POROSITË E SHËN NËNËS TEREZE PËR NE: 1. “Nëpërmjet dashurisë gjejmë Dashurinë – Jezu Krishtin”

Gjatë ditëve në vazhdim, që koinçidojnë me ditët e Nënë Terezës apo nëntëditëshin kushtuar përgatitjes për ditëfestën liturgjike të saj (më 5 shtator) do të sjellim për lexuesit tanë, disa nga porositë kryesore të Shenjtëreshës sonë Nënë Tereza, të përgatitura nga biografi shqiptar Don Lush Gjergji. Le të jenë këto porosi për ne si edukim dhe formim terezian.

 

Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha, për të dashur dhe për të dhuruar dashuri.

Jezusi ka ardhur për ta zbuluar Atin. Gjatë Besëlidhjes së Vjetër Hyji njihej si Hyji i frikës, ndëshkimit dhe hidhërimit. Ardhja e Jezusit tërësisht e ka ndërruar këtë botëkuptim. Në Jezusin Hyji është Dashuri dhe Falje.

Të gjithë ju dhe unë, duhet të përdorim gjërat që na  ka dhuruar Zoti, atë për çka na ka krijuar. Zoti na ka krijuar për gjëra të mëdha: për të dashur dhe për të dhuruar dashuri, që të dimë t’ua dhurojmë të tjerëve Jezusin. Njerëzit nuk kanë uri për ne, për veprat tona, për kujdesin tonë. Njerëzit kanë uri për Zotin, kanë uri për Jezu Krishtin, për Eukaristi… Kjo është dashuria në veprim ose dashuria aktive. Në tokë nuk mund ta shohim Jezusin, pra, nuk mund t’ia shprehim dashurinë tonë. Mirëpo, çdo ditë shohim dhe jetojmë me të afërmit tanë, dhe duhet të bëjmë për ata çka do të bënim për Jezusin po të ishte i dukshëm. Duhet të jemi të gatshëm dhe të hapur ndaj Zotit, që të mund të na përdorë neve. Ta zbatojmë dashurinë dhe atëherë pritjet e botës nuk do të jenë huqe, të padobishme, sepse nëpërmjet dashurisë gjejmë Dashurinë – Jezu Krishtin.

Mjetet financiare nuk mjaftojnë… Të varfrit e mi kanë nevojë që të jenë të dashur me zemër dhe të jenë të shërbyer me duar. Jezusi shërbehet me mua, me ju, si vegël për t’u lidhur me të varfër. Kudo që shkoj, më tha në një rast, shoh një gjë: njerëzit kanë shumë nevojë për Zotin, dhe për këtë ne duhet t’u ndihmojmë në kërkim të Tij dhe në gjetje të Tij.”/drita.info

 

Përgatiti: Don Lush Gjergji

Shpëndaje: