SINQERITETI – PASQYRA E SHPIRTIT

Nga M.Franciska(Suzana) Lekaj

 

Të shkruash dhe të flasësh për rёndёsinё dhe vlerën e sinqeritetit, nuk është aspak e thjeshtë, sot madje, pёr çudi, do tё thoja ёshtё paksa e komplikuar. Kjo gjё ndodh, sepse po jetojmё në një shoqëri në të cilën vlerat morale dhe etike, nuk kanë mё vendin dhe peshën qё u takon. Ja pse nё mesin e kёtyre vlerave, do ndalem veçanërisht tek sinqeriteti, një vlerë e cila duket e tejkaluar, e humbur dhe e harruar, e megjithatё shpesh mund të na ketë  rastisur të dëgjojmё njerëz të cilët ia njohin vetes këtë veti tё mirё, dhe tё mburren me të.

Kёshtu, nё pёrditshmёrinё tonё, dёgjojmё dhe pёrdorim shpesh, pa i dhёnё rёndёsinё e duhur, disa shprehje si; “unë jam i  drejtëpërdrejtё, i them gjërat troç, të tjerëve ua them gjërat në sy”, etj. Gjithashtu, ndodh që  në emër të sinqeritetit marrim guximin t’i gjykojmë tё tjerёt, të bёjmё thashetheme, të shpifim, të trillojmё, gjithnjё tё bindur se duke vepruar kështu e bёjmё tё shtyrё nga ‘sinqeriteti’ ynё.

Ja pse, mё duket me vend tё citoj një thёnie tё shkrimtarit, Gabriel Gracia Marquez, i cili shkruan: “Nuk duhet t’i themi të gjitha ato që mendojmë, por sigurisht që duhen menduar të gjitha ato që i  themi.” Po ashtu, edhe libri i fjalëve të urta thotë: “Kush e ruan gojёn e vet, ruan jeten e vet, kurse kush flet pa u matur, birret.”(Fu 13, 3) A mundet qё këto dy thёnie, të shkëputura nga dy libra të ndryshëm, të na ndihmojnë për të kuptuar se gjërat që i themi kanë të bëjnë gjithmonë  me vlerën e sinqeritetit? Sigurisht qё jo! Ato më shumë sesa me vlerën e sinqeritetit, kanë të bëjnë me një mungesё të vetëpërmbajtjes, tё vetëkontrollit, ngutjes, mungesës së pjekurisё dhe urtёsisё.

Njeriu i sinqertё, i cili di ta vlerёsojё sinqeritetin, flet dhe vepron me urtёsi, thjeshtësi, nuk e ngre zërin dhe mbi të gjitha, mendon para se ta nxjerrё fjalën nga goja. Ky është një mësim, një rregull i mirё pёr t’u respektuar dhe zbatuar, sa herё marrim guximin t’i drejtohemi tjetrit pёr njё arsye, apo pёr njё tjetёr. Në radhë të parё, të mendojmё, të ndjejmё, pastaj dhe ta vlerësojmё atë që do themi, e jo të flasim pa menduar. Është mëse e kuptueshme, se kur flasim pa menduar, shumë lehtë mund ta lëndojmё tjetrin. Qëllimi i sinqeriteti nuk është ta lëndosh dhe ta përulësh tjetrin, por ta ndihmosh që ai të shohë me sytё e tij,  dhe pse jo edhe në mënyrë figurative, të shohë me sytë e zemrës.

Pra, duhet ta ngulisim mirё në mendje dhe në zemër, se çfarëdo që do të themi pa u menduar, pa reflektuar, duke pёrdorur njё fjalor që përmban fjalë fyese dhe që e përulin tjetrin, nuk ka të bëjë fare me sinqeritetin.Të nxjerrësh nga goja gjithçka që të vjen në mendje, është shenjë e mungesës së edukatёs dhe tё vetëpërmbajtjes. Të flasim pa u vetëpërmbajtur ёshtë shumë e thjeshtë, se jemi të lirë dhe këtë mund ta bëjë kushdo, edhe pa u shqetёsuar pёr pasojat, por ama duhet tё jetё e qartё se ёshtё njё sjellje e gabuar dhe e papёrgjegjshme.

Gjatё rritjes dhe formimit tonё si individё dhe si pjesё tё njё shoqёrie nё tё cilёn identifikohemi, kemi mёsuar se nuk duhet të themi gjithçka që na vjen në mendje apo të bëjmë gjithçka që duam, pa pёrfillur dhe respektuar identitetin, karakterin, ndjeshmёrinё morale dhe etike tё tjetrit. Të jesh i sinqertё, nuk do tё thotë vetёm të thuash atë që mendon, por kjo vlerё tek neve duhet reflektuar si në sjellje, ashtu edhe nё qëndrimin tonё, sepse nëse jemi të sinqertë brenda vetes sonё, ajo reflektohet dhe  jashtë nesh.

Për ta kuptuarmë mirё dhe më qartë një gjë tё tillё, le të lexojmё një pjesë të shkëputur nga ungjilli i Gjonit, ku bëhet fjalë për takimine Jezusit dhe Natanaelit. Qysh në fillim vërejmё se Natanaeli nuk flet as edhe një fjalë, nuk shpreh as një mendim, por thuhet:“Kur Jezusi e pa Natanaelin duke u afruar, tha për të : Qe një izraelas të vërtet në të cilin nuk ka dredhi !”(Gjn 1,47). Sigurish qё ky episod i shkurtër i ungjillit, na ndihmon për të kuptuar, dhe pёr t’u bindur mё mirё se nuk janë vetёm fjalët, ato që shprehin vlerën e sinqeritetit, por edhe ajo që e nxiti Jezusin t’ia bëjë këtë vlerësim atij, është sjellja e ndershme, e sinqertё, e çiltёr dhe konkrete e tij (Natanaelit), dhe aftësia e Jezusit për të parё e njohur brendësinё, zemrёn që është pjesa më e thellё dhe më e ndjeshme e njeriut. “Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sespe ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.” (Gjn 2, 25).

Sinqeriteti qëndron në brendësinё, në shpirtin, dhe nё zemrën e personit, dhe jo vetëm tek fjalët e tij. Psalmist thotë: Me gojë bekojnë e me zemër mallkojnë. (Ps 62, 5 b) Jo, ska çiltëri në gojёn e tyre, humnerё është zemra e tyre, gurmazi i tyre varr i hapur e  me gjuhë përkëdhelin ( Ps 5,10)  Pra, jo gjithmonë fjalët thonë të vërtetën. Për këtë arsye sinqeriteti është vlerë që reflektohet jo vetëm nga ajo që themi, por edhe nga sytë, sjelljet dhe qëndrimet e individit. Shtiracak! Bukur parafoli për ju Isaia, kur tha : “Ky popull më nderon me buzë e zemra e tij është larg meje. Nderimi që ma japin është i kotë sespe si mësim të Zotit mësojnё urdhëra të qitur prej njerëzve.”(Mt 15, 7-9).

Pikёrisht, për këtë arsye Jezusi, një kategori të njerëzve i quajti hipokritё, farizej, shtiracakё, sepse sinqeriteti i tyre ishte vetëm në buzë dhe jo në zemër. Gjithashtu, i këshillon të tjerët që të ruhen nga kjo kategori njerëzish, duke thënë:“Hapni sytë dhe ruajuni prej tharmit të farizenjëve e të saducenjëve!” (Mt 16, 6) Fjalën e kishte që të ruhen prej mësimit të tyre.(Krh. Mt 16, 12)  Sepse ata u japin rëndësi gjërave të jashtme. Pra, kjo  katagori njerëzish dyfytyrёshe, i neveritej edhe Jezusit, sepse këta lloj njerëzish  ndryshe mendojnё, ndryshe flasin,  dhe ndryshe veprojnё, vetëm për të arritur qëllimet e tyre personale dhe për të qenë pjesë e turmës. Mjerisht edhe sot, kemi shumë të tillё dhe i takojmё kudo, duke filluar nga rrethi i ngushtё familjar, tek ai shoqёror e më tej.

Por siç u tha, sinqeriteti kërkon veprim konkret e jo vetëm fjalë të mëdha, dhe që nuk përkojnë me atë që jetohet. Zoti do sinqeritetin e zemrёs, dhe jovetëm fjalë goje, sepse ajo çfarë themi ka peshё vetëm nëse është në harmoni dhe sintoni me brendësinё, sjelljen, dhe qëndrimet tona, përndryshe nuk përçon asnjë lloj mesazhi. Me një fjalë, njeriu i sinqertё është ai i cili si në të folur, ashtu edhe në të vepruar, shpreh ndershmërinё, të vërtetën dhe çiltërsinё e tij.

Padiskutim, sinqeriteti ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga vlerat që urojmё ta gjejmё tek njerëzit me të cilët jetojmë, punojmë, e sidomos tek ata që i duam. Një vlerë qё sot është gjithnjë më e vështirё për ta gjetur tek tjetri, duke filluar që ngarrethi familjar, deri tek ai institucional dhe shoqëror. Me keqardhje, por duhet thënë se sot pёrpara shoqërisё, shtetit, institucioneve të ndryshme je “në rregull”,“je dikushi”qё vlen dhe vlerësohesh, kryesisht, vetëm nëse je mashtrues, hipokrit, farize, servil, shtiracak, intrigues, manipulues, viktimizues…etj sepse këto anё tё shёmtuara tё karakterit nё shoqёrinё tonё, paradoksalisht janë pothuajse shndёrruar nё vlera e virtyte, aq sa po nuk u veshe me to, konsiderohesh askushi, apo duke shkuar mё tej të quajnё tё pagdhendur, naiv, tё paditur, injorant, tё paaftё, debil… etj.

Çka dёshmon trishtueshëm njё situatё dramatike tё pёrmbysjes sё atyre qё deri dje i kemi mbrojtur si vlera dhe virtyte, dhe qё sot na serviren si antivlera. Njё gjё e tillё ndodh, kur njeriu harron se kush ёshtё, harron se ka shpirt, dhe harron se për çfarë është krijuar. Lind kёshtu, njё domosdoshmёri jetike e kthimit tё vёmendjes ndaj vlerava tё vyera dhe tё vёrteta, qё e kanё karakterizuar njeriun dhe qenien e tij gjatё gjithё evoluimit dhe transformimit tё tij nё shekuj, mes tё cilave si njё gur i çmuar themeltar, qёndron sinqeriteti.

Rёndomё, kur është nevoja për të lënë njё pёrshtypje tё mirё tek tjetri, apo për të arritur diku dhe pёr tё pёrfituar diçka, secili nga ne flet me pompozitet për ndershmërinё, respektin, empatinё, kulturёn, mirënjohjen, sinqeritetin, drejtësinё, si pёr vlera të rëndësishme qё duhet t’i mbartё çdo individ si pjesё e kësaj shoqërie, por që praktikisht vihet re se ndodh krejtësisht e kundërta, madje po me aq lehtёsi harrohet se të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me vlerën e sinqeritetit. Nëse mungon sinqeriteti, mungojnë edhe vlerat e tjera.”Zotit i iriten buzët rrenacake, kurse i pëlqejn ata që flasin të vëretetën.” (Fu 12,22). “Buza që flet të vërtetën, qëndron përgjithmonë, kurse gjuha që rren vetëm për pak kohë.” (Fu 12, 19). Kёshtu, duhet kuptuar se çdo gjë që thuhet, vetëm për t’u thënё dhe për t’u dukur është e pavlerë, e thatë dhe pa fryt.

A mund të them, se jam i sinqertё nëse shfaq mangësi, varfëri, përballë ndershmërisё, respektit, empatisё, mirënjohjes, drejtësisё, çiltërsisё? Sigurisht qё jo, gjё qё lë për të dëshiruar! Të jesh i sinqertё, do të thotë të jesh i ndershëm, të kesh kulturё të bashkёndjesh me tjetrin dhe për tjetrin, të jesh mirënjohës, të jesh i drejtё, i mëshirshëm, të kesh respekt, dhe të jesh i vёrtetё. Të jesh i sinqertё, do tё thotё tё jesh fisnik, dhe jo i pacipё, do të thotë të jesh person i pastër, që nuk njeh dhe nuk i përdor mashtrimin, falsitetin, thashethemen, dredhinё, intrigat. Të jesh i sinqertё, do të thotë se nuk lufton për interesa dhe arritje personale, duke e përulur dhe shtypur tjetrin, porse je vetvetja me të mirat dhe tё metat e tua.

Të jesh i sinqertё, do të thotë të jesh i vёrtetё dhe t’ia  thuash të vërtetën  si vetes, e po ashtu edhe tjetrit, sa kjo të përkojё me gjithë qenien tënde.“Prandaj flakni rrenën dhe secili le t”ithotë të vërteten të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrët e njëri tjetrit.” ( Ef 4,25). Ky rresht i shkëputur nga letra e  Shën Palit, drejtuar Efezianeve, na fton që t’i heqim maskat, e të  rrimё sa më larg hipokrizisё, farezeizmit, servilizmit, mashtrimit, intrigave, dhe viktimizimit, dhe të jemi të sinqertё ndaj vetes dhe tjetrit, çka duhet bёrё me guxim, ndërgjegje të pastёr dhe tё formuar, dhe jo me sjellje dhe qendrime fasadё. Pra, ёshtë mëse e qartë se të jesh i sinqertё nuk është diçka që mësohet dhe arrihet brenda një dite, por është një proces që fillon në fëmijëri, e duhet të vazhdojё derisa të kemi jetë. Sinqeriteti na bën qё të jemi vetvetja, për atë çfarë ndjejmë, mendojmё, dhe provojmё, duke bërё kёshtu qё të kemi një lidhje tё ngushtё mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme, në mënyre krejtёsisht autentike.

Tё qenit tё vёrtetё, pa ngurrim mund të themi se gjithnjё e sidomos sot, nuk është aspak i lehtë. Nё fakt, të qenurit i sinqertё, jo vetёm është, por edhe bёhet shumё i lodhshёm dhe i kushtushёm, sespe jetojmë në një shoqëri, në të cilёn maskimi dhe mashtrimi është bërë stil jete, dhe shfaqet me forma dhe mënyra nga më të ndryshmet. Gënjeshtrat, mashtrimet, intrigat, pothuajse kanë zënë vendin e vlerave, aq sashpesh dhe me tё drejtё na lind pyetja nёse ia vlen të jesh kaq i sinqertё nё njё shoqёri, ku mbizotёrojnё veset dhe hipokrizia!

Asgjё nuk duhet të na pengojё, që të mos jemi të sinqertë, dhe pёr ta bёrё kёtё gjё duhet tё jemi tё vetëdijshёm se maskimet nga njёra anё, nuk janё zgjedhja e duhur pёr t’u bёrё pjesё e shoqёrisё dhe pёr t’u pranuar prej saj, dhe nga ana tjetёr, shumë lehtë ato mund tё shkaktojnë tek neve një çrregullim tё brendshëm emotiv dhe tё personalitetit, tё tillё sa mos të dimё mё se kush jemi dhe se çfarё duam.

Vlera e sinqeritetit ështe pjesë e dashurisё, dhe pa tё nuk mund të imagjinohet asnjë marrëdhënie njerёzore, sepse aty ku mungon dashuria dhe sinqeriteti, mungon gjithçka. Aty ku mungon sinqeriteti, prishet çdo marëdhënie familjare, dashurore dhe shoqёrore, e si pasojё nuk do të ketë as përparim, as paqe.

Pavarёsisht kësaj, si në aspektin individual dhe atë shoqëror, me këmbёngulje duhet të angazhohemi qё ta kultivojmё dhe ta ruajmё vlerën e sinqeritetit, nё mёnyrё qё jo vetёm të pёrpiqemi, por dhe t’ia dalim qё tё jemi të sinqertё dhe autentikё nё çdo aspekt dhe moment tё jetёs sonё. Sot, më shumë se asnjëherë tjetër, kemi shumё nevojё për sinqeritetin, aq mё tepёr nëse duam ta ndërtojmё sa mё mirё veten dhe shoqërinё tonё, ndaj nuk duhet ta evitojmё apo shmangim atё, sepse ai është themeli i jetës sonё shpirtërore./drita.info

 

Referenca

Anselm Grün, Il libero delle risposte, Edizioni San Paolo, Milano, 2008.

Chiara Amirante, La guarigione del cuore, PIEMME, Milano, 2019.

Shpëndaje: