Nga Annabelle Moseley
10 mënyrat si ta nderojmë Gjakun e Paçmueshëm të Jezu Krishtit me familjen tonë, gjatë muajit korrik.
A e keni ditur se Kisha Katolike për secilin prej 12 muajve të vitit ka zgjedhur një devocion?
Korriku është muaji në të cilin nderojmë Gjakun e Paçmueshëm të Jezu Krishtit. I gjendur mes qershorit, muaj kushtuar Zemrës se Krishtit dhe gushtit, muaj kushtuar Zemrës së Papërlyer të Marisë, korriku është koha ideale që ta rrisim devocionin tonë me Jezusin dhe Marinë në shenjë mirënjohje më të thellë për mundësinë që ata na japin të bashkohemi me gjakun e Qengjit të Hyjit. Duke ndjekur serinë e devocioneve që çdo muaj ka, këtu po paraqesim 10 mënyrat se si ju mund ta lidhni jetën tuaj me Gjakun e Paçmueshëm.
- LUTE ÇDO MENGJES LUTJEN E KUSHTIMIT MËNGJESOR TË ZOJËS SE FATIMES
Nderoje Gjakun e Paçmueshëm bashkë me Zemrën e Krishtit dhe Zemrën e Papërlyer të Marisë duke e lutur çdo ditë lutjen e Kushtimit Mëngjesor të Zojës së Fatimes:
O Hyji im, në bashkim me Zemrën e Papërlyer të Marisë,
ta ofroj Ty Gjakun e Paçmueshëm, Trupin, Shpirtin dhe Hyjninë e Zotit tonë Jezu Krishtit,
duke ia bashkangjitur të gjitha mendimet, fjalët dhe veprimet e mija
të ditës së sotme.
O Jezusi im, dëshiroj sot të fitoj faljen dhe hiret që më duhen,
e t`ia dorëzoj ato bashkë me vetveten Zojës së Papërlyeme,
që të mund t`i përdorë ato në shërbim të Zemrës së Tejetshenjtë të Jezusit.
Gjaku i Paçmueshëm i Jezusit, na shpëto!
Zemra e Papërlyer e Marisë, lutu për ne!
Zemra Tejetshenjtë e Jezusit, ki mëshirë për ne!
Amen.
- KALOJE NJË PJESË TË KOHËS TËNDE NË ADHURIM TË EUKARISTISË
Në këtë muaj, ne jemi të thirrur të përqendrohemi në praninë reale të gjakut të Krishtit në Eukaristi. Adhurimi na jep mundësinë neve që përvujnisht të bëhemi pjesë e ngushëllimit për lotët e gjakut që Krishti ka derdhur në Gjetsemanë dhe gjatë Mundimeve të Tij.
- KUNGOHU… JO VETËM TË DIELAVE
Përpiqu të shkosh në meshën e përditshme gjatë këtij muaji sa më shpesh që mundesh, sepse sa më shpesh që me përvujtëri e marrim kungimin, ne marrim Krishtin në zemrat tona dhe Ai do të bëhet kështu gjaku i jetës sonë. “Përnjëmend, përnjëmend po iu them: nëse nuk e hani korpin e Birit të njeriut dhe nuk e pinin gjakun e tij, nuk keni jetë në vetvete. Kush ushqehet me korpin tim dhe e pi gjakun tim ka jetën e pasosur. Unë atë do ta ringjall në ditën e fundit” (Gjn 6, 53).
- LUTE RREGULLISHT GJATË KËTIJ MUAJI KURORËN E MËSHIRËS HYJNORE
“Kur erdhën te Jezusi, si panë se kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë, por njëri prej ushtarëve me heshtë ia shporoi kraharorin dhe menjëherë rrodhi gjak e ujë.” (Gjn 19, 33-34)
Kurora e Mëshirës Hyjnore e kujton këtë çast të Mundimeve të Krishtit (“O Gjak e Ujë që gufuat nga burimi i jetës”).
- FTOJE NË LUTJE SHËN LONGINUS
Kur centurioni i cili qëndronte para tij pa se dha shpirt, tha, “Ky njeri paska qenë me të vërtetë Biri Hyjit!” (Mk 15, 39).
Shën Longinusi ishte centurioni që ia kishte shporuar kraharorin Zotit tonë deri sa ky ishte i gozhduar në kryq. Thuhet se në atë kohë Longinus ishte gati i verbër, dhe ishte shëruar në atë moment kur pika gjaku dhe uji nga kraharori i Krishtit kishin ra në sytë e tij. Më vonë ai është martirizuar për fenë e Krishtit dhe heshta e tij gjendet në njërën prej shtyllave të Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë. Çfarë feje, çfarë shpëtimtari kemi ne, saqë edhe njeriu që e kishte shporuar në kraharor mund të bëhet shenjt! Kërko nëntëditëshin e Shën Longinus-it për ta lutur.
- STOLISE SHTËPINË NË NDERIM TË DEVOCIONIT TË KËTIJ MUAJI
Vendos një vazo me lule ngjyrë të kuqe, ose/apo mbulesë të tryezës me ngjyrë të kuqe. Vendose një portret të fytyrës së Jezusit në një vend të dukshëm ku mblidheni si familje, siç mund të jetë tryeza e ngrënies. Devocioni ndaj fytyrës së Jezusit e ka fillesën qysh nga Velloja e Veronikës dhe Petku i Torinos, me imazhin e pashlyeshëm të Fytyrës së Shenjtë të mbuluar me gjak.
- UDHËHEQE FAMILJEN TËNDE NË LUTJE DREJTUAR GJAKUT TË PAÇMUESHËM
Provo që ky të jetë një moment hiresh para ushqimit apo edhe mund ta lutni Nëntëditëshin e Fytyrës së Shenjtë të Jezusit. Mund të lutet në çdo kohë, pse jo ta filloni të martën, ditën kushtuar Fytyrës së Shenjtë? Nëntëditëshi përseritë këtë pasazh:
“Për virtyt të gjakut tënd të paçmuar dhe Fytyrës tënde të Shenjtë, o Jezus, na i plotëso lutjet tona.”
- LUTI LITANITË KUSHTUAR GJAKUT TEJET TË ÇMUAR TË JEZUSIT
Gjejë litanitë dhe luti gjatë këtij muaji!
- SHPËRNDANI NË FORMË DHURATE FLETËPALOSJET ME RROZAREN E GJAKUT TË PAÇMUAR TË JEZUSIT
Të luturit e kësaj rruzare mund të shndërrohet në një dhuratë të madhe për një mik që është duke kaluar momente të vështira gjatë këtij muaji.
- BËJE ME DASHURI NJË VEPËR SAKRIFICE APO NJË AKT MËSHIRE
Duke u përpjekur t’i përngjash Jezusit, bëje ndonjë vepër zemërgjerësie! Jepu kohën tënde, gjënë e çmuar që ke atyre që janë në nevojë gjatë këtij muaji, edhe atëherë kur nuk është e lehtë, bëje. Nxiti edhe fëmijët tu ta bëjnë të njëjtën gjë!/drita.info
Burimi: aleteia.org
Përkthimi: V.B.