Papa Françesku në Maltë: njerëzit kanë etje për paqe, jo për agresivitetin foshnjarak të ndonjë të fuqishmi

Në fjalimin mbajtur para autoriteteve dhe Trupit Diplomatik, Fjalët e Papës ardhur në Maltë për shtegtimin e tij të 36-të apostolik, ndoqën figurën simbolike të trëndafilit të erërave: veriun, që të kujton Evropën; Perëndimin, stilet e jetës perëndimore; Jugun, problemin migrator; lindjen, me erërat e tërbuara të luftës. E bëri thirrje të fuqishme që era e luftës të mos ia zërë frymën mëshirës e aftësisë për t’ua lehtësuar jetën të varfërve.

 

Në Maltë gërshetohen faqet e historisë të zanafillës së krishterimit, me ato të Papnisë së Françeskut, që u prit sapo shkeli në tokën malteze, nga presidenti George William Vella. Menjëherë pas, u nis me auto drejt Pallatit të Mjeshtrit të Madh, në La Valletta.  Këtu, veprimtaria e parë: vizita e mirësjelljes presidentit. E po këtu, një takim i shkurtër me kryeministrin Robert Abela dhe familjarët, në përfundim të të cilit, takimi, në Grand Council Chamber, me autoritetet dhe trupin diplomatik. Atyre Papa ua drejtoi fjalimin e parë publik.

 

Papa: do të jetë shtegtim i shkurtër, por i bukur

Që në Fjalët e para, që ua drejtoi autoriteteve civile, gjatë takimit në trojet malteze, Papa u shprehu mirënjohjen për mikpritjen. Mikpritje e lashtë, që nis nga kohët e largëta, kur paraardhësit e tyre patën strehuar Shën Palin me shokë, anija e të cilëve u mbyt në këto brigje mikpritëse, në sa lundronin drejt Romës. Tani – kujtoi me mirënjohje Papa –  po e provoj edhe unë mikpritjen e ngrohtë të maltezëve.

 

Malta, zemra e Mesdheut

Për pozicionin e saj – kujtoi në vijim – Malta mund të quhet “zemra e Mesdheut”. Zemër pulsuese e gërshetim ngjarjesh historike e takimesh të popujve, që i bënë këto ishuj qendër vitaliteti e kulture, përshpirtërie e bukurie, udhëkryq, që diti të mirëpresë e të harmonizojë ndikime të ardhura nga të katër anët. Jo rastësisht ndër hartat e lashta të Mesdheut, trëndafili i erërave – a simboli i tyre – vendosej pranë ishullit të Maltës. Të  kujtonte shtëpinë e Bashkimit Evropian, të ndërtuar për të banuar në të një familje e madhe, e bashkuar, në paqe. Uniteti e paqja janë dhurata, për  të cilat populli maltez i lutet Zotit, sa herë intonon Himnin Kombëtar. Lutja, shkruar nga Dun Karm Psaila, i kërkon Zotit çka ka më të çmuar një popull, që dëshiron të jetojë në paqe:

“Jepu, o Zot i gjithëpushtetshëm, / urti e mëshirë kujt qeveris;/ shëndet, kujt punon,/ e popullit maltez, unitet e paqe!”.

Por, që të garantosh bashkëjetesën shoqërore – vijoi Papa – nuk mjafton të fuqizosh ndjenjën e përkatësisë; duhet forcuar harmonia ndërmjet breznive… Mbi bazën e rritjes së qëndrueshme është njeriu, është respekti për jetën e dinjitetin e çdo burri e të çdo gruaje. Që në Veprat e Apostujve  ju dalloheshi për shpëtimin e një mori njerëzish – u kujtoi Papa maltezëve mikpritës në shekuj – Ndaj ju inkurajoj të vijoni ta mbroni jetën, që në fillim e deri në mbarimin e saj të natyrshëm:

“Duke rikujtuar trëndafilin e erërave, shikojmë nga jugu. Prej andej vijnë një mori vëllezërish e motrash në kërkim të shpresës. Dëshiroj t’i falënderoj autoritetet dhe popullsinë për mikpritjen që ofroni në emër të Ungjillit, të humanitetit e të sjelljes tipike për maltezët”

 

Port i sigurt

Jo më kot – shtoi Papa – Maltë do të thotë “port i sigurt”. Por – vijoi – për t’i bërë ballë problemit migrator duhet parë më larg, duhen llogaritur perspektiva më të gjera hapësire e kohe. Në një epokë, kur masa të tëra njerëzish zhvendosen nga jugu, drejt veriut më të pasur. E kur numri i  të zhvendosurve bëhet gjithnjë më i madh: mjafton të mendojmë për refugjatët e Ukrainës së martirizuar:

“Mesdheu ka nevojë për bashkëpërgjegjësinë evropiane, ka nevojë të bëhet përsëri teatër solidariteti e jo pozicion i përshtatshëm i mbytjes tragjike të qytetërimit”.

E këtu Papa kujtoi historinë e Shën Palit që, gjatë kalimit të Mesdheut,  arriti, pa e pasë parashikuar, në këto brigje, ku gjeti ndihmë e mbështetje:

“Pali ishte nevojtar për mikpritje humane. Dashuria për njeriun vjen para së gjithash! Na e mëson ky vend, historia e të cilit përfitoi nga arritja e apostullit të fundosur. Në emër të Ungjillit, të cilin ai e jetoi dhe e predikoi, t’i zgjerojmë zemrat e të rizbulojmë bukurinë, që buron nga kujdesi për nevojtarët”.

E, të mos e harrojmë kurrë: tjetri nuk është virus, nga i cili duhet të mbrohemi, por njeri, për t’u mikpritur:

“Të mos lejojmë – bëri më pas thirrje Papa – që indiferenca ta shuajë ëndrrën për të jetuar së bashku! Natyrisht nuk është e lehtë. Kërkon lodhje, kërkon flijime”.

 

Era e lindjes fryn shpesh në agim

Në përfundim të takimit me autoritetet civile, Papa kujtoi erën e ardhur nga lindja, që shpesh fryn në agim. Homeri e quante “Euro” (Odisea V, 379,423):

“Por pikërisht nga lindja e Evropës, nga Orienti, ku shkrep rrezja e parë e dritës, vërshoi edhe errësira e luftës. Patëm menduar se pushtimi i vendeve të tjera, luftimet brutale nëpër rrugë e kërcënimet atomike ishin kujtime të errëta të së kaluarës së largët. Po era e akullt e luftës, që sjell veç vdekje, shkatërrim e urrejtje, shfryu me tërbim mbi jetën e shumë njerëzve e mbi ditët e të gjithëve. E ndërsa edhe një herë ndonjë pushtetar, i mbyllur trishtueshëm në pretekstet tejet të vjetëruara të interesave nacionaliste, provokon e nxit konflikte, njerëzit e zakonshëm e ndjejnë fort nevojën për të ndërtuar një ardhmëri që, o do të jetë e përbashkët, ose nuk do të jetë fare! Tani, në natën e zezë të luftës, që peshon trishtueshëm mbi njerëzimin, nuk duhet ta zbehim ëndrrën e bukur të paqes!”

Malta, që shkëlqen nga drita në zemër të Mesdheut, mund të na frymëzojë, sepse është e ngutshme t’ia kthejmë bukurinë e humbur fytyrës së njeriut, të shpërfytyruar nga lufta! Një shtatore mesdhetare, që vjen ndër ne që nga koha e Krishtit, e simbolizon paqen si grua, që ka në krahë Pluton, pasurinë! Duke kujtuar, në përfundim, Lindjen e Mesme, Libanin, Sirinë, Jemenin e vise të tjera  të copëtuara nga problemet e nga dhuna, Papa uroi:

 “Malta, zemër e Mesdheut, vijoftë t’i bëjë zemrat të rrahim me rrahjen e shpresës”.

E në përfundim, porositi: Mos e harroni kurrë: “Paqja sjell mirëqenie, lufta, vetëm mjerim!”.

(radio vatikani)

Shpëndaje: