KURORA E ADVENTIT

Koha e Adventit (Ardhjes), është periudha kohore prej katër javësh, të cilën e karakterizon përgatitja shpirtërore e besimtarëve dhe mbarë Kishës për festën e Krishtlindjes.

Në kohën e Adventit është bërë traditë që nëpër kisha, kapela apo edhe vende tjera qofshin ato zyre, ambiente familjare etj., të vendosen kurorat e Adventit si simbol i kësaj Kohe të shenjtë.

Përdorimi i kurorës së Adventit, në fakt, nuk ka ndonjë prapavijë bibliko-liturgjike, mirëpo, mund të ketë efekte pozitive në nxitjen e një përgatitjeje më të mirë për festën e Lindjes së Krishtit. Pra, fjala është për katër qirinj të vendosur në një gjethembajtës i formësuar si kurorë. Kjo formë më së shumti përdoret në botën gjermane dhe atë të Amerikës veriore. Prejardhja e saj është e kohës pagane e që u përket popujve gjermanë.

Në muajin dhjetor, në të cilin fillon të zgjatet dita, ata festonin fitoren e dritës së diellit mbi errësirën. Përdorimi i kësaj kurore përhapet në vazhdim që nga shekulli XVI. Ajo i përshkruhet ambientit evangjelik dhe lidhet me famullitarin e habsburgëve, Johann H. Wicherna (1808-1881). Ai kishte përdorur një kurorë të tillë në vitin 1833 në shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar për të rinjtë në nevojë. Ai kishte filluar që në ditën e parë të Ardhjes të vendos nga një qiri në një dru pishe, dhe kështu çdo ditë deri natën e Krishtlindjes kur ishin bërë 24 qirinj. Si simbolikë kishte marrë një thënie nga Ungjilli i Gjonit: “E Drita shndriti në errësirë” e që i përshkruhet mishërimit të Krishtit dhe banimit të tij në mesin e njerëzve.

Kurora shërben si një lloj ore e cila shënon kohën e pritjes së Krishtlindjes. Të dielën e pare të Ardhjes ndizet një qiri, të dytën dy e kështu me radhë, dhe e gjithë kjo kohë është një përkujtim i periudhave të ndryshme historike të shëlbimit para Krishtit, por edhe simbol i dritës së profetëve, e cila pak nga pak shndriste natën e shenjtë – lindjen e Diellit të drejtësisë (Mal 3,20; Lk 1,78).

Këto kurora zakonisht punohen në kontraste ngjyrash. P.sh. qirinjtë të kuq, ndërsa kurora e gjelbër, apo kurora ngjyrë ari, qirinjtë të kaltër. Kurora bëhet në formë rrethi dhe paraqet formën e diellit si rreth, por, kjo formë mund të paraqes edhe rrjedhën e kohës. Forma e kurorës burimore prej 24 qirinjve nuk ishte edhe aq praktike prandaj fillon të zbehet dhe të zhduket krejtësisht, mirëpo ndodhë që është përdorur me rastin e punimit të ndonjë llambadari romantik prej 24 dritave.

Është e rëndësishme se kurora e Adventit liturgjikisht mund të përdoret pasi që fjala është në rend të parë për qirinjtë – dritën. Misteri i Krishtlindjes edhe në aspektin biblik mbështetet në antitezën: natë-ditë, errësirë-dritë.

Pas këtij përshkrimi të shkurtër mbi kurorën e Adventit, na mbetet që secili personalisht të rritet në fe, ashtu si do të shtohet drita e qirinjve që ndizen, të diel pas të diele, gjatë Kohës së shenjtë të Ardhjes./drita.info

 

Përgatiti: Don Agim Qerkini

Shpëndaje: