Shpirti i Zotit e mbushë gjithësinë

Rrëshajët – Viti C

 

Leximi i parë   Vap 2, 1-11

Pashkët janë çlirimi i një populli; Rrëshajat i japin këtij populli realizimin konkret të kësaj lirie. Festa e krishterë e Rrëshajave është e treguar me të njëjtat fjalë që përshkruajnë shfaqjen e Hyjit mbi malin Sinaj, por shpallin një liri më të vlefshme dhe që zgjat: lirinë e Shpirtit që ka ngjallur Jezu Krishtin.

 

Lexim prej Veprave të Apostujve

Kur erdhi dita e Rrëshajëve, të gjithë ishin së bashku në të njëjtin vend. Dhe, ja, papritmas, u ndie një ushtimë nga qielli si shungullimë e erës së fortë dhe e mbushi të gjithë shtëpinë, ku ata ishin. Atyre atëherë ju dukën gjuhë, si të ishin zjarri. Këto u ndanë e zunë vend nga një mbi secilin prej tyre. Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt dhe filluan të flasin në gjuhë të ndryshme, ashtu si Shpirti Shenjt i shndriste të shpreheshin.  Dhe aso herë në Jerusalem banonin judenj, njerëz të përshpirtshëm, të ardhur prej të gjitha kombeve të botës. Dhe, kur u dëgjua ajo ushtimë, ngarendi një shumicë e madhe dhe mbetën të habitur, sepse secili i dëgjonte duke folur në gjuhën e vet.  Të gjithë çuditeshin e u mrekullonin dhe thoshin: “Këta njerëz që po flasin, a thua vallë nuk janë të gjithë galileas? Po si atëherë secili prej nesh i dëgjon duke folur në gjuhën e vet amtare? Partë, medë, elamitë, banorë të Mesopotamisë, të Judesë, të Kapadokisë, të Pontit e të Azisë, të Frigjisë e të Pamfilisë, të Egjiptit, të krahinave të Libisë rreth Cirenës, njerëz të ardhur nga Roma, judenjt e proselitë, kretas e arabë – të gjithë ne po i dëgjojmë duke shpallur veprat e madhërueshme të Hyjit në gjuhët tona amtare.” Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   104

 

Ref: Plot është toka me Shpirtin tënd, o Zot

—————————————

Bekoje, shpirti im, Zotin!

O Zot, Hyji im, sa i madh je!

Sa të shumta janë, o Zot, veprat e tua!

Plot është toka me krijesat e tua.

—————————————

Po e fshehe ti fytyrën, ato trazohen,

dhe kthehen në pluhur përsëri.

Po e dërgove frymën tënde,

përsëri përtërihen, dhe e rinon fytyrën e dheut.

—————————————

E amshueshme qoftë lavdia e Zotit,

u gëzoftë Zoti në veprat e veta!

I pëlqeftë Zotit kënga ime,

kënaqjen time e kam vënë në Zotin!

—————————————

 

Leximi i dytë    Rom 8, 8-17

Shën Pali na fton të jetojmë nën ndikimin e Shpirtit. Kjo do të thotë të jemi në bashkim me vdekjen dhe ringjalljen e Zotit, të çliro-hemi nga skllavëria e mëkatit dhe e egoiz-mit, të pranojmë mënyrën e jetesës së Kri-shtit. Ai do të bëhet kriteri i çdo zgjedhjeje dhe angazhimi.

 

Lexim prej Letrës së Shën Palit apostull drejtuar Romakëve

Vëllezër, ata që jetojnë nën ndikimin e trupit, nuk mund t’i pëlqejnë Hyjit. Ju nuk jeni nën ndikimin e mishit, por nën atë të Shpirtit Shenjt, në qoftë se Shpirti i Hyjit banon në ju. Nëse ndokush nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Atij. E nëse Krishti është në ju, trupi është patjetër i vdekur për shkak të mëkatit e Shpirti është jetë për shkak të drejtësisë. Nëse Shpirti i Atij që e ngjallli nga të vdekurit Jezusin banon në ju, atëherë Ai që ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t’i japë jetë edhe trupit tuaj të vdekshëm me anë të Shpirtit të vet që banon në ju. Këndej, o vëllezër, ne kemi detyrim, por jo kundrejt mishit, që të jetojmë nën ndikimin e mishit: sepse, në qoftë se jetoni simbas ndikimit të mishit, do të vdisni, por, përkundrazi, po qe se i bëni të vdesin veprat e mishit nën ndikimin e Shpirtit, atëherë do të jetoni.  Sepse bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Hyjit. Ju veç nuk e keni marrë shpirtin që bën robër në mënyrë që përsëri të trembeni, por keni marrë Shpirtin që ju bën bij të adoptimit, në saje të cilit ne thërrasim: Abba! O Atë! Vetë Shpirti Shenjt dëshmon bashkë me shpirtin tonë se jemi fëmijët e Hyjit. E nëse jemi fëmijë, atëherë jemi edhe trashëgimtarë, trashëgimtarë të Hyjit e bashkëtrashëgimtarë me Krishtin, sikurse në të vërtetë vuajmë bashkë me Të, që edhe të lavdërohemi bashkë me Të. Fjala e Zotit.

 

Ndjekësorja

 

O Shpirt Shenjt, deh zbrit mbi ne,

e prej qiellit derdh mbi ne

rrezet tua plot me dritë.

Eja, o Atë,  për nevojtarë,

eja, ti n’dhanti bujar,

eja, ti që mendjet shndrit.

Ti n’ngushtica ngush’llim bjen,

ti ndër zemra si mik vjen,

t’lodhunt n’jetë rishtas forcon.

N’mund e djersë ti je pushim,

n’vapë e luftë ti je freskim,

lot ti terë,  zemrat ngushllon.

Dritë Hyjnore, plot shejtni,

shndritnai mendjet e n’dashuri

kalle flakë kënd n’ty shpreson.

Ku s’je ti, gjithçka dështon

n’natyrë t’njerit gjë s’qëndron

që t’jetë shenjte, si ti don.

Njollat hiq, dangat pastro,

n’shpritëra tanë hiret rigo,

varrët e mëkatit na i shero.

Çka ësht’ t’brishtë, këndshëm lako,

çka ësht’ t’ftohtë, me flakë rretho,

çka ësht’ t’shtrembët, ëmbël drejto.

Jepna ne që n’ty besojmë,

jepna ne që n’ty shresojmë,

shtatë dhantitë që aq dëshirojmë.

Mundin tonë ti na e shpërble,

n’mëkat me vdekë ti mos na le,

bën me ty n’amshim t’lumnojmë.

 

 

Aleluja

Eja, o Shpirt Shenjt, mbushi zemrat e besimtarëve të tu, dhe ndeze në ta zjarrin e dashurisë sate.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Gjn 14, 15-16.23-26

Shpirti Shenjt është dëshmitari i madh që udhëzon Kishën. Ai pa i shtuar asgjë fjalës së Birit të Atit, u shpall Ungjillin e Krishtit të krishterëve të të gjitha kohrave. Ai akoma sot vazhdon të shpjegojë atë që është thënë një herë e përgjithmonë, duke zbuluar edhe realitetet e ardhshme të filluara me ngjalljen e Zotit.

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Gjonit

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë.  Nëse ndokush më do, ai do të ma mbajë fjalën, Ati im do ta duajë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë. Kush nuk më do, nuk i mban fjalët e mia. E fjala që po dëgjoni, nuk është imja, por është e Atij, që më dërgoi, e Atit. Këto fjalë jua thashë ndërsa banova me ju. E Shpirti Shenjt, Mbrojtës, të cilin do t’jua dërgojë Ati në Emër tim, Ai do t’jua mësojë të gjitha dhe do t’ju përkujtojë gjithçka unë ju thashë.” Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Kremtojmë Rrëshajat, zbritja e Shpirtit Shenjt, personi i tretë i Trinisë së Shenjtë, mbi Apostujt të bashkuar në lutje në çenakull me Marinë, nënën e Jezusit. Ne kemi kremtuar Rrëshajat tona me rastin e sakramentit të krezmimit.

“Të gjithë u mbushën me Shpirtin Shenjt e filluan të flasin”. Kur Shpirti mbush një apo disa persona, ata fillojnë të flasin: flasin me Hyjin, nëpërmjet Shpirtit, që dhuron një zemër bijësore për të jetuar një lidhje të ngushtë me Hyjin; e u flasin të tjerëve duke shpallur veprat e mëdha të Hyjit e lajmin e mirë që Jezusi është ringjallur. Ungjilli është shumë i qartë: “nëse më doni, do t’i mbani urdhërimet e mia. Edhe unë do t’i lutem Atit dhe Ai do t’ju japë një Mbrojtës tjetër, që të jetë me ju përgjithmonë”. Dashuria ndaj Hyjit tregohet duke zbatuar urdhërimet. Dhurata e Shpirtit nga ana e Jezusit na dhurohet nëse zbatojmë urdhërimet e tij.

Dhe “Ati im do ta dojë, tek ai do të vijmë dhe tek ai do të banojmë”. Kush ndjek fjalën e tij, bëhet banesë e Trinisë së shenjtë. Kush jeton këtë përvojë në Shpirtin di të praktikojë mësimet e Krishtit në Ungjill, e kryen ecjen e tij të shenjtërisë në përsosmërinë e bamirësisë.

Rrëshaja ka ndodhur dymijë vjet më parë por ndodh akoma sot. Shpirti Shenjt i dhuron Kishës dhe të krishterëve aftësinë për të komunikuar Ungjillin me entuziazëm gjithnjë të ri e në format më të përshtatshme ndaj kulturës dhe kërkesave të njeriut të çdo kohe dhe çdo vendi.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, Shpirti Shenjt, që u përhap mbi Apostujt e përqëndruar në lutje me Marinë në Çenakull, është dhurata që na angazhon për t’u shpallur të gjithëve të renë e përjetshme të Ungjillit të Krishtit. Me besim të lutemi duke thënë:

Dërgoje Shpirtin tënd, o Zot.

L. Për Kishën, të shpërndarë në mbarë botën, që të shpallë deri në skajet e fundit të tokës lajmin e mirë të Mbretërisë. Të lutemi.

L. Për botën mbarë dhe të gjithë njerëzit që kanë një Krijues të vetëm dhe Atë, të njihen si vëllezër duke braktisur çdo diskriminim racor dhe të kërkojnë me angazhim mbretërinë e Hyjit që është paqe dhe gëzim në Shpirtin Shenjt. Të lutemi.

L. Për të gjithë të rinjtë, adoleshentët e bashkësisë sonë, që Shpirti Shenjt që kanë pranuar në pagëzim, t’i ndihmojë që të rrënjosin jetën e tyre mbi shkëmbin e sigurt, që është Krishti Zot. Të lutemi.

L. Për bashkësinë tonë këtu të bashkuar, që Shpirti i Rrëshajave ta mbështesë, ta bëjë të fortë dhe ta udhëheqë në shpalljen e Ungjillit. Të lutemi.

M. O Atë, dëgjoje lutjen e kësaj familje të bashkuar, që ashtu si dishepujt me Marinë në Çenakull, të rritet angazhimi i bashkimit mes të gjithë besimtarëve në Krishtin, dhe me udhëheqjen e Shpirtit Shenjt të kërkojë dialogun dhe bashkëpunimin me të gjithë njerëzit vullnetmirë. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: