Papa Françesku: Qytetërim është ai që respekton shpirtin e të moshuarëve

Duke paraqitur pjesën tjetër të katekezës së tij mbi kuptimin dhe vlerën e pleqërisë, Papa Françesku këtë javë eksploroi se si tregimi ungjillor i figurave të moshuara Simon dhe Ana na ndihmon të shohim se si të moshuarit thirren për të ofruar një dëshmi personale besimi dhe besimi në përmbushjen e premtimeve të Zotit, dhe kështu të ndërtojë ura midis brezave.

Dhe ndërsa kalimi i viteve mund t’i shurdhë shqisat tona fizike, tha ai, në këtë kohë të çmuar të jetës Fryma e Shenjtë mund të mprehë shqisat tona shpirtërore.

 

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

 

Katekezë mbi pleqërinë – 5. Besnikëria ndaj vizitës së Hyjit për brezin e ardhshëm

 

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në itinerarin tonë të katekezave mbi temën e pleqërisë, sot shikojmë kuadrin e ngrohtë të pikturuar nga shën Luka ungjilltar, i cili sjell në skenë dy figura të moshuarish, Simoni dhe Ana. Arsyeja e tyre e jetës, para se të largohen nga kjo botë, është pritja e vizitës së Hyjit. Ata prisnin që Hyji të vinte për t’i vizituar, d.m.th. Jezusi. Simoni, falë një parakallëzimi të Shpirti Shenjt, e di se ai nuk do të vdesë para se të ketë parë Mesinë. Ana shkon në tempull çdo ditë dhe i përkushtohet shërbimit të tij. Të dy e njohin praninë e Zotit në Jezusin fëmijë, i cili e mbush pritjen e tyre të gjatë me ngushëllim dhe u jep prehje të qetë në largimin e tyre nga kjo botë. Kjo është një skenë takimi me Jezusin dhe lamtumire.

Çfarë mund të mësojmë nga këta dy figura të moshuarish plot gjallëri shpirtërore?

Ndërkohë, mësojmë se besnikëria e pritjes i mpreh shqisat. Për më tepër, ne e dimë, Shpirti Shenjt bën pikërisht këtë: ndriçon shqisat. Në himnin e lashtë Veni Creator Spiritus, me të cilin e thërrasim ende sot Shpirtin Shenjt, themi: «Accende lumen sensibus», ndiz një dritë për shqisat, ndriçoi shqisat tona. Shpirti Shenjt është i aftë ta bëjë këtë gjë: mpreh shqisat e shpirtit, pavarësisht kufizimeve dhe plagëve të shqisave të trupit. Mosha e dobëson, në një mënyrë a në një tjetër, ndjeshmërinë e trupit: njeriu bëhet më i verbër, më i shurdhër… Megjithatë, ajo pleqëri që është ushtruar në pritje të vizitës së Hyjit nuk do ta humbasë kalimin e saj: madje, ajo do të jetë edhe më e gatshme ta kapë atë, do të ketë më shumë ndjeshmëri për ta pranuar Zotin kur ai kalon. Kujtojmë se qëndrimi i një të krishteri është të qenurit i vëmendshëm ndaj vizitave të Zotit, sepse Zoti kalon në jetën tonë me anë të frymëzimeve, me ftesën për të qenë më të mirë. Shën Augustini thoshte: “Kam frikë nga Hyji kur ai kalon” – “Po pse vallë ti ke frikë?” – “Po, kam frikë se mos më ikën pa e kuptuar”. Është Shpirti Shenjt ai që përgatit shqisat për të kuptuar kur Zoti po na viziton, siç bëri me Simonin dhe Anën.

Sot kemi nevojë për këtë gjë më shumë se kurrë: kemi nevojë për një pleqëri të pajisur me shqisa të gjalla shpirtërore dhe të aftë për të njohur shenjat e Hyjit, madje, Shenjën e Hyjit, që është Jezusi. Një shenjë që na vë gjithmonë në krizë: Jezusi na vë në krizë sepse është “shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë” (Lk 2,34) – por që na mbush me gëzim. Sepse kriza nuk të çon domosdoshmërisht në trishtim, jo: të jesh në krizë, duke i shërbyer Zotit, shpeshherë të sjell paqe dhe gëzim. Anestezia e shqisave shpirtërore – dhe kjo është gjë e keqe – anestezia e shqisave shpirtërore, në eksitimin dhe trullosjen e atyre të trupit, është një sindromë e përhapur në një shoqëri që kultivon iluzionin e rinisë së përjetshme dhe tipari i saj më i rrezikshëm qëndron në faktin se është kryesisht e pavetëdijshme. Njeriu nuk e vëren se është i anestetizuar. Dhe kjo ndodh: ka ndodhur gjithmonë dhe ndodh në kohët tona. Shqisat e anestetizuara, pa kuptuar se çfarë ndodh; shqisat e brendshme, shqisat e shpirtit për të kuptuar praninë e Hyjit apo praninë e së keqes, janë të anestetizuara, nuk dallojnë.

Kur humb ndjeshmërinë e prekjes ose të shijes, ti e vëren menjëherë. Ndërsa, atë të shpirtit, atë humbje të ndjeshmërisë së shpirtit mund ta shpërfillësh për një kohë të gjatë; mund të jetosh pa e kuptuar se ke humbur ndjeshmërinë e shpirtit. Ajo nuk ka të bëjë thjesht me të menduarit për Hyjin ose për fenë. Pandjeshmëria e shqisave shpirtërore ka të bëjë me dhembshurinë dhe mëshirën, turpin dhe brejtjen e ndërgjegjes, besnikërinë dhe përkushtimin, dashamirësinë dhe nderin, përgjegjësinë vetjake dhe dhimbjen për tjetrin. Ngjall kureshtje fakti që pandjeshmëria nuk të bën të kuptosh dhembshurinë, nuk të bën të kuptosh mëshirën, nuk të bën të ndihesh i turpëruar apo të ndjesh brejtjen e ndërgjegjes kundrejt të keqes së bërë. Është kështu: shqisat shpirtërore të anestetizuara ngatërrojnë gjithçka dhe njeriu nuk i ndjen, shpirtërisht, gjëra të tilla. Dhe pleqëria bëhet, si të thuash, humbja e parë, viktima e parë e kësaj humbjeje të ndjeshmërisë. Në një shoqëri që ushtron kryesisht ndjeshmërinë ndaj kënaqësisë, nuk mund të ndodhë ndryshe përveçse të mungojë vëmendja ndaj njerëzve të brishtë dhe të mbizotërojë konkurrenca e fitimtarëve. Dhe kështu humbet ndjeshmëria. Natyrisht, retorika e gjithëpërfshirjes është formula rituale e çdo diskursi politikisht korrekt. Por ende nuk sjell një përmirësim të vërtetë në praktikat e bashkëjetesës normale: kultura e dashamirësisë sociale e ka të vështirë të rritet. Jo: fryma e vëllazërisë njerëzore – që më është dukur e nevojshme ta nxjerr fort në dritë përsëri – është si një veshje që s’përdoret më, që admirohet, po, por… në një muze. Humbet ndjeshmëria njerëzore, humbin këto lëvizje të shpirtit që na bëjnë njerëzorë.

Është e vërtetë, në jetën reale mund të vëzhgojmë, me mirënjohje prekëse, shumë të rinj të aftë për ta nderuar deri në fund këtë vëllazëri. Porse pikërisht ky është problemi: ekziston një hendek, një hendek i fajshëm, midis dëshmisë së kësaj limfe jetike të dashamirësisë shoqërore dhe konformizmit që ia imponon rinisë të shprehet në një mënyrë krejtësisht të ndryshme. Çfarë mund të bëjmë për ta mbyllur këtë hendek?

Nga historia e Simonit dhe Anës, por edhe nga histori të tjera biblike të të moshuarve të ndjeshëm ndaj Shpirtit, vjen një tregues i fshehur që meriton të dalë në pah. Konkretisht, ku qëndron zbulimi që ndez ndjeshmërinë e Simonit dhe Anës? Qëndron në njohjen, në një fëmijë të cilin nuk e kanë lindur dhe që e shohin për herë të parë, e asaj shenje të sigurt të vizitës së Hyjit. Ata pranojnë se nuk janë protagonistë, por vetëm dëshmitarë. Dhe kur një individ pranon se nuk është protagonist, por përfshihet si dëshmitar, kjo gjë është në rregull: ai burrë apo grua po piqen mirë. Dhe kjo ndodh nëse njeriu ka gjithmonë dëshirën për të qenë protagonist, përndryshe ky rrugëtim drejt plotësisë së pleqërisë nuk do të piqet kurrë. Vizita e Hyjit nuk mishërohet në jetën e tyre, e atyre që duan të jenë protagonistë dhe kurrë dëshmitarë, nuk i nxjerr në skenë si shpëtimtarë: Hyji nuk merr mish nga breznia e tyre, por nga breznia që duhet të vijë. Humbin shpirtin, humbin vullnetin për të jetuar me maturi dhe, siç thuhet zakonisht, jetohet sipërfaqësisht. Është breznia e madhe e sipërfaqësorëve, të cilët nuk ia lejojnë vetes t’i ndjejnë gjërat me ndjeshmërinë e shpirtit. Po pse nuk ia lejojnë vetes? Pjesërisht nga përtacia, dhe pjesërisht sepse tashmë nuk munden: e kanë humbur. Është keq kur një qytetërim humbet ndjeshmërinë e shpirtit. Ndërsa, është e mrekullueshme kur shohim të moshuar si Simoni dhe Ana që e ruajnë këtë ndjeshmëri të shpirtit dhe janë në gjendje të kuptojnë situatat e ndryshme, sikurse këta të dy e kuptuan këtë situatë që ishte përpara tyre e që ishte dëftimi i Mesisë. Prandaj, kur gjendem në këtë gjendje statike, nuk ndjej asnjë keqardhje dhe asnjë pendim. Ndërsa, kur shqisat shpirtërore janë ende të gjalla, ndjej përmallim dhe ngushëllim të madh; përmallimi dhe ngushëllimi kur sheh dhe kumton se historia e breznisë së tyre nuk ka humbur apo shkuar dëm, falë një ngjarjeje të shënuar që merr mish dhe shfaqet në brezninë që vjen. Këtë gjë ndjen një i moshuar kur nipërit e tij shkojnë të flasin me të: ndihen të rigjallëruar. “Ah, jeta ime është ende këtu”. Është shumë e rëndësishme të shkosh te të moshuarit, është shumë e rëndësishme t’i dëgjosh ata. Është shumë e rëndësishme të bisedosh me ta, sepse aty ndodh ky shkëmbim qytetërimesh, ky shkëmbim pjekurie mes të rinjve dhe të moshuarve. Dhe kështu, qytetërimi ynë ecën përpara në një mënyrë të pjekur.

Vetëm pleqëria shpirtërore mund ta japë këtë dëshmi, të përvujtë dhe rrezatuese, duke e bërë atë me peshë dhe shembullore për të gjithë. Pleqëria që ka kultivuar ndjeshmërinë e shpirtit shuan çdo smirë midis breznive, çdo mëri, çdo ankim për një ardhje të Hyjit në brezninë që do të vijë, e cila [ardhja] vjen së bashku me largimin e tyre nga kjo botë. Dhe kjo është ajo që i ndodh një të moshuari të hapur me një të ri të hapur: ai largohet nga jeta, por duke ia dorëzuar – në thonjëza – jetën e vet brezit të ri. Kjo është lamtumira e Simonit dhe Anës: “Tani mund të shkoj në paqe”. Ndjeshmëria shpirtërore e pleqërisë është në gjendje të mposhtë konkurrencën dhe konfliktin midis brezave në një mënyrë të besueshme dhe përfundimtare. Kjo ndjeshmëri i tejkalon ato: të moshuarit, me këtë ndjeshmëri, e kapërcejnë konfliktin, shkojnë përtej, mbërrijnë në bashkim, jo ​​në konflikt. Kjo gjë është sigurisht e pamundur për njerëzit, por është e mundur për Hyjin. Sot kemi kaq shumë nevojë për ndjeshmërinë e shpirtit, për pjekurinë e shpirtit; kemi nevojë për të moshuar të urtë, të pjekur në shpirt që na japin shpresë për jetën!

(nga kish.al)

Shpëndaje: