Nga Don Pal Tunaj
Gllogjani në analet historike
Famullia e Gllogjanit dekadë pas dekade filloi të organizojë jetën shpirtërore dhe kulturore, e cila është forcuar me vullnetin e mirë të stërgjyshërve tanë, të cilët sakrifikuan për ruajtjen e kombit, gjuhës dhe fenë.
Që nga kohët kur Lugu i Baranit është i banuar nuk kanë munguar sakrificat, vështirësitë përndjekjet, shtypjet, presionet për të ndërruar fenë dhe kombësinë, por më qëndresë, vullnet të mirë dhe besim kanë udhëtuar në historinë e trazuar më përplot rreziqe. Nga ato pak studime që janë bërë mund të nxjerrim shumë pak për këto fshatra dhe famullinë.
Nga relacionet e ndryshme që janë bërë për Kishën në Kosovë, për sa i përket rajonit të Pejës gjejmë pak materiale. Në veprën “Ipeshkvia Shkup-Prizren nëpër shekuj”, të Dr. Don Gaspër Gjinit, mund të lexojmë dhe kuptojmë se popullata në rajonin e Pejës është kryesisht katolike: “Për gjendjen e Kazës së Pejës, kah fundi i shekullit XV, në të cilën përfshihej nahija e Pejës, në bazë të burimeve që i kemi, e fitojmë këtë pasqyrë: Nahija e Pejës kishte 196 katune me 1196 zotër të shtëpive, nga të cilet pjesa më e madhe ishin të krishtërë”.
Sipas historianit, Peter Bartl, i cili ka hulumtuar arkivat e shteteve të ndryshme shkruan: Bogdanoviqi, në vitin 1853, sjell në relacionin e tij së në Pejë kishte 16 shtëpi katolike. Ndërsa, ipeshkvi Bucciarelli regjistron numrin e banorëve në 6.000 dhe famullia katolike kishte 2.000 besimtarë, të shpërndarë në 54 fshatra. Më qenë se Famullia e Gllogjanit shtrihet në një territor të ndarë në tri komuna, në atë të Pejës, Deçanit dhe Gjakovës, për këtë arsye po sjellim edhe disa të dhëna qe e pasqyrojnë gjendjen e besimtarëve katolikë në pjesën e Gjakovës: “Gjakova më 1638, numëron sipas Bardhit krahas 20 shtëpive katolike edhe 20 ortodokse dhe 320 myslimane. Më 1641-42 numëri i shtëpive ortodokse arrin në 16, të atyre muslimane 250. Urban Bogdanoviqi, më 1853 shënon 75 shtëpi katolike, 80 ortodokse dhe 4.000 muslimane; 300 shtëpi ishin të banuara më romë. Sipas relacionit të Dario Bucciarellit më 1872 Gjakova numëronte rreth 10.000 banorë, prej të cilve shumica ishin mysliman. Famullia përfshinte 4.702 katolik, të cilët ishin të shpërndarë në 55 fshatra”.
Një datë e caktuar nuk ekziston për ekzistimin e një Kishe në Gllogjan, por edhe kjo pjesë është njësi territoriale e Kishës dhe historisë së Kosovës. Periudha, e cila do të trajtohet është e një paraqitje monografike sidomos pas themelimit të famullisë. Mirëpo, siç e dimë nga analet historike një ripërtëritje dhe riorganizim i Kishës dhe famullive në Kosovë, ndodh pas lirisë fetare të shpallur nga perandoria osmane e vitit 1839 dhe e cila fillon të zbatohet në Kosovë kryesisht pas vitit 1843. Është periudha, e cila karakterizohej më faktorin e kriptokatolikëve. Ky fenomen ka ekzistuar edhe në Rrafshin e Dukagjinit dhe në Lugun e Baranit. Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet emrave të dyfishtë që i mbanin, atë katolik në familje dhe mysliman në shoqëri. Mungesa e klerit katolik, për të shërbyer dhe ruajtur besimin ka qenë një prej faktorëve të islamizmit të popullit shqiptar, përveç atij të dhunshëm dhe atij të shpërndarjes se pasurisë më prona tokësore.
Vetë fakti i okupimit nga perandoria osmane, sipas sheriatit katolikët dhe myslimanët nuk kanë qenë të barabartë, por katolikët ishin të rangut të dytë dhe të persekutuar. Kjo është arsyeja e islamizmit të popullit shqiptar. Arsyeja tjetër ishte edhe tatimi i dyfishtë qe iu bëhej katolikëve, dhe për t’iu shmangur kësaj peshe të rëndë që e rendonin gjendjen ekonomike, në fillim vetëm kryefamiljari në mënyrë sipërfaqësore e merrte emrin e besimit mysliman dhe fshehurazi praktikonin fenë katolike, duke i pagëzuar fëmijët, agjëronin, festonin festat e famullive dhe festat e urdhëruara. Kjo ekzistencë e dyfishtë ishte e praktikuar në tërë territorin e Kosovës. Banorët e parë që u islamizuan ishin kryesisht nëpër qytete dhe fshatrat përreth qyteteve, ndërsa zonat malore i mbijetuan me shumë këtyre presioneve.
Më këtë dukuri merreshin edhe Koncilet Shqiptare, duke filluar nga ai i Pari, i mbajtur në vitin 1703, pastaj i Dyti ishte, i vitit 1871 dhe i Treti, më 1895, ku ndër temat kryesore ishin edhe kriptokatolikët (laramanët).
Një gjë të rëndësishme që duhet cekur është islamizmi i malësorëve të Rugovës. Kemi të bëjmë me një islamizëm të dhunshëm që ndodhi në vitin 1815: “Ku 3 familje tentuan të kundërshtojnë, më fjalë të tjera kryefamiljarët i kishin marrë emrat mysliman, mirëpo, megjithatë vazhduan të shkojnë në Meshë dhe atë publikisht. Ata u dënuan më gjyq dhe publikisht u ekzekutuan më 13 nëntor 1817. Më shumë fat patën disa kriptokatolikë nga rajoni i Pejës dhe Gjakovës, të cilët më 1845 publikisht kaluan në krishtërim”.
Këtë e sjell edhe Dr. Don Gaspër Gjini në hulumtimet e tija shkruan: “Në vitin 1716 kryeipeshkvi Petar Karagiq e njofton Kongregatën se turqit i kanë burgosur misionarët në Pejë, Rugovë, Shoshan dhe Mal të Zi. Katolikët e Rugovës, duke mbetur pa prift janë përpjekur të lirohen nga tatimet e rënda. E kanë përhapur lajmin e rrejshëm se e kanë pranuar fenë islame. Si të tillë nuk mund të kërkojnë prift as ta mbajnë ate. Ipeshkvi i Shkodrës Gjergj A. Radovani ka shkruar më 28.07.1778 se në Rugovë të gjithë janë katolik”.
Këto të dhëna historike na vijnë deri tek ne jo si shënime statistikore, sepse ndryshimet e numrit të katolikëve ndryshonin sipas persekutimeve, përndjekjeve, zhvendosjeve. Sa i përket të dhënave të tjera konstatojmë se: “Lumbardhi, Belleja, Belegu, Argjenica, Rugova ende janë të krishtera, por kriptokatolikë, të mbetur pa kujdesin e Kishës. Këto të dhëna argumentohen edhe më librat e të lindurve (pagëzuarve), vdekurve, kurorëzuarve dhe të krezmuarëve nga vitet 1828-1890 (vll. I-II) që ruhen në Zyrën famullitarë në Pejë. Më shumë pra, në atë kohë ka kriptokatolikë së të krishterë publikë”.
Gllogjani përmendet shumë herë nëpër relacione të vizitatorëve apostolikë, siç është edhe relacioni i Don Shtjefën Gasprit, Gregor Mazrekut, Pjetër Mazrekut: “Don Shtjefën Gaspri dëshmon se Gregor Mazreku është kujdesur për shkollën, duke mësuar të rinjët e atij vendi në shkrim-lexim dhe sjellje të mirë. Është i pakontestushëm fakti se ky ka hapur shkolla në Prizren, Suharekë, Gllogjan, Landovicë, Poçest dhe Papaz. Ky, siç lexohet në relacionin e Shtjefën Gasprit, mblidhte: rreth vedit djelmninë për me mësue në dieje e n’udhë të marë”.
Krijimi i famullisë së Gllogjanit
Famullia e Gllogjanit deri në vitin 1921 ishte filiale e Famullisë së Pejës. Historia e kësaj famullie është e lashtë aq sa janë banoret e parë të këtyre fshatrave. Në fillim kjo pjesë është administruar nga famullia e Pejës, ku nga viti 1701 është shërbyer nga etërit françeskanë. Në të gjitha trojet shqiptare françeskanët kishin 35 famulli nëpër ipeshkvi, si në Shqipëri, Kosovë e Mal të Zi. Pas një angazhimi dy shekullore të françeskanëve, filloi të mendohej së kjo pjesë ka nevojë të ngritët në famulli. Më Dekretin e datës 18. 10. 1921 të Arqipeshkvit Imzot Lazër Mjeda, Famullia e Gllogjanit dhe Zllakuqanit ndahen juridikisht nga Famullia e Pejës, dekreti ka këtë përmbajtje: “Prandaj nga autoriteti i Ordinariatit tonë kemi vendosur që famullia e Pejës, e cila ka pajtore Shën Katerinën, të përkufizohet me kufijtë e qytetit, kurse do të veçohet konaku i Zllakuqanit, i dedikuar Shën Gjon Pagëzuesit, i përfshirë edhe me katundet e afërta, të njohur me emrin Lugu i Drinit dhe Prekorupa; gjithashtu konaku stacionar i Gllogjanit, i cili ka pajtor Shën Ndoun e Padovës, do të përfshijë edhe ato vende, të cilat janë në përbërje të dy emërtimeve, që janë Lugu i Baranit dhe Lugu i Leshanit”.
Këto fjalë të dekretit të Arqipeshkvit Lazër Mjedës janë një rrugë e gjithë asaj se çka kemi arritur deri më sot. Kjo është data historike për Famullinë e Gllogjanit, sepse nga tash e tutje obligimet si ato të meshtarëve dhe ajo e besimtarëve. Këto obligime lidhën më përgjegjësit që i kanë të ndërsjella, e cila kërkon urti, mbrojtje, këmbëngulësi dhe vullnet për t’i qëndruar besnik fesë dhe Kishës famullitarë.
Natyrisht, se fillimi është çdo herë i vështirë, por dashuria ndaj Kishës i ka tejkaluar të gjitha pengesat e mundshme, duke u rritur dhe ushqyer çdo ditë më fjalën e Zotit dhe me sakramentet e ndara nga famullitarët. Famullia për çdo dekadë u përforcua edhe nga numri i besimtarëve që rritej vazhdimisht.
Duke u bazuar në Arkivin e Famullisë nxjerrim këto statistika: “Në vitin 1905, konaku stacionare françeskan në Gllogjan, që përkujdesej për Lugun e Baranit dhe Lugun e Leshanit, ishte si vijon: Gllogjani kishte 16 shtëpi katolike, Nepolja, me 10 shtëpi, Kusuriqi, me 1 shtëpi, Llugagjia, me 3 shtëpi, Barani, me 3 shtëpi, Gllaviçica, me 2 shtëpi, Poterqi i Epërm, me 2 shtëpi, Poterqi i Ultë, me 3 shtëpi, Dugajeva, me 2 shtëpi, Papiqi, me 3 shtëpi. Gjithsej 52 shtëpi katolike”.
Konaku stacionare e etërve françeskanë u bekua nga Arqipeshkvi Lazër Mjeda, më datën 7. 10. 1913, për shkak të luftërave, ndërtimi i Konakut filloi në vitin 1917, për shkak ndërrimeve politike dhe krijimit të shteteve pas Luftës së Parë Botërore, punimet vazhduan nga viti 1918 dhe përfunduan në vitin 1924. Pas ndërtimit të Konakut në Gllogjan, në përdhese gjendej kapela e dedikuar Shna Nout të Padovës, ndërsa dhomat lart ishin për banim të meshtarëve. Po ashtu, më datën 1.2. 1923, sipas një statistike të lënë nga Patër Marjan Prelaj: Gllogjani kishte 21 shtëpi, Nepolja,14 shtëpi, Drezga, 1 shtëpi, Ledinagjia, 5 shtëpi, Llugagjia, 5 shtëpi, Milqeviqi, 1 shtëpi, Çellopeku, 1 shtëpi, Kusoriqi, 1 shtëpi, Barani i Epërm, 3 shtëpi, Turjaka, 3 shtëpi, Broliqi, 2 shtëpi, Papiqi, 3 shtëpi, Lumardhi, 1 shtëpi, Pishtani, 6 shtëpi, Milovanci, 3 shtëpi, Lozhani, 2 shtëpi, Vragoci i Epërm, 2 shtëpi, Vragoci i Ultë, 1 shtëpi, Gllaviçica, 14 shtëpi, Poterqi i Epërm, 4 shtëpi, Poterqi i Ultë, 5 shtëpi, Dugajeva, 11 shtëpi, Drenoci, 3 shtëpi, Grabanica, 4 shtëpi, Dobidoli, 1 shtëpi, Babiqi, 5 shtëpi dhe Dollova, 1 shtëpi. Gjithsej me 120 shtëpi dhe me 1035 besimtarë.
Vlen të theksojmë në këtë paraqitje të kronologjisë së Famullisë së Gllogjanit, që Ipeshkvi ordinar i Dioqezës Shkup-Prizren, me Dekretin e datës së 7 Nëntorit 1978, e themelon Famullinë e Lartësimit të Shën Kryqit, në Gllviçicë, duke e ndarë nga Gllogjani. Kjo famulli me qendër në Gllaviçicë, e shtrirë në Lugun e Leshanit, përfshinë këto fshatra: Gllaviçicë, Vragoc, Babiq, Millovanc, Pishtan, Resujë, Lozhan, Poterqi i Epërm, Poterqi i Ultë, Drenoc, Dugajevë, Grabanicë; ky Dekret hyn në fuqi më datën 1 janar 1979.
Po ashtu, në vitin 2002, me Dekretin e Ipeshkvit Mark Sopi, filiali i Shën Jakut në fshatin Bardhaniq kalon nga Famullia e Becit nën juridiksionin e Famullisë së Gllogjanit me fshatrat: Gregoc, Dashinoc, Ratish dhe Rakoc.
Dorëshkrimi nga Pater Marjan Prela, famullitar i Gllogjanit, 1 shkurt 1923
Famullitarët e Gllogjanit
Meshtarët, të cilët kanë shërbyer në Famullinë e Gllogjanit, mundemi t’i nxjerrim nga Arkivi i Famullisë këto të dhëna: në vitin 1913 ka shërbyer Patër Luigj Pali (i vrarë nga malazezët në vitin 1913), po në vitin 1913 deri ne vitin 1921 kur u themelua famullia ka shërbyer Patër Filip Palaj OFM (Janjevë 22.03.1882 – Gllogjan 1945); nga viti 1922 deri në vitin 1923 famullitar ishte Patër Marjan Prela (Shkodër 14.04.1887 – Tiranë 1976, famullitar nëpër famulli të Zllakuqanit, Gllogjanit, pastaj në Grudë, Traboin dhe Tuz. Vlen të citohet vepra e tij “Kosova ndër doke e bestytni”, e botuar në Shkodër, më 1933). Në vitin 1923-1924 Patër Gjon Blushaj, nga Kallmeti i Shqipërisë. Prapë nga viti 1925 deri ne vitin 1940 famullitar është Patër Filip Palaj. Nga viti 1940–1942, famullitari ishte Pateë Lekë Filaj (i lindur në Janjëvë, më 22.03.1882- 21.03.1963). Përsëri Patër Filip Palaj shërben si famullitar nga viti 1942 deri në vdekje në vitin 1945. Nga viti 1945 famullia mbetet pa famullitar të emëruar, e cila shërbehej nga meshtarë të ndryshëm. Për gjashtë muaj mes viteve 1946 deri në vitin 1947, famullitar ishte Don Dedë Ramaj.
Nga në vitin 1947 deri më 10. 11. 1970, u emërua famullitar Don Ciril Bajuk, i lindur në Lubjanë, më 23. 03. 1907, u shugurua meshtar, më 25. 06. 1933 në Zagreb. Don Cirili shërbeu me shumë dashuri dhe përkushtim për 23 vite në Famullinë e Gllogjanit, vdiq në vitin 1978 në Slloveni.
Nga 10. 11. 1970 deri në nëntor të vitit 1989, famullitar ishte Don Anton Kçira,
i lindur në vitin 1939. Shkollën fillore e përfundoi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Pazin, studimet filozofike e teologjike i kreu në Gjakovo dhe më 29 qershor 1967 u shugurua meshtar. Përpara se të emërohej famullitar në Gllogjan, ka shërbyer në Bishtazhin dhe në Guci të Malit të Zi. Në Famullinë e Gllogjanit shërbeu 19 vite, gjatë viteve 1971-72 rinovoi konakun e vjetër dhe e modifikoi, duke e shndërruar në Kishë dhe ndërtoi konakun e ri për meshtarin dhe motrat. Nga vitit 1989 deri më 2011 shërbeu në Kishën e Shën Palit në Michigan – USA.
Nga nëntori i 1989 deri më 2007 u emërua famullitar Don Kelmend Spaqi.
I lindur në Velezhë, ku edhe e përfundoi shkollën fillore, ndërsa shkollën e mesme në Suboticë (Vojvodinë). Studimet filozofike-teologjike në Zagreb. U shugurua meshtar në vitin 1988 në Prizren. Shërbeu për një vit në Ferizaj (1988-89) dhe në nëntor të vitit 1989 u emërua famullitar në Gllogjan,deri në vitin 2007. Nga viti 2007-2014 shërbeu famullitar në Bec, pastaj një vit 2014-15 në Novosellë dhe tani shërben në Arqipeshkvinë e Tivarit në Mal të Zi.
Don Marjan Ukë Uka, shërbeu si famullitar nga viti 2007 deri në tetor të vitit 2015.
U lind në vitin 1948 në Rakoc, famullia e Becit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Dubrovnik. Fakultetin filozofik-teologjik e vazhdoi në Split dhe në Gjermani. U shugurua meshtar më 5 gusht 1974. Ka shërbyer në disa famulli, si në Zllakuqan, pastaj për një kohë në Bishtazhin dhe Gllogjan, ku kaloi në famullinë e re të Gllaviçicës, të themeluar më 1979 dhe shërbeu si famullitar deri në vitin 1997. Nga viti 1997 deri në vitin 2007 ishte famullitar në Velezhë, emërohet famullitar në Gllogjan në vitin 2007, dhe sherbeu deri në tetor të vitit 2015.
Në vitin 2015 famullitar emrohet don Fran Kolaj.
Ka lindur në Zllakuqan, shkollen fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Suboticë dhe fakultetin në Zagreb, është shuguruar meshtar në vitin 1987. Ka shërbyer në fillim për 3 vite në Shkup, pastaj famullitar në Novosellë, nga viti 1990-2002, në Pjetërshan nga viti 2002-2007, Velezhë 2007-2009, Misionin Katolik Shqiptar në Thurgau, Zvicër nga viti 2009-2011, pastaj famullitar në Kishën e Shën Palit në Michigan-SHBA, nga viti 2011-2015. Në vitin 2015 emërohet famullitar në Gllogjan, deri në muajin shkurt 2019.
Don Pal Tunaj, i lindur në Zllakuqan ku edhe e kreu shkollën fillore, gjimnazin në Prizren, ndërsa studimet filozofike-teologjike në Itali. Në Gllogjan shërben nga viti 2016, si ndihmësmeshtar dhe nga muaj shkurt i këtij viti (2019) u emërua famullitar./drita.info