Bekimi i shtëpive dhe i familjeve

Nga Don Agim Qerkini

 

Një nga aktivitetet e rëndësishme pastorale të Kishës është edhe bekimi i shtëpive dhe familjeve. Këto vizita baritore, mbi të gjitha kanë për qëllim të na forcojnë lidhjen tonë me Zotin, i cili është bekim dhe na bekon.

Pa marrë parasysh rrethanat dhe hapësirën territoriale që e mbulon një Ipeshkvi apo Famulli, meshtarët mundohen të arrijmë në secilën familje, që së bashku me besimtarët e tyre, pleq, të pjekur, familje, të rinj e fëmijë, e lëvdojmë Zotin dhe i kërkojmë ndihmën dhe bekimin e tij. “Hir, mëshirë dhe paqe prej Hyjit Atë, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë” (Ef 1, 2).

 

Bekimi dhe përvoja e krishterë

Shpesh kemi raste kur besimtarët kërkojnë bekime, qoftë për fëmijë apo për të sëmurë, lutje e bekime për nevoja të tyre, bekimin e gjësendeve të natyrave të ndryshme: bekimin e kryqit, qiriut, ushqimeve etj.

Çka do të thotë bekimi? Nga fjala latine bene-dicere, të thuash mirë për dikë ose për diçka, të kërkosh prej Zotit të mira. Është një lavd Zotit për të fituar ndihmë dhe mbrojtje prej tij. Shën Pali i ndërlidh dy bekimet, atë të lavdërimit të Emrit të Zotit dhe bekimin e Zotit ndaj nesh duke thënë: ”Qoftë bekuar Hyji. Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, i cili na bekoi me çdo bekim shpirtëror në qiell në Krishtin” (Ef 1, 3).

Bekimi nuk është sakrament por sakramentor. «Kisha Nënë e shenjtë i ka themeluar sakramentorët. Këto janë shenja të shenjta, një mënyrë e imitimit të sakramenteve, të cilat shprehen me lutjen e Kishës dhe arrihen efekte kryesisht shpirtërore. Me anë të tyre njerëzit përgatiten për të marrë efektin kryesor të sakramenteve dhe shenjtërohen rrethanat e ndryshme të jetës» (KKK 1667).

Pra, për ta kuptuar më mirë dallimin në mes sakramenteve dhe sakramentorëve na ndihmon Katekizmi i Kishës Katolike ku thuhet: Sakramentor quhen shenjat e shenjta të themeluara nga Kisha, qëllimi i të cilave është t’i përgatitin njerëzit për të marrë frytin e sakramenteve. (KKK 1677).

Ndër sakramentorët më të parat janë bekimet (e personave, të tryezës, të sendeve, të vendeve). Çdo bekim është lavdërim i Hyjit dhe lutje për të pasur dhuratat e tij. Në Krishtin, të krishterët bekohen nga Hyji Atë «me çdo bekim shpirtëror» (Ef 1, 3). Prandaj Kisha e jep bekimin duke thirrur emrin e Hyjit dhe duke bërë normalisht shenjën e shenjtërueshme të kryqit të Krishtit (1671).

Zakonisht bekimet janë të përcjella përherë me lutje, lexim të ndonjë pjese nga Fjala e Zotit, gjeste, siç është shtrirja e duarve, shenja e Kryqit dhe spërkatja me ujë te bekuar.

Në Ungjill lexojmë se si Jezusi i bekon fëmijët: “Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta” (Mk 10, 16), pastaj ushqimet: “I mori pesë bukët e dy peshqit, i çoi sytë kah qielli, i bekoi, i ndau dhe ua dha nxënësve, kurse nxënësit turmës” (Mt 14, 19).

Gjatë historisë së Kishës janë zhvilluar rite e formula bekimesh edhe atë që nga shekulli i parë, si në liturgji, ashtu edhe jashtë saj, përherë të përcjella me shenjën e Kryqit.

Pra, formula e bekimit mbi të gjitha shpreh falënderimin tonë Zotit për të gjitha të mirat që na jep, por edhe lutje që të na ndihmoj dhe të na mbroj nga çdo e keqe.

Në këtë kontekst, edhe para Krishtit, njerëzit janë përpjekur që përmes shenjave dhe shprehjeve të ndryshme t’i mbajnë larg shpirtrat e këqij. Ndërsa, në botën tonë të krishterë bekimi ka edhe kuptimin e një marrëdhënieje të veçantë me Zotin.

Përveç njerëzve, bekohen objekte, vende, fusha, kafshë, mjete të punës etj. Kjo e shpreh kujdesin e Hyjit për tërësinë e jetës njerëzore, i cili, përmes Kishës vazhdon veprën e shëlbimit.

 

Kur bëhet bekimi i shtëpive dhe familjeve?

Në traditat dhe kulturat e popujve të ndryshëm, dallon edhe koha apo sezoni dhe mënyra e bekimit të familjeve dhe shtëpive. Në disa vende bëhet para Pashkëve ose gjatë kohës së Pashkëve. Kjo sepse bazohen në kremtimin e Pashkëve hebreje, që ndërlidhet me qengjin e flijuar. Në librin e Daljes lexojmë: “Le të marrin prej gjakut të tij dhe le t’i lyejnë të dy shtalkat dhe ballzinat e dyerve të shtëpive, në të cilat do ta hanë qengjin (Dal 12, 7).  Kjo do të jetë shenjë dalluese që Zoti ta kursej atë shtëpi nga dënimi: “Gjaku do t’ju shërbejë si shenjë se në të cilën shtëpi jeni: unë do ta shoh gjakun dhe ju do t’ju kaloj” (Dal 12, 13). Pastaj, si kohë e përshtatshme për bekimin e shtëpive, në ritin ambrozian merret koha e Ardhjes, e cila zgjatë gjashtë javë e jo katër si në ritin romak. Kjo kohë e shenjtë përgatitë besimtarët për takim me Krishtin. Foshnjës së Betlehemit ia hapim zemrën dhe shtëpitë tona për bekim.

Në botën gjermane si dhe vende tjera skandinave, angleze etj., të ashtuquajturit “Sternsinger”, fëmijë të veshur si mbretër, në mes datës 25 dhjetor deri më 6 janar, në mënyrë të organizuar vizitojnë familjet në lagjet e tyre. Këndojnë këngë Krishtlindjesh dhe bashkë me familjet luten për një vit të mbarë.

Më pas, në dyer ose mbi to shënohen tri inicialet e tre Mbretërve, simboli i Kryqit dhe viti pasues. Numrin tre, Origjeni e ndërlidh me tri dhuratat që Mbretërit sollën para Krishtit në Betlehem, ar, kem dhe mirrë. Po ashtu flet për tre Mbretërit: Caspar, emri me prejardhje persiane, Melkior me prejardhje hebreje dhe Baltazar, emër babilonas. Tri inicialet kanë interpretime të ndryshme. Një prej tyre kryesore lidhet me shprehjen latine, dhe shënohet kështu, p.sh: C + M + B 16 – Christus mansionem benedicat – Krishti e bekoftë këtë shtëpi.

Në popullin tonë është bërë traditë që bekimi i familjeve dhe shtëpive të bëhet pas festës së Dëftimit (Tre Mbretërit – Dita e ujit të bekuar).

Mirëpo, pa marrë para sysh origjinën e këtij gjesti, apo periudhën e bekimit, një gjë është e rëndësishme: Jezusi, përmes Kishës së vet, vjen dhe na viziton për të na sjellur gëzim dhe paqe të cilën mund të na e jep vetëm Ai. Në Ungjillin e Lukës lexojmë fjalët e Krishtit që na porositë: “Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ (Lk 10, 5).

Kjo paqe e Krishtit mbretëroftë përherë në zemrat dhe familjet Tuaja!/drita.info

Shpëndaje: