E diela IV gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Is 66, 10-14
Profetët u kishin premtuar hebrenjve lumturi dhe siguri, si ajo që provon fëmija në krahët e nënës. Pas mërgimit do të lindte një popull i ri, që do të provonte një besim të ri në Hyjin e vet. Por mërgimi kaloi dhe jeta mbeti e ashpër dhe e varfër. A ishte, pra, një iluzion paqja e premtuar? Por shpresa e popullit mbeti e gjallë dhe e fortë, sepse betimi i Hyjit është gjithmonë i vlefshëm. Këmbëngulja jonë në shpresën është fytyra e dukshme e besnikërisë së Hyjit.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Gëzohuni me Jerusalemin, galdoni për të ju që e doni! Galdoni me të, galdoni, të gjithë ju që qatë mbi të, që të thithni qumësht e të ngiheni prej parzmave të ngushëllimit të tij, që të dërgoni e të kënaqeni në parzmat e lavdisë së tij! Sepse Zoti kështu po thotë: “Ja, unë po bëj të arrijë në të paqja porsi lumë, porsi përrua vërshues pasuria e popujve. Qumësht do të pini, ngrykë do të mbarteni, përmbi gjunjë do t’ju përkëdhelin. Porsi nëna që ngushëllon të birin, ashtu unë do t’ju ngushëlloj; në Jerusalem ngushëllim do të gjeni.” Do të shihni, e zemra juaj do të gëzojë, si bari i njomë do t’ju përtërihen eshtrat, dora e Zotit do të dëftohet mbi shërbëtorët e tij e felgrimi i tij mbi armiqtë e tij. Fjala e Zotit.
Psalmi 66
Ref : Veprat e Zotit janë të mëdha
—————————————-
Mbarë toka le t’i brohoritë Hyjit,
këndoni lavdisë së Emrit të tij,
lartësojeni lavdinë e tij të pamasë!
Thuani Hyjit: “Sa të mrekullueshme janë veprat e tua!”
Le të të adhurojë mbarë toka e le të këndojë,
le t’ia thotë këngës për nder të Emrit tënd!
—————————————-
Ejani e shikoni veprat e Hyjit:
bëri mrekulli shtanguese mes bijve të njerëzve!
Ai e shndërroi detin në terik,
këmbë e kaluan lumin:
për këtë galdojnë me gëzim.
Ai sundon për amshim me pushtetin e vet.
—————————————-
Ejani, dëgjoni, të gjithë ju
që e druani Hyjin,
do t’ju tregoj çka i bëri shpirtit tim.
Qoftë bekuar Hyji që s’ma hodhi poshtë lutjen time,
e nuk ma mohoi mëshirën e vet!
—————————————-
Leximi i dytë Gal 6, 14-18
Fuqia shpëtimtare e kryqit vlen përgjithmonë dhe logjika e kryqit nuk është kurrë jashtë kohe. Nëse Jezusi ka dashur të na shpëtojë me kryqin, kjo do të thotë që kryqëzimi është rruga normale e shpëtimit. Të gjithë herët ose vonë do të thirremi në këtë provë të madhe dashurie, në të cilën njeriu arrin çlirimin e vërtetë.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Galatasve
Vëllezër, sa për mua, mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tonë Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota është e kryqëzuar dhe unë për botën. Sepse s’vlen asgjë as rrethprerja as parrethprerja, por krijesa e re. Të gjithë ata që do ta mbajnë këtë rregull si edhe mbarë Izraeli i Hyjit, paçin paqe e mëshirë!
Pas tashit askush më të mos më trazojë, sepse unë mbar në trupin tim shenjat e Jezusit. Hiri i Zotit tonë Jezu Krishtit qoftë me shpirtin tuaj, o vëllezër! Amen. Fjala e Zotit.
Aleluja
Hyji nëpër Krishtin e pajtoi botën me vetvete, dhe na e besoi neve fjalën e pajtimit.
Aleluja
Ungjilli Lk 10, 1-12.17-20
Misionari shpall se Mbretëria është afër; nuk e bën vetëm me fjalë, por me mënyrën e tij të të sjellurit. Një dëshmi e tillë konsiston sidomos në varfërinë, që nuk është dhe aq një virtyt personal apo mungesa e mjeteve të nevojshme se sa një shenjë e gatishmërisë ndaj Ungjillit për shërbimin e vëllezërve. Jezusi dërgon të shtatëdhjetë e dy dishepujt për të treguar që lajmërimi misionar i Ungjillit është detyrë e të gjithë të krishterëve.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës tjerë dhe i dërgoi nga dy e dy përpara vetes në çdo qytet dhe vend, ku mendonte të shkojë. U thoshte: “Të korrat janë të mëdha e punëtorë janë pak! Lutni të zotin e të korrave të çojë punëtorë në të korrat e veta. Shkoni! Ja, po ju dërgoj porsi qengja midis ujqish! Mos merrni me vete as qese, as strajcë, as sandalet, e mos përshëndetni udhës askënd! Në cilëndo shtëpi të hyni, më parë thoni: ‘Paqja me këtë shtëpi!’ Po qe se është aty ndokush mik i paqes, mbi të do të zbresë paqja juaj; po qe se s’është asnjë, do të kthehet te ju. Rrini në atë shtëpi! Hani e pini çka t’u ketë qëlluar; sepse punëtori ka tagër në rrogën e vet. Mos kaloni prej një shtëpie në tjetër! Në çdo qytet që të hyni e t’ju pranojnë, hani çka t’ju vënë përpara. Shëroni të sëmurit që janë në të e thoni popullit: ‘U afrua Mbretëria e Hyjit!’ Por edhe, në cilindo qytet që të hyni e nuk ju pranojnë, dilni në rrugët e tija e thoniu: ‘Deri edhe pluhurin e qytetit tuaj që u kap për sandalet tona, po e shkundim e po jua lëmë. Por veç ta dini: u afrua Mbretëria e Hyjit!’ Unë po ju them: Sodomasit do ta kenë më lehtë atë ditë se ai qytet.” Të shtatëdhjetë e dy nxënësit u kthyen me gëzim e thanë: “Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!” Jezusi u tha: “Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! Qe, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!” Fjala e Zotit.
POROSIA
Ungjilli i Jezusit u është drejtuar të gjithë popujve, ai ua beson të gjithë dishepujve të tij. Çdo i pagëzuar është “i dërguar”, është një misionar. Shpallja e Ungjillit u është besuar të gjithë dishepujve, u është drejtuar të gjithë njerëzve “Zotëria i zgjodhi edhe shtatëdhjetë e dy nxënës të tjerë” e i dërgoi. Misioni përkufizon vetë identitetin e Kishës. Kisha ekziston e vepron vetëm për të ungjillëzuar.
“I dërgoi dy e nga dy”: në shoqëri, sepse, duke jetuar dashurinë e anasjelltë e bashkimin, i lejojnë Jezusit të jetë i pranishëm mes tyre e me ta. Është Kisha – bashkimi që ungjillizon e jo ai që është vetëm.
“Lutjuni zotërisë së meshës”. Nisma i përket Hyjit. Është e tij vepra e Ungjillëzimit. Lutja është thirrje drejtuar atij që të nxjerrë punëtorë të rinj të Ungjillit dhe t’i mbështesë, që ta bëjë të efektshme fjalën e tyre në zemrën e atij që dëgjon.
“Mos merrni as çanta, as qese”. Jezusi tregon stilin e varfërisë dhe të thjeshtësisë që duhet të karakterizojë të dërguarit, që dëshmojnë se Zoti është thesari i tyre i vetëm.
“Thuajuni atyre: është afër jush Mbretëria e Hyjit”. Domethënë Hyji vetë është këtu, ju kërkon, do të bashkohet me ju për t’ju bërë të lumtur. Shpalleni këtë ngjarje: Jezusi i ngjallur është Ai Mbretëria, nëpërmjet Tij Hyji bëhet i pranishëm, zbulohet e dhuro-het. Nëpërmjet Tij fati i fundit i njeriut është jeta dhe jo vdekja. “Emrat tuaj janë shkruar në qiej”, tashmë i përkisni Jezusit e me Të jeni në zemrën e Hyjit: këtu qëndron themeli i paqes së tyre dhe i lumturisë.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër, me Pagëzimin dhe Krezmi-min kemi marrë mbi vete misionin që të jemi në botë dëshmitarët e Krishtit. T’i kërkojmë Hyjit Atit tonë që të mund t’i përgjigjemi plotësisht. Të lutemi së bashku e të themi:
Ardhtë mbretëria jote, o Zot.
L. Për Barinjtë e Kishës që të ndjejnë të parët përgjegjësinë për të udhëhequr popullin e Hyjit me fjalën dhe shembullin. Të lutemi
L. Për të gjithë besimtarët në Krishtin që të konsiderojnë përgjigjen ndaj misionit si një angazhim personal, që duhet ta kryejnë me bujari e guxim. Të lutemi
L. Për ata të cilët lodhen për një bashkëjetesë më të mirë që të kuptojnë se feja në Krishtin i jep vlerë të plotë angazhimit të tyre për dinjitetin e njeriut. Të lutemi
L. Për ne që të marrim nga kjo Eukaristi guxim e qetësi për t’u dërguar Lajmin e mirë edhe “atyre që janë larg”, të cilët ndjehen të braktisur dhe të përjashtuar. Të lutemi
M. Atë i gjithëpushtetshëm, bëj që Kisha jote të zgjedhë për misionin e saj mes njerëzve mjetet më të thjeshta dhe më të varfra, siç bëri Krishti Biri yt. Ai jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.
(ecclesia.al)