E diela X gjatë vitit – viti B
Leximi i parë Zan 3, 9-15
Hyji pyet burrin, gruan dhe gjarprin për mëkatin. Mes Adamit dhe Evës vihet re një turbullim për shkak të mëkatit, jo vetëm mes njeriut dhe Hyjit, por edhe mes tyre. Hyji do të provokojë rrëfimin e mëkatit për të dhuruar faljen. Dënimi i gjarprit do të jetë përfundimtar kur breznia e gruas do t’i shtypë kokën.
Lexim prej Librit të Zanafillës
Zoti Hyj e thirri njeriun e i tha: “Ku je?” Ky i përgjigji: “Dëgjova zërin tënd në kopsht e u tremba, sepse jam lakuriq dhe u fsheha.” Ai i tha: “Kush të tregoi se je lakuriq? A mos hëngre frutat nga pema prej së cilës të kam urdhëruar të mos hash?” Njeriu përgjigji: “Gruaja që ma dhe për shoqe, ajo më dha frutet prej pemës dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gruas: “Pse e bëre këtë?” Gruaja përgjigji: “Më gënjeu gjarpri dhe hëngra.” Atëherë Zoti Hyj i tha gjarprit: “Pasi e bëre këtë gjë, qofsh mallkuar ndër të gjitha bagëtitë dhe kafshët e egra! Do të ecësh përmbi barkun tënd dhe do të hash pluhur për ditë e mot të jetës sate! Armiqësi do të vë ndërmjet teje e gruas, ndërmjet farës sate e farës së saj: fara e saj do ta ndrydhë kokën, kurse ti do t’ia ngjesësh në shteg për thembër.” Fjala e Zotit.
Psalmi 130
Ref: Zoti është mirësia dhe mëshira
—————————————-
Prej humnerës klitha tek ti, o Zot,
o Zot, dëgjoje britmën time!
Le ta dëgjojnë veshët e tu
zërin e lutjes sime.
—————————————-
Nëse do t’i mbash mend paudhësitë, o Zot,
o Zot, e kush do të qëndrojë para teje?
Por tek ti gjendet falja
që të dimë të të druajmë.
—————————————-
Shpresoj në ty, o Zot,
shpirti im shpreson në premtimin e tij.
E pret shpirti im Zotin
më tepër se rojtarët agimin.
—————————————-
Le të shpresojë Izraeli në Zotin,
sepse te Zoti është mëshira
dhe i madh është tek Ai shpërblimi.
Ai do ta nxjerrë Izraelin
prej të gjitha paudhësive të tija.
—————————————-
Leximi i dytë 2 Kor 4, 13 – 5, 1
Pali shpjegon arsyen për të cilën besimtarët pranojnë paradoksin e jetës së tyre: të bëhen si Krishti që shpëton me anë të vdekjes. Gjithçka ka kuptim nëse besojmë që Krishti ka vdekur dhe është ngjallur. Në këto dy ngjarje gjendet shpjegimi i guximit të apostujve, edhe kur njeriu i vdekshëm shpërbëhet.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, pasi kemi të njëjtin shpirt feje, sikurse është në Shkrim shenjt: ‘Besova, prandaj edhe fola’, edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim, sepse e dimë se Ai që ngjalli Jezusin Zot, edhe ne do të na ngjallë bashkë me Jezusin dhe do të na vërë bashkë me ju pranë vetes. E të gjithë këto ngjajnë për ju: që hiri – i shumëzuar – të bëjë sa më të begatshëm falënderimin e bashkësisë së shtuar, në lavdi të Hyjit. Prandaj nuk e humbim guximin, por edhe nëse njeriu ynë i jashtëm shkon duke u shkatërruar, njeriu i brendshëm dita-ditës përtërihet. Sepse vështirësia jonë e lehtë dhe e përkohshme na sjell një lavdi të përjetshme, pa krahasim më të madhe. Ne nuk kemi për qëllim të fitojmë gjërat e dukshme, por ato që nuk shihen; sepse sendet e dukshme janë të përkohshme, kurse sendet që nuk shihen janë të përjetshme. Sepse e dimë se, nëse shtëpia jonë tokësore – kjo tendë – shkatërrohet, kemi godinën prej Hyjit banesë të përjetshme, qiellore, që nuk është e punuar nga duart e njeriut. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Unë ju quajta miq, thotë Zoti, sepse ju zbulova gjithçka që dëgjova prej Atit tim.
Aleluja.
Ungjilli Mk 3, 20-35
Skribët pyesin veten: “Kush është Jezusi dhe nga e merr pushtetin të bëjë mrekulli?”; i japin përgjigje vetes duke thënë që është një i djallëzuar dhe që pushteti i vjen nga djalli. Ndërsa, me ardhjen e tij, pushteti i djallit është duke përfunduar. Kush refuzon veprat e tij nuk është i lumtur përjetësisht, por kush e pranon dhe pranon vullnetin e Hyjit, hyn në familjen e tij.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut
Në atë kohë, Jezusi u kthye së bashku me nxënësit e vet në një shtëpi. Prapë u mblodh turmë e madhe sa që as nuk mund të hanin bukë. Kur morën vesh të tijtë, shkuan ta marrin, sepse flitej: “Nuk është në vete.” Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, thoshin: “E ka në trup Beelzebulin, e me anë të kryetarit të djajve i dëbon djajtë.” Ai i thirri t’i afrohen dhe filloi t’u flasë me shëmbëlltyra: “Si është e mundur që djalli ta dëbojë djallin? Në qoftë se një mbretëri çohet kundër vetvetes, ajo shkatërrohet. Po ashtu edhe ajo shtëpi që çohet kundër vetvetes, shkatërro-het. Nëse, pra, djalli çohet kundër vetvetes dhe përçahet, ai shpartallohet – i erdhi fundi! Dhe dihet që s’ka njeri që mund të hyjë në shtëpinë e të fortit dhe t’ia marrë plaçkat pa e lidhur atë më parë. Vetëm atëherë mund t’ia plaçkisë shtëpinë. Për të vërtetë po ju them: njerëzve do t’u falen të gjitha mëkatet e blasfemitë, me të cilat do të blasfemojnë, por kush ta shajë Shpirtin Shenjt, ai s’do të ketë falje për amshim: është fajtor i një mëkati të përhershëm.” Sepse thoshin: “Ka qoftëlargun në trup!” Ndërkaq erdhën nëna e tij dhe vëllezërit e tij. Zunë vend përjashta dhe dërguan dikë ta thërrasë. E kishin rrethuar shumë njerëz. Po i thonë: “Nëna jote dhe vëllezërit e tu janë përjashta e po të kërkojnë.” Ai u përgjigji: “Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?” Si ua hodhi sytë rreth e rrotull atyre që rrinin për rreth tij, tha: “Ja nëna ime e vëllezërit e mi! Sepse, kushdo e kryen vullnetin e Hyjit, ai është vëllai im, motra ime, e nëna!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Mund të jemi të krishterë të pagëzuar, por jo gjymtyrë të gjallë të familjes së Jezusit. Ai na zbulon dashurinë e tij të madhe për turmën sepse e di që është “bariu” i tyre. Të afërmit e Jezusit e gjykojnë si një çmenduri përkushtimin e tij. Edhe ne, që jemi miqtë e tij, shumë herë qëndrojmë indiferentë përballë fjalës së tij, pa një qëndrim të hapur ndaj Tij.
“Kurse skribët që zbritën nga Jerusalemi, …” Mësuesit e ligjit që vijnë nga Jeruzalemi, qyteti i refuzimit, e akuzojnë se është i zotëruar nga djalli, për të mos u kthyer: “Si është e mundur që djalli ta dëbojë djallin?” E gjithë jeta publike e Jezusit është si një luftë kundër djallit. Kryepriftërinjtë i shohin mrekullitë e Jezusit por refuzojnë t’i pranojnë si shenjë e veprimit të Hyjit, që vepron në Të. Kush e refuzon nuk do të hapë sytë para të vërtetës së predikimit të tij dhe qëndron në një gjendje vdekjeje pafund. Ai që qëllimisht i jep djallit atë që vjen nga Hyji, zëvendëson dashurinë me të keqen. Ky qëndrim kërcënon rëndë ekzistencën e personit dhe e dënon me falimentimin e vdekjes së përjetshme.
“Kush është nëna ime e kush janë vëllezërit e mi?” Jezusi duke folur për familjarët e tij thotë që ai nuk u përket më atyre pasi lidhja e thjeshtë e gjakut nuk u lejon ta kuptojnë Jezusin dhe ta pranojnë, që familja e tij e vërtetë ka lidhje ndryshe nga ato të gjakut. Tani vetëm ai, që ndjek vullnetin e Atit, është i aftë të hyjë në familjen e Jezusit.
Lutja e Besimtarëve
M. Çdo ditë jemi të angazhuar në luftën kundër të keqes. T’i kërkojmë Hyjit që të na qëndrojë afër në tundime, të na mbrojë nga i Keqi e ta forcojë fenë tonë.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.
L. O Zot Jezus, Kisha është trupi yt mistik. Dërgoje Shpirtin tënd të Shenjtë, që e drejtuar prej Tij, të kërkojë çdo ditë vullnetin e Atit dhe ta kryejë me besnikëri dhe kurajo. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, vijmë te ti si familjarë dhe si miq. Na lejo të formojmë familjen tënde të re, në të cilën jemi të gjithë vëllezër dhe bij të një Ati të vetëm, që është dashuri dhe mëshirë. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, përballë tundimeve që na ndajnë prej teje dhe prej vëllezërve dhe që krijojnë ndarje dhe kundërshti, fuqia jote fitoftë të keqen në zemrën tonë dhe në jetën publike. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, mbështeti dëshirat për të mirën dhe vendimet paqësore që lindin në zemrat e njerëzve. Rrjetet sociale të favorizojnë solidaritetin dhe respektin e tjetrit me veçoritë e tij. Të lutemi.
L. O Zot Jezus, shikoje bashkësinë tonë të bashkuar rreth altarit tënd; na ripërtërij në eksperiencën e dashurisë dhe të misionit; na jep një zemër të mëshirshme. Të lutemi.
M. Qëndro me ne, o Zot, në ecjen e jetës. Ndriçoji mendimet tona dhe mbështeti vendimet tona. Mos lejo të biem në tundim dhe na liro nga pushteti i të Keqit. Ti që jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.
(ecclesia.al)