Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut

(Alessandro Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Drita 2018, f. 92.)

 

Shqiptarëve të Shqipërisë e atyre që jetojnë të shprishur nëpër botë, me urimin që këto faqe t’u sjellin sadopak qetësi në zemrat e tyre të lënduara e të ndara nga ngjarjet e luftës e të pasluftës e me dëshirën që bëmat e Heroit t’i bashkojnë në atë dashuri, e cila e larton njeriun përmbi mjerimet njerëzore dhe e ushqen me flakën e Atdheut të lashtë. (Alessandro Serra)

 

 

Nga Domenico Morelli

 

Kujtimi i Skënderbeut mbetet i gjallë përngjatë shekujve përmes kujtimit oral dhe veprave të shkrimtarëve më të rëndësishëm jo vetëm shqiptar: më shumë se 400 publikime të veprave historike dhe letrare i janë kushtuar atij në tërë Evropën.

Janë ngritur mite dhe legjenda për figurën e tij me theks të veçantë dhe domethënës në letërsi, në shfaqjet teatrale dhe kinematografi.

Bibliografia e gjerë e bën shumë të vështirë një vlerësim dhe një analizë të drejtë të të gjitha botimeve.

Problemi më i madh që pengon një rindërtim të kthjellët të historiografisë së figurës së Skënderbeut dhe të aktiviteteve të tij politike dhe ushtarake, është mangësia dhe paplotësitë e burimeve të dorës së parë. Në radhë të dytë, burimet e dorës së dytë dhe të tretë, paraqesin probleme të mëdha të interpretimit, jo vetëm për shkak të largësisë kohore në marrëdhënie me faktet që përshkruajnë, por edhe për theksin e fortë ideologjik dhe i karakterizon ato.

Është mirë të kujtojmë se vendi dhe koha në të cilën janë përpunuar këto burime, nuk kanë favorizuar të qenit e autorëve të paanshëm në gjykimet e tyre.

Disa historian pohojnë se do duhej të rivlerësohej tërë ‘tradita e dashur’ që ka të bëjë me historinë e Skënderbeut dhe do duhej të niseshim edhe një herë nga fillimi, meqë deri tani pjesa më e madhe e materialit mbi të cilën mbështetën historianët e sotëm shqiptar është një traditë e mbledhur nga meshtarë, shumë herë humanistë, nganjëherë poetë, por prapë se prapë njerëz kishtar.

Marin Barleti, Dhimitër Frangu, Pal Engjëlli, Giammaria Biemmi, Frang Bardhi, Nikolë Shpata, Giuseppe Valentini, Marin Sirdani, Athanas Gega, Fan Noli, të gjithë këta biograf, përveç se ishin letrar të talentuar ishin edhe meshtar (Pal Engjëlli, Frang Bardhi dhe Noli ishin edhe ipeshkvij shqiptar, ndërkohë që Valentini ishte një jezuit italian). Fan Noli ishte një ndër poetët më të shquar të letërsisë shqipe, një publicist i palodhshëm dhe autor i kalibrit të lartë të përkthimeve nga letërsia anglosaksone.

Unë mendoj se nuk mund të shlyhet më një ‘vijë lapsi’ kërkimi i zellshëm i shumë eruditëve që kanë përshkuar 550 vjet nga ngjarjet që kujtojmë. Këta historianë kanë përdorur instrumente intelektuale që kishin në dispozicion, andaj tregimi i tyre duhet të vendoset në kontekstin e kohës dhe hapësirës në të cilën gjendeshin.

Pas kësaj që u tha, mendoj se rindërtimi i historisë në kohën tonë kërkon edhe kontributin e ekonomistëve të mirë, juristëve të mirë, glotologëve, antropologëve dhe arkivistëve të mirë, dhe pse jo edhe të teologëve të mirë.

Libri që po promovojnë sonte “purdatato”, është një përpjekje, sipas meje e arritur për të paraqitur në mënyrë objektive figurën e Skënderbeu në marrëdhënien e tij me papët e asaj kohe.

Alessandro Serra ka qenë një profesor dhe më pas një drejtor shkolle në Spezzano Albanese, që ka jetuar mes 1912-2000. Ishte edhe një studiues i historisë dhe është përpjekur të kuptojë kohën në të cilën jetonte. Ai e vizitoi Shqipërinë nga shtatori 1943 deri në mars 1944 dhe shkroi një kronikë të thellë të ngjarjeve (Shqipëria 8 shtator ’43 – 9 mars 1944). U angazhua në mbledhjen dhe ruajtjen e dokumenteve të qenësishëm që kishin të bënin me historinë dhe kulturën arbëreshe. Bashkëpunoi me revistën “Shejzat” dhe “Katundi Ynë”, dhe me shumë gazeta ditore kombëtare si “L’Osservatore Romano”, “Il Tempo”, “Storia Illustrata”, “Calabria Letteraria”.

Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut (Cosenza 1960), e botuar shqip nga SH.B. “Drita” 2018, përbën sintezën e artikujve të publikuar në ‘Archivio Storico Italiano’ dhe para së gjithash disa ndërhyrje të paraqitura në gazetën L’Osservatore Romano.

Bëhet fjalë për një vepër të përpiktë, të mbështetur mbi studimin e burimeve dhe që për A. Serra-n përbën një dokumentacion të çmuar të aktiviteteve të Kishës përballë rrezikut turk, si dhe një kontribut përvojash të vlefshme për Papët e së ardhmes.

Alessandro Serra në kapitullin e parë të veprës bën një listë të të gjitha studimeve që kanë të bëjnë me Skënderbeun, dhe i nënvizon aspektet pozitive dhe negative duke përmendur këtu edhe burimin e historisë gojore të këngëve popullore arbëreshe që e lartësojnë heroin dhe i japin atij një aureolë legjende, që e shndërron atë pothuajse në një mit.

Në gjashtë kapituj paraqiten marrëdhëniet e Skënderbeut me Papët që kanë pasuar nga 1444 deri në vitin 1468, vit i vdekjes së Heroit. Eugjeni IV, Nikolla V, Kalisti III (1455-1458), Piu II, Pali II. Teza kryesore e Serra-s është se pushtimi osman i shekullit XV ishte ngjarja më e rëndësishme për Shqipërinë, sepse ka ndikuar në fenë dhe në qytetërimin e saj. Në Perëndimin e krishterë vetëm Eugjeni IV e kuptoi peshën e kërcënimit osman. Në këto vite udhëheqësi, fitoi vëmendjen dhe admirimin e Shteteve Perëndimore të krishtera edhe pse pandjeshmëria e vazhdueshme e Shteteve italiane i bënë pothuajse të pavlefshme përpjekjet bujare të katër papëve që bartën me vete deri në varr dhimbjen e tyre për gjithë këtë keqkuptim.

Duke përvijuar një sintezë të jetës së Eugjenit IV dhe të 16 viteve të pontifikatit të tij të zellshëm, kohë gjatë së cilës u tejkaluar skizma e Bazilesë, u kërkuar bashkimi me Kishën greke, dhe ka asistuar në rilindjen e Shqipërisë me Skënderbeun. Por autori duhej të vendoste në pah dështimin e Kryqëzatës.

Për të gjithë historianët është e vështirë të tregojnë një serë ngjarjesh të ndërlikuara në të cilat arrihen marrëveshje, armëpushim, tradhti, pushtete që bëjnë lojë të dyfishtë në një skenar kur Venediku, Hungaria, Mbretëria e Napolit dhe pushtetet tjera italiane nën regjinë e Papatit kërkojnë të ndalin në vinë detare dhe tokësore turqit gjithnjë më kërcënues.

Serra me një gjuhë të thjeshtë dhe të pëlqyeshme arrin të kap vëmendjen e lexuesit i cili mbetet i befasuar nga vijimi njëpasnjëshëm i ngjarjeve.

Në vitin 1443 Eugjeni IV shpall kryqëzatën kundër turqve me një enciklikë përmes së cilës obligon klerin për të përdorur ‘të dhjetat’ për të mbështetur këtë ndërmarrje dhe në të njëjtën kohë fillon një strategji për të ftuar të gjitha fuqitë perëndimore që të marrin pjesë në këtë ndërmarrje.

Nikolla V, që pasoi Eugjenin në vitin 1447 e përtëriu këtë nismë me anë të një bulle në të cilën ai fton Princat që të ndihmojnë Skënderbeun dhe kryqëzatën. Heroi shqiptar arriti të ndalojë “urto” të armikut dhe në vitin 1450 liroi Krujën. Në një lojë aleancash dhe nevojtar për ndihma, Skënderbeu e vendosi politikën e Shqipërisë nën varësinë e mbretit Alfons të Napolit: ky qëndrim i Skënderbeut e bëri të dyshimtë Venedikut që i hoqi pensionin Skënderbeut. Megjithatë Papa e propozoi Skënderbeun si udhëheqësin e Lidhjes kundër turqve dhe arriti të qetësonte shpirtrat e princave shqiptar, por vdiq në vitin 1455.

Pasardhësi i tij, Kalisti III (1455-1458) e mbështeti me burime Skënderbeun. Më 28 dhjetor 1457 e emëroi Kapitenin e përgjithshëm të Selisë së Shenjtë, duke e vlerësuar devotshmërinë e tij ndaj fesë së krishterë dhe ndaj Selisë Apostolike mbi të gjithë princat katolikë.

Në ndërkohë Skënderbeu jo vetëm mbrojti kufijtë shqiptar, por i shkon në ndihmë edhe Ferdinantittë Aragonës, mbretit të Napolit që po kundërshtohej nga baronët. Me të kthyer në Shqipëri në janar 1462, Skënderbeu përpiqet të bëj paqe me Muhametin II, të kundërshtuar në mënyrë shumë të fortë nga papa i ri Piu II.

Pas vdekjes së Piut II, Shtetet u ndjenë të lira nga Kryqëzata. U anuluan marrëveshjet. Turqit u përpjekën të bëjnë paqe me Venedikun. Por papa i ri, Pali II, nipi i Eugjenit IV, ua imponoi Shteteve perëndimore ndihmën ndaj Skënderbeut dhe Matia Korvinit, mbretit të Hungarisë në kryqëzatën kundër turqve. Njëkohësisht e lehtësoi arritjen e paqes mes Venedikut dhe Skënderbeut.

Falë këtyre mbështetjeve Skënderbeu mposhti turqit në Vajkal dhe na Kashar. Por rreziku nuk ishte tejkaluar ende. Në maj 1466 Heroi duhej t’i bënte ballë rrethimit të Krujës. Shkoi në Romë për t’i kërkuar ndihmë Papës, që më 12 janar 1466 e mbledh Konzistorin për t’i ofruar atij 5000 dukatë. Ndihma tjera merr në Napoli. Kthehet në Shqipëri dhe rifillon luftën duke ftuar në vitin 1468 Lidhjen e Lezhës.

Por drama e Skënderbeut vinte drejtë përfundimit. Për fat të keq, e kapin ethet dhe më 17 janar 1468 vdes në Lezhë.

Bashkë me Skënderbeun merr fund edhe kryqëzata, andaj turqit do kishin mundësi të pushtonin Perëndimit.

Jam përpjekur të bëj një përmbledhje të një vepre të pasur me ngjarje dhe drama që Serra kërkon të veçojë dhe që tërheqin vëmendjen e të gjithë lexuesve. Personazhet janë të definuar shumë mirë bashkë me aspektet e tyre pozitive dhe negative. Libri duhet lexuar për të përcjellë dhe për të kuptuar ndërmarrjet e mëdha të Skënderbeut në mënyrë shumë të qartë dhe thelbësore.

Serra mbyll veprën e tij me një përsiatje epike: “Është një shembull i rrallë në historinë e popujve, që përballë skllavërisë osmane, pjesa më e madhe e popullit shqiptar parapëlqeu më shumë mërgimin vullnetar, mjerimin dhe urinë në tokë të huaj.”

“Dhe nëse refugjati shqiptar nuk arriti të shpëtojë Shqipërinë bashkë me bjeshkët, detin dhe gjithë atdheun e tij ideal, ai mori me vene në tokë të huaj doket dhe traditat, këngët epike dhe legjendare, kujtimet më të shenjta. Dhe të gjitha këto ia përcjelli pasardhësve nga i ati tek i biri, nga breznia në brezni, nga shekulli në shekull, me një lidhshmëri fetare dhe me skrupolozitet të një riti.”/drita.info

(Fjala e mbajtur në promovimi e librit: Alessandro Serra, Shqipëria dhe Selia e Shenjtë në kohën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Drita 2108, f. 92, në Prishtinë, 9 nëntor 2018, në Rezidencën e Ipeshkvisë Prizren-Prishtinë. Përkthimi shqip: Don DominikQerimi)

Shpëndaje: