Zoti Trini: Ati, Biri dhe Shpirti Shenjt

E diela e Trinisë së Shenjtë – viti B

 

Leximi i parë   Lp 4, 32-34.39-40

Hyji është në zanafillën e historisë së Izraelit. Ka udhëhequr patriarkët (Abrahamin, Isakun, Jakobin) drejt tokës së premtuar dhe në vazhdim ka nxjerrë jashtë nga Egjipti popullin e tij për ta drejtuar drejt lirisë. Nëse Hyji ka udhëhequr dje popullin e Izraelit drejt lirisë, pse nuk mund akoma sot ta udhëheqë ecjen e historisë sonë? Hyji është një i vetëm dhe dashuria e tij është e amshuar, dhe dje ashtu si sot, pret gjithmonë nga njeriu të njëjtën përgjigje besnikërie.

 

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli e tha: “Shqyrtoji kohët e lashta që ishin para teje, qysh prej ditës kur Zoti e krijoi njeriun përmbi tokë, shqyrto prej një skaji të rruzullit në tjetrin: A ka ndodhur ndonjë gjë kaq e madhe? A është dëgjuar një gjë e tillë? A ka ndokund ndonjë popull që e ka dëgjuar Hyjin duke folur prej mesit të zjarrit, siç e dëgjove ti dhe të ketë mbetur gjallë? Ose, a ka sprovuar ndonjë herë Hyji të hyjë e të marrë për vete një komb në mes të një populli tjetër: me provë, me shenja e me mrekulli, me luftë, me dorë të fortë, me krah të ngritur e me tmerr të madh, sikurse i bëri të gjitha këto ndër sytë tuaj për ju Zoti, Hyji juaj, në Egjipt?  Mirë, pra, dije sot dhe thadroje thellë në zemrën tënde se Zoti është Hyj lart në qiell e poshtë mbi tokë – e tjetër nuk ka! Mbaji urdhërimet e tija dhe ligjet e tija që unë po t’i jap sot, që të jesh mirë ti dhe bijtë e tu pas teje e të qëndrosh për një kohë të gjatë mbi tokën që Zoti, Hyji yt, ta jep përgjithmonë.” Fjala e Zotit.

 

Psalmi  33

Ref: Lum ai popull që i përket Zotit

—————————————-

E drejtë është fjala e Zotit,

e të gjitha veprat e tija me besë.

E do drejtësinë e gjyqin,

plot është toka me mirësinë e Zotit.

—————————————-

Prej fjalës së Zotit u krijuan qiejt,

prej frymës së gojës së tij çdo trup qiellor.

Si foli, gjithçka u bë,

ai urdhëroi, gjithçka u përftua!

—————————————-

Qe, sytë e Zotit janë mbi ata që e druajnë,

mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij:

për t’i shpëtuar nga vdekja

e për t’i ushqyer në kohën e urisë.

—————————————-

Shpirti ynë shpreson në Zotin,

ai është ndihma dhe mburoja jonë.

Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot,

sikurse ne shpresojmë në ty.

—————————————-

 

Leximi i dytë    Rom 8, 14-17

Me dhuratën e Shpirtit Shenjt mund t’i drejtohemi Hyjit Atë, me të njëjtin familjaritet si të Jezusit duke e thirrur “Abba, Atë!”. Një hebre apo një pagan nuk do ta kishte lejuar kurrë një familjaritet të tillë. Vetëm Shpirti Shenjt ka mundur t’u frymëzojë të krishterëve këtë guxim. Hyji është Atë dhe na fton të hyjmë në hyjninë e tij, duke na lënë të lirë që të kryejmë një zgjedhje të vërtetë dashurie.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit.

 

Aleluja.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt: Hyjit që është, që ishte dhe që po vjen.

Aleluja.

 

Ungjilli   Mt 28, 16-20

Jezusi pas një jete të fshehtë dhe plot persekutime deri në vdekjen në kryq, shfaq se cili është Ai me të vërtetë. Qielli, toka dhe gjithë njerëzimi janë në duart e tij dhe Ai u përket të gjitha kombeve. Jezusi u beson dishepujve detyrën për të transmetuar besimin, për të kremtuar shpëtimin dhe për të dëshmuar praninë e tij çdo njeriu. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut

Në atë kohë, të njëmbëdhjetë nxënësit shkuan në Galile, në atë mal, ku u kishte urdhëruar Jezusi. Kur e panë, e adhuruan, por disa dyshuan. Jezusi u afrua e u tha: “Më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Prandaj, shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt! Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt! Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar! Dhe, ja, unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës!” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Hyji i mistershëm e i largët nuk është një vetmi e pafund, Ai është një ngjarje dashurie. Në Hyjin ekziston një Unë e një Ti: Ati dhe Biri, Ati dhe Shpirti, Biri dhe Shpirti. Janë tre Persona të bashkuar nga Dashuria e Dashuria bën me ta një Unitet të përsosur: Trinia e Shenjtë.

“Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt!”. Duhet të vihemi në lëvizje drejt të gjithë njerëzve për t’i ftuar të bëhen dishepuj të Jezusit, për t’i bërë të hyjnë në marrëdhënie personale me Jezusin. Është misioni që Jezusi i ngjallur u beson të tijve, gjithë kishës.

“Pagëzoni në Emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjt”. Pagëzimi është hyrja në bashkësinë e krishterë, e cila është “trupi” i Krishtit. Në Pagëzim besimtari takon të Ngjallurin dhe hyn në një marrëdhënie përfundimtare përkatësie e bashkimi me Atin, Birin e Shpirtin Shenjt.

“Emri” tregon realitetin e thellë të personit, e në rastin tonë tregon realitetin e Tre personave të bashkuar e së bashku të dalluar mes tyre në dashuri, realiteti i Familjes hyjnore.

“Të pagëzosh” domethënë “të zhytesh”, të lash në ujë. Me Pagëzimin jemi “zhytur” në Trininë. Të jetosh Pagëzimin do të thotë të “zhytesh” në këtë Familje hyjnore, duke kultivuar lidhje të vërteta dashurie me personat që takojmë.

“Mësoni të zbatojnë gjithçka ju kam urdhëruar” Mësimi është katekeza që na përgatit drejt Pagëzimit e ajo zgjat gjithë jetën tonë. Me Jezusin vepron e gjithë Trinia që i siguron popullit të Hyjit në ecje praninë e saj të përhershme.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’i lutemi me besim Zotit Atë, që çdo ditë na ofron besëlidhjen e tij në Birin Jezus e na përtërin me Shpirtin Shenjt.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Atë.

L. Atë, ke bërë që Biri yt Jezus, të lindë në mes nesh; na ndihmo me Shpirtin tënd të jetojmë Fjalën e tij. Të lutemi.

L. Atë, na e ke dhënë Jezusin si model dashurie e mëshire: na ndihmo me Shpirtin tënd që të bëhemi të afërm të vëllezërve që i takojmë. Të lutemi.

L. Atë, në Jezusin je bërë i pranishëm nëpër rrugët tona: na ndihmo me Shpirtin tënd për të qenë dëshmitarë besnikë të dashurisë sate. Te lutemi.

L. Atë, na ke urdhëruar të pagëzojmë të gjithë popujt në emrin tënd: na ndihmo me Shpirtin Shenjt që të shpallim me jetën tonë, atë që kremtojmë në këto mistere. Të lutemi.

M. O Hyj, nëpërmjet Birit tënd të vetëm, me fuqinë e Shpirtit Shenjt, bekoji ata që të thërrasin Atë, që të të kërkojnë me besnikëri, të të njohin në të vërtetën e të të duan me sinqeritetin e zemrës. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: