta dëmtojnë motivimin dhe ta limitojnë krijimtarinë tonё.
Pikat e tjera të forta për motivim janë pavarësia dhe liria. Individi duhet të ndihet i lirë dhe i pavarur në atë që i besohet dhe i kërkohet, e jo t’i imponohen mënyra veprimi, sepse kjo nuk e ndihmon atё për të vepruar siç duhet. Mund të ndodhë të hasim njerëz të tillë, arrogantё, që të imponohen për të vepruar sipas mënyrës që ata mendojnё, por në këto situata e rrethana automatikisht motivimi bie dukshëm, dhe nё kёto raste gjërat bëhen thjesht sa për t’u kryer e për tё evituar çdo kontakt tё mёtejshёm me kёta njerёz.
Gjithashtu një pikë tjetër motivuese është përkatësia, që konsiderohet si shkalla më e lartё e motivimit. Kur nuk ndjehemi pjesё e komunitetit, institucionit, apo shtetit tё cilit i pёrkasim, atёherё tek neve nuk ka motivim, por nёse fillojmё tё ndjehemi pjesё e gjithçkaje qё na rrethon dhe sё cilёs i pёrkasim, aq sa na duket sikur tё jetё e jona, atёherё motivimi brenda nesh rritet nё njё shkallё tё lartё, e po ashtu edhe vёmendja dhe kujdesi ynё.
Motivimi është një parim themelor në sjelljen e qenieve njerëzore. Ai e nxit individin të veprojё më shumё, e të shqetësohet më pak. Pa motivim nuk mund të veprohet. Mirёpo të jesh i motivuar nuk dotë thotë të bësh diçka të jashtëzakonshme, por dotë thotë t’i kryesh detyrat e përditshme me përgjegjësi, korrektësi, dhe respekt. Këtë mund ta bëjë vetëm ai individ që ka një vetëvlerësim real mbi veten e tij. Pikërisht, për këtë arsye motivimi lidhet shumë me vetëvlerësimin, pasi duke pasur njё vetëvlerësim tё lartё arrin të kesh edhe vetëmotivim,e kjo ndikon në mirëqenien e individit. Me një fjalë, motivimi ndodh atёherё kur njerëzit ndihen të lirë për të vepruar, tё nxitur për të shprehur krijimtarinё tyre, dhe nuk ndjehen tё kushtëzuar. Gjithçka kryhet me njё ndёrgjegjёsim tё plotё, dhe duke e pranuar faktin se secili prej nesh jeton, punon, angazhohet, sipas mënyrës dhe aftësive tё tij.
Motivimi është pasuri e brendshme e njeriut, por kërkon angazhim sepse të nxit për krijimtari dhe fantazi, veçanёrisht motivimi i brendshëm ka rëndësi të madhe për të gjitha aktivitetet. Gjithashtu, edhe shpërblimet jo të prekshme janë më efektive dhe më të qëndrueshme. Një fjalë e mirë, një lavdërim, mirënjohje, falënderim, vlerësim, janë shpërblime të mrekullueshme që e ngrenë lart moralin, motivimin, dhe përmirësojnë performancën. Përgjithësisht, janё fjalёt inkurajuese qё mungojnë në fjalorin tonë. Nё fakt ato janë shpërblime emocionale që nuk kërkojnë harxhime nё vlera monetare, por qё sjellin përfitime të mëdha morale dhe emocionale, e si tё tilla mbesin gjatë dhe nguliten shumë më thellë në mendjen dhe zemrën e njeriut, dhe e bëjnë atё që të ndihet mirё.
Motivimi, konsiderohet forca që e nxit dhe e orienton sjelljen tonё, si edhe faktori që përcakton intensitetitn dhe qëndrueshmërinë tonё drejt një qëllimi të caktuar. Disa studiues motivimin e krahasojnë me benzinën, ku ashtu sikur makina që nuk mund të lëvizё pa benzinë, po ashtu edhe njeriu nuk mund të veprojё pa motivim. Por ndryshe nga benzina, që mund të vëzhgohet drejtpërdrejt, motivimi reflektohet nga sjellja dhe qëndrimet e individit.
Natyrisht, ёshtё normale që gjatë jetës sё tij, secilit nga neve mund t’i ndodhë të ndjehet i pamotivuar, të ndeshet me shumë gjëra të pakëndshme dhe të padëshirueshme, të padrejta, apo të përballet me persona që e de-motivojnë aq sa të bjerё në dëshpërim e demoralizim, dhe të ndjejë një mungesë tё theksuar motivimi. Nё kёtё rast, e rëndësishme është që të mos lejojmë të na humbasё motivimi, por të mundohemi gjithmonë të bëjmë ato gjëra që kanë kuptim dhe që na ndihmojnë të ndihemi mirë.
Të mos fokusohemi vetëm tek ato gjëra që paguhen apo që na mundёsojnё shpërblime, por të bëjmë edhe diçka vullnetarisht sepse këtu shihet, vlerësohet, testohet, sesa dimë dhe sa jemi të aftë për ta motivuar veten tonё. Nëse njeriu pret dhe ndihet i motivuar vetëm nga jashtë, ai shumë shpejt do lodhet me veten dhe të tjerët.
Personat e motivuar nuk interesohen vetëm për rezultatet, por më shumë për procesin nё vetvete. Ata janë persona të organizuar mirё, e kjo jo vetëm nga kontrolli që u bëhet apo nga paga dhe shpërblimi që u ofrohet, por sepse ata e dinë pse punojnë dhe veprojnë. Po ashtu, ata janё tё aftё tё veprojnë, punojnë, dhe tё angazhohen me pёrgjegjёsi dhe cilёsi si nё mёnyrё autonome, ashtu edhe nё varёsi apo nё grup, sepse nuk duan dhe nuk dinë të veprojnë ndryshe. Ata nuk presin duartrokitje, dhurata, shpërblime, po ashtu as nuk mundohen t’i motivojnë të tjerët duke u treguar sesa shumë punojnë, por mundohen t’i motivojnë ata me shembullin e tyre. Janë të përkushtuar, këmbëngulës, dhe të qëndrueshëm.
Të jesh i motivuar, do të thotë të bësh diçka edhe kur nuk je i detyruar ta bësh atё, dhe se nuk e bën sa për sy e faqe, por e bën sepse ndjehesh mirë dhe se ndjen kënaqësi.Tё tillё individё tё motivuar dhe produktiv nё shoqёrinё tonё nuk mungojnё, por nuk vlerёsohen ashtu siç duhet, ndaj duhen pёrkrahur, mbёshtetur, dhe vlerёsuar, pasi janё tё rёndёsishёm nё mbarёvajtjen dhe ecurinё e brezave dhe tё mbarё zhvillimit tonё social-ekonomik.
Motivimi është shoqëruesi ynë i pandashёm në të gjitha situatat e këndshme dhe të pakëndshme. Është fuqia themelore për t’u rritur emocionalisht dhe profesionalisht, ёshtë motori i veprimeve tona. Ai ёshtë forcё, shtysё, një proces mё vete, qё nuk lind nga hiçi, por duhet kёrkuar, edukuar dhe nxitur sistematikisht brenda nesh. Motivimi nuk mund tё nxitet veç me shpërblime dhe me dhurata, pasi do ishte thjesht një formё manipulimi ndaj individit, por është prirje e natyrshme për të kërkuar e për të mposhtur sfidat që na ofron jeta, nёpёrmjet tё cilit kёnaqim interesat vetjake dhe ushtrojmë aftësitë tona. Motivimi tё mundëson të veprosh për t’u ndjerë mirë me veten dhe tjetrin, jo për tё përfituar shpërblime e dekorata.
Mungesa e motivimit e bёn individin tё paqëndrueshëm emocionalisht dhe profesionalisht. Shkalla e lartё e motivimit ndikon shumë në qëndrueshmërinёe tij, sa më i motivuar të jetë individi, aq më i qëndrueshëm dhe mё i besueshёm do të jetë.
Mundohuni që gjithmonë të gjeni motivim për të jetuar, punuar pa u lodhur, për të kryer detyrat dhe pёr tё mbajtur denjёsisht përgjegjësitё tuaja gjatë gjithë jetёs. Për kёdo që takoni gjatё rrugёtimit tuaj nё jetё, mundohuni të jeni burim dhe frymëzim motivimi, me qëndrimet tuaja, me fjalë dhe me sjellje, me dije e me vepra. Nga pikëpamja humaniste të motivosh do të thotë të nxitësh burimet e brendshme të njerëzve, sensin e tyre të brendshëm për respekt ndaj vetes sё tyre, pёr autonomi, vetërealizim dhe zotësi./drita.info
——————-
Referenca
Anita Woolfolk, Psikologji Edukimi, Qendra për Arsim Demokratik, Tiranë, 2011.
Terry F. Pettijohn, Psikologji e përgjithshme, LILO, Tiranë, 1969.
Mijo Nikić, Očima Psihologa Teologa, Zaklada biskupa Josip Lang, Zagreb, 2015.
Bran Tracy, Motivation, Amacom , New York, 2013.