I lumi Karlo Akutis (1991-2006)

Nga Don Samuell Ramaj

 

Përballë vdekjes, dhe sidomos ato në moshë të re, shpresa e çdo njeriu vihet në provë. Kur ekzistenca jonë shkapetet me misterin më të madh, me mos-ekzistencën, pra me vdekjen. Në këtë ankth antropologjik, përplaset feja dhe arsyeja dhe duket sikur edhe vet jeta e të gjallëve rrëshqet në greminën e pakuptueshmërisë. Por, nga na tjetër, sikur duket që vazhdimisht ndizet flakë ajo shkëndije e brendshme që shkrepet me Fjalët e Jezusit:“Unë jam Rruga, e Vërteta dhe Jeta – kush beson në mua edhe nëse vdesë do të jetoi për Amshim” (Gjn 11,25). Këto fjalë, po edhe shumë pasues të tjerë të Ungjillit, shndritin dhe depërtojnë në errësirën e arsyes, si një rreze dielli që ngroh zemrat e tyre që kanë humbur çdo shpresë. Ndriçon shtegun për të përtejmen, pajisë shpirtin me armët e dashurisë, dhe e forcon trupin në ligështinë e vet. Mes jetës dhe vdekjes njeriu shpresën e vetme e ka në Krijuesin. Jo, në një “zot” tjetër që e ka krijuar vet, jo në para, siç do të thoshte edhe Karlo Akutis: “Paratë janë vetëm një letër lecke: ajo që vlen në jetën tonë është fisnikëria e shpirtit, ose më mirë mënyra se si e duam Zotin dhe të tjerët.” Pra, jo si skllevër të asaj çfarë kemi krijuar ne, por si autorë të mirës së përbashkët, që ne jemi fëmijë të Zotit.

Përgjithësisht kur flasim për shenjtërit, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme kthehemi shumë mbrapa në kohë dhe histori, për ata njerëz që kanë jetuar dhe vepruar shenjtërisht kohë dhe shekuj më parë. Por, kemi edhe shenjtër të kohës moderne, të cilët kanë jetuar me dhe për Zotin. Një ndër ta është edhe i Lumi Karlo Akutis, një adoleshent plotë jetë dhe energji, për 15 vite sa jetoi dha një shembull të jashtëzakonshëm se si jetohet për Zotin dhe për të Tjerët.

 

JETA E TIJ

Karlo u lind në Londër, më 3 maj 1991 dhe u pagëzua më 18 maj në Kishën Our Lady of Dolours (Zoja e Dhimbshme). Po në këtë vit, për motive të punës familja u kthye në Itali- Milano, dhe famullia e tyre u bë Santa Maria Segreta.

U rrit në ngrohtësinë e familjes së tij. Mirëpo prindërit e tij nuk ishin aspak fetar, dhe për shkak të pyetjeve të shumta që Karlo i bënte Nënës së tij dhe dëshirën e tij të flaktë që të mos kalonte asnjë Kishë pa shkuar brenda dhe për ta përshëndetur Jezu Krishtin, Nëna e tij ishte e para që u afrua në fe e më pastaj edhe babai, duke u bërë besimtarë të mirë, si rezultat i sjelljeve të Karlos. Shpeshherë u drejtohet prindërve: “Nuk arrij të kuptoj njerëzit. Në stadiume për një lojë futbolli, mbushet i gjithë stadiumi me tifoz. Në koncerte mbushen sallat përplot me admirues, por në Adhurim, aty ku Krishti është i gjallë dhe na pret të gjithëve, shoh shumë pak njerëz.”

Karlo pas një fëmijërie të këndshme edhe si adoleshent nuk i mungoi formimi dhe edukimi i mirë si i krishterë. Madje, ishte një inxhinier i lindur i informatikës, që ju ndihmoi të gjithëve. Ai ndjek një parim të mitit të informatikës, Steve Jobs: “Vetëm duke thënë ‘jo’, mund të përqendrohesh te gjërat më të vërtetë të rëndësishme”. Pra, një i ri i cili i kishte idetë e qarta për shenjtërim dhe vetëmohim. Forca e jetës së tij qëndron në dëshirën e tij, ndër të cilat është dëshira për të shkuar “përtej yjeve” (de-sidera) me qëllim që të realizojë ëndrrën e tij. Nga kjo dëshirë e madhe: të shkonte “përtej yjeve”, për të qëndruar me Jezusin dhe për të marrë pjesë në amshimin e Tij. Shenja me e qartë që dëshira për të marrë Kungimin e Parë. Kështu, u bë e famshme shprehja e tij: “Eukaristia është autostrada ime për në qiell!”. Dhe thekson rëndësinë e daljes para Jezusit në Eukaristi, ku ai konsideron që të dalësh para Tij, bëhemi shenjtër. Duke qenë se dashuria, vlerësimi dhe nderimi ndaj Eukaristisë ishin të jashtëzakonshme, të martën më 16 qershor 1998, në moshën 7 vjeçare, Karlo mori për herë të parë Korpin e Krishtit, në Manastirin e Bernaga-s, në Perego. Qe një ndër “vendet e heshtjes” së vendit të vet, i cili gjendet në majën e një mali, ku çdo fjalë që dëgjohet merrte një domethënie të veçantë, siç ishte ajo që lexoi vetë Karlo në hyrjen e kuvendit të motrave Romit Ambrosiane, ku ishte e pikturuar në mur, fraza Nënës Themeluese, motër Maria Candida Casero-s “Zoti më mjafton”. Që nga ai moment, kështu do të ishte edhe për Karlon. Do të kalonin 8 vite (numri 8 për Besëlidhjen e Re tregon ditën e Ngjalljes), që Karlo të jetonte Pashkën e tij, festën e “emigrimit të madh” siç thoshte Filoni i Aleksandrisë.

Ai e donte futbollin, Pokemonin, filmat aksion, dhe të gjitha kafshët, programimet e kompjuterëve, montimin e videove, krijimin e websiteve, redaktimin e gazetave dhe modelimin i tyre. Mirëpo që në fëmijërinë e hershme, dashuria e tij e parë ishte Zoti ynë në Eukaristi. Nëna e tij rrëfen se Karlo kishte një ndjenjë të fuqishme që nuk mund të humbiste kohë dhe nuk e lejonte veten e tij të skllavërohej nga gjërat që e largonin nga Zoti. Edhe pse i pëlqenin lojërat kompjuterike, ai nuk e ka lejuar veten që të luante më shumë se një orë në javë, dhe pjesën tjetër të kohës t`ua kushtonte veprave të mira, të cilat e kënaqin Zotin, duke ndihmuar të tjerët, fëmijët, të moshuarit dhe të varfrit.

Studimet i kreu në shkolla të ndryshme, si ajo e motrave Marçeline dhe shkollën e mesme e filloi te Jezuitët. Aty dallohej për kujdesin ndaj secilit që kishte nevojë. Çdo ditë merrte pjesë në meshën shenjte, luste rruzaren dhe kërkonte në çdo mënyrë të gjente pak kohë për Adhurim Eukaristik. Bërja e punës vullnetare, sidomos ndaj të varfërve, ishte një ndër gjërat që ai e bënte me shumë dëshirë. Në fakt kursimet e tija i ruante dhe blinte batanije për të pastrehët. Krijimi i websiteve ishte në funksion të vullnetarizmit dhe të ungjillëzimit. Një ndër krijimet e tija më interesante ka qenë webi mbi mrekullitë Eukaristike, e realizuar në shumë gjuhë të botës. Ky web ka arritur në të gjithë botën. Të gjithë e konsideronin një gjeni në botën e informatikës, dhe interesi i madh për botën e internetit e nxiti atë të studioi libra universitarë, edhe pse ishte ende në moshë të vogël.

Pas disa viteve Karlo u sëmur, kur qe vetëm 15 vjeç, në fillim të muajit tetor të vitit 2006. Gjithçka u duk si një grip, por pasi u bënë analizat klinike, mjekët shpallën diagnozën e tyre: “Është një leucemi e rrufeshme”. Ai e ndjente se do të vdiste dhe e pranonte vdekjen me qetësi, duke ja ofruar të gjitha vuajtjet e tij për Papën, Kishën dhe hyrjen e tij në parajsë. Ishte i lumtur që pas vdekjes do ta takonte Jezu Krishtin e do të jetonte me të. Madje shprehet: “Jam i lumtur që vdes, sepse e kam jetuar jetën time pa humbur asnjë minutë për ato gjëra që nuk i pëlqejnë Zotit.” 

Më 12 tetor, në ditën në të cilën nderohet Maria, Zoja e Bekuar, Karlo e la këtë botë. Trupi i tij u vizitua nga një pelegrinazh i vazhdueshëm i personave që e kishin njohur. Mesha e funeralit qe plot e përplot, morën pjesë shumë të pastrehë për të cilët ishte përkujdesur, të varfër dhe emigrantë, të cilët e kishin njohur dhe kishin krijuar njëfarë miqësie me të. Vetë prindërit e tij u shprehën se, bashkë me dhimbjen e madhe që përjetuan, të cilën vetëm ata që dhurojnë jetë mund ta kuptojnë, ata ndiejnë edhe një paqe të brendshme, si shenjë jo e “një fundi”, por e “një përtej-fundit” të të jetuarit me birin e tyre Karlon. Por ka edhe më shumë. Pas një viti eshtrat u bartën në Asizi, në vendin e Shën Françeskut, sipas dëshirës që kishte shprehur Karlo para se të vdiste. Që nga momenti kur Karlo e la këtë botë, nuk pushuan të mbrrinin dëshmi, ndodhi, kujtime, e-mail nga të gjitha anët e botës, të cilat kishin një emërues të përbashkët: për ata që e kishin takuar Karlon, ai vazhdonte të ishte i gjallë edhe përtej kufirit të jetës. Mjaftonte vetëm të klikohej emri i tij “Karlo Akutis”, për të vërtetuar se ishin më shumë se 2.500 site e blogje në të gjitha gjuhët e botës. Mes profileve të tij në Facebook, ishin më shumë se 4.000 të regjistruara, e site që i kushtoheshin atij rreth 400.000 shikime. Ndërmjetësimi u bë shkas për të filluar procesi i lumturimit të tij. Më 10 tetor 2020, Papa Françesku e shpalli të Lum me titullin “Mbrojtësi i internetit.” 

Pra, jemi përballë shumë shenjave, që edhe pse për disa janë dyshuese, na bëjnë që të kuptojmë se jeta shkon përtej kufijve të vetë jetës.

Gjithë kjo nuk është një elozhe për një djalë superman. Por të një djaloshi që është munduar të jetojë denjësisht dhe shenjtërisht. Jeta mund të jetë e shkurtër dhe është për të gjithë e brishtë, por për Karlon, ajo duhej të jetohej në plotësi dhe të mos shpërdorohej. Për këtë arsye thoshte: “Të gjithë lindim origjinal, por pastaj vdesin si fotokopje”. Kjo është një ftesë për të mos shpërdoruar jetën, por për të kërkuar lumturinë e vërtetë. Trishtimi, – thoshte ai, – është shikim i drejtuar kah vetvetja, ndërsa lumturia është shikim i drejtuar kah Zoti”.

Karlo është shembull më i mirë për të gjithë të rinjtë, për të bërë me jetën diçka të mirë dhe unike, sikur ka bërë ai për Zotin, me Zotin, dhe në Zotin. Jeta e tij sa e thjeshtë aq edhe e veçantë, që edhe në ditët e sotme mund të jetohet me ideale të larta sipas mësimeve të Ungjillit. Është shembull për të rinjtë e sotëm, për të mësuar nga ai si të jetojmë në rrjetet sociale dhe si t’i shfrytëzojmë ato për mirë.

Jeta e Karlos na mëson, që në mes kësaj kohe pa kohë, ku zhduket çdo ditë dëshira për të përjetshmen, me lakminë ngulfatëse të këtij shekulli hedonist dhe nihilist, është diçka që përshkon ekzistencën tonë dhe si një shkëndij ndizet flakë përbrenda nesh, pa të cilën dhe jashtë së cilës, nuk arrijmë të frymojmë, madje, në hutinë ekësaj bote nuk arrijmë t’i japim kuptim jetës, e kuptimi është KRISHTI. Ai që është Rruga, e Vërteta dhe Jeta. Këtë rrugë e përshkoi Karlo, këtë të Vërtetë e përqafoi Karlo dhe Ai jetoi për këtë Jetë që është Krishtit.

Po përfundoj me homelinë e Kardinal Agostino Vallini, në meshën e lumturimit të Karlo Akutis me fjalët e tij: “Karlo ka ‘ikur’ dhe na ka dhuruar fryte shenjtërie, duke na e paraqitur atë si një cak të arritshëm për të gjithë, e jo si diçka të paarritshme apo të arritshme vetëm për disa.[…]Ai na ka dëshmuar se feja nuk na largon nga jeta, por na zhyt gjithnjë e më shumë në të, duke na treguar kështu rrugën konkrete të Ungjillit. Na përket neve, që të tërhequr nga përvoja e të Lumit Karlo, jeta jonë të ndriçojë plot me shpresë.”

I Lumi Karlo Akutis – lutu për ne! /drita.info

Shpëndaje: