Imzot Dodë Gjergji: Nderimi ynë për Nënë Terezën është një privilegj

Nga Imzot Dodë Gjergji

Ipeshkëv i Dioqezës Prizren–Prishtinë

 

 

Zonja dhe zotërinj,

vëllezër dhe motra,

 

Jemi bashkuar në takimin e përvitshëm për të kujtuar ditëlindjen e Gonxhes, kësaj bije të popullit dhe Kishës sonë, kësaj humaniste të madhe të botës mbarë.

Mbi të gjitha, kësaj Shenjtëreshe të Kishës universale, e cila në familje u rrit si vajzë e urtë në Famullinë e Zemrës së Krishtit në Shkup, në kuvendin e murgeshave u dëshmua tejet e devotshme dhe shumë miqësore. E zonja dhe intelektuale, rrugëve të Kalkutës ajo iu dhurojë të varfërve gjithçka pati, gjithçka mori e gjithçka i dhuruan të tjerët.

Them gjithçka, pasi ajo ua fali këmbët të varfërve, që ta dërgonin te më të varfrit ndër të varfër, iu dhurojë duart që me njërën të ndjenin përkëdheljen e njeriut që i do, e me tjetrën të arrinin t’i mjekonin plagët ose ta shuanin urinë të uriturve, iu dhurojë sytë që të qanin atyre që iu kishte tha loti, iu dhurojë dhuntitë e shpirtit duke thithur nga zemra e tyre dhimbjen, dëshpërimin dhe trishtimin dhe iu dhurojë ditët e jetës duke dëshmuar nëpër botë për vuajtjet e tyre.

Vetëm dy gjëra i ruante me xhelozi për vete:

E para, mallin për Nënëloken, kujtimet për Kosovën, saktësisht Letnicën, sepse në venat e saja rridhte gjaku i shqipes.

E dyta, në as një moment nuk harronte se gjithçka buronte nga dashuria që kishte për Krishtin. Këndej, vuajtjet e mjerimet dhe gëzimet e njerëzve ia paraqite Atij, nëpërmjet lutjeve të përditshme.

Këndej ne mahnitemi me veprën e saj, por ajo ishte e bindur se puna që bënte ishte vepër e Zotit.

Ne mbetemi pa fjalë kur e vështrojmë figurën e saj, por jo për nga bukuria që kishte, por nga fryma që e përçonte. Ne magjepsemi pas shenjtërimit të saj, por ajo shenjtërimin nuk e shihte si një privilegj për të, por si një obligim për secilin.

Por nuk duhet harruar që për ne, nderimi ndaj saj nuk është një detyrim por një privilegj, pasi gjithë popujt e botës do të donin të kishin një Nënë Tereza, por nuk e kanë. Vërtetë e kanë, pasi ne ja dhuruam Kishës universale një Gonxhe,  ajo ia dhuroj vetën Hyjit, e Hyji ia dha botës një Shenjtëreshë.

Uroj, që gjatë këtyre ditëve, nga sot e deri me 5 shtator, e gjithë Kisha dhe i gjithë populli ynë të përtërij bujarinë, mirëkuptimin dhe shpresën, duke bërë vepra dashurie nëpër familjet, fshatrat dhe qytetet tona./drita.info

(Fjala përshëndetëse në Akademinë Solemne në Ditëlindjen e Shën Nënë Terezës, ditë e shtunë, më 26 gusht 2023, Qendra “BogdaniPolis”, Prishtinë)

Shpëndaje: