Apostullati i Martirëve

 

 

Nga Don Pal Tunaj

 

Gjaku i martirëve: misioni ynë

Me hapjen e Sinodit me temën “Për një kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje dhe mision”, na bëhet e ditur kthimi në rrënjë, jeta sinodale e Kishës e cila realizohet falë komunikimit efektiv të besimit, jetës dhe angazhimit aktiv mes të gjithë anëtarëve të saj. Sinodi e përmbledh gjithë communio sanctorum që jeton në lutje, dëshmi, ushqehet nga Sakramentet, lulëzon në dashurinë për njëri-tjetrin dhe për të gjithë, rritet në pjesëmarrjen e gëzimeve dhe sprovave – në trashëgiminë e shenjtërve dhe martirëve të Kishës: Nuses së Krishtit. Sinodi kërkon që bashkësitë tona të jenë bashkësi të sfiduara nga Ungjilli, të sprovuara rëndë nga Ungjilli, ashtu sikur ishin të sprovuar dhe të sfiduar edhe martirët. Atëherë, të lejojmë që shembulli i jetës së martirëve laik, të na hap drejt një kishe sinodale, duke bashkudhëtuar sipas shembullit të tyre me fe sakrifikuese, për të rizgjuar dëshminë tonë përballë botës.

Çka ka më të shenjtë se të thurësh lavde për jetën e martirëve? Jeta e tyre është shëmbëllesa më e pastër e dëgjimit të Fjalës së Hyjit. Dëshmia e tyre është prototip i apostullatit për ungjillëzim dhe ikona e cila shfaq shkëlqimin e jetës së krishterë, sidomos në sfidat e mijëvjeçarit të tretë të krishterimit ndër shqiptar.

Shpesh herë mendohet se jeta e martirëve është e paarritshme dhe e jashtëzakonshme. Ndërsa ata ishin të thjeshtë, vinin nga familje të rëndomta të krishtera sikur të gjitha familjet tjera. Nga thjeshtësia e jetës së tyre lindi edhe madhështia e dëshmisë së fesë deri në derdhje të gjakut. Ata e vendosën jetën e tyre në përmenden e Fjalës së Hyjit, e cila lëvronte dhe mbjelltë durimin e urtisë, sikur bujku që mbjellë farën me plot durim, ata mbjellin farën e dëshmisë duke duruar çdo vuajtje dhe ndrydhje të persekutimit. Ata nuk e kthenin mbrapa kokën e tyre, as nuk u zmbrapsën (krh. Lk 9,62), por i shkuan deri në fund misionit të dëshmisë së fesë.

Ata në flinë eukaristike që është “burimi i çdo martirizimi”[1], hetuan shkëmbimin e dhurimit që shndërron jetën. Jezu Krishti në Kryq shndërron vuajtjen në hir: “me kurorën e ferrave u ka dhënë fundin ndëshkimeve të Adamit, atyre ndëshkimeve lajmërimin e të cilave kishte dëgjuar pas mëkatit: qoftë mallkuar toka për shkakun tënd: ferra dhe kallinj do të prodhojë për ty (krh. Zan 3,17-18). Me tëmth ai mblodhi në vetvete hidhërimet dhe ndëshkimet e jetës së vdekshme dhe vuajtjet e njerëzve. Me uthull mori mbi vete fajin e mbrapshtimit të njerëzve dhe u bëri atyre gati kthimin në kushte më të mira. Me purpurin simbolizoi mbretërinë, me kallamin simbolizoi dobësinë dhe shkatërrueshmërinë e pushtetit të djallit, me shuplakën shfaqi çlirimin tonë, gjithnjë duke marrë mbi vete ndëshkimet, korrigjimet dhe rrahjet që na duheshin neve. Porse nga kraharori i hapur nuk zuri fill, sikurse ndodhi me Adamin, gruaja që me mëkatin e saj prodhoi vdekjen, por gurroi burimi i jetës që gjallëron botën me dy rrekëza. Njëra na ripërtërinë me pagëzimin dhe na jep një jetë të pavdekshme. Tjetra shërben për të na ushqyer pas lindjes sonë, dhe pikërisht në tryezën hyjnore, si qumështi që ushqen dhe rrit fëmijët”[2].

Martirët me plot durim shkojnë drejt Kryqit, me po atë duresë dhe butësi që shkoj në Kryq edhe Jezu Krishti. Sa thellë dëshmohet ky dhurim përmes jetës së martirizimit të Qerim Sadikut. Në çastet e persekutimit, nuk kërkonte asgjë tjetër, pos të qëndrojë besnik ndaj Krishtit në Kalvar: “kërkoi në lutje mbështetjen për të duruar çdo vuajtje, pa përmendur atë të lënies së gruas shtatzënë e të hidhëruar dhe prindërit e vet të dashur në dhimbje të madhe. Por skena e shenjtë e Krishtit në Kalvar, i jepte fuqi për të filluar Udhën e Kryqit derisa të derdhte gjakun e vet për begatinë e Kishës në Shqipëri dhe atdheut të vet. Unë jam i vendosur. Unë jam shqiptar dhe katolik dhe këtë fakt nuk e mohoj”[3].

Njëjtë edhe në jetën e martirëve tanë laik, pasqyrohet i njëjti zell i fesë që nga mosha e njomë e jetës së tyre në figurën e Fran Mirakaj:“si i vogël u bë i rritur, i pjekur dhe i përgjegjshëm… shërbente në Meshën e shenjte”[4]. E njëjta vlen edhe për Gjelosh Lulashin që “ishte ndër nxënësit më të mirë në shkollë. I palëkundshëm në parimet e krishtera”[5]. Të kujdesshëm në familje dhe të edukuar, sepse familja është qeliza e parë e bashkësisë së krishterë, e kjo “bashkësi e të drejtëve janë bijtë e urtisë, dëgjesa e dashuria janë kombi i tyre. Dëgjojeni, o bij, mësimin e babës dhe ashtu veproni që të shëlboheni. Sepse Hyji e nderon babën në fëmijë dhe e ka përforcuar të drejtën e nënës mbi fëmijë. Kush e nderon babën, i shpërblen mëkatet, ruhet prej tyre dhe do t’i dëgjohet urata kur e thotë. Ai që e nderon nënën, është porsi ai që grumbullon visare. Kush e nderon babën e vet, në fëmijë do të gjejë gëzim, dhe kur lutet, urata do t’i dëgjohet” (Sir 3,1-6).

Për Qerim Sadikun e kemi të njëjtën dëshmi i cili “në familje mori një formim të mirë të krishterë, që e bëri entuziast të besimit të trashëguar dhe shumë të përkushtuar”[6].

U rritën në dashurinë e vatrës familjare e cila i ngrohi zemrat e tyre për të dashur Zotin dhe të afërmin, i cili mësim do të vjen duke shpërthyer në vepër kur e përshkojmë jetën e tyre të virtytshme, në bashkësinë familjare, raportin ndaj të afërmit, jetën bashkëshortore dhe kalvarin e torturave deri në Golgotën e ekzekutimit, duke mos i ra mohit Krishtit dhe atdheut.

 

Apostullati i martirëve

Apostullati i martirëve laik na paraqet një kornizë të detajuar në të cilën hyn porosia e jetës bashkëshortore. Nga jeta e martirit Fran Mirakaj shkëlqen sidomos apostullati i jetës bashkëshortore, i cili “si bashkëshort dhe si baba u ndie edhe më përgjegjës për misionin që i kishte besuar Hyji nëpërmjet sakramentit të Martesës. Falë përkujdesit, edhe shpirtëror, që kishte për familjen, në shtëpinë tonë askush nuk hante para se të luteshim”.[7]

Familja e bashkuar në lutje bëhet shembull ku fëmijët e shijojnë bukurinë e saj. Shembulli i një familje të bashkuar “mund të quhet Kisha shtëpiake, prindërit duhet të jenë për bijtë e tyre mësuesit e parë të fesë”[8]. Përveç misionit dhe detyrave që i ka çdo i krishterë, dhimbja që hasim në jetën e Qerim Sadikut, i cili i ri dhe i martuar, gëzimin e lindjes së birit nuk e përjetoj gjatë jetës. Ai “ishte i martuar me Marije Vatën dhe djali i vetëm, Gaspri, lindi gjashtë muaj pas pushkatimit te tij”.[9]

Kjo gjendje shpirtërore duhet t’i flasë çifteve bashkëshortore të kohës sonë. Gjatë dekadave të fundit flitet për krizën bashkëshortore, por nga ky shembull i jetës së Qerim Sadikut del në pah se kriza është e fesë, e cila krizë bashkëshortore, për të cilën harxhohen shumë energji, studime, kërkime pedagogjike e psikologjike, nga kjo mund të kuptojmë se është vetëm mungesë dashurie dhe feje, kur ky binom ekziston në jetën bashkëshortore atëherë e ushqen edhe shpresa në të cilën sfidohen pengesat eventuale.

Ndërsa në jetën e martirit të Fran Mirakaj, shohim përkushtimin e tij ndaj kremtimit të mistereve të fesë në jetën e Kishës. Nga dëshmitë e jetës së tij, thuhet: “kur u rrit, me rastin e festës së Pashkëve, ishte i kujdesshëm ndaj rregullave të Kreshmëve dhe sakramentit të Krezmimit. Përveçse bënte gjithçka që të mos mungonte në Meshën e shenjtë të Pashkës, kujdesej që të merrte pjesë krejt familja e tij. Merrte pjesë me dashuri të madhe, me devocion dhe kënaqësi. Përgatitej shpirtërisht për të marrë me fryt Kungimin dhe kështu e jetonte plotësisht Meshën”.[10]

Ndërsa Gjelosh Lulashi, e ushtronte apostullatin e tij, i formuar dhe si: “i ri i krishterë i bindur, ishte guximtar, madje sypatrembur… Kishte ide demokratike, të bazuara në parime të krishtera. E donte shkollën, i edukuar në mësimet e jezuitëve, këshillonte ndaj librave marksiste-leniniste, duke thënë: në këtë libër nuk ka asgjë të mirë, këtu janë të fshehura idetë e djallit. Unë nuk do t’i pranoj kurrë”.[11]

Për karakterin mbi vlerat dhe përshpirtërinë e Qerim Sadikut, dalin në pah shumë elemente të cilat dëshirojnë të rrumbullakësojnë karakterin e shpirtit të tij: “ishte shumë i shkathët, i zgjuar, i gjallë, trim, i komunikueshëm, i dashur, i respektueshëm ndaj të gjithëve, por në veçanti ndaj nevojave të të tjerëve, ishte bujar dhe kujdesej për formimin e tij shpirtëror, të cilin e ushqente me lutjen dhe marrjen e Sakramenteve”.[12]

 

Dashuria dhe devocioni ndaj Virgjërës Mari

Në imazhin e Familjes së Shenjtë jemi edukuar të lexojmë jetën familjare dhe t’i përngjajmë asaj. Ikona e Marisë ishte burimi i shpresës së një populli të persekutuar me shekuj, frymëzim për ta mbartur Kryqin sipas shembullit të Virgjërës Mari e cila e përcjelltë Birin e vet Jezu Krishtin.

Dëshmia e prindërve në familje, bëhet burimi i shpresës për të mbartur Kryqin edhe përgjatë persekutimeve.

Fran Mirakaj rreth kësaj dëshmie, thoshte: “në shtëpi (prindërit) na këshillonte që të mësonim lutjet dhe na i mësonte ai vetë, duke na dhënë shembullin me këndimin e Rruzares, përveç për Virgjërën Mari, që e nderonte me këndimin e Rruzares edhe ne familje, kishte një devocion të veçantë edhe për Shën Kollin e Shën Sebastianin”.[13]

Po e njëjta dashuri shprehet edhe te Gjelosh Lulashi: “na mblidhte dhe na bënte katekizëm e na mësonte uratë. Po ashtu, me siguri fryti i formimit të tij te jezuitët, kishte një devocion të thellë për Marinë. Mjerë ai që ia prekte medaljen e Zojës, që gjithmonë e mbante në qafe dhe, përveç këtyre, nuk mungonte kur thuhej Rruzarja, siç ishte zakon të bëhej në të gjitha shtëpitë e krishtera”.[14] Një familje e cila nuk lutet ka më pak dashuri dhe vullnet për të marrë pjesë në kremtimin e Meshës. Jeta e jashtëzakonshme e martirëve laik që Kisha i propozon si model feje, dëshmon dashurinë ndaj Zotit dhe sakramenteve nga lind dhe transmetohet në një familje jeta e virtytshme.

Sa bukur na jep një dëshmi tjetër nga jeta e Qerim Sadikut, i cili: “merrte pjesë në Meshën e shenjtë me devotshmëri. Gjatë Meshës qëndronte më shumë kohë në gjunjë sesa ndenjur. Për të pjesëmarrja në Meshë ishte e padiskutueshme. Gjatë javës shkonte herët në Meshë dhe pastaj në punë”.[15]

 

Martirët njerëz të virtyteve

Martiri nuk e programon vdekjen e tij, ai e programon Ungjillin në jetën e tij që t’i përngjajë Jezu Krishtit. Kjo dëshmi e gjallë ishte aureola mbi kokat e laikëve martirë, të cilët që nga rinia e tyre e hershme tregonin pjekurinë e fesë. Sa bukur del në pah nga jeta e martirit Fran Mirakaj, i cili: “nga karakteri ishte shumë i dashur dhe i gëzueshëm, ishte njeri i paqes … ishte serioz, i fortë dhe guximtar”.[16] Ai kërkonte që: “me bashkëmoshatarë të ndante angazhimin për Kishën dhe dashurinë për atdheun”.[17]

Martirët laik ishin njerëz të Lumturive. Në dëshminë e jetës së Gjelosh Lulashit, ai dallohej si njeri i faljes dhe pajtimit: “virtytet e tij ishin falja dhe pajtimi, paqja me njëri tjetrin”.

Ndërsa te Fran Mirakaj hasim figurën e një martiri i cili ishte martir i dashurisë ndaj të afërmit sikurse na dhuron shembullin edhe Shën Maksimilian Kolbe. Në jetën e Franit e hasim një dashuri bamirësie e cila konkretizohet në vepër dhe kjo dëshmohet edhe në momentin e burgimit: “një ditë më torturuan shumë e pastaj më lanë në qelinë e Franit. Atëherë ai duke më parë të dridhesha nga të ftohtët, e hoqi pallton e tij dhe ma dha. I thashë: Jo, Fran, sepse edhe ti do të jesh duke vdekur nga të ftohtit. Por Frani më tha: për mua nuk ka rëndësi. Unë do të vdes, por jam i gëzuar se do të vdes pa e mohuar Krishtin, as gjakun tim dhe për ketë arsye lemë të vdes”.[18]

 

Martirët ikona të përsosura të dashurisë

Martirizimi i laikëve përfshin të gjitha gjymtyrët e Trupit të Kishës. Martirizimi shprehet nëpërmjet dashurisë, mirësisë, sakrificës ndaj Kishës, atdheut, lirisë së ndërgjegjes dhe familjes.“Martirizimi, më të cilin nxënësi bëhet i ngjashëm me mësuesin e vet që lirisht e pranon vdekjen për shpëtimin e botës dhe me të cilin bëhet i ngjashëm me të në derdhjen e gjakut, çmohet nga Kisha si dhuratë e shkëlqyer dhe prova më e lartë e dashurisë… të gjithë duhet të jenë të gatshëm ta dëshmojnë Krishtin përpara njerëzve dhe ta ndjekin në rrugën e kryqit gjate përndjekjeve”.[19]

Dhurata e shkëlqyer e dashurisë, shkëlqen në jetën e martirit Fran Mirakaj edhe gjatë torturimeve: “kur, pas torturave, e çonin në qeli, shokët e pyesnin: si je? Ai, edhe pse i mbaruar nga torturat, thoshte: jam mirë. Gjithçka qoftë për lavdi të të Madhit Zot… Frani i pranoi të gjitha vuajtjet dhe torturat në emër dhe për dashuri të Hyjit dhe të trupit mistik të Krishtit, që është Kisha, ndaj të cilës ai ndjente se ishte një pjesëtar i gjallë dhe aktiv, i nënshtruar torturave si mësuesi Hyjnor. Shpesh u thoshte atyre që e merrnin në pyetje: mos më thirrni më, sepse përgjigjet e mia nuk ndryshojnë.”[20] Kjo trashëgimi nuk duhet të mbahet e vogël apo e pavlerë në jetën e Kishës.

Modeli i jetës së tyre është rruga për çiftet bashkëshortore dhe rininë që duhet të thithin nektarin e fesë sipas shembullit të tyre.

Martiri Gjelosh Lulashi, i përcjellë nga dashuria amnore, e cila merrte pjesë edhe ajo me dhimbjen e saj, qëndronte e heshtur, sikur në adhurim përpara Kryqit: “më shumë se një here e ëma mori pjesë në këtë rrugë mundimesh, si Zoja që e shoqëronte të Birin e vet në Kalvar. Gjeloshi me një buzëqeshje të lehtë e në fytyrë, i tha nën zë: do të shihemi në parajsë, nënë, mirupafshim. Qëndro e fortë. Ngushëllimi i tij i vetëm ishte feja e tij, lutja dhe vetëdija se i kishte qëndruar besnik Krishtit deri në derdhjen e gjakut të vet për Kishën dhe atdheun”.[21]

Ashtu sikur na rikujton edhe Sinodi tashme i filluar se tërë Populli i Hyjit ndan një dinjitet dhe thirrje të përbashkët përmes Pagëzimit. Në sajë të Pagëzimit tonë, të gjithë ne jemi të thirrur që të marrim pjesë në mënyrë aktive në jetën e Kishës. Ndërsa Kisha ndërmerr këtë ecje sinodale, ne duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta rrënjosur veten në përvoja të dëgjimit që na vjen nga dëshmia e martirëve të Kishës sonë, për një shqyrtim autentike, duke u nisur drejt të bërit Kishë që Hyji na thërret të jemi./drita.info

____________________________________________________________________

[1]MESHARI, fq. 768

[2]Teodoreti, Ipeshkëv i Çiros, Traktati mbi mishërimin e Zotit, në Liturgjia e Orëve, IV, fq. 61.

[3]Atë Leonardo Di Pinto, o.f.m., Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, v. II, fq. 401.

[4]Di Pinto,Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë,  fq. 350.

[5]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokëmartirë, fq. 378.

[6]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 395.

[7]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 352.

[8]Lumen Gentium, nr. 11.

[9]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 395.

[10]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 350-351.

[11]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 378.

[12]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 395.

[13]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 351.

[14]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 379.

[15]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 395.

[16]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 351.

[17]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 352.

[18]Di Pinto, Imzot Vinçenc Prennushi me shokë martirë, fq. 353-354.

[19]Lumen Gentium, nr. 42.

[20]Di Pinto, Imzot VinçencPrennushi me shokë martirë, fq. 359-360.

[21]Di Pinto, Imzot VinçencPrennushi me shokë martirë, fq. 388.

Shpëndaje: