E diela XXXI gjatë vitit – viti C
Leximi i parë Urt 11, 22 – 12, 2
Autori i kësaj pjese tregon historinë e shpëtimit dhe vë në dukje pasojat: Ai mediton mbi këtë histori për të hyrë më në thellësi në njohjen e Hyjit. Çdo herë që reflekton mbi ngjarjet e historisë Ai rinjeh se dituria e Hyjit është autori i planit të shpëtimit tonë. Në Besëlidhjen e Re, Krishti do të quhet dituria e Hyjit dhe fjala e shpëtimit.
Lexim prej Librit të Urtisë
O Zot, mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë. Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën kinse s’i sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen. Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë send, nuk e kishe krijuar. E si do të mbetë në jetë ndonjë send, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti në jetë? Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës, sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka. Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot. Fjala e Zotit.
Psalmi 145
Ref: Le të lavdërojnë, o Zot, të gjithë veprat e tua.
—————————————-
Do të lartësoj, o Mbret, Hyji im,
dhe do ta bekoj Emrin tënd
përgjithmonë e jetës.
Çdo ditë do të të bekoj,
dhe do ta lavdëroj Emrin tënd.
—————————————-
Zoti është vetë butësia e mëshira,
i ngadalshëm në zemërim dhe plot dashuri.
Zoti është i mirë për të gjithë,
i dhimbshëm për të gjitha krijesat e veta.
—————————————-
Le të lavdërojnë, o Zot,
të gjitha veprat e tua,
e le të bekojnë shenjtërit e tu.
Le ta tregojnë lavdinë e mbretërisë sate,
le të kuvendin për pushtetin tënd.
—————————————-
Për t’ua shpallur njerëzve
gjithëpushtetësinë tënde dhe lavdinë e madhërisë së mbretërisë sate.
Mbretëria jote është mbretëri e amshueshme,
pushteti yt prej breznie në brezni.
—————————————-
Leximi i dytë 2 Sel 1, 11 – 2, 2
Në letrën e dytë drejtuar selanikasve, Pali nuk është më i sigurt për ardhjen e shpejtë të Krishtit. Fton besimtarët të mos lejojnë të gënjehen për datën e fundit të botës. Nëse fundi i botës është mbledhja e njerëzve rreth Krishtit, nuk duhet të mërzitemi. Është madje një arsye për të na dhënë guxim në mundimin për të ndërtuar dialog dhe paqe mes njerëzve. Krishti do të realizojë premtimin e bashkimit për të gjithë njerëzit në kohën e vendosur prej Atit.
Lexim prej Letrës së dytë të Shën Palit apostull drejtuar Selanikasve
Vëllezër, lutemi përherë për ju që Hyji ynë t’ju bëjë të denjë për thirrjen e vet dhe me fuqinë e vet t’ju bëjë të aftë të kryeni çdo të mirë që dëshironi dhe fenë tuaj ta bëjë vepruese. Kështu Emri i Jezusit, Zotit tonë, do të madhërohet në ju po edhe ju në Të në saje të hirit të Hyjit tonë dhe të Jezu Krishtit Zot. Në lidhje me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krishtit dhe me bashkimin tonë rreth tij, ju bëjmë lutje, vëllezër, mos lejoni të merreni mendsh dhe as mos u trazoni për shkak të ndonjë vegimi kinse profetik, ose të ndonjë fjale ose të ndonjë letre kinse të shkruar prej nesh, thua se ja, arriti dita e Zotit! Fjala e Zotit.
Aleluja.
Shpirti i Zotit është mbi mua. Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin dhe t’u shpall robërve çlirimin.
Aleluja.
Ungjilli Lk 19, 1-10
Zakeu, qytetar i Jerihonit, kryetari i tagrambledhësve të qytetit, jeton me përfitimet nga fajdet; kështu është bërë i pasur, por objekt urrejtjeje për të gjithë popullin. Jezusi do ta bëjë këtë njeri birin e Abrahamit. Krishti përuron një njerëzim të ri, dhe ata që e ndjekin duhet të kalojnë çdo ndarje dhe diskriminim. Jezusi ulet në tavolinë me ne mëkatarët dhe rreth tryezës së Tij njerëzit e të gjitha racave duhet të mësohen të bashkëjetojnë.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës
Në atë kohë, Jezusi hyri në Jerihon dhe po kalonte nëpër qytet. Dhe, ja, një njeri që quhej Zake. Ky ishte kryetagrambledhës dhe pasanik. Dëshironte të shihte kush është Jezusi, por nuk mundte prej popullit, sepse ishte me shtat i vogël. U lëshua vrap përpara, shkoi e hipi në një fik për ta parë sepse andej do të kalonte. Kur Jezusi erdhi në atë vend, shikoi përpjetë dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt! Sot do të vij të rri në shtëpinë tënde!” Ai zbriti me nxitim dhe e pranoi plot gëzim. Të gjithë ata që panë, filluan të nynykasin: “Ktheu të rrijë te një mëkatar!” Zakeu u ngrit në këmbë dhe i tha Zotërisë: “Qe, Zotëri, gjysmën e pasurisë po ua jap skamnorëve, e, nëse ia kam bërë ndokujt ndonjë të padrejtë, ia kthej katërfish!” Atëherë Jezusi i tha: “Sot i erdhi kësaj shtëpie shëlbimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit! Biri i njeriut erdhi ta kërkojë e ta shëlbojë atë që pati humbur.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Në jetën e një njeriu ndodhin disa takime, në dukje rastësore, që ndryshojnë rrënjësisht jetën. Kështu i ka ndodhur Zakeut, “kreu i tagrambledhësve dhe njeri i pasur”. Ai është një njeri grykës e i pandershëm; por, në rolin e tagrambledhësit, është i përbuzur dhe mbahet për mëkatar.
“U lëshua me vrap…u ngjit mbi një fik”. Lë pas dore interesat e veta dhe duke ndjekur një impuls të brendshëm, vendoset në kërkim të Jezusit. “Jezusi shikoi përpjetë”, duke ndeshur në shikimin e Zakeut. Ai, që dëshironte dhe kërkonte Jezusin, zbulon, akoma më përpara, se është i dëshiruar dhe i kërkuar.
“Zbrit menjëherë, sepse sot do të ndaloj në shtëpinë tënde”. Këtu shihet urgjenca, nevoja që Jezusi ndjen për të takuar Zakeun, për t’i dhuruar mëshirën e Atit që ndjek të humburit, i kërkon dhe i shpëton. Zakeu i gatshëm “e mirëpret plot me gëzim”. Ky gëzim është shenja e shpëtimit që po e mbush mëkatarin e mjerë.
“Jap .. kthej” është angazhimi që Zakeu i deklaron Jezusit e zbulon vendimin e tij për të ecur në rrugën e drejtësisë e bashkëndarjes. Për këtë arsye bëhet një njeri i lumtur, domethënë i shpëtuar. Konfirmimi vjen nga vetë Jezusi: “Sot shpëtimi hyri në këtë shtëpi”.
Gjesti i kthimit, që Zakeu kryen, ndikon direkt edhe mbi ata që jetojnë afër tij, mbi anëtarët e familjes se tij. Edhe njeriu më i humbur e i padepërtueshëm, nëse takon Jezusin e lejon që të preket në zemër nga Ai, gjen forcën për t’u ngjallur e provon gëzimin e shpëtimit.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra fort të dashur, Jezusi na ka zbuluar planin e shpëtimit të Atit. Ia drejtojmë zemrën tonë mëshirës së Hyjit që të mbështesë lutjet tona e të na mësojë gjithmonë rrugën e faljes dhe të mirënjohjes. Të lutemi së bashku e të themi:
O Zot, shtoje besimin tonë.
L. Për Kishën, që nëpërmjet ministrave të saj të di të shpërndajë mëshirën e Hyjit dhe të ftojë në kthim çdo qënie njerëzore. Të lutemi
L. Për qeveritarët që të rrisin planet e drejtësisë, paqes dhe të mbrojtjes së më të varfërve. Të lutemi
L. Për ata që vuajnë për shkak të mëkatit të tyre, që të mos humbin shpresën për faljen e Hyjit dhe të mos bien në tundimin e shkurajimit. Të lutemi
L. Për atë që është i dobët dhe i varfër që të mund të njohë shpëtimin e Hyjit nëpërmjet gjesteve të mirësisë dhe të provanisë që bashkësia jonë e krishterë mund t’u ofrojë. Të lutemi
L. Për ne këtu të bashkuar, që ashtu si Zakeu, të dimë të takohemi me Jezu Krishtin dhe të hapim në emrin e tij zemrën dhe duart për vëllezërit në nevojë. Të lutemi
M. Pranoji, o Atë, lutjet tona e bëj që, me ndërmjetësinë e Maries dhe të gjithë Shenjtërve, të mund të kemi një besim më të fortë, një shpresë më të gjallë e mbi të gjitha, guximin për të jetuar në vëllazëri dhe solidaritet me të gjithë çdo ditë të jetës sonë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.
(ecclesia.al)