E diela XXII gjatë vitit – viti A
Leximi i parë Jer 20, 7-9
Jeremia do të kishte preferuar të ishte një profet i mirëqenies dhe i ngushëllimit dhe në fakt bëhet profet që proteston kundër së keqes. Do të donte të linte gjithçka, por nuk mund t’i rezistojë Hyjit dhe fjalës së tij që e tërheq shumë.
Lexim prej Librit të Jeremisë profet
Më ngashënjeve, o Zot, dhe unë lejova të ngashënjehem, qe më i fortë se unë dhe më mbizotërove. U bëra gazi i ditës, të gjithë më përqeshin. Sa herë që më duhet ta shpallë fjalën, më duhet të lëshoj kushtrimin, të bërtas: “Dhunë! Shkatërrim!” Fjala e Zotit u bë për mua poshtërim dhe përqeshje gjithë ditën! Atëherë thashë me vete: “Më s’do të mendoj për Të, në emër të Tij më nuk do të flas!” Atëherë në zemrën time u ndez një zjarr i furishëm, i ndryrë në eshtrat e mi: u mundova ta mposht, por s’munda! Fjala e Zotit.
Psalmi 63
Ref: Shpirti im ka etje për ty, o Zot
—————————————
O Hyj, Hyji im je ti, qysh në agim
të kërkoj. Ka etje për ty shpirti im,
ty të dëshiron trupi im,
tokë e shkretë, e thatë, e paujë.
—————————————
Kështu erdha në Shenjtëroren tënde
për ta parë fuqinë tënde e lavdinë tënde.
Sepse më e mirë është dashuria jote se jeta:
buzët e mia do të të lavdërojnë.
—————————————
Kështu do të të bekoj në jetën time,
e në Emrin tënd do t’i lartësoj duart e mia,
do të ngihem si në gosti të shkëlqyeshme,
me buzë të hareshme do të lavdërojë goja ime.
—————————————
Sepse ti je bërë ndihma ime,
prandaj do të brohoris nën hijen e krahëve të tu!
Shpirti im u mbështet në ty,
e djathta jote më mban.
—————————————
Leximi i dytë Rom 12, 1-2
Shën Pali pohon se jeta e të krishterit është një liturgji: ne duhet t’i ofrojmë Hyjit vetveten si një ofertë dhe ta lëvdojmë me veprimet tona. Asnjë veprim i jetës sonë nuk i pëlqen Hyjit nëse nuk kryhet me dashuri. Pjesëmarrja jonë në darkën e Zotit është e mirëpritur nga Hyji nëse në jetën tonë të përditshme kërkojmë të kryejmë vullnetin e tij.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Po ju përbej me mëshirën e Hyjit, o vëllezër, ta kushtoni trupin tuaj fli të gjallë, të shenjtë e të pëlqyeshme Hyjit – porsi kultin tuaj shpirtëror. Mos ju përshtatni më parimeve të shekullit, por shndërrojeni e ripërtërijeni mendjen tuaj, në mënyrë që ta dalloni vullnetin e Hyjit: çka është e mirë, çka i pëlqen Atij, çka është e përsosur. Fjala e Zotit.
Aleluja
Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit t’ju japë Shpirtin e dijes, që të mund ta kuptoni shpresën e madhe që e jep thirrja jonë.
Aleluja
Ungjilli Mt 16, 21-27
Pjetri, kur njeh në Jezusin Birin e Hyjit, bëhet zëvendësi i tij; por kur nuk pranon misterin e vdekjes së Jezusit, ai bëhet zëvendësi i djallit. Pas njëzet shekujsh Kisha e Pjetrit është përhapur në të gjithë botën dhe akoma sot duhet të dijë të humbasë jetën e saj, privilegjet e saj, pasuritë e saja për të pranuar dhe përqafuar kryqin e Zotit të saj.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jerusalem, të vuante shumë prej anës së pleqve, të kryepriftërinjve e të shkribëve, se do ta vrasin e të tretën ditë do të ngjallet. Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë: “Mos e thashtë Zoti, Zotëri! Ty s’do të ndodhë një gjë e tillë!” Jezusi u kthye e i tha Pjetrit: “Shporru meje, he djall! Je shkandull për mua, sepse nuk i ke në mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”. Atëherë Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten, le ta marrë kryqin e vet e le të vijë pas meje! Sepse, kush do ta ruajë jetën e vet, do ta bjerrë, kurse ai që e bjerr për shkak timin, do ta gjejë. Ç’dobi ka njeriu nëse e fiton mbarë botën, por e humb jetën? E çka mund të japë njeriu si shkëmbim për jetën e vet? Do të vijë, për të vërtetë, Biri i njeriut në lavdinë e Atit të vet bashkë me engjëjt e vet dhe atëherë do t’i paguajë të gjithë sipas veprave të tyre.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Kush do të çlirojë kulturën apo fenë nga padituria, nga frika, apo nga shtypja urrehet dhe persekutohet nga vetë ata që do t’u shërbejë. Vetëm kush është i gatshëm të paguajë për idetë e tij ai ndërton të ardhmen.
“Në atë kohë, Jezusi filloi t’u dëftojë nxënësve të vet se i duhej të shkonte në Jeruzalem”. Folja ‘duhej’ tregon planin e mistershëm të dashurisë së Hyjit, që duhet të kryhet në histori, për të shpëtuar njerëzimin. Plani hyjnor përmbledh humbjen poshtëruese të Mesisë, por edhe lavdinë e tij të fuqishme.
“Atëherë Pjetri e ndau veçmas e filloi ta qortojë”. Pjetri dhe miqtë e tij e mendojnë Jezusin si Mesinë, Çlirimtarin politik e ushtarak që do të fitonte mbi shtypësit e popullit të tij, por në fakt ai përshkruan rrugën e dashurisë deri në dhurimin e jetës së vet.
“Shporru meje, he djall!”. Jezusi reagon ndaj Pjetrit duke e quajtur “djall”, Armiku që tani e siç ndodhi në shkretëtirë do ta largojë nga plani i Atit. Edhe ne, ashtu si Pjetri, shpesh jemi të burgosur të një imazhi të Hyjit që, në mirësinë e tij, nuk duhet të le-jojë dhimbjen, por duhet të shtypë të ligjtë. Por ky Hyj nuk është Hyji i Jezusit.
“Nëse ndokush do të vijë pas meje, le ta mohojë vetveten”. Jezusi u kërkon dishepujve që ta njohin si Mesia i kryqëzuar i ringjallur, dhe të ndjekin stilin e tij të jetës. Dishepulli duhet të jetë gati të humbasë jetën e vet, domethënë ta dhurojë për dashuri. Lavdia është mbërritja jonë e sigurt, por rruga për ta arritur është rruga e kryqit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, ta pranojmë fjalën e Krishtit që na fton të ngjitemi me të mbi Kalvar, duke mbajtur kryqin tonë.
L. Të lutemi së bashku e të themi: O Zot, eja na ndihmo.
L. Për Kishën e shenjtë, shtegtare në botë, që Shpirti Shenjt të na bëjë ne besimtarëve të kryejmë, të ndriçuar nga Fjala, një liturgji të vërtetë në të cilën ofrojmë të gjithë jetën tonë. Të lutemi.
L. Për bashkësitë e krishtera të persekutuara, për ipeshkvijtë, meshtarët dhe diakonët që takojnë vështirësi dhe refuzim, që besimi i tyre të mos pakësohet. Të lutemi.
L. Për të varfërit, të uriturit, të burgosurit, fëmijët dhe të gjithë ata që vuajnë, që të ndihen të mbështjellë dhe të mbështetur nga forca e Zotit Jezus. Të lutemi.
L. Që të gjithë ne të mësojmë se kryqi i Krishtit është dashuri e pafund. Të lutemi.
M. O Zot, Hyji ynë, Biri yt i dashur na kërkon ta ndjekim në rrugën e kryqit. Na ndihmo të ecim përpara të vendosur për të arritur me të në gëzimin e mbretërisë sate. Ti që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)