Sot kremtohet Zoja, që njihet me titullin “Auxilium Christianorum”- “Ndihma e të Krishterëve”, – Pajtorja e Katedrales së Prizrenit dhe Dioqezës sonë, që e shpëtoi krishterimin nga pushtimi turk e që nisi të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572).
Sot, më 24 maj, kremtohet Zoja Ndihmëtare, që nis të përkujtohet që në kohën e Papës së madh marian e dominikan, shën Piut V (1566-1572). Në ato kohë kur viheshin në lojë fatet e Europës, kërcënuar prej shekujsh nga Perandoria Otomane, që tashmë kishin arritur në portat e Vjenës, Papa i kërkoi Zojës së Bekuar ndihmë për ushtritë dhe fatet e Perëndimit e të Krishterimit. Ishte tetori i vitit 1571. E që asokohe, Zoja, që e shpëtoi krishterimin, njihet me titullin “Auxilium Christianorum”; “Ndihma e të Krishterëve”. Edhe Kisha jonë në Kosovë, e kërcënuar nga i njëjti armik, ia kushtoi Katedralen në Prizren dhe krejt Dioqezën e vuri nën mbrojtjen e saj amnore.
T’ia drejtojmë lutjen tonë sot, kur bota mbarë ka nevojë pikërisht për ndihmë, përballë një armiqve të ri, të padukshëm:
“O Virgjër e Shenjtnueshme, Nënë e Fjalës së Mishëruar e Nëna jonë,
e nderuar me titullin “Ndihma e të krishterëve”:
Vijmë sot para teje për të kërkuar mbrojtjen tënde,
të frikësuar nga një armiq të rinj bashkëkohor, që kërcënojnë
jetën e natyrshme me Hyjin dhe dinjitetin e jetës së krishterë!
Silli sytë nga populli i Hyjit e priji me dashuri amnore
në rrugët e durimit e të shërimit të plotë.
Me atë ‘po’ plot bindje që shqiptove në Nazaret, ti i lejove
Birit të amshuar të Hyjit të mishërohej në kraharorin tënd virgjëror
e të hynte kështu në historinë e Shëlbimit,
në të cilën bashkëpunove me përkushtim të durueshëm,
duke pranuar që shpata e dhimbjes ta shporonte shpirtin,
deri në orën e fundme të kryqit, kur ndenje mbi Kalvar
drejt në këmbë, pranë Birit tënd, i cili vdiste, që njeriu të jetonte.
Që atëherë ti u bëre, në një mënyrë krejt të re, Nënë
e të gjithë atyre, që e mirëpresin në fe Birin tënd, Jezusin,
që pranojnë ta ndjekin pas, duke marrë kryqin e tij mbi shpatulla.
O Nënë e shpresës, që në errësirën e së Shtunës së Madhe u nise
me besim të patundur drejt agimit të Pashkëve,
jepu bijve të tu aftësinë për t’i bërë ballë çdo situate,
sado e errët që të jetë!
O Zoja jonë Ndihmëtare, ndihmoi të gjithë ata që,
edhe kur i kërcënon vdekja
vijojnë të besojnë, të shpresojnë e të duan,
e të mos të kenë frikë t’i flasin botës për Jezusin e Jezusit për botën.
Deri në fund të fundit!
Ndihmoi katolikët të jenë gjithnjë dëshmitarë të besueshëm të kësaj dashurie,
duke i mbajtur të bashkuar me shkëmbin e Pjetrit,
mbi të cilin është ndërtuar Kisha. Amen.
(radio vatikani)