E diela XXIII gjatë vitit – viti A
Leximi i parë Ez 33, 7-9
Profeti Ezekiel është si një roje i dërguar nga Hyji për t’i komunikuar vullnetin e tij popullit dhe duhet të qortonte të padrejtët në mënyrë që ata të ktheheshin, përndryshe pakësohej misioni i tij. Zoti i drejton një lajmërim profetit dhe secilit prej nesh: një ditë do të jepni llogari jo vetëm për gabimet tuaja personale, por edhe për ato të të tjerëve. Ligji i Hyjit na deklaron përgjegjës nëse nuk kemi lajmëruar vëllain që jetonte plot me gabime, duke kryer kështu një mëkat të rëndë.
Lexim prej Librit të Ezekielit profet
Kështu thotë Zoti: “Ty, o biri i njeriut, unë do të kam vënë për rojtarin e shtëpisë së Izraelit. Kur ta dëgjosh një fjalë prej gojës sime, qortoj ata në emër tim. Në qoftë se unë të them për të paudhin: ‘I paudhë do të vdesësh!’, e ti nuk i thua që i patenzoni të largohet nga udha e tij e mbrapshtë, i paudhi do të vdesë në fajësinë e vet, kurse unë gjakun e tij do ta kërkoj prej dorës sate. Por, në qoftë se e qorton të patenzonin, që të kthehet nga rruga e vet e ligë, kurse ai nuk kthehet, ai do të vdesë në fajësinë e vet, por ti e ke shpëtuar jetën tënde.” Fjala e Zotit.
Psalmi 95
Ref: O Zot, bëj që ta dëgjojmë zërin tënd
——————————
Ejani t’i këndojmë Zotit,
t’i brohorisim Hyjit, Shëlbuesit tonë.
T’i dalim para me falënderje,
t’i këndojmë këngë hareje!
—————————-
Ejani ta adhurojmë,
të biem përmbys para tij,
të biem në gjunjë para Zotit që na krijoi!
Sepse ai është Hyji ynë, ne jemi populli i kullotës së tij,
grigja që ai e ruan.
—————————–
Oh sikur ta ndienit sot zërin e tij:
Mos e bëni zemrën tuaj gur porsi në Meribë,
porsi në ditë të Masës në shkretëtirë,
kur etërit tuaj më vunë në sprovë:
më provuan megjithëse i kishin parë veprat e mia.
—————————-
Leximi i dytë Rom 13, 8-10
Morali i krishterë nuk është një sërë normash: mos bëj këtë, mos bëj atë… Në realitet Hyji nuk do të vërë ndalesa, por do të na tregojë rrugën për të dashur ata që jetojnë afër nesh. Shën Pali pohon se urdhërimet mund të përmblidhen në një të vetëm, atë të dashurisë. Dashuria për Hyjin dhe për vëllezërit është realizimi i plotë i ligjit.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, askujt të mos i keni tjetër detyrim, përveç detyrimi që ta doni njëri-tjetrin, sepse ai që e do tjetrin, e ka plotësuar ligjin. Sepse: ‘Mos bëj kurorëthyerje! Mos vrit! Mos vidh! Mos lakmo!’ e nëse ka edhe ndonjë tjetër urdhër, është i përfshirë në këto fjalë: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ Dashuria nuk i bën keq të afërmit. Dashuria, pra, është zbatimi i përsosur i ligjit. Fjala e Zotit.
Aleluja
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvetën, duke na e besuar fjalën e pajtimit.
Aleluja
Ungjilli Mt 18, 15-20
Jezusi na kërkon që të mos lejojmë që një vëlla të kryejë të keqen pa e ndihmuar të kthehet në rrugën e drejtë. Bashkësia e krishterë duhet të jetë një vend vëllazëror në të cilin secili ka mundësinë të shprehet dhe të gjejë miq, një familje në të cilën çdo anëtar ndihet përgjegjës për të tjerët. Gabimi i një vëllai nuk duhet të jetë një rast për ta larguar nga bashkësia.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Në qoftë se vëllai yt mëkaton kundër teje, qortoje vetëm për vetëm. Në qoftë se të dëgjon, e shpëtove vëllanë tënd. Po qe se nuk të dëgjon, merre me vete edhe një ose dy njerëz të therë, që çdo gjë të mbështetet në pohimin e dy ose tre dëshmitarëve. Në qoftë se as ata nuk i dëgjon, tregoj Kishës. Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës. Përnjëmend po ju them: çdo gjë që ju të lidhni përmbi tokë, do të jetë e lidhur edhe në qiell, dhe çdo gjë që ju të zgjidhni mbi tokë, do të jetë e zgjidhur edhe në qiell. Prapë po ju them: nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë, të një mendimi, luten për çfarëdo sendi, Ati im që është në qiell do t’ua japë. Sepse ku janë dy ose tre të bashkuar në emrin tim, aty jam edhe unë, midis tyre.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Një familje vëllezërish është e vërtetë, kur mes tyre mbretëron mirëkuptimi, solidariteti, falja. E nëse njëri gabon të gjithë ndihen përgjegjës ndaj tij.
“Në qoftë se vëllai yt mëkaton, çfarë duhet bërë? ” Jezusi përgjigjet: duhet ta rekuperosh me dialog personal e me dashuri të përvuajtur e delikate, për ta afruar ndaj teje.
“Po qe se nuk të dëgjon…”. Nëse nisma jote personale dështon, atëherë interesimi për të do të bëjë t’u kërkosh ndihmë personave të tjerë që ta bindin atë.
“Në qoftë se as ata nuk i dëgjon”, kërkoi ndihmë bashkësisë. Në kuptimin që bashkësia përfshihet me interes e dashuri për ta çuar drejt bashkimit vëllazëror.
“Nëse as Kishën nuk e dëgjon, mbaje si të ishte pagan ose tagrambledhës”. Nëse nuk pranon fjalën e përgjegjësve të bashkësisë, atëherë do ta konsiderosh jashtë bashkësisë sepse ai ka vendosur të jetë jashtë, duke ruajtur në zemrën tënde dëshirën e shpresën që ai mund të kthehet.
Në fund cilësia e jetës e një bashkësie të krishterë varet nga cilësia e marrëdhënieve vëllazërore. Vëllazërimi i vërtetë nuk lejon që vëllai të shkojë në rrugën e tij drejt shkatërrimit, por kërkon me çdo mundim për ta drejtuar në rrugën e drejtë.
“Nëse dy vetë prej jush këtu mbi tokë” janë bashkuar në bamirësi e në harmoni, domethënë të lirë nga mospajtimi, do të dëgjohen nga Ati qiellor. Lutja do të prodhojë fryte nëse do të ketë bashkim zemrash, përderisa është Jezusi vetë i pranishëm mes besimtarëve, që lutet me ta.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër Krishti na ka thënë: “Nëse dy nga ju mbi tokë do të merren vesh për të kërkuar çdo gjë, Ati im që është në qiell do t’ua japë”. Me këtë besim ia drejtojmë Hyjit lutjen tonë.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.
L. Për Kishën: që të jetë bashkësi vëllazërore pranimi dhe pajtimi, dhe të ndihmojë për të falur, dhe jo për të dënuar. Të lutemi.
L. Për prindërit dhe edukuesit: që të kryejnë me dashuri dhe durim ndreqjen vëllazërore të të rinjve dhe fëmijëve. Të lutemi.
L. Për ne këtu të pranishëm që secili prej nesh të ndihet përgjegjës i shpëtimit të tjerëve dhe të ndihmojë vëllanë për t’u rritur drejt shpëtimit. Të lutemi.
L. Mesha e së Dielës na bashkon rreth Krishtit: që t’i besohemi Atij që është paqe dhe dashuri, dhe kështu bëhemi edhe ne një bashkësi e vërtetë e vëllezërve dhe motrave. Të lutemi.
M. O Hyji, Ati ynë që na ka ripërtrirë me hirin e faljes, bëj që jeta jonë të bëhet gjithmonë e më shumë shenjë e dashurisë sate për të gjithë. Amen.
(ecclesia.al)