Programi i Jezusit për të qenë të lumtur!

E diela IV gjatë vitit – viti A

 

 

Leximi i parë   Sof 2, 3; 3, 12-13

Profeti Sofonia jeton në një komb që pothuajse është shkatërruar plotësisht dhe sheh në të varfrit, në të përvuajturit mundësinë për të kërkuar Zotin, për t’iu shmangur gjykimit të Zotit dhe për të vazhduar nëpërmjet besimit të tyre veprën e shpëtimit të Hyjit.

 

Lexim prej Librit të Sofonisë profet

Kërkojeni Zotin, të gjithë ju, të përvuajturit e tokës, ju që i kryeni urdhërimet e tija! Kërkoni drejtësinë, kërkoni butësinë, që disi të mund të fshiheni ditën e felgrimit të Zotit! Do të bëj në mjedisin tënd të qëndrojë populli i përvuajtur e i varfër! Në emër të Zotit do të kërkojë strehim teprica e Izraelit. Paudhësi nuk do të bëjnë më, rrena më nuk do të thonë, në gojë të tyre s’do të gjendet më gjuhë gënjyese! Por do të kullosin e do të mrizojnë pa pasur kush t’i shqetësojë! Fjala e Zotit

 

 

Psalmi  146

 

Ref. Lum skamnorët në shpirt

——————————–

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

——————————–

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

——————————–

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni.

——————————–

 

Leximi i dytë    1 Kor 1, 26-31

Hyji ka treguar fuqinë e tij dhe dijen e tij duke shpëtuar ata që besojnë, me një mjet kaq të brishtë që anjë i ditur i kësaj bote s’do ta kishte menduar të aftë për të shpëtuar: Kryqi i Jezusit. Tani ky realitet është i dukshëm në jetën e të krishterëve.  Pjesa më e madhe e tyre janë njerëz që nuk kanë ndikim në shoqëri e megjithatë Hyji i ka bërë dëshmitarë të shpëtimit të tij.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, pleqëroni kush jeni ju që e morët thirrjen e Hyjit? S’ka ndër ju shumë të dijshëm për sy të njerëzve, as shumë të fuqishëm, as shumë bujarë! Por Hyji zgjodhi të marrët në sy të botës për t’i turpëruar të mençurit, dhe të dobëtit në sy të botës i zgjodhi Hyji për t’i turpëruar të fortit; dhe jo bujarët e botës e të përbuzurit i zgjodhi Hyji, mu edhe ata që nuk janë, që t’i asgjësojë ata që janë, në mënyrë që asnjë njeri të mos mburret para Hyjit. Po, Ai bëri që ju të jeni në Krishtin Jezus, i cili u bë për ne dije që vjen prej Hyjit, drejtësi, shenjtërim dhe shpërblim, sikurse thotë Shkrimi shenjt: ‘Kush mburret, le të mburret në Zotin.’ Fjala e Zotit.

 

 

Aleluja.

Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell!

Aleluja.

 

 

Ungjilli    Mt 5, 1-12

Lumturia që premtohet këtu i përket mbi të gjitha atij që i druhet Zotit. Ajo u premtohet nga Jezusi kategorive të ndryshme personash e mbi të gjitha të varfërve në shpirt. Këtyre personave që nuk kanë rëndësi para njerëzve, por vënë besimin e tyre në Zotin, u është dhuruar lumturia. Mund ta jetojnë lumturinë e Krishtit Jezus ata që pranojnë Jezusin në jetën e tyre dhe vënë në jetë fjalën e tij. Lumturitë janë dokumenti më i rëndësishëm i Ungjillit: tregoj-në rrugën e re për të arritur shpëtimin.

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Mateut

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!

Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Jo po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” Fjala e Zotit!

 

 

POROSIA

Këtë të diele hyjmë në zemrën e Ungjillit, në Kushtetutën e Krishterimit. Në Besëlidhjen e Vjetër, shpesh lumturia përshkruhej si bollëku i të mirave materiale, ndërsa mungesa e lumturisë konkretizohej me varfërinë. Në Ungjillin e sotëm prezantohet një doktrinë e re. Jezusi si Mosiu i ri, ofron një ligj të ri dhe përgatit një popull të ri, në të cilin deklarohen të lumë “skamnorët në shpirt”: ata që lëshohen në krahët atërorë të një Hyji që i do. Edhe profeti Sofonia na flet për Hyjin, i cili shkatërron të korruptuarit, ndërsa bën të rritet populli i të përvuajturve dhe skamnorëve. Fjalët e Jezusit sot na tronditin. Në të vërtetë lumturia dhe gëzimi, që ai ofron, i korrespondojnë egzaktësisht të kundërtës së asaj që ne konsiderojmë burim kënaqësie: pasuria, forca, dinakëria, arroganca. Jezusi nuk më thotë që jam pafundimisht me fat, nëse jam i varfër, nëse vuaj nga dhuna dhe lotët. Ai nuk e do vuajtjen, e për sa ka qenë e mundur e ka shmangur. Ati është një Hyj i varfër, i mëshirshëm, dhe i butë, një Hyj që do paqen, e që, për dashuri, është gati të vuajë tmerrësisht. Një Hyj kaq i ndryshëm nga si e imagjinojmë ne. Lumturia nuk qëndron në dhimbjen, në mjerimin, por në faktin që Hyji mbush zemrën e të varfrit që i besohet atij. Nëse jetojmë në Jezusin dhe jemi në sintoni me Të, jemi të lumë. E kush mund të jetë në këtë sintoni, përveç atij që jeton në varfëri, në butësi, në pastërtinë e zemrës?

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër, Krishti është Moisiu i ri që, i ulur mbi malin e shenjtë, na ofron Fjalën që shpëton. Marrësit e parë janë “të varfrit në shpirt dhe të përvuajturit”, pra ata që kanë zemrën e thjeshtë dhe të lirë.

L. Të lutemi së bashku e të themi: Na dëgjo, o Zot.

L. Për Kishën: që nën ngjashmërinë e të vegjëlve të Ungjillit të ndjekë besnikërisht Zotin e saj. Të lutemi.

L. Për të varfrit, të plagosurit në zemër dhe të persekutuarit: që të ndihen më afër Zotit, i cili në Ungjill i shpall të lumë. Të lutemi.

L. Për ata që kundërshtojnë Jezusin dhe Ungjillin e tij: që të rinjohin në Të, Shpëtimtarin dhe në doktrinën e Tij, të vërtetën dhe jetën. Të lutemi.

L. Për të sëmurët: që t’u kushtohet vëmendje e veçantë sëmundjes së tyre, dhe ata të ndjejnë solidaritetin e të gjithë të krishterëve. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë, që të pranojë Shpirtin e Lumturive dhe të dijë ta jetojë në jetën e saj të përditshme. Të lutemi.

M. Bëj, o Zot, që ta jetojmë varfërinë ungjillore, për t‘u ndjerë të lumë nga ty dhe të bëhemi vegla për ndërtimin e një urdhri të ri, të ndërtuar mbi drejtësinë, mbi solidaritetin dhe mbi dashurinë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: