Përvujtëria të ngritë

E Diela XXII gjatë vitit – viti C

 

 

Leximi i parë   Sir 3, 17-18. 20. 28-29

Autori i këtij libri diturie kujton gjërat që i pëlqejnë Hyjit. Hyji nuk do gjërat e mëdha, por ato të thjeshtat, nuk kërkon njerëz të fuqishëm, por të vegjël, të përvuajtur. Shihet qartë mesazhi i lumturive dhe shpirti i përvuajtur dhe i thjeshtë i Jezusit të Nazaretit. 

 

Lexim prej Librit të Siracidit

Biri im, ditën e vështirësisë sate Zotit do t’i bjerë ndër mend për ty, e, sikurse dielli e shkrin akullin, mëkatet e tua do të shkrihen. Se ç’zë të keq i sjell vetes, ai që e braktis babën; i mallkuar prej Hyjit është ai, që e fyen t’ëmën. Sa më i madh të jesh, përule vetveten në çdo gjë, e do të gjesh hir para Hyjit. Ka shumë të mëdhenj e të lavdishëm, por Hyji të thjeshtëve ua zbulon misteret. Zemra që do të hyjë nëpër dy udhë, s’do të ketë sukses, zemërkeqi në to do të rrëzohet. Zemra e keqe do të ngarkohet me dhimbje e mëkatari do të shtojë mëkat mbi mëkat. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   68

 

Ref: Ti, o Zot, je Ati i të gjithë popujve

———————————————–

Të drejtët le të gëzohen në praninë e Hyjit,

le të galdojnë e le të brohorisin me hare.

———————————————–

Këndoni Hyjit, madhërojeni Emrin e tij,

“Zot” është Emri i tij;

vallëzoni në praninë e tij!

———————————————–

Ati i bonjakëve, mbrojtësi i të vejave

është Hyji në banesën e vet të shenjtë.

Hyji u siguron banesën të pashtëpive,

u hap të burgosurve derën e lirisë.

———————————————–

Ti, o Hyj, lëshove një shi të madh,

trashëgimin tënd të lodhur e ripërtërive.

Populli yt gjeti strehim

që në mirësinë tënde, o Hyj, e përgatite për të mjerin.

———————————————–

 

Leximi i dytë   Heb 12, 18-19.22-24

Në Besëlidhjen e Re, në ndryshim nga Besëlidhja e parë të gjithë të krishterët janë ftuar, pa dallime klasore, të afrohen afër Asamblesë së bijve të Hyjit. Ata jetojnë në familjaritet me Hyjin. Nuk duhet të jemi as profesorë, as shpallës me gojë të së vërtetës së Hyjit, por dëshmitarë.  Falë Jezu Krishtit, ndërmjetës i Besëlidhjes së Re, mund të banojmë në botën e Hyjit.

 

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, ju nuk iu afruat malit të prekshëm, as flakëve të zjarrit, as errësirës, as territ, as stuhisë, as zërit të trompetës, as ushtimës së fjalës; ata që e dëgjuan, u lutën të mos u fliste më. Përkundrazi i jeni afruar malit Sion, qytetit të Hyjit të gjallë, Jerusalemit qiellor: numrit të pamasë të engjëjve të bashkuar në festë, bashkimit të parëlindurve, emrat e të cilëve janë të shkruar në qiell, Hyjit, Gjyqtarit të të gjithëve, shpirtrave të të drejtëve që ia arritën përsosmërisë, Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re dhe Gjakut stërpikës që flet më mirë se gjaku i Abelit. Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Shpirti i Zotit është mbi mua: Ai më dërgoi t’u kumtoj të vobektëve Ungjillin, t’u shpall robërve çlirimin.

Aleluja.

 

 

Ungjilli   Lk 14, 1.7-14

Jezusi u jep një mësim përvujtërie dëgjuesve të tij, që bashkoheshin shpesh në tryeza festive për të diskutuar argumente “serioze”, ndonjëherë edhe fetare, me shumë fjalë të kota. Jezusi, duke marrë pjesë në një tryezë të tillë, flet për një virtyt të ri, i pajetuar nga të pranishmit: përvujtërinë. Ai u kërkon të ndryshojnë mentalitetin e tyre dhe të ftojnë leckamanët e mjerët për drekë. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Një të shtunë Jezusi shkoi në shtëpinë e një kryetari farisenjsh për të ngrënë bukë e të pranishmit po e vërenin dijekeqas. Duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para, u tha këtë shëmbëlltyrë: “Kur ndokush të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit, pse ndoshta është i grishur ndonjë qe duhet nderuar më tepër se ti, që, kur të vijë ai që të ka thirrur ty dhe atë, të mos të thotë: ‘Lëshoja vendin këtij!’ Atëherë të duhet, plot turp, të shkosh e të zësh vendin e fundit. Përkundrazi, kur të jesh i grishur, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka grishur, të thotë: ‘Mik, ngjitu më lart!’ Atëherë ke për të qenë i nderuar në sy të të gjithë të grishurve. Vërtet, kushdo e lartëson veten, do të përvujtërohet, e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet.” Atëherë iu drejtua edhe atij që e kishte grishur: “Kur shtron drekë ose darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjtë e pasur, sepse mund të ndodhë se edhe ata të thërrasin ty për ta kthyer nderën e kështu ta shpërblejnë. Por, kur të bësh gosti, grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër. Atëherë do të jesh i lum, sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë dhe do të shpërblehet në të ngjallur të të drejtëve.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Përvujtëria është arti i njohjes së vetë vendit të krijesës që e di se nuk meriton asgjë e nuk është asgjë përballë Hyjit.

Jezusi, “duke vënë re sesi të grishurit zgjidhnin vendet e para”, tregon një shëmbëlltyrë. Ai, i ftuar në një drekë, vëzhgonte të ftuarit që kërkonin të qëndronin më përpara në tryezë dhe të ishin superior ndaj të tjerëve.

“Kur ndokush të ftojë në dasëm, mos u ul në krye të vendit”. Jezusi nuk synon të japë këshilla për të shmangur një figurë të keqe apo për të bërë një figurë të mirë, por do të pohojë se “kushdo e lartë-son veten, do të përvujtërohet (nga Hyji), e kush e përvujtëron vetveten, do të lartësohet (nga Hyji)”.

Hyji përjashton nga Mbretëria atë që mburret se është i drejtë e paraqet përpara Tij të drejtat e veta. Hyji pranon të përvuajturin që e quan veten të padenjë për dhuratat hyjnore. Jezusi na paralajmëron nga çdo formë mendjemadhësie që na çon ta konsiderojmë vetveten më të drejtë e më të mirë se të tjerë.

“Kur shtron drekë, … grish skamnorë, të gjymtë, të çalë e të verbër… sepse këta nuk kanë me çka ta kthejnë”. Jezusi na tregon një përmasë tjetër të bamirësisë: të japësh falas. Na mëson se dashuria nuk  llogarit dhe jep falas e largon mosbarazinë e diskriminimin mes personave. Na kërkon të privilegjojmë ata që normalisht njerëzit i vendosin në fund. Në një shoqëri të sëmurë nga egoizmi e nga indiferenca Jezusi prezanton terapinë e dashurisë që dhuron falas, që ofron një vëmendje të veçantë atij që nuk është i dashur.

 

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, t’i drejtohemi me besim Hyjit, Atë i të përvuajturve, të sigurtë për të gjetur hirin e tij.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na jep, o Zot, një zemër të përvuajtur.

L. Që Kisha, në një botë të shënuar nga dhuna dhe nga kërkimi i suksesit, të nderojë gjithmonë praninë e Zotit në të përvuajturit dhe në të vuajturit. Të lutemi

L. Që të krishterët, jo vetëm në jetën private por edhe në atë shoqërore, të bashkëpunojnë për ta bërë shoqërinë më njerëzore dhe të drejtuar drejt së mirës së vërtetë të përbashkët. Të lutemi

L. Që të rinjtë të jenë të vëmendshëm ndaj thirrjes së atyre që vuajnë padrejtësi dhe të dinë të dhurojnë ekzistencën e tyre për të realizuar plane në favor të dinjitetit të çdo fëmije. Të lutemi

L. Që kjo bashkësi liturgjike të mësojë nga Eukaristia që dashuria është hapja për të vlerësuar dhe për t’u shërbyer vëllezërve. Të lutemi

M. O Hyj, që me Krishtin na ke dhënë një shembull të ndritshëm përvujtërie, na ndihmo të njohim vendin që Ti na ke dorëzuar dhe ta zhvillojmë misionin tonë në favor të vëllezërve. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

(ecclesia.al)

Shpëndaje: