Drejt 50-vjetorit të bashkëpunimit ekumenik për dialogun ndërfetar

Që prej 45 vitesh, Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar bashkëpunon me zyrën e Këshillit Ekumenik të Kishave, që ka të njëjtën detyrë. Së bashku, po planifikojnë nisma për 50-vjetorin e marrëdhënieve ndërmjet tyre

 

Etapa të përbashkëta drejt 50-vjetorit të marrëdhënieve dypalëshe, duke planifikuar një sërë veprimtarish konkrete: për këtë po vendosin këto ditë Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar dhe Këshilli Ekumenik i Kishave, të cilët bashkëpunojnë që prej 45 vitesh, veçanërisht përmes Zyrës për Dialogun dhe Bashkëpunimin Ndërfetar i Këshillit Ekumenik të Kishave.

Dialogu ndërfetar është një përmasë e veçantë në marrëdhëniet me organizmin, që Papa Françesku e vizitoi në vitin 2018, me rastin e 70-vjetorit të themelimit. Në përgjithësi, marrëdhëniet me Këshillin, ku bëjnë pjesë 349 Kisha të ndryshme të krishtera (protestante, anglikane e ortodokse) e ku Kisha Katolike merr pjesë si “vëzhguese”, i mban Këshilli Papnor për Nxitjen e Unitetit të të Krishterëve, por kur është fjala për dialogun me fetë e tjera, ndërhyn Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.

Këto Këshilla mblidhen çdo vit e kësaj radhe, takimi u zhvillua në Romë më 24 dhe 25 mars. Lidhjet ndërmjet tyre filluan në vitin 1977 e që atëherë, janë bërë shumë projekte të përbashkëta, si dokumentet “Lutja ndërfetare” (1994), “Reflektimi mbi martesën ndërfetare” (1997), “Dëshmia e krishterë në një botë shumëfetare: këshilla për sjelljen” (2011), “Edukimi për paqen në një botë shumëfetare: perspektiva e krishterë” (2019), “Në shërbim të një bote të lënduar, me solidaritet ndërfetar: thirrja e krishterë për reflektim dhe reagim gjatë COVID-19” (2020).

Sipas një deklarate të Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, takimi u përqendrua në tri tema: vlerësimi i 45 viteve të lidhjes ndërmjet dy organizmave, shkëmbimi i ideve për përgatitjen e kremtimit të 50-vjetorit dhe një lutje për paqen botërore, veçanërisht për Ukrainën.(radio vatikani)

Shpëndaje: