E kremtja e Korpit dhe Gjakut të Krishtit – Viti B
Leximi i parë Dal 24, 3-8
Moisiu, duke shpërndarë të njëjtin gjak të qengjit mbi altarin e Hyjit dhe mbi popullin, realizon besëlidhjen me Hyjin dhe zbulon që një gjak i vetëm rrjedh në venat e hebrenjve dhe në ato të Hyjit. Të kesh të njëjtin gjak do të thotë të angazhohesh për të ndihmuar njëri – tjetrin, të bësh gjithçka për të shpëtuar mikun, të mbrosh vejushën dhe jetimin, të mbrosh çështjen e të dobtit dhe të të varfërit. Hyji u angazhua me ne në një marrëveshje gjaku duke na dhuruar jetën e Birit të vet për të na shpëtuar.
Lexim prej Librit të Daljes
Në ato ditë Moisiu erdhi dhe i tregoi popullit të gjitha fjalët e Zotit dhe rregulloret. Mbarë populli u përgjigj njëzëri: “Do t’i zbatojmë të gjitha fjalët që i tha Zoti.” Moisiu i shkroi të gjitha fjalët e Zotit. Në mëngjes herët u çua dhe e ndërtoi një lter rrëzë malit, me dymbëdhjetë gur ngulur për dymbëdhjetë fiset e Izraelit. Atëherë u urdhëroi të rinjve të Izraelit të flijojnë flitë e shkrumbimit. Flijuan edhe flitë e pajtimit – viça në nder të Zotit. Moisiu mori gjysmën e gjakut dhe e qiti në disa enë, kurse gjysmën tjetër e derdhi mbi lter. Atëherë mori Librin e Besëlidhjes dhe ia lexoi me zë të lartë popullit e populli përgjigji: “Gjithçka tha Zoti do të zbatojmë e do të jemi të dëgjueshëm.” Atëherë Moisiu e mori gjakun dhe e stërpiku popullin e tha: “Ky është gjaku i besëlidhjes që Zoti e lidhi me ju në mbështetje të të gjitha këtyre fjalëve.” Fjala e Zotit.
Psalmi 116
Ref: Për nder tënd, o Zot, do ta lartësoi gotën e shëlbimit
———————————————–
Si do t’ia shpërblej Zotit
për të gjitha të mirat që m’i ka dhënë?
Do të ngreh gotën e shëlbimit
e me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
———————————————–
E çmueshme është para Zotit
vdekja e shenjtërve të tij.
O Zot, unë jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt dhe biri i shërbëtores sate.
Ti i këpute prangat e mia.
———————————————–
Ty do të ta kushtoj flinë e lavdit,
me nderim do të thërras Emrin e Zotit.
Do t’i kryej kushtet e mia bërë Zotit
në praninë e mbarë popullit të tij.
———————————————–
Leximi i dytë Heb 9, 11-15
Në këtë pjesë bëhet një krahasim mes flisë së Krishtit, meshtar dhe viktimë, me atë të ofruar në tempull nga kryeprifti në ditën e pajtimit. Krishti njëherë e përgjithmonë me një fli të vetme ka paguar mëkatin tonë dhe na ka bërë të denjë t’i ofrojmë Hyjit një kult shpirtëror. Duke ofruar gjakun e tij Jezu Krishti ka realizuar me ne një besëlidhje dhe ka bërë një testament me anë të të cilit na bën trashëgimtarë të mbretërisë së tij.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Vëllezër, erdhi Krishti, Kryeprifti i të mirave të ardhura. Dhe, nëpër një tendë më të madhe dhe më të përsosur, të punuar jo me dorë – domethënë jo të kësaj krijese – dhe nëpër gjak jo të cjepve dhe të mëzetërve, por nëpër gjak të vet, hyri njëherë e përgjithmonë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve, dhe fitoi shpërblimin përfundimtar. Dhe njëmend, në qoftë se gjaku i stërpikur i cjepve dhe i mëzetërve dhe hini i mështjerrës i shenjtëron të paspastrit duke ua pastruar ritualisht trupin, sa më tepët Gjaku i Krishtit, i cili nëpër Shpirtin e amshuar ia flijoi vetveten Hyjit porsi fli të panjollë, do ta pastrojë ndërgjegjen tonë nga veprat e vdekura për t’i shërbyer Hyjit të gjallë! Për këtë arsye Ai është Ndërmjetësi i Besëlidhjes së re që, me anë të vdekjes për shpërblim të fajeve të bëra në kohën e Besëlidhjes së parë, të grishurit ta fitojnë trashëgimin e premtuar të përjetshëm. Fjala e Zotit.
Aleluja
Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja
Ungjilli Mk 14, 12-16.22-26
Themelimi i Eukaristisë është i lidhur ngushtë me vdekjen e Jezusit. Në Darkën e fundit Jezusi realizon me të vërtetë atë që shpall me gjeste dhe me fjalë. Kelku dhe buka e thyer që u paraqet dishepujve, kujtimi i Pashkëve hebraike, janë shpallja e Besëlidhjes së Re, që do të jetë vulosur nga flija e Krishtit-Qengji i panjollë, gjaku i të cilit do të shpëtojë “shumicën”.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Markut
Ditën e parë të Pabrumeve, kur flijohej qengji i Pashkëve, nxënësit i thanë Jezusit: “Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” Jezusi i dërgoi dy prej nxënësve të vet dhe u tha: “Shkoni në qytet e atje do t’ju takojë një njeri që mbart një katrovë uji: shkoni pas tij. Ku të hyjë ai, thoni zotështëpisë: ‘Mësuesi thotë: Ku është salloni im, ku do të mund të ha Pashkë me nxënësit e mi?’ Ai do t’ju tregojë në kat një sallon të madh, të shtruar e të përgatitur. Aty na përgatitni darkën.” Nxënësit u nisën, arritën në qytet dhe gjetën gjithçka ashtu si u kishte thënë dhe e përgatitën darkën e Pashkëve. Ndërsa po hanin darkë, Jezusi mori bukën e bekoi Hyjin, e theu, ua dha e tha: “Merrni, ky është korpi im!” Pastaj mori gotën, u falënderua e u dha. Të gjithë pinë prej saj. U tha: “Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë. Për të vërtetë, po ju them: nuk do të pi më prej frytit të hardhisë deri atë ditë, kur do ta pi të ri në Mbretërinë e Hyjit.” Pasi e kënduan himnin, u nisën drejt Malit të Ullinjve. Fjala e Zotit.
POROSIA
Prei rrënjët dhe pema vdes. Hiqi menteshat e dera rrëzohet. Largoji besimtarët nga Eukaristia, e jeta e krishterë vdes e të krishterë bëhen të pafrytshëm.
“Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkëve?” Hyji ka kërkuar gjithmonë të bëjë besëlidhje me njerëzit, për t’i mbushur me të mirat e tij të pafund. Në darkën e fundit të Pashkëve Jezusi plotëson këtë dëshirë të Hyjit, duke themeluar një besëlidhje që është e re dhe e amshuar. Hyji ka dashur ta vulosë me gjakun e Birit të vet, i cili ka dhënë jetë e tij, duke fituar për të gjithë njerëzit shpëtim të amshuar.
“Merrni, ky është korpi im!”. Jezusi shpall në mënyrë simbolike çfarë do të ndodhë të nesërmen, domethënë vdekjen e tij. Një ngjarje e tillë do të jetë një vdekje e pranuar në bindje të përsosur ndaj Hyjit e në solidaritet të plotë me njerëzit, një vdekje që është një dhurim i plotë i vetvetes në dashuri.
“Ky është gjaku im, gjaku i Besëlidhjes, që derdhet për të gjithë”. Gjaku është elementi me të cilin firmosen besëlidhjet në Bibël. Me gjakun e tij Jezusi është ndërmjetës përgjithmonë i një besëlidhjeje të re. Për shkak të vdekjes së tij, njerëzit, të burgosur të mëkatit, janë çliruar e thirrur të marrin trashëgiminë e amshuar.
“Bëjeni këtë në përkujtimin tim”. Kisha, prej dymijë vjetësh, bindet, duke përsëritur gjestet e fjalët e tij, duke marrë trupin e gjakun e tij. Ajo, e lindur në darkën e Jezusit, rilind në çdo Eukaristi, falë atij gjaku të derdhur për mbarë njerëzimin.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, të bashkuar nga dashuria që rrjedh prej trupit të Krishtit, ushqim i vërtetë, e prej gjakut të tij, pije e vërtetë, t’ia drejtojmë tani lutjen tonë Hyjit Atit të gjithëpushtetshëm, që Shpirti Shenjt të na ndihmojë për të jetuar më mirë misterin e Eukaristisë.
L. Të lutemi së bashku duke thënë: Ti je jeta jonë, o Zot.
L. Që Kisha, e ushqyer prej Fjalës e prej Bukës së jetës, të dijë të rindërtojë gjithmonë e më shumë atë bashkim të thyer me vëllezërit tanë. Të lutemi.
L. Që meshtarët të përputhen gjithmonë e më shumë me misterin që kremtojnë, sa që ta japin jetën e tyre për vëllezërit. Të lutemi.
L. Që të gjithë popujt e botës të mësojnë nga Krishti se, duke dhuruar vetveten për dashuri, realizohen plotësisht. Të lutemi.
L. Që ata që bëjnë pjesë për herë të parë në tryezën Eukaristike, të jetojnë një takim të fortë me Krishtin, që shndërron jetën e tyre në përngjasim e shpëtim. Të lutemi.
L. Që ne këtu të pranishëm, të ushqyer nga Krishti, bukë e gjallë e zbritur nga qielli, të dimë t’i dëshmojmë botës që i përkasim atij. Të lutemi.
L. Ati ynë, Ti që ushqen besimtarët me Trupin e Gjakun e Birit tënd, mos i shiko mëkatet tona, por fenë e kishës sate. Bëj që të kryejmë vullnetin tënd çdo ditë, që të lavdërojmë emrin tënd dhe të shpresojmë ardhjen e Mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)