E diela I e Ardhjes – viti A
Leximi i parë Is 2, 1-5
Isaia profet e parashikon në të ardhmen kryerjen e planit hyjnor të shpëtimit: të gjithë popujt do të dynden në Jeruzalem, qyteti i Hyjit, qyteti i paqes. Jeruzalem do të thotë “qytet i paqes”, dhe është simbol i njerëzimit të dashur prej Hyjit. Megjithë pabesnikëritë e tij, Hyji e rindërton dhe bën të lindë prej tij Paqen mbi tokë dhe Bamirësinë e Hyjit ndaj njerëzve.
Lexim prej Librit të Isaisë profet
Vegimi që pa Isaia, biri i Amosit, në lidhje me Judenë e Jerusalemin. Do të ndodhë në kohën e ardhshme: mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset mbi majën e maleve, e do të ngallitë përmbi kreshta dhe të gjithë popujt do të ngarendin tek ai. Tek ai do të shkojnë shumë fise e do të thonë: “Ejani të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Hyjit të Jakobit që të na i mësojë udhët e veta e të ecim shtigjeve të tija,” sepse nga Sioni do të dalë Ligji dhe nga Jerusalemi fjala e Zotit. Ai do të jetë gjykatësi i popujve dhe do t’i gjykojë fiset e shumta, shpatat e veta do t’i kthejnë në plorë e heshtat në drapërinj. Një popull nuk do të ngritë shpatën kundër një populli tjetër dhe më s’do të ushtrohen për luftë. Eja, o shtëpia e Jakobit, të ecim në dritën e Zotit! Fjala e Zotit.
Psalmi 122
Ref: Të shkojmë me gëzim në takim me Zotin.
———————————–
Sa u gëzova kur më thanë:
“Eja të shkojmë në shtëpinë e Zotit!”
Ja, tashmë këmbët tona shkelën
në dyert e tua, o Jerusalem!
———————————–
Atje ngjiten fiset, fiset e Zotit,
sipas rregullores në Izrael
për të kremtuar emrin e Zotit.
Atje janë selitë e gjykatores së drejtësisë,
selitë e shtëpisë së Davidit!
———————————–
Lutuni për paqen e Izraelit:
“U priftë e mbara atyre që të duan ty!
Mbretëroftë paqja në muret e tua
dhe qetësia në pirgjet e tua!”
———————————–
Për dashuri ndaj vëllezërve e miqve të mi
do të them: “Paqja me ty!”
Për dashuri ndaj shtëpisë së Zotit, Hyjit tonë,
do të lutem t’i kesh të gjitha të mirat!
———————————–
Leximi i dytë Rom 13, 11-14
Shën Pali duke u shkruar Romakëve na fton të përgatitemi për ardhjen e ditës së Zotit, duke i flakur tej veprat e territ dhe duke u veshur me armët e dritës. Për të krishterin qëndron pikërisht këtu kuptimi i historisë njerëzore dhe i historisë së vet: të ecësh drejt Krishtit. I krishteri është një person pa durim, që do të shpejtojë takimin me Krishtin, dritën e botës. Ai nuk mund të flerë, që kur Krishti ka fituar mbi natën dhe ka inaguruar ditën e re.
Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve
Vëllezër, është koha të zgjoheni nga gjumi, sepse tash shpëtimin e kemi më afër se kur besuam. Nata ka shkuar në të sosur e dita është afruar. Prandaj, t’i flakim larg veprat e errësirës e të ngjeshemi me armët e dritës. Të ecim me nder, porsi ditën, jo në gosti e zdërhallje, jo në fëlligshti e në shfreni, jo në grindje e në smirë. Por, veshuni me Jezu Krishtin Zot, e në kujdes për trup, mos i kënaqni prirjet e ulta. Fjala e Zotit.
Aleluja.
Na e trego, o Zot, mëshirën tënde, dhe na e jep shëlbimin tënd.
Aleluja.
Ungjilli Mt 24, 37-44
Zoti Jezus duke shpallur ardhjen e tij, na fton të rrimë zgjuar me veprat e dashurisë. Të krishterët e parë prisnin një fakt të menjëhershëm dhe përfundimtar, ndërsa bota e njerëzve të tjerë jetonte pa ideale dhe shpresa. Ndjenin nevojën të qëndronin gati, sepse Hyji vjen çdo ditë. Bëhet fjalë të jemi gati dhe të përqëndruar jo nga frika e vdekjes, por për të mos humbur rastin për të qenë gjithmonë me Hyjin.
Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Mateut
Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Si qe në ditët e Noehit – ashtu do të jetë edhe ardhja e Birit të njeriut, dhe, sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë, e nuk ua preu mendja se do t’u ndodhte gjë derisa s’erdhi përmbytja e i fshiu: ashtu do të jetë edhe në ardhjen e Birit të njeriut. Atëherë, prej dy vetëve, që kanë për t’u gjetur në arë, njëri do të merret e tjetri do të lihet; prej dy grave që do të bluajnë në mokër, njëra do të merret e tjetra do të lihet. Prandaj: rrini zgjuar, sepse nuk dini se në ç’ditë do të vijë Zotëria juaj! E mos harroni: po ta dinte i zoti i shtëpise se në ç’orë të natës i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar e nuk do të lejonte t’i thyhej shtëpia. Prandaj: rrini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk e pritni.” Fjala e Zotit.
POROSIA
Jemi të gjithë të tunduar të mësohemi me zakonet e përditshme e në monotoninë e jetës, e të humbasim pasionin për të jetuar në thellësinë e zemrës.
Sot prezantohen dy tema: paparashikueshmëria e ardhjes së Birit të njeriut e nevoja për të qenë gati. “Siç qenë ditët e Noehit, kështu do të jetë ardhja e Birit të njeriut”. Jezu Krishti, Biri i njeriut do të jetë ai që do të vijë si gjykatës në fund të kohërave, në mënyrë të paparashikueshme.
“Sikurse në ditët para përmbytjes, njerëzit hanin e pinin, merrnin gra e gratë burra” Fundi do të ndodhë ndërsa kryejmë aktivitetet e përditshme. Në të përditshmen luhet e ardhmja jonë. Për të mos provuar ndonjë surprizë duhet të qëndrojmë në dritën e besimit. “Atëherë dy persona do të jenë në arë: njëri do të merret e tjetri do të lihet”. Ajo që ndërton fatin e një personi nuk është ajo që bën, por mënyra në të cilën bëhet, motivimet e thella që udhëheqin sjelljen.
“Vigjiloni pra, sepse nuk e dini në cilën ditë Zoti do të vijë”. Përderisa është e pasigurt dita e ardhjes së Zotit, sjellja e vërtetë e besimtarit është vigjilenca. “Nëse pronari i shtëpisë e dinte në cilën orë të natës do të vinte hajduti nuk do të lejonte t’i vidhej shtëpia”. Hajduti vjen pa lajmëruar e në një orë të papërcaktuar.
Nuk duhet ta konsiderojmë veten pronarë të jetës sonë, përderisa vdekja merr me vete çdo gjë. Duhet të vigjilojmë: është vetë njeriu që ka në duart e tij shpëtimin ose humbjen e vet.
Lutja e Besimtarëve
M. Vëllezër e motra, në fillim të vitit liturgjik t’ia drejtojmë me besim lutjen tonë Atit së bashku me Shpirtin Shenjt që na mbështet në pritjen vigjilente të Zotit Jezus.
L. Të lutemi së bashku e të themi: Ardhtë mbretëria jote, o Zot.
L. Për Kishën në ecje: që të jetë dritë e së vërtetës, e aftë për të udhëhequr drejt Shpëtimtarit Jezus ata që nuk kanë akoma dhuratën e besimit. Të lutemi.
L. Për bashkësitë tona: që të jenë të matura e të përdorin në mënyrë të arsyeshme mjetet e komunikimit shoqëror e të jenë të hapura në veprimin e Shpirtit Shenjt, me lirinë e zemrës. Të lutemi.
L. Për të sëmurët dhe për ata që rrinë zgjuar me netë të tërë pranë tyre në spitale apo në shtëpi: që të ndjejnë afër Zotin që ripërtërin shpresën e mëngjesit që po vjen. Të lutemi.
L. Për të gjithë ne këtu të pranishëm në këtë liturgji: që të ushqyer nga Fjala e së vërtetës dhe nga Buka e jetës të mos lejojmë që të ngatërrohemi nga situatat në të cilat jetojmë, por të punojmë së bashku në ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit. Të lutemi.
M. Pranoji lutjet tona, o Hyj: ti që, për shpëtimin tonë, ke drejtuar shikimin në përvujtërinë e Virgjërës Mari, bëj që, nën shembullin e saj dhe me ndihmën e saj prej nëne, t’ia dorëzojmë jetën tonë Krishtit, shpëtimtar dhe gjykatës i shpirtrave tanë. Ai jeton e mbretëron në shekujt e shekujve. Amen.
(ecclesia.al)