Françesku u takua, në Sallën Pali VI, me Federatën Italiane Ricetrasmissioni CB. Duke e inkurajuar aktivitetin e vullnetariatit për mbrojtjen civile dhe solidaritetin me njerëzit më të ligshtë, posaçërisht me refugjatët e Ukrainës, i ftoi t’i ndihmojnë jo vetëm sot për sot, por edhe në të ardhmen.
Pasion vetjak, i cili më pas bëhet shërbim shoqëror. Kjo, thënë me dy fjalë, është veprimtaria që kryen Federata Italiane Ricetrasmissioni CB, pritur sot paradite në Sallën Pali VI nga Papa, që kujtoi, në këtë rrethanë, se një nga të papriturat e mëdha për të në Itali, ka qenë e është “vullnetariati i fortë”.
Liri e pavarësi, vendimtare kundër regjimeve
Organizata bën pjesë në lëvizjen e gjerë e shumëformëshe të vullnetariatit italian, që Françesku e vlerëson jashtë mase, e që e meriton plotësisht këtë vlerësim. Pasioni i radio-amatorëve, në këtë rast, u bë mjet i frytshëm për mbrojtjen civile dhe solidaritetin me njerëzit nevojtarë e të brishtë, si dhe me grupet shoqërore më të dobta. “Kjo është shumë e bukur – nënvizoi Papa. – Është parimi i dhuratave, i talenteve, që shfrytëzohen për të mirën e përbashkët:
“Një nga karakteristikat tuaja është ajo e ndërhyrjes së shpejtë, falë radios, që i kapërcen pengesat, por edhe rrjetit tuaj. Sepse ky juaji nuk është aksion individual. Forca juaj është pikërisht në praninë kapilare në territor, e në mundësinë për qarkullimin e lajmeve e të informacioneve me shpejtësi e kudo. E një aspekt tjetër i veçantë, është liria, pavarësia. Të mendojmë sa vendimtar mund të bëhet atje, ku një regjim a një qendër tjetër sundimi synon të kontrollojë komunikimin. Është shumë e rëndësishme të jesh i lirë, për t’u vënë me të vërtetë në shërbim të njerëzve, të së mirës së përbashkët”.
Kjo luftë, të përfundojë sa më shpejt
Papa i falënderoi mysafirët për angazhimin në shërbim të atyre që ikën nga Ukraina, për shkak të luftës. Duke shprehur edhe një herë besimin e duke u lutur – shtoi – që kjo luftë e “turpshme për të gjithë ne, për mbarë njerëzimin” të përfundojë një orë e më parë:
“E papranueshme: çdo ditë shton vdekje të reja e rrënime të reja. Shumë njerëz mobilizohen për të ndihmuar refugjatët. Njerëz të zakonshëm, posaçërisht në vendet kufitare, por edhe këtu, në Itali, ku arritën e vijojnë të arrijnë mijëra ukrainas. Kontributi juaj është i çmuar, është mënyrë konkrete artizanale për të jetuar në paqe”.
Të ndihmohen refugjatët edhe në të ardhmen
Evropa po i jep përgjigjen e duhur kësaj lufte – vërejti Papa – e jo vetëm në drejtim të institucioneve, por edhe në atë të shoqërisë civile, të shoqatave të vullnetariatit, si kjo juaja. Prej këndej, ftesa për ta vijuar këtë udhë:
“Kjo mënyrë veprimi, themelore dhe e domosdoshme, do ta ripërtërijë gjithë indin njerëzor e shoqëror, të plagosur kaq rëndë, me një plagë kaq të madhe, si kjo që po shkakton lufta. E kështu edhe ndihma dhënë refugjatëve ukrainas, jo vetëm në këtë çast, por edhe në të ardhmen, kur kujtimi i luftës të jetë zbehur, sepse pikërisht atëhere do të kenë më shumë vështirësi sesa tani: mbasi tani jemi të gjithë bashkë, por pastaj…Duhet menduar për të ardhmen. E nuk është aspak e lehtë”.
Në përfundim, urimi drejtuar anëtarëve të Federatës për të mos e ndarë kurrë lirinë nga solidariteti! (radio vatikani)