Eja Shpirti Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve

E Diela e Rrëshajëve – viti B

 

Leximi i parë Vap 2, 1-11

Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruajnë shfaqjen e Hyjit mbi malin Sinaj. Por shpallin një liri më të vlefshme dhe që zgjat: lirinë e Shpirtit që ka ngjallur Jezu Krishtin.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin. Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.  Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi 104

 

Ref: Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot

———————————

Bekoje, shpirti im, Zotin!

O Zot, Hyji im, sa i madh je!

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!

Plot është toka me krijesat e tua.

——————————–

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,

dhe kthehen në pluhur përsëri.

Po e dërgove frymën tënde,

përsëri përtërihen,

dhe e rinon fytyrën e dheut.

——————————–

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,

u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

I pëlqeftë Zotit kënga ime,

kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

——————————–

 

 

Leximi i dytë Gal 5, 16-25

Shën Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen dhe ngjalljen e Zotit, të çlirohemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoizmit, të pranojmë mënyrën e jetesës së Krishtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe angazhimi.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, jetoni nën ndikimin e Shpirtit Shenjt e nuk do t’i kryeni dëshirat e mishit e të gjakut. Sepse mishi e gjaku me dëshirat e veta i kundërshtojnë Shpirtit e Shpirti i kundërshton mishit e gjakut: këta të dy janë në kundërshtim njëri me tjetrin, që të mos bëni çka dëshironi. E nëse ju prin Shpirti, nuk jeni të nënshtruar ligjit. Tashti, veprat e mishit e të gjakut janë të njohura. Ato janë: fëlligështia, papastria, shfrenia, idhujtaria, magjia, armiqësitë, grindjet, smira, hidhërimi, gërgasat, dasitë, mospërkimet, zilitë, zdërhalljet, ndejat me pije e qejfe e të tjera si këto. Lidhur me këto po ju vë në dijeni qysh tani, sikurse jua thashë më parë: kush i bën këto, nuk do ta trashëgojë Mbretërinë e Hyjit.  Kurse fryti i Shpirtit është: dashuria, hareja, paqja, duresa, dashamirësia, mirësia, besnikëria, butësia, përkormëria. Kundër këtyre nuk ka ligj.  Ata që janë të Krishtit Jezus, e kryqëzuan trupin e vet bashkë me prirje dhe dëshira të prujta. Nëse jetojmë nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, të udhëhiqemi edhe nën drejtimin e Shpirtit Shenjt. Fjala e Zotit.

 

Ndjekësorja

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,

e prej qiellit derdh mbi ne

rrezet tua plot me dritë.

 

Eja, o Atë,  për nevojtarë,

eja, ti n’dhanti bujar,

eja, ti që mendjet shndrit.

 

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,

ti ndër zemra si mik vjen,

t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

 

N’mund e djersë ti je pushim,

n’vapë e luftë ti je freskim,

lot ti terë,  zemrat ngushllon.

 

Dritë Hyjnore, plot shejtni,

shndritnai mendjet e n’dashuri

kalle flakë kënd n’ty shpreson.

 

Ku s’je ti, gjithçka dështon

n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron

që t’jetë shenjte, si ti don.

 

Njollat hiq, dangat pastro,

n’shpritëra tanë hiret rigo,

varrët e mëkatit na i shero.

 

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,

çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,

çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

 

Jepna ne që n’ty besojmë,

jepna ne që n’ty shresojmë,

shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

 

Mundin tonë ti na e shpërble,

n’mëkat me vdekë ti mos na le,

bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

 

 

Aleluja

Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 15, 26-27; 16, 12-15

Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin e Krishtit të krishterëve të të gjitha kohëve. Ai edhe sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ngjalljen e Zotit. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kur të vijë Mbrojtësi, të cilin do t’ju dërgoj prej Atit, Shpirti i së Vërtetës, që rrjedh prej Atit, Ai do të dëshmojë për mua. Por edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua, sepse jeni me mua që në fillim. Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë, por tani s’mund t’i kuptoni. E kur të vijë Ai, Shpirti i së Vërtetës, Ai do t’ju udhëzojë ta njihni tërë të Vërtetën. Ai s’do të flasë prej vetvetes, por do të flasë çka të dëgjojë dhe do t’ju zbulojë të ardhmen. Ai do të më lëvdojë, sepse do të marrë prej simes e do t’ju zbulojë juve. Gjithçka ka Ati, është imja. Prandaj edhe ju thashë: ‘Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve’.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Çdo besim ka ligjet e tij, që janë normat që rregullojnë jetën e besimtarëve. Në jetën e të krishterëve është një Ligj i ri që është një person, Shpirti Shenjt.

“Kur të vijë Mbrojtësi …” Jezusi u shpall apostujve në Çenakull se bota do t’i urrente. I siguron duke u thënë se do t’u dërgojë atyre Parakletin, që domethënë Mbrojtësi, Avokati. Ai na jep forcën për të fituar mbi sfidat e jetës dhe është zbuluesi i së Vërtetës, që është Krishti Jezus.

“Edhe ju gjithashtu do të dëshmoni për mua”. Dishepujt dhe Shpirti së bashku dëshmojnë Jezusin. Çdo i krishterë, i përforcuar nga Shpirti duhet të dëshmojë Atë që është e Vërteta.

“Kam edhe shumë tjera për t’ju thënë”. Në jetën e Kishës ka dy kohë, atë të Jezusit e atë të Shpirtit. Tashmë dishepujt nuk mund të kuptojnë gjërat e tjera që Jezusi duhet të thotë, përderisa nuk është ngjallur akoma. Do të jetë Shpirti që na udhëheq drejt së vërtetës së plotë. Ai do të na bëjë të kuptojmë të shkuarën e Jezusit, e të tashmen e të Ngjallurit i gjallë në histori.

Ai s’do të flasë prej vetvetes”. Ashtu si Jezusi nuk fliste prej vetvetes, por dëgjonte Atin, kështu Shpirti do të flasë me fjalët e Jezusit. “Merr prej simes dhe do t’ju zbulojë juve”. Jeta e Atit është jeta e Birit, por edhe jeta e Shpirtit është dëftim i jetës së Birit. Bashkimi mes Atit dhe Birit, mes Birit dhe Shpirtit na udhëheq në jetën e Trinisë së Shenjtë. Shpirti do t’u komunikojë besimtarëve njohjen e Jezusit, por edhe bashkëndarjen me jetën e tij.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Shpirti Shenjt u përhap mbi Apostujt e përqëndruar në lutje me Marinë në Çenakull, është dhurata që na angazhon për t’u shpallur të gjithëve të renë e përjetshme të Ungjillit të Krishtit.

L. Me besim të lutemi duke thënë: Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot.

L. Për Kishën, të shpërndarë në mbarë botën, që të shpallë deri në skajet e fundit të tokës lajmin e mirë të mbretërisë. Të lutemi.

L. Për botën mbarë dhe të gjithë njerëzit që kanë një Krijues të vetëm dhe Atë, të njihen si vëllezër duke braktisur çdo diskriminim racor dhe të kërkojnë me angazhim mbretërinë e Hyjit që është paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. Të lutemi.

L. Për të gjithë të rinjtë, adoleshentët e bashkësisë sonë, që Shpirti Shenjt që kanë pranuar në pagëzim, t’i ndihmojë që të rrënjosin jetën e tyre mbi shkëmbin e sigurtë, që është Krishti Zot. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë këtu të bashkuar, që Shpirti i Rrëshajave ta mbështesë, ta bëjë të fortë dhe ta udhëheqë në shpalljen e Ungjillit. Të lutemi.

M. O Atë, dëgjoje lutjen e kësaj familje të bashkuar, që ashtu si dishepujt me Marinë në Çenakull, të rritet angazhimi i bashkimit mes të gjithë besimtarëve në Krishtin, dhe me udhëheqjen e Shpirtit Shenjt të kërkojë dialogun dhe bashkëpunimin me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: