Papa Françesku nesër udhëton në Maltë

Salla e Shtypit e Vatikanit ka paraqitur programin e udhëtimit apostolik të Papës në arqipelagun mesdhetar të Maltës. Drejtori Matteo Bruni: vështirë të mos flitet për luftën në Ukrainë

 

“Vështirë të mos flitet për luftën në Ukrainë” në udhëtimin e ardhshëm të Papës Françesku në Maltë, paraqitur sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë. Këtë kujtoi drejtori i saj, Matteo Bruni, i cili u shpjegoi gazetarëve etapat e shtegtimit të 36-të apostolik të Papës, i cili do të vizitojë vendin në datat 2 dhe 3 prill.

 

Mikpritja e migrantëve dhe Shën Pali

Shtyrë, për shkak të pandemisë, vizita e Papës do të përqendrohet mbi temën e mikpritjes – Malta është vend zbarkimi për shumë migrantë, që përpiqen të kapërcejnë Mesdheun nga Afrika e Veriut – dhe mbi trashëgiminë apostolike të Shën Palit, të cilit iu mbyt anija pikërisht pranë këtij ishulli, gjatë rrugës drejt Romës.

 

Programi i udhëtimit

Ati i Shenjtë do të shqiptojë pesë fjalime në dy ditë, duke filluar nga ai i paradites së të shtunës në pallatin e Mjeshtrit të Madh, në Valetta, nga ku do t’u flasë autoriteteve malteze dhe trupit diplomatik. Më pas, një takim lutjeje në shenjtëroren mariane të Ta’Pinu në ishullin Gozo.

Të dielën, Françesku do të takohet privatisht me jezuitët e Maltës dhe do të shkojë për t’u lutur në shpellat e Shën Palit në Rabat. Paradite, mesha në Sheshin e Hambarëve në Floriana, ndjekur nga Engjëlli i Tënzot, ndërsa pasdite, vizita në qendrën e emigrantëve “Gjoni XXIII Peace Lab”, ku Papa do të takohet me rreth dyqind vetë, ardhur kryesisht nga Afrika. “Nuk do të ketë masa të veçanta, por ato të zakonshmet”, nënvizoi Bruni, duke iu referuar dhimbjes në gju, që e detyroi Papën Françesku të anulojë disa veprimtari të javëve të fundit. (radio vatikani)

Shpëndaje: