Unë jam buka e gjallë e zbritur prej qiellit

Festa e Korpit dhe Gjakut tejetshenjtë të Krishtit – Viti C

 

Leximi i parë   Zan 14, 18-20

Melkizedeku ishte një meshtar pagan, që përfaqësonte kultin e hapur ndaj të gjitha kombeve.  Nuk njihet origjina e tij e për këtë mendohej se origjina e tij vinte nga Hyji dhe për këtë ishte ndërmjetësi i vërtetë mes Hyjit dhe popullit. Ai ishte mbret, sepse kujdesej për popullin e tij.  Duke i ofruar Abrahamit bukën dhe verën, paraprin ofertën e Krishtit në Darkën e fundit.

 

Lexim prej Librit të Zanafillës

Në ato ditë, Melkizedeku, mbreti i Salemit, prifti i Hyjit tejet të lartë, i solli bukë e verë, e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duar të tua!” Abrami i dha të dhjetën e të gjithave. Fjala e Zotit.

 

 

Psalmi   110

 

Ref: Ti, o Krisht, je meshtar për amshim

——————————-

I tha Zoti Zotit tim:

“Rri në të djathtën time,

derisa t’i vë armiqtë e

tu shtrojë për këmbët e tua!”

——————————-

Skeptrin e pushtetit tënd

Zoti do ta shtrijë nga Sioni:

sundo midis armiqve të tu!

——————————-

Ty të përket më i larti pushtet

në ditën e fuqisë sate,

në shkëlqime të shenjta:

nga kraharori para Yllit të Dritës

unë të linda.

——————————-

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:

“Ti je prift për amshim

në mënyrën e Melkizedekut.”

——————————-

 

Leximi i dytë   1 Kor 11, 23-26

Mbledhjet e të krishterëve të parë ishin dreka festive, me pjesëmarrjen e vetë Jezusit të ngjallur; pas ngjitjes së Tij do të bëhen kremtime në përkujtim të Tij.  Përpara Ai ishte i dukshëm; tani është i pranishëm në bashkimin e besimtarëve të Tij, të mbledhur nga Shpirti nëpërmjet fjalës dhe sakramentit.

 

Lexim prej Letrës së parë të Shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë. Fjala e Zotit.

 

Aleluja

Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.

Aleluja

 

 

Ungjilli   Lk 9, 11-17

Shumimi i bukëve bën të lindë në turmë shpresën që Jezusi të jetë me të vërtetë Mesia i shumëpritur që do të kishte çliruar popullin në planin politik dhe shoqëror. Por Jezusi nuk është ky tip Mesie. Për këtë, pas shumimit, tërhiqet në një vend të izoluar për të ungjillëzuar apostujt. 

 

Leximi i Ungjillit të shenjtë sipas Lukës

Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepnu ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra. Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa. Fjala e Zotit.

 

POROSIA

Gjatë darkës së fundit, para se të vdiste, para se të ndahej nga të tijtë Jezusi sajon sekretin për t’u dhuruar miqve të vet si trashëgimi personin e tij e të qëndrojë i bashkuar me njerëzit e çdo kohe.

“Dielli fillon të perëndojë dhe të Dymbëdhjetët i afrohen Jezusit”: erdhi mbrëmja, turma është e madhe, vendi është i shkretë e të Dymbëdhjetët i drejtohen Jezusit duke i thënë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim”. Jezusi përgjigjet: “Jepnu ju të hanë!”. Logjika e Mbretërisë së Hyjit është bashkëndarja dhe jo largimi, angazhimi konkret dhe jo braktisja e të tjerëve në veten e tyre.

“Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për të gjithë!”. Apostujt në logjikën e tyre njerëzore mendojnë se është e pamundur me kaq pak të sigurohet ushqimi për të gjithë. Por Jezusi, me logjikën e tij të Mbretërisë së Hyjit, “mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau.”: gjestet, që Jezusi kryen, janë ato që gjejmë në Darkën e fundit, në Eukaristi, që është dhurata e jetës e Birit të Hyjit. Me trupin e tij Jezusi na dhuron personin e tij, në gjakun e tij kryhet Besëlidhja e dashurisë mes Hyjit e njerëzve.

Kush mungon në eukaristinë e së dielës refuzon Atë që me dashuri të thellë ofron vetveten si Dhuratë. Eukaristia është një propozim dashurie që përfshin të gjithë jetën time: Mesha e së dielës, në fakt, nuk është e detyrueshme, por e nevojshme.

 

Lutja e Besimtarëve

M. Vëllezër e motra, të bashkuar nga dashuria që rrjedh prej trupit të Krishtit, ushqim i vërtetë, e prej gjakut të tij, pije e vërtetë, t’ia drejtojmë tani lutjen tonë Hyjit Atit të gjithpushtetshëm, që Shpirti Shenjt të na ndihmojë për të jetuar më mirë misterin e Eukaristisë.

L. Të lutemi së bashku duke thënë: Ti je jeta jonë, o Zot.

L. Që Kisha, e ushqyer prej Fjalës e prej Bukës së jetës, të dijë të rindërtojë gjithmonë e më shumë atë bashkim të thyer me vëllezërit tanë. Të lutemi.

L. Që meshtarët të përputhen gjithmonë e më shumë me misterin që kremtojnë, saqë ta japin jetën e tyre për vëllezërit. Të lutemi.

L. Që të gjithë popujt e botës të mësojnë nga Krishti se, duke dhuruar vetveten për dashuri, realizohen plotësisht. Të lutemi.

L. Që ata të cilët bëjnë pjesë për herë të parë në tryezën Eukaristike, të jetojnë një takim të fortë me Krishtin, që shndërron jetën e tyre në përngjasim e shëlbim. Të lutemi.

L. Që ne këtu të pranishëm, të ushqyer nga Krishti, bukë e gjallë e zbritur nga qielli, të dimë t’i dëshmojmë botës që i përkasim atij. Të lutemi.

M. Ati ynë që ushqen besimtarët me trupin e Gjakun e Birit tënd, mos i shiko mëkatet tona, por fenë e kishës sate. Bëj që të kryejmë vullnetin tënd çdo ditë, që të lavdërojmë emrin tënd dhe të shpresojmë ardhjen e Mbretërisë sate. Nëpër Krishtin Zotin tonë. Amen.

(ecclesia.al)

Shpëndaje: