Të hënën, më 1 gusht, festohet Dita e Mërgimtarëve në Katedralen e Zojës Ndihmëtare në Prizren

Pas dy viteve mungesë, për shkak të pandemisë, sivjet rikthehet kremtimi i Ditës së Mërgimtarëve më 1 gusht, që i kushtohet bashkëatëdhetarëve tanë nëpër botë, e organizuar nga Dioqeza jonë Prizren-Prishtinë.

Sivjet, Ditën e Mërgimtarëve kemi vendosur ta kremtojmë në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, me qëllimin që t’i gëzohemi së bashku zbulimeve të reja arkeologjike në kompleksin e Katedrales.

Këtu që, në orën 10:15, Don Shan Zefi, Vikari Gjeneral dhe Famullitari i Katedrales, do të bëjë një paraqitje në terren dhe do të shpjegojë arritjet dhe zbulimet e reja arkeologjike në kompleksin e Katedrales, të cilat kanë sjellë dëshmi të reja për praninë e krishterimit tonë të hershëm në vendin tonë.

Pas kësaj shëtitje arkeologjike, do të kremtohet mesha  e shenjtë në orën 11:00, të cilën do ta kryesojë nga Ipeshkvi ynë, Imzot Dodë Gjergji, në bashkëmeshim me meshtarët misionarë dhe meshtarët tjerët të dioqezës.

Ju ftojmë të gjithëve, e në mënyrë të veçantë besimtarët nga diaspora, të na bashkëngjiteni në kremtimin e kësaj dite të bashkimit dhe të falënderimit për Kishën tonë!/drita.info

Shpëndaje: