
Asnjë meshë gjatë ditëve të javës nuk është aq e dashur sa mesha e agimit në kohën e Ardhjes. Atmosfera e ngrohtë me qirinj na disponon të gjithëve për kremtim sa më të mirë të këtyre meshëve. Ato kremtohen në kohën e Ardhjes, në orët e hershme të mëngjesit. Më së shpeshti në orën 6, por varësisht prej kushteve edhe një orë më herët apo më vonë.
Ato kanë edhe karakter pendese, sepse besimtarët duhet të zgjohen herët që të mbërrijnë në kishë.
Mesha e hershme në mëngjes, bashkon në kishë të rinj dhe të moshuar për të kremtuar meshën e agimit. Ndalen dritat elektrike, ndërsa flaka e qirinjve krijon atmosferë festive. Drita e qiriut rrezaton siguri, edhe pse jashtë ende është errësirë dhe bën ftohtë.
Meshët e agimit janë të njohura, sidomos në mesin e të krishterëve të rinj. Kjo meshë do të thotë më shumë se, thjeshtë të zhytesh në një atmosferë të bukur, të thellë meditimi, dhe që të fillosh ditën me këtë orë të bekuar. Thirrja që i dha emrin kësaj meshe është “Rorate coeli desuper, et nubes pluant justum!.”
Mesha në nder të Zojës bekuar
Meshët e agimit fillesën e vet e kanë në mesjetë. Gjatë këtyre kremtimeve, populli ka krijuar edhe këngë të veçanta të Ardhjes, tekstet e të cilave paraqesin profeci të ndryshme biblike për ardhjen e Krishtit, e sidomos e përshkruajnë rolin e Zojës së Bekuar, duke e quajtur me emrat më të bukur, për shkak të rolit të saj amnor, dhe për ngjarjen e ardhjes së Krishtit.
Nëna e Krishtit është, përveç Gjon Pagëzuesit, personi kryesor të cilin Kisha na e paraqet me rastin e përgatitjes për Krishtlindje.
Ajo na tregon se për Krishtlindje Zoti i vjen në takim njeriut, por Zoti pret edhe ardhjen e njeriut në takim me Të.
Që nga origjina e saj Mesha e agimit kremtohet në nderim të Zojës së bekuar. Mesha, gjatë kohës së Ardhjes në nder të Zojës, por edhe ajo e të dielës së katërt të Ardhjes fillon me fjalët “Rorate coeli …”. Këto vargje janë marrë nga libri i Isaisë profet: “Vesoni, o qiej, prej së larti vesoni edhe retë le të rigojnë drejtësinë; le të hapet toka e le ta lindë Shëlbuesin, bashkë me të të lulëzojë drejtësia! Unë, Zoti, gjithçka krijova!” (Is 45, 8).
Toka nënë si një imazh për Marinë
Toka do të hapet dhe do të sjellë shpëtimin, prandaj nëna tokë, është një imazh për Marinë e cila lindi Shëlbuesin e botës. Maria, nxuri në kraharorin e vet Birin e Hyjit. Kështu, nëntë muaj para Krishtlindjes, më 25 mars e kremtojmë festën e Lajmërimit, dhe sërish në kohën e Ardhjes, veçanërisht në refrenin: “Të falem, o Hirplote Zoti me ty! E bekuar je mbi të gjitha gratë! Maria ishte e hapur ndaj vullnetit të Zotit dhe lejon që paralajmërimet e Isaisë profet të plotësohen: “Le të hapet toka e le ta lind Shëlbuesin”. Ky pranim i saj është i një rëndësie të veçantë për historinë e shëlbimit. Prandaj, pikërisht për këtë ngjarje të lumtur, Kisha e kujton dhe nderon Marinë edhe gjatë meshëve në kohën e Ardhjes.
Dimensioni i dyfishtë i Ardhjes
Koha e Ardhjes ka dimension të dyfishtë: Kisha përgatitet për Lindjen e Zotit, dhe në të njëjtën kohë, thellohet në Pritjen e Ardhjes së dytë të Zotërisë: “Dhe përsëri do të vijë me lavdi për të gjykuar të gjallët e të vdekurit”.
Koha e Ardhjes na fton të qëndrojmë zgjuar, pra, të jemi të përgatitur për ardhjen e dytë të Krishtit.
Më tej, gjatë kohës së Ardhjes, sikur në kohën e kreshmëve, petkat liturgjike kanë ngjyrë vjollcë. Ngjyra vjollcë është ngjyrë pendese e kthimi. As lavdia, sikur edhe gjatë kreshmëve, nuk këndohet, sepse koha e Ardhjes është kohë lavdie dhe e përshkuar me gëzim për Lindjen e Jezu Krishtit, por, në dallim nga kreshmet këndohet aleluja.
Jezu Krishti, Drita e Botës
Meshët e agimit në nderim të Zojës së bekuar mund të kremtohen deri më 16 dhjetor. Prej 17 dhjetorit deri ditën e Krishtlindjes kisha nuk i kremton meshët e agimit. Kjo për shkak se gjatë këtyre ditëve përgatitemi për lindjen e Krishtit.
Se festa e Zojës Papërlyer bie më 8 dhjetor, kjo lidhet me faktin se nëntë muaj më parë festohet dita e Lindjes së Zojës së Bekuar më 8 shtator. Festa e parë e Zojës pas Krishtlindjes, është festa e Nënës së hyjit më 1 janar, pra, ditën e tetë të Krishtlindjes.
Pastaj, gjatë vitit liturgjik në vazhdimësi nderojmë Zojën e bekuar dhe mendojmë plotë falënderim për mishërimin e Krishtit, të cilin e kemi njohur përmes shpalljes së Engjëllit, e të cilin e ka paralajmëruar edhe Isaia profet kur thotë: “Ja, virgjëra do të ngjizë e do të lindë një djalë e për me emër do ta quajë Emanuel!” (Is 7, 14).
Maria i ka lindur botës Dritën e amshuar. Kjo Dritë do që në çdo meshë të agimit, të sjellë dritë në zemrat e të gjithë kremtuesve, në të njëjtën kohë, ta shëndrisë edhe errësirën e botës. Këtë gjë na përkujtojnë edhe qirinjtë e ndezur. Ata zgjojnë tek të gjithë të pranishmit dëshirën për bashkim me Jezu Krishtin. Ai është Drita e amshuar të botës./drita.info
Përgatiti: Don Agim Qerkini